Një përgjegjësi që Shqipëria nuk e mban dot

13

Lavdosh FerruniLavdosh Ferruni/ambientalist

Unë jam një nga drejtuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave dhe flas në emër të organizatës sonë. Paraprakisht dua të nënvizoj se organizata jonë ishte ajo që ia doli të ndalojë importin e plehrave në Shqipëri. Kjo falë edhe një vullneti të mirë dhe solidariteti me lëvizjen tonë shoqërore prej mazhorancës së re qeverisëse të drejtuar nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama. Nisur nga kjo përvojë dhe angazhim yni i mëhershëm është e natyrshme që ne, si Aleancë,  nuk mund të mos reagonim për projektin apo draft projektin e prurjes së një arsenali gjigant armatimesh dhe lëndësh kimike tejet të rrezikshme, me efekt vdekjeprurës, në territorin e Shqipërisë. Tani nuk jemi në fazën e të menduarit, por të të vepruarit. Dhe veprimi ynë ka qenë i menjëhershëm, brenda pak orëve, pasi morëm informim nga një shqiptar i mirë në Amerikë, i cili i referohej një medie të huaj. Ne dolëm me një deklaratë për shtyp dhe sot në protestë ishim si asnjëherë tjetër për nga pjesëmarrja dhe entuziazmi, i cili lidhet me reagimin popullor për një çështje publike. Ka arsye për këtë. Dhe arsyet lidhen me efektin imediat dhe afatgjatë të këtyre lëndëve kimike. Është i njohur edhe efekti kumulativ afatgjatë i këtyre helmeve. Ngaqë ka studime dhe praktika toksike me pasojë deri vdekje të menjëhershme, ka dhe një konventë ndërkombëtare për ndalimin e këtyre armëve, që Shqipëria e ka ratifikuar. Pikërisht se janë shumë të rrezikshme, konventa parashikon që shkatërrimi i tyre të bëhet në vendin posedues të këtyre armëve. Helmi vdekjeprurës Sarin, që është thënë se vjen në Shqipëri në sasi kolosale prej 1000 tonësh, ka një fuqi që edhe 1000 gram mund të bëjë kërdinë në jetë njerëzish. Të ngrihesh kundër armëve shfarosëse kimike nuk kërkon njohuri teknike. Ka një memorie të hidhur njerëzore për këto. Shqipëria ka treguar se është një anëtar i NATO-s dhe i ka zbatuar me shumë korrektësi përgjegjësitë e marra ndaj NATO-s. Këtë përgjegjësi të kthimit të territorit të vendit në depo të lëndëve të rrezikshme botërore thjesht nuk e merr dot, se nuk mundet. Është njësoj si një fëmije t’i vësh 200 kg në kurriz. NATO nuk ka tagër të vendosë detyrime mbi sovranitetin e një vendi anëtar. Qeveria shqiptare gjithashtu, nuk mund të vendosë për një çështje që ka të bëjë me sovranitetin dhe të drejtën e jetës, të mishëruar në Kushtetutën e vendit, siç është rasti i transgresionit të rëndë, që i kanoset vendit nëpërmjet stokimit të një arsenali gjigant armësh të shfarosjes në masë. Dhe kam bindjen e plotë që nëse kërkesa për prurjen në Shqipëri të kontingjenteve të armëve e lëndëve kimike nuk tërhiqet nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend, atëherë duhet një referendum.