Nishani dekoron Grupimin pёr Çёshtjet Shqiptare dhe Kongresmenin Aderholt

57

NishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Kongresit Amerikan, dekoroi Grupimin për Çështjet Shqiptare në Kongres me “Medaljen e Flamurit Kombëtar”, ndërsa me Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Kongresmenin Robert Aderholt me motivacionin “Në shenjë vlerësimi të lartë për aktivitetin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të reformave demokratike në Shqipëri, të zgjerimit të hapësirës demokratike për shqiptarët në rajon dhe veçanërisht për pavarësinë e Kosovës”.

“Dikur bunker i komunizmit, Republika e Shqipërisë ndërmori reforma rrënjësore për ndërtimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, vendosjen e ekonomisë së tregut, respektimin e të drejtave të njeriut dhe hapjen e vendit. Vendi, dikur, më brutal në shkeljen e të drejtave të njeriut, drejtoi, dy vite më parë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, këtij tempulli të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut. Shqipëria tashmë anëtare e NATO-s, ka si objektiv strategjik parësor anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe pret, me të drejtë, bazuar në meritë, të marrë statusin e vendit kandidat në BE këtë qershor. Të vetëdijshëm se integrimi evropian është një proces që kërkon kohën e tij, kemi motivimin qytetar,  vullnetin politik, dhe aftësitë institucionale për t`i shkuar deri në fund. Gjithçka kemi arritur janë fryt i përgjegjësisë sonë, por këto frute do të ishin të pamundura pa përkrahjen, bashkëpunimin dhe ndihmën bujare të partnerëve dhe miqve tanë zemërgjerë e të durueshëm. Grupi i Çështjeve Shqiptare është njëri prej tyre, madje nga më të rëndësishmit” ka theksuar presidenti Nishani.

Presidenti theksoi më tej se Shqipëria është e përkushtuar në politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

“Shqiptarët, kudo në rajon,  mbështesin konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të vendeve ku jetojnë. Shqiptarët do të jenë bashkë në Bashkimin Evropian. Në gjykimin tonë, bashkëpunimi rajonal mund të bëhet konkret nëpërmjet lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave e kapitaleve dhe angazhimit të përbashkët në nisma e projekte, të cilat do ta bënin këtë rajon tërheqës e konkurrues, si pjesë natyrale e tregut evropian” shtoi ai.

Më herët, Presidenti Nishani, u prit në një takim mirëseardhjeje nga bashkëkryetari i Grupimit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, Kongresmeni Eliot Engel.

Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime për zhvillimet e fundit në rajon, në Shqipëri dhe për kontributin e mëtejshëm të këtij grupimi në promovimin e demokracisë dhe integrimin evropian të Shqipërisë dhe vendet e tjera të rajonit ku jetojnë shqiptarë.