Moore: Shqipëria, krenare për tranzicionin paqësor të pushtetit

13

jonathan-moore-Drejtori i Marrëdhënieve për Evropën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit Jonathan Moore ka vlerësuar edhe njëherë trazicionin paqësor të pushtetit në Shqipëri.

Në një diskutim në Fakultetin për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Moore është shprehur se SHBA mbështet integrimin Euro-Atlantik të rajonit ndërsa i ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë reformat, dhe të lënë pas tensionet ndëretnike.

Sipas tij, pas vitesh investimi dhe angazhimi nga Perëndimi, Ballkani Perëndimor ka arritur sukses të konsiderueshëm por disa sfida mbeten ende të pazgjidhura

Ai ka shtuar se pikëpamja zyrtare e Shteteve të Bashkuara është se vendet e Ballkanit Perendimor kanë arsye të jenë krenare me anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë dhe tranzicionin paqësor të pushtetit në Shqipëri.

“Objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara për rajonin është integrimi i tij Euro-Atlantik. Siç kanë thënë shumë administrata  amerikane qofshin – demokrate apo republikane – ne duam një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe – ky është fokusi ynë.”

Por zoti Moore tha gjithashtu se vendet e rajonit duhet të përpiqen të zbusin tensionet etnike dhe kombëtare, të luftojnë korrupsionin dhe të përpiqen për reforma ekonomike, të shtojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit.

Ai shton se Amerika është e angazhuar që rajoni të jetë pjesë e këtyre organizatave.

“Ne jemi të angazhuar, të vendosur dhe të interesuar në një të ardhme në BE për të gjitha këto vende, dhe nëse duan edhe në NATO. Ky ka qenë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për vite dhe ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë” ka shtuar Moore.

Moore është shprehur gjithashtu se Maqedonia dhe Bosnja janë dy përjashtime përsa i përket arritjeve. Maqedonia ka pengesë për anëtarësim në NATO mosmarrëveshjet me Greqinë për emrin. Dhe Bosnja vazhdon të ketë mosmarrëveshje etnike.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit është dakort se Bosnja është shumë e komplikuar për shkak të marrëshjes së Dejtonit e cila i dha fund luftës por e la Bosnjen të ndarë etnikisht.

“Pyetja e vërtetë është: a mund ta shpërbësh strukturën e Dejtonit dhe përgjigja jonë e prerë është Jo, nuk mundesh.”

Shumë nga vendet e Ballkanit mbajnë zgjedhje në vitin 2014. Por ende nuk është e qartë se çfarë përparimi do të shënojnë ato drejt demokracisë së plotë dhe integrimit në BE.