Meta mbi vendimin: Berisha ndryshe nga Rama, do kishte thënë PO

61

ilir-metaKreu i Kuvendit, Ilir Meta në një intervistë për emisionin “Watching” të gazetares Menada Zaimi në “AGON Channel” deklaroi se, pavarësisht vendimit të bërë publik nga kreu i qeverisë Rama, marrëdhëniet me SHBA do të konsolidohen akoma më tej. Meta theksoi se, çështja u instrumentalizua nga opozita e cila sigurisht që e kaloi edhe vijën e kuqe. Në vlerësimin e tij, kreu i Kuvendit gjykon se Kryeministri në këtë proces, ka bërë përpjekjet më të mira për të treguar vullnetin e Shqipërisë për të kontribuar në një aksion ndërkombëtar që i shërben paqes, stabilitetit, sigurisë. Ndryshe nga Rama, Berisha do të kishte thënë Po, pa dëgjuar askënd.

Z. Meta, pas këtij vendimi “Jo” të qeverisë shqiptare duhet të shqetësohemi për marrëdhëniet me SHBA-të?

Jam i bindur se marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të konsolidohen akoma edhe më tej. Sot është vendosur një standard edhe më i lartë i demokracisë në Shqipëri dhe SHBA-të kanë pasur gjithnjë parësore për Shqipërinë ecurinë në rrugën e demokracisë. Ndërsa çështja e demontimit të armëve kimike të Sirisë nuk është një problem thjesht midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. Kjo është një çështje ndërkombëtare. Natyrisht SHBA-të si aktori më i rëndësishëm global në fushën e paqes dhe të sigurisë kanë angazhimin e tyre. Unë besoj se ky ka qenë një raport shumë i sinqertë komunikimi deri ditën e sotme, i cili natyrisht konfirmoi se Shqipëria nuk i kishte kapacitetet për tu përfshirë në këtë ndërmarrje ndërkombëtare dhe Shqipëria nuk mund të mohonte gjithashtu zërin dhe shqetësimin e qytetarëve të saj, të cilët vetëm pak vite më parë u bënë dëshmitarë të një ngjarjeje mjaft tragjike ku humbën jetën 26 shqiptarë. Natyrisht kjo ngjarje ka lënë gjurmët e saj. Ashtu sikurse edhe instrumentalizimi i ekzagjeruar nga ana e opozitës i kësaj çështjeje e bënte akoma më të vështirë një gjykim apo një vendim tjetër. 

A mund të thoni që vendimi për të thënë “Jo” u mor për shkak sepse protestat u bënë shumë të fuqishme?

Nuk ndaj të njëjtin vlerësim sepse asnjë vendim nuk ishte marrë për këtë çështje. Natyrisht SHBA-të, sikurse është bërë publike, kanë kontaktuar me zyrtarë të qeverisë shqiptarë siç kanë kontaktuar edhe me zyrtarë të vendeve të tjera partnere apo anëtarë të OKB-së, dhe nuk mendoj se protestat ishin shkaku kryesor. Jam i bindur që vetë Kryeministri nuk ka qenë i bindur që në fillim që Shqipëria i kishte kapacitet dhe në të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që Shqipëria nuk i kishte këto kapacitete. Në këtë drejtim edhe në rast se Shqipëria do të përfshihej në këtë operacion, që në çdo rast do të ishte një përfshirje e pjesshme sepse asnjëherë nuk bëhej fjalë për të depozituar këto mbetje por për të kryer një proces deaktivimi, absolutisht që kapacitetet do të instaloheshin përmes partnerëve ndërkombëtarë si SHBA-të, OKB e kështu me radhë. Kështu që nuk mendoj se ka qenë një vendim i marrë i cili u rishikua si rezultat i protestave. Por mund të them që edhe protestat patën impaktin e tyre dhe kjo është tregues i një demokracie në rritje në vendin tonë dhe një pjekuri e re. 

A është kjo një “Jo” përfundimtare apo mund të shkojmë në javët e ardhshme dhe mund të rimendohet opozicioni i Shqipërisë?

Unë besoj se qëndrimi i Kryeministrit ishte i qartë. 

Z. Meta, çfarë do të kishit bërë ju ndryshe në këtë situatë?

Mendoj se i gjithë procesi ka qenë mjaft kompleks. Në çdo rast çdo vendim, i cili do të merrte në konsideratë këtë propozim, do të shoqërohej me garanci shumë të forta publike, ligjore, të cilat do të bënin të mundur që vërtet Shqipëria të dilte më e pastër pas një operacioni të tillë, pavarësisht nga pasojat, të cilat shpeshherë më shumë se sa të drejtpërdrejta, mund të kenë të bëjnë me imazhin e vendit, i cili natyrisht më pas përkthehet edhe në pasoja më konkrete, turistike, financiare, sociale e në vijim. Por, unë jam i bindur se në çdo rast garancitë do të ishin shumë të forta. Së dyti, mendoj se pati një spekulim shumë të madh gjatë gjithë këtij procesi sepse në asnjë rast një proces i tillë nuk mund të ndodhte jashtë vëmendjes dhe jashtë syve të opinionit publik, jashtë Parlamentit, jashtë dialogut me opozitën, jashtë Presidentit të Republikës, i cili natyrisht që do të ishte aktor. Por, sigurisht që kontakti i parë në çdo rast kur diskutohet një çështje e tillë që ka të bëjë me një marrëveshje ndërkombëtare është gjithmonë me qeverinë, tratativat, diskutimet për shkëmbimet e mendimeve të ndryshme dhe në këtë drejtim mendoj se ka pasur paragjykime të padrejta ndaj qeverisë, ndaj kryeministrit, sepse u tha që ishte marrë një vendim, u dhanë garanci të plota nga ana e opozitës, nga ana e z. Berisha dhe shohim që kemi një rezultat tjetër. Pra, u instrumentalizua një raport mjaft konstruktiv me partnerët ndërkombëtare për qëllime të brendshme politike. Kjo nuk është pozitive dhe nuk është e shëndetshme.

 Ju ratë pre e këtij instrumentalizimi?

Jo, absolutisht nuk ka lidhje kjo me këtë instrumentalizim, por duhet theksuar që vendimi i sotëm tregoi se opinioni u mbars në një pjesë të madhe në një mënyrë mjaft spekulative. Shqetësimi për armët kimike është një shqetësim i drejtë për të gjithë qytetarët, aq më tepër që opinioni publik ka qenë i bombarduar me pasojat e mëdha që armët kimike shkaktuan në Siri. Ky ka qenë një problem mbarëbotëror dhe kuptohet që asnjë qytetar nuk do të dëshironte që Shqipëria të kishte të bënte me këtë proces, qoftë edhe psikologjikisht. Por, opozita mendoj që vërtet e kaloi vijën e kuqe me trajtimin e kësaj çështjeje dhe se kjo çështje në çdo rast do të trajtohej me përgjegjshmëri dhe në mënyrë legjitime dhe kushtetuese. 

Çfarë Shtetet e Bashkuara i ofroi Shqipërisë për të pranuar dhe për të marrë këto armë kimike? Sepse ka pasur disa spekulime se do të ketë një shpërblim për të pasuruar disa zona Hotspot në Shqipëri apo ishte në një formë të një ndihme financiare?

Nuk mund të flas në detaje sepse natyrisht këto kanë qenë kontakte me zyrtarët e qeverisë, por besoj se edhe kryeministri Rama e ka bërë të qartë, edhe ambasadori Arvizu e ka bërë të qartë që në çdo rast një projekt i tillë nuk do të synonte dëmtimin e Shqipërisë, por përveç kontributit të Shqipërisë në këtë çështje që është ndërkombëtare për t’i dhënë një përgjigje shqetësimit të opinionit publik, sidomos në raport me mjedisin, do të kishte edhe aksione dhe mbështetje suplementare për probleme të tjera mjedisore që Shqipëria i ka të trashëguara nga e kaluara. 

Sipas jush, z. Rama zgjodhi rrugën logjike? A bëri ndonjë gabim dhe ju çfarë do të kishit bërë ndryshe nga ai?

Unë mendoj se z. Rama ndoqi atë rrugë që mund të ndiqte një kryeministër, e cila natyrisht nuk është rruga e një qytetari të thjeshtë, i cili menjëherë të thotë ‘Jo’ dhe menjëherë del në protestë. Pra, ka bërë përpjekjet më të mira për të treguar vullnetin e Shqipërisë për të kontribuar në një aksion ndërkombëtar që i shërben paqes, stabilitetit, sigurisë. Sepse kjo gjë i është kërkuar dhe Shqipëria asnjëherë nuk ka munguar për të kontribuar për këto çështje të drejta. Shqipëria ka djemtë e saj, të cilët  kanë qenë në Irak, të cilët janë në Afganistan dhe kjo bëhet në emër të disa vlerave dhe parimeve të shenjta për mbarë njerëzimin dhe për popullin shqiptar, i cili është një përfitues gjithashtu i lirisë, i paqes, i sigurisë për të cilën kanë kontribuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë evropianë. Dhe natyrisht në gjithë vlerësimin e kësaj çështjeje, duke vlerësuar të gjithë faktorët, arriti në një konkluzion që u bë sot publik. 

Nga fillimi deri në fund fjalimi i Kryeministrit të linte të kuptoje se vendimi do të ishte pozitiv. Pse ishte e nevojshme për ta bërë këtë?

Mendoj se kryeministri ka dashur të japë një anë të balancuar të dyjave alternativave dhe të bëjë të qartë se qëllimet e Shteteve të Bashkuara kanë qenë mjaft pozitive për të përfshirë Shqipërinë dhe për ti dhënë një rol asaj në këtë proces të rëndësishëm me vlerë ndërkombëtare. Në renditjen e shumë elementëve shumë pozitivë ai ka dashur t’u japë një përgjigje të gjithë akuzave që i janë bërë për arsye politike ndaj vullnetit të qeverisë shqiptare apo kryeministrit për të qenë i hapur, për të bashkëbiseduar dhe për të vlerësuar një alternativë të tillë. 

Kjo “Jo” e Kryeministrit Rama, mos ndoshta ishte një zgjedhje pragmatike se protestat në rrugë mund të rrëzonin qeverinë? A do të mundeshin ato të rrëzonin qeverinë nëse Kryeministri do të thoshte “Po”?

Nuk mendoj. Unë jam i bindur, se në çdo rast, qeveria aq më tepër Kuvendi, nuk mund të merrnin një vendim larg syve, larg vëmendjes së opinionit publik dhe nuk mund të injoronim shqetësimin e qytetarëve. Pra, mendoj se duke u gjykuar në kompleks, e gjithë çështja u arrit në vendimin më të pjekur i cili në asnjë rast nuk është një vendim që ka të bëjë me një raport tjetër nga ai i deritanishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës sikurse u shprehën pas bërjes publike të këtij vendimi. E mirëkuptojnë këtë qëndrim të Shqipërisë dhe absolutisht do të vazhdojnë të jenë mbështetëse ndaj vendit tonë. 

A i prisnit të tilla protesta nga qytetarët shqiptarë ?

Patjetër që manifestime do të kishte sepse ne kemi pasur edhe për çështje të tjera të cilat nuk kishin dhe nuk mund të kishin këtë sensiblitet që u krijua në këtë rast. Por,  pa asnjë diskutim që ne e kemi bërë të qartë që në fillim që nuk mund të merret asnjë vendim që nuk do të kishte në konsideratë shqetësimin e qytetarëve. Ne këtë e kemi thënë përpara se protestat të merrnin dimensionet e dy ditëve të fundit. 

Kjo është diçka e re për Shqipërinë ?

Gjëja e re për Shqipërinë, është një standard më i lartë për demokracinë në Shqipëri. Manifestime mjaft paqësore, mjaft të sinqerta dhe natyrisht pa asnjë konfrontim dhe me mesazhe tepër konstruktive. 

Z. Meta, a mendoni se kishte frymë antiamerikane në këtë protestë dhe a e inspiroi opozita një frymë të tillë në protestë?   

Në radhë të parë, unë mendoj se ky nuk ishte një raport midis Shqipërisë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Raporti me SHBA-në është një raport mjaft i fortë dhe i konsoliduar. Këtu kemi bëjmë me një çështje ndërkombëtare, ku Shtetet e Bashkuara janë më të ekspozuara sepse kanë rolin kryesor për t’i dhënë një zgjidhje krizës në Siri dhe çështjes së armëve kimike. Kështu që, nuk mendoj se këtu kemi të bëjmë me një reagim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës por kemi të bëjmë me një shqetësim të madh qytetar për rrezikun që mund të vinte nga ardhja e këtyre armëve kimike në Shqipëri duke nisur nga eksperienca të hidhura në të kaluarën me problemet e demontimit që ne kemi pasur me armët tona të trashëguara nga e kaluara. Përveçse një sensibiliteti të krijuar përmes medieve të huaja apo vendase, një pjesë e të cilave ishte mbartura me mjaft spekulime që krijuan dhe një atmosferë shqetësuese dhe kjo për mendimin tim kjo nuk lë asnjë gjurmë në raportet tona me SHBA-në të dhe qytetarët tanë e kuptojnë që SHBA-të ishin dhe mbeten të interesuar për të gjetur një zgjidhje e cila natyrisht do të gjendet. 

Opozita e kaloi vijën e kuqe aq sa për të treguar se është anti-amerikane?

Mendoj se opozita e teproi mjaft dhe unë kam përshtypjen se po të kishte qenë z. Berisha Kryeministër do të ishte një marrë një vendim pa u diskutuar me askënd. 

Gjithsesi ne nuk e dimë se si do të kishte vepruar z. Berisha….

Unë e them këtë, sepse u teprua shumë prej tij dhe prej përfaqësuesve të PD-së. U teprua aq shumë sa dje në parlament jashtë çdo standardi dhe jashtë çdo norme, pa asnjë bazë ligjore dhe pa u bazuar në rregullore kërkonin që të anulohej vizita e Kryeministrit në Malin e Zi për shkak të këtij shqetësimi aq të madh që ishte krijuar këtu. 

Megjithatë, ju biseduat me z. Berisha…

Po, unë e takova për t’i bërë të qartë se shqetësimi i tyre mund të merrte një zgjidhje shumë normale, por ne nuk mund të ekzagjeronim, sepse sikurse unë e thashë që edhe në Parlament asnjë vendim nuk mund të merret pa dëgjuar edhe zërin e z. Berisha, pa dëgjuar edhe zërin e opozitës, sepse ne jemi një vend demokratik. Ne jemi një vend ku veprohet mbi bazë të ligjeve dhe në këtë drejtim unë mendoj se opozita duhet të ishte treguar edhe më e përmbajtur. 

Ishte një situatë interesante. Mazhoranca dhe opozita ishin në të njëjtën anë. Diçka jo shumë shqiptare, a mund ta themi këtë?

Kjo gjë nuk ndodh vetëm këtu, ndodh edhe në vende të tera por unë mendoj se sjellja e qytetarëve ka qenë një sjellje model e cila solli një standard të ri të demokracisë në Shqipëri. 

A mund të themi se kjo ishte një fitore e shqiptarëve, pra shqiptarët bënë që zëri i tyre të dëgjohet?

Mendoj se kjo ishte një fitore e demokracisë shqiptare në përgjithësi, sepse këtu kemi disa komponentë të gjithë së bashku, të cilët treguan në fund të fundit që demokracia jonë ka hyrë në një epokë të re, sidomos pas zgjedhjeve të 23 qershorit, sepse mendoj që edhe sjellja e qeverisë dhe Kryeministrit dhe sjellja e shqiptarëve, të gjithë tregojnë standard të ri. 

Z. Meta, e menaxhuar ndryshe kjo situatë, a mund të kishim sot një “po” apo “jo”-ja ishte e pashmangshme?

Kam përshtypjen që përgjigja e sotme ishte rezultat i një gjykimi objektiv dhe kompleks i të gjithë çështjes. 

A i ka zhgënjyer mazhoranca sotme votuesit e 23 qershorit? Nëse fitoi në 23 qershor humbi pas 6 muajsh një betejë po me popullin në shesh…

Nuk e kuptoj përse mazhoranca duhet të konsiderohet si humbëse. Së pari, mazhoranca nuk ka pasur në programin e saj elektoral për të çmontuar armët kimike nga Siria në Shqipëri. Së dyti, mazhoranca asnjëherë nuk ka synuar të realizojë diçka e cila vjen në kundërshtim me interesat e qytetarëve, përkundrazi. Kështu që kjo ngjarje ky zhvillim tregon që kemi një epokë të re, me fitoren e kësaj mazhorance ku qytetarët ndryshe ndoshta nga e kaluara mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre dhe jo vetëm kaq, por edhe të dëgjohen. 

A janë një problem madhor për ju mbetjet toksike që ka në këtë vend, depozitimi i tyre, apo mbetjet urbane? A mendoni se Shqipëria do ta zgjidhë këtë problem e vetme, pa eliminimin e mbetjeve toksike që ka aktualisht në vend?

Unë mendoj se ne do ta zgjidhim këtë problem në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në radhë të parë me Bashkimin Evropian kemi mjaft projekte për të trajtuar këto çështje të trashëguara dhe pa asnjë diskutim që ne do t’i zgjidhim këto. 

Z. Meta, po i referohem një komenti tuaj në parlament. A janë çarmatosur shpirtrat e shqiptarëve sot dhe kush ishin ato shpirtra që ishin të armatosur?

Un e kisha fjalën për politikanët, sepse flasim kundër demontimit, por vazhdojnë të jetë të armatosur me shpirti e konfliktit të tensionit të panevojshëm, ndërkohë që ne duhet të marrim shembull nga qytetarët të cilët kanë qenë mjaft të natyrshëm në gjithë këtë reagim. Dëshira për të nxitur dhe për të rritur konfliktet në shoqëri absolutisht që është e gabuar dhe kemi nevojë të detoksikojmë politikën. Unë e kam thënë me kohë këtë fjalë. Në radhë të parë qytetarët janë shumë të çliruar.