Dritëro Agolli: Rama nuk doli kundër popullit të vet

78

agolliShkrimtari i njohur Dritëro Agolli në një intervistë për të përditshmen Panorama ka folur mbi vendimin e djeshëm të kreut të qeverisë Rama. Agolli vlerëson, se ndonëse vonesa në vendim mund të jetë negative për Ramën, për shoqërinë tonë ishte pozitive pasi krijoi hapësirën e duhur për reagim dhe protestë qytetare.  Agolli e cilëson këtë reagim qytetar, si protestë e një gjenerate të re, e cila vetëorganizohet dhe del në protesta.

Mos ishte pak i vonuar në kohë ky reagim?
Kjo vonesë për vetë Ramën mund të jetë negative. Por, kjo vonesë është pozitive për gjithë shoqërinë tonë, sepse krijoi hapësirën e duhur që populli të reagojë dhe të dalë të protestojë, me qytetari, pa lajmërime partie dhe pa frikën se mund të vriteshin nga dritaret dhe pritat e tjera. Për mua kjo vonesë lindi gjeneratën e re, e cila u mësua të dalë në protesta të tilla për të drejtat e qytetarëve dhe jo në protesta politike, për zgjedhje apo për votën. Këto protesta treguan edhe një gjë tjetër: që qeveritë të respektojnë protestuesit, pa përdorur dhunë policore, por as armë. Nuk pamë asgjë të tillë. Dy vjet më parë në po atë shesh, më 21 janar, kemi parë përdorim armësh ndaj protestuesve dhe të vrarë në mes të protestuesve. Unë e kuptoj opozitën, sepse opozita ka dëshirë për protesta, sepse është një nga mjetet e saj. Por, aty pamë që edhe përdorimi i protestës së qytetarëve nuk është më aq i lehtë. Ne pamë që protestuesit i përzunë drejtuesit e PD-së nga protesta e tyre, sepse nuk donin ta bashkonin me politikën.
Një protestë qytetare na mungonte që prej vitit 1990…
Jo, unë mendoj se ka një ndryshim mes protestave të viteve 1990-1997 dhe kësaj të 2013-s, sepse atëherë kishte dhe thyerje, dhe plaçkitje. Tani rinia tregoi qytetari. Edhe unë do të isha në këtë protestë me shumë qejf, edhe pse jam 82 vjeç, por nuk më mbajnë këmbët. Kjo është një gjeneratë e re dhe jo brezi i ri i ministrave, siç paraqitet ndonjëherë, apo me numër të madh grash në Parlament. Gjenerata e re është e këtyre që vetorganizohen dhe jo ata që emërohen nga kryetarët.
Me këtë vendim të Edi Ramës, mendoni se mund të cenohen marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA?
Jo aspak, sepse përndryshe duhet të cenoheshin dhe marrëdhëniet e SHBA-ve më të gjitha vendet e tjera të Europës që nuk i pranuan këto armë. Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, tha që shkatërrimi i këtyre armëve më mirë të bëhet në Siri. Mos do të duhet të prishen dhe marrëdhëniet e SHBA-ve me OKB-në?! Jo nuk mund të cenohen. Edhe Ambasada Amerikane madje e vlerësoi qëndrimin e Edi Ramës dhe konfirmoi se do të vazhdojë të punojë me Shqipërinë.
Kundërshtitë tuaja për armët kimike u keqinterpretuan në disa raste…
Një deputet i PS-së tha “dikush tha se po të vijnë armët kimike këtu nuk do të jetojë dot as karkaleci”. Ai “dikushi” jam unë dhe unë kam një emër, nuk jam dikushi. Këtë të shkurtrin, që është më i shkurtër se gratë deputete, e zuri frika se do të mbytej dhe ai si karkalec. Saç kam shkruar unë libra, ai karkaleci nuk ka ngrënë patate.