Ndonëse perspektiva evropiane e BH ngelet e tillë, problemet e shfaqura si në rastin e mosaplikimit në jurisprudencën kombëtare të vendimit nga GJEDNJ mbi çështjen Sejdic-Finci; mosplotësimi i angazhimeve të BH, në disa fusha konkrete; vënia në dyshim e metodologjisë së zgjedhur nga ana e BE-së në lidhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe Protokollit të Ndërmjetëm, ngelen problematika kryesore e mos avancimit të mëtejshëm të Bosnjë Hercegovinës drejt BE-së. Kjo situatë së shpejti, do të fillojë të përkthehet dhe në bllokimin e fondeve që priten të akordohen, në kuadrin e instrumentave të ndihmës së para aderimit, IPA që vlerësohen në rreth 47 milione euro.
Pikat përmbledhëse, që u konkluduan nga Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, njëkohësisht edhe Kryesuesi i mbledhjes Stefan Fyle, janë si më poshtë :
- Perspektiva e Bosnjë Hercegovinës, për tu bërë shtet anëtar i BE-së, ngelet e tillë. Takimi i tretë i Dialogut të Nivelit të Lartë për Procesin e Aderimit, që u përmbyll sot (10.10.2013 ) rikonfirmon angazhimin e fortë e të vazhdueshëm të BE-së, ndaj Bosnjë Hercegovinës dhe popullit të saj. Në këtë këndvështrim, Dialogu i Nivelit të Lartë është një forum i nevojshëm, që do të vazhdojë punën e tij.
- Reflektimet dhe konsultat e sotme mbi çështjen Sejdic-Finci, mekanizmin e koordinimit dhe adaptimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, nuk sollën rezultate përfundimtare. Drejtuesit kryesorë politikë dhe drejtuesit e autoriteteve shtetërore dhe niveleve të etniteteve të Bosnjë Hercegovinës, ranë dakord të vazhdojnë në rrugën europiane. Konsultimet ndërmjet drejtuesve kryesorë politikë dhe BE-së, do të vazhdojnë në mënyrë intensive në ditët e ardhshme, dhe modele të vlefshme do të diskutohen në vazhdim.
- Angazhimet e ndërmarra nga liderët politikë dhe institucionet e BH në Udhërrëfyesin e qershorit 2012, dhe së fundmi në deklaratën e nënshkruar më 1 tetor, nuk janë plotësuar. Të dy dokumentet ngelen të vlefshëm dhe liderët kanë detyrë t’i konkretizojnë këto angazhime.
- Mungesa e një marrëveshje për një zgjidhje mbi çështjen Sejdić-Finci, bllokon rrugën e aderimit të BH dhe e bën të vështirë justifikimin e akordimit të vazhdueshëm të fondeve të para-aderimit. Si pasojë, procedura për reduktimin e programit fillestar IPA 2013 për BH me 54% d.m.th për 47 milion euro, do të fillojë më 11 tetor. Nëse, një zgjidhje mund të arrihet në ditët në vijim, procedura mund të ndalojë.
- Pavarësisht disa progreseve mbi mekanizmin e koordinimit në mbledhjen e sotme, zgjidhja përfundimtare, akoma nuk është arritur. Derisa një mekanizëm efektiv koordinimi mbi çështjet e BE-së, të vendoset, programimi IPA (2014-2020) nuk mund të nisë. Çdo vit vonesë në programim, rezulton në humbje substanciale të parave të akorduara, të cilat ndryshe, do të ishin të vlefshme për vendin.
- Komisioni Europian shpreh keqardhje, që BH po refuzon metodologjinë e mirë përpiluar të adaptimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit/ Protokollit të Marrëveshjes së Ndërmjetme. Komisioni do të hapë një proces konsultimi zyrtar me BH, në mënyrë që të gjejë një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje. Një mbledhje e jashtëzakonshme e Komitetit të Ndërmjetëm do të thirret së shpejti. Komisioni do të konsultohet me Shtete Anëtare mbi mënyrën e reagimit.
- Komisioni Europian ngelet i angazhuar të vazhdojë thjeshtësimin e përpjekjeve të liderëve politikë për të gjetur zgjidhje për çështjen Sejdić-Finci dhe beson se, një marrëveshje mund të arrihet, me kusht që të ekzistojë një vullnet politik i mjaftueshëm për kompromis ndërmjet forcave kryesore politike. /i.t/