Progres raporti për Shqipërinë

48

83

Nga Ernest Bunguri

Top Channel siguroi raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, që publikohet më 16 tetor. 

Në pjesën e Kriterit Politik vlerësohen me nota pozitive zgjedhjet, situata politike, miratimi i disa ligjeve kyçe, si dhe plotësimi i detyrimeve të nevojshme për përfitimin e statusit kandidat.

“Në përgjithësi, zgjedhjet shënuan progres të prekshëm në krahasim me praktikat e mëparshme, duke plotësuar kështu prioritetin kyç për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Funksionimi i Parlamentit u përmirësua. Shqipëria duhet të përqëndrojë përpjekjet e saj në një proces më gjithpërfshirës konsultimesh dhe në forcimin e rolit mbikqyrës

Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të depolitizuar administratën publike, për të garantuar vazhdimësinë, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar meritokracinë në emërime, ngritje në detyre apo shkarkime

Progres raporti i KE-se

të Parlamentit. Është e rëndësishme që bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës të mirëfunksionojë për të ofruar një bazë të fortë për reforma të mëtejshme”, thuhet në raport.

Reformat politike dhe ato të integrimit kanë vijuar, sipas raportit, nga Qeveria e vjetër në periudhën para dhe pas zgjedhjeve, si dhe nga Qeveria e re pas marrjes së detyrës në shtator.

“Zbatimi i planit të rishikuar të veprimit për trajtimin e prioriteteve kyçe të opinionit vijoi, megjithëse me një ritëm të ngadaltë. Qeveria e re duhet të përqëndrohet menjëherë në forcimin e buxhetimit dhe planifikimit strategjik dhe në përmirësimin e koordinimit në nivelin qendror dhe lokal”, thuhet më tej.

Pasi vëren miratimin e Aktit Normativ të qeverisë Rama, për shmangien e vakumit ligjor me hyrjen në fuqi të Ligjit për Shërbimin Civil, raporti vlerëson edhe progresin në fushën e administratës publike, një nga 12 prioritetet kyçe të Opinionit të Komisionit të vitit 2010.

“Në përgjithësi është shënuar progres në reformën për administratën publike dhe një hap madhor i ndërmarrë në këtë prioritet kyç ishte miratimi i Ligjit për Shërbimin Civil.Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të depolitizuar administratën publike, për të garantuar vazhdimësinë, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar meritokracinë në emërime, ngritje në detyre apo shkarkime, dhe për të rritur efikasitetin dhe qendrueshmërinë financiare të saj”, vijohet në raport.

Sipas raportit edhe Strategjia për reformën në drejtësi, një tjetër prioritet kyç i Opinionit, është duke u zbatuar, ndërsa vlerësohet miratimi i Ligjit për Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, trajtimi i të ndaluarve në qendrat e paraburgimit është një tjetër detyrim që merr nota pozitive.

“Ndjekja e rekomandimeve të bëra nga Avokati i Popullit u përmirësua. Përshembull, shumica e rekomandimeve mbi keqtrajtimin në qendrat e paraburgimit, një prej çështjeve të prioriteteve kyçe, u trajtua nga burgjet dhe nga Policia e Shtetit”, thuhet më tej.

Në raportin e një viti më parë Komisioni dilte në përfundimin se Shqipëria kishte plotësuar 4 nga 12 prioritetet kyçe të Opinionit: funksionimi i Parlamentit; miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar; ndryshimi i Kodit Zgjedhor; emërimi i Avokatit të Popullit dhe procesi i dëgjimit dhe votimit të kandidaturave në institucionet kyçe. Ndërsa dy prioritete të tjera vlerësoheshin atëkohë drejt përmbushjes: reforma e administratës publike dhe përmirësimi i trajtimit të të ndaluarve.

Një vit më vonë, me përfundimet e mësipërme dhe ato në disa fusha të tjera të rëndësishme, Komisioni duket se konfirmon progresin e mjaftueshëm të vendit për rekomandimin pa kushte të dhënies së statusit kandidat.