Mbërrin në Tiranë trupi i pajetë i këngëtares Vaçe Zela

57

CD_Vaçe_ZelaAshtu siç ishte njoftuar rreth orës 14:00 trupi i pajetë i këngëtares Vaçe Zela mbërriti në aeroportin e Prishtinës, ndërsa arkivoli u fut në banesën e saj në Tiranë rreth orës 18:10. Homazhet në nderim të artistes së madhe do të zhvillohen nesër në orën 10:00 deri në orën 12:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Emrat më të njohur mes artistëve dhe politikanëve shqiptarë i janë përulur në shenjë nderimi e dhimbjeje, madhështisë së mbretëreshës së këngës. Shqipëria nënë, e pret sot, që të prehet në dheun e saj.

Pranë këngëtares në çastet e fundme kanë qenë i shoqi, Pjetri dhe e bija, Irma. Prej vitesh ajo jetonte në Bazel të Zvicrës, ku prej pasionit që pat për lulet, fqinjët e thërrisnin, “zonja me gishtat jeshile”.

“Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, z. Edi Rama. Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore, ditën e shtunë, date, 08.02.2014, ora 13.00 duke u nisur nga TKOB per tu prehur ne varrezat e Sharrës.”- thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Kulturës.

Në oraret e homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.

Mbërrin sot në atdhe trupi i pajetë i Vaçe Zelës, homazhet të shtunën ne TOB

Mbërrin sot në atdhe trupi i pajetë i ikonës së këngës shqiptare Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë dje në Basel  të Zvicrës pas një sëmundjeje të gjatë.

Trupi i pajetë i artistes Vaçe Zela do të mbërrijë sot rreth orës 14:00 në aeroportin e Prishtinës, ku do të pritet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Homazhet në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen të shtunën nga ora 10:00-12:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Gjatë homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.

Pas homazheve, arkëmorti do të përcillet për në varrezat e Sharrës.

Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit,  Edi Rama.

Shuhet në moshën 75 vjeçare ikona e këngës shqiptare, Vaçe Zela

Ndërron jetë në moshën 75-vjeçare në Zvicër këngëtarja e madhe Vaçe Zela. Ikona e këngës shqiptare ka ndërruar jetë në Bazel rreth orës 01:20 të mëngjesit të sotëm, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të mundimshme.

Vaçe Zela lindi në Lushnje në vitin 1939. Këngët e saj në vite mbeten popullorë dhe të preferuara edhe sot nga publiku.

Artistja e Popullit dhe këngëtarja me famë të madhe, u zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnje. Vaçe Zela kishte një zë të jashtëzakonshëm.

Vaçe Zela mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ajo ishte një këngëtare e cila ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën “Komunistët” (dubluar nga Marina Grabovari).

Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh ajo ka jetuar dhe është kuruar në Zvicër.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.