Julian Sinanaj, ditar për vrasjet e atentatet

187

julian-sinanajGjatë arrestimit të Julian Sinanajt, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, edhe një ditar personal të vrasësit me pagesë. Mësohet se 31-vjeçari kishte shënuar disa nga veprimtaritë kriminale që ai kishte kryer në kohë dhe vende të ndryshme.

Burimet thonë se blloku i përbërë nga 20 fletë, përmbante një listë të municioneve që Julian Sinanaj kishte në posedim. Ato ishin shënuar sipas radhëve, që nga armët e zjarrit, e deri te celularët që i përdorte për montimin e tritolit C4, të telekomanduar. Hetuesit thonë se vrasësi me pagesë kishte shënuar me data seritë e vrasjeve. Në bllok është gjetur dita e saktë, ora dhe vendi i vrasjes së Sokol Veizit, i cili u vra në orët e para të mëngjesit të 26 gushtit 2013, në një lokal buzë detit. Për ekzekutimin e peshkatarit, 31-vjeçarit iu premtua nga kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj një sipërfaqe toke prej 1500 metrash katrorë në qytetin e Vlorës.

Porositësit nuk e mbajtën premtimin, por i dhanë vetëm një apartament. Të njëjtat shënime ka mbajtur edhe për vrasjen e biznesmenit Agron Çela, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 20 gushtit 2013. Në një tjetër fletë të bllokut, 31-vjeçari kishte shënuar emrat e personave që u kishte vënë tritolin C4, të telekomanduar, përfshi këtu objektet dhe automjetet. Julian Sinanaj është vrasës profesionist. Gjakftohtësia dhe shënjestra e madhe e kishte kthyer atë në njeriun më të kërkuar në tregun e vrasjeve me pagesë. Ai nuk gabonte kurrë, në asnjë moment, qoftë këtu edhe në sjelljen karshi njerëzve.

Personat që kishin njohje me Sinanajn, nuk mund të mendonin se pas njeriut të qetë dhe të sjellshëm, fshihej një vrasës gjakftohtë. Duket se edhe në këtë drejtim 31-vjeçari ishte i përgatitur. Ai nuk i tregonte askujt për “karrierën kriminale”. Pak ishin ata persona që kishin dijeni për jetën e dyfishtë të djalit nga Elbasani. Në bllokun e gjetur në banesë ishte shënuar një frazë këshilluese, nga vetë dora e Sinanajt. Në faqen e parë të tij ishte shkruar: “Mos fol me askënd dhe për asgjë se do të të vrasin”. E njëjta gjë ishte shënuar edhe në faqen e fundit të bllokut të krimeve. Duket se kjo frazë shërbente për Julian Sinanajn si një terapi, për vetëpërmbajtje. Për të kuptuar botën kriminale të vrasësit me pagesë, hetuesit pritet që të kërkojnë ndihmën e psikologut. Pas dhënies së dëshmive për aktivitetin kriminal, psikologët do ta marrin në pyetje. Dy herë në javë, ai do të flasë me psikologun, për të treguar ndjesitë që kishte pas vrasjeve, arsyet që e shtynë drejt kësaj rruge dhe çdo gjë tjetër që është nevojshme për hetuesit. Ende nuk është përcaktuar psikologu që do të merret me çështjen “Sinanaj”. Përveç gjakftohtësisë së treguar në vrasje, 31-vjeçari ka shënjestër të jashtëzakonshme. Ai qëllon me të dyja duart dhe kap “pikët” maksimale në çdo lloj distance. Sinanaj ka mjaft njohuri në ndërtimin e bombave, modifikimin e armëve dhe përbërjen e tyre.

Disa ditë më parë, ai është dërguar në poligon, ku i është nënshtruar dy fazave të qitjeve me armë zjarri. Fillimisht i janë dhënë në dorë pistoletat, të cilat i ka montuar dhe çmontuar dhe pas kësaj ka qëlluar nga distanca të ndryshme. Në fazën e dytë atij i janë prezantuar armët automatike, ku ka kryer të njëjtat procedura. Aftësitë dhe njohuritë e tij rreth armëve të zjarrit kanë habitur ekspertët e policisë. Vrasësi me kontratë ishte shumë i kërkuar në treg, pasi nuk gabonte kurrë. Ai vepronte pa lënë asnjë gjurmë në skenën e krimit, duke vështirësuar punën e policisë në zbardhjen e dhjetëra vrasjeve pa autor në Shqipëri. Pasi ekzekutonte viktimën e radhës, 31-vjeçari e hidhte armën e krimit. Ai nuk e përdorte atë për të dytën herë, pasi gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes do të krahasoheshin në laboratorin e balistikës.

Vrasësi serial nuk di të thotë arsyen e ekzekutimit të biznesmenit Agron Çela. Ai ka thënë përpara hetuesve se vrasjen e ka kryer për llogari të Genis Mëhillajt. “Di të them që porosia më ka ardhur nga Genisi. Nuk e di arsyen dhe motivin e vrasjes së Agronit”, ka thënë Sinanaj në dëshminë e tij. Ai ka pranuar se ekzekutimin e ka kryer në sy të fëmijëve dhe për krimin që ka bërë, i ka ardhur keq. Për ekzekutimin e biznesmenit nga Vlora, ai është shpërblyer me shumën e 35 mijë eurove. /tch