Të kuqtë kanë nevojë për t’u përforcuar, ndonëse do të ketë dhe konfirmime të lojtarëve që korrën sukses në sezonin që sapo përfundoi. “Te Partizani do të qëndrojnë një pjesë e mirë e lojtarëve që kontribuuan në ngjitjen në Superiore, të cilët e ndjejnë peshën e kësaj fanelle. Natyrisht që do të bëjmë përforcime dhe kjo do të varet nga ana financiare”, pohon tekniku kryeqytetas.
Nuk mund të mos përmenden tifozët e kuq, të cilët edhe pse skuadra e tyre endej në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar, e kanë ndjekur në çdo cep të Shqipërisë. Lika e pranon që një pjesë e madhe e suksesit të “demave” në këtë sezon i atribuohet tifozërisë së kuqe, ku thotë: “Realisht tifozët e Partizanit janë baza e suksesit. Gjatë këtyre viteve me vuajtjen e ekipit kanë vuajtur dhe ata. Tifozët e kanë ndjekur Partizanin kudo, në çdo stadium dhe në çdo fushë ku ka luajtur dhe rikthimi në Superligë është dhe një meritë e padiskutueshme e tyre”.
Ndërkohë, pas arritjes së objektivit për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar, futbollistët janë lënë pushim nga stafi drejtues. Ende nuk ka një ditë të saktë kur do të nisin përgatitjet për sezonin e ri, teksa kjo do të vendoset nga vetë trajneri Hasan Lika. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit po punojnë për merkaton, ku kanë arritur akordin me Rrahman Hallaçin, ndërsa janë dhe disa lojtarë të tjerë në shënjestër.