Rama: Kemi një shtet që tallet e gjithë bota

15

rama6Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar komunikimin nga “këndi i fjalës” me banorët e njësisë numër 6 në zonën e “Misto Mames”, në Tiranë. Në përgjigje të interesit të banorëve për mundësi të manipulimit të rezultateve të zgjedhjeve ne 23 qershor, Rama tha se kjo nuk do të ndodhë, pasi koalicioni “ Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të fitojë me një rezultat të thellë.  Nderkaq  Rama komentoi dhe rolin e  SHBA, ku theksoi se Amerika nuk luan as rolin e qeverisë dhe as të opozitës në Shqipëri.

“Nëse pret që Amerika të marrë vota për ne, mor prit, pasi Amerika është miku më i madh i Shqipërisë, por Amerika këtu nuk është për të bërë qeverisjen apo opozitën. Shqipërinë e bëjmë ne. Me 23 qershor mos mbaj mendjen tek 8 Maj, por nëse fituam me 10 vota dhe na i morën me 23 qershor fitojmë me 50 mijë vota dhe do na marrin të keqen” tha ai.

I pyetur nga një qytetar me statusin e invalidit lidhur me pensionet për këtë kategori, Rama tha se PS do rrisë mbështetjen për invalidët duke regjistruar realisht invalidë dhe duke shmangur spekulimet me shtime fiktive të numrave.

“Ka një korrupsion të pamëshirshëm, ka pensione invalidi që merren nga persona që sjanë të tillë ashtu edhe për ndihmat sociale. Ne do luftojmë korrupsionin dhe do bëjmë që ato para që jepen për invalidët të shkojnë për ata që janë vërtetë invalidë dhe e meritojnë. Ne do rrisim mbështetjen për invalidët duke regjistruar realisht invalid dhe duke shmangur spekulimet me shtime fiktive të numrave” sqaroi Kryesocialisti.

 “Kemi një shtet që nuk përfaqëson vendin, shtet me të cilin tallet e tërë bota. Kemi një shtet që është sekëlldi e madhe, qesh bota me ne për shak të një shqiptari të pazakonshëm që e kemi në krye edhe 30 e pak ditë” ka qenë një tjetër koment i Ramës lidhur me cështjen e pensioneve të emigrantëve.