Kur Islami krijon frikë

59


myslimaneAurora Allushaj

Islami po përhap “frikë”.

Pas një dekade të dominuar nga pikëpyetje në lidhje me tendencat e dhunshme të fundamentalizmit islamik, përputhshmërisë midis Islamit dhe demokracisë, dhe si mund të kombinohej kultura, feja, drejtësia dhe respekti për minoritetet në sistemet ligjore të shoqërisë sonë civile, tashmë edhe më tepër ka një nevojë për informim para se të gjykohet. Për të analizuar dhe për të qenë në gjendje të dallojmë, që të mos biem në kurthet e paragjykimit, në përgjithësime e deri në identifikimin e Islamit me dhunën.

Ekziston nevoja për të hedhur dritë dhe për të qartësuar një prej aspekteve kryesore të Islamit mbi të cilat opinioni publik arab debaton prej vitesh: Islami nuk është terrorizëm.

“Je suis Charlie”, lapsat kundër Ak 47. Po, edhe unë publikova në facebook “Unë jam Charlie”. Unë jam sepse mendoj që nuk mund të vritet sepse dikush bën satirë, edhe nëse ekzagjëron, ngelet gjithmonë satirë. Në momente të tilla, nuk bëhen komente të tepruara. Ngelet fakt vdekja e 12 peronave. Ja pse unë isha dhe vazhdoj të jem Charlie: sepse njerëzimi, të gjithë ne duhet të jemi të bashkuar. Kanë kaluar disa ditë nga ngjarjet e Parisit dhe duket sikur vëmendja të jetë shpërqënduar kudo në qytetet europiane ku “Islami” (ose më saktë ata që pretendojnë se e përfaqësojnë) ka shtrirë kthetrat. Ka disa gjëra që dëshiroj t’iu them islamofobëve dhe personave që po përdorin situatën për interesa personale apo një grupi te ngushtë.

Këto ditë, shumë njerëz janë bërë ekspertë të Islamit dhe Kuranit, por ndoshta askush nuk e ka lexuar ndonjëherë në të vërtetë. Le të jemi të qartë: në shkrimet e shenjta muslimane nuk thuhet se është e drejtë të vritet në emër të fesë. Direkt pas ngjarjeve të Parisit shumë xhami u sulmuan në Francë. Gjithashtu është shtuar nxitja për urrejtje kundër Islamit.

Unë jetoj në zemër të europës, aty ku të qenit i huaj deri disa muaj më parë nuk vihej re. Tashmë shikon frikë dhe pasiguri gjithandej. Por po të mendojmë Sirinë, Irakun,aty ku ndërtesat digjen çdo ditë, venia e bombave në makina, vrasjet, janë përditshmëri…! Por askush nuk është vënë dhe nuk vihet në situatën e personave që jetojnë atje. Sa shumë ‘Je suis Charlie’ dëgjuam në qytetet tona? Sa manifestime janë bërë për gazetarët e vrarë në Gaza, Siri apo Irak? Sa gazeta po shkruajnë që e gjithë bota arabe e kanë dënuar aktin terrorist të Parisit?

Stop!

Pra, le të përballemi me të vërtetën. Ekziston një pakicë terroriste që nuk ka të bëjë fare me Islamin. Vrasësit e Parisit ishin 100 përqind francez, kundërvëniet ndaj emigracionin nuk kanë kuptim. Duhet ta themi se polici i vrarë para Charlie HEBDO dhe njëri prej redaktorëve ishin muslimanë. Gjithashtu të ashtuquajturit rebelë sirianë, shumë prej të cilëve nuk janë sirianë, armatosen dhe trajnohen nga Perëndimi.

Pra, le të bëjmë një analizë serioze.

Diplomatët evropianë dhe perëndimorë kanë gabuar në marrjen e vendimeve për të ndihmuar të vetmen pakicë vërtet të rrezikëshme të Islamit. Vrasja e gazetarëve është e gabuar në çdo cep të botës. Feja nuk është shkak për ndarje, por për bashkim kundër terrorizmit.

Le të fillojmë nga mirëkuptimi, toleranca, dashuria.

Ne nuk duhet të lemë hapësirë për urrejtje dhe përplasje qytetërimesh. Ne nuk jemi në luftë, të krishterë kundër muslimanëve, perëndim kundër Islamit. Jo. Ekziston terrorizmi kundër gjithë botës.

Kjo nuk është bota që unë dua të jetojë fëmija im, ndarja dhe urrejtja nuk duha të bëhet pjesë. Para se të themi se të gjithë muslimanët janë të pamëshirshëm, para se të kemi frikë nga tjetri, nuk duhet të harrojmë historinë e njeriut dhe çfarë ka ndodhur në 30 apo 40 vitet e fundit.