Në mbyllje të takimit, kryetarët e Komitetit, Taulant Balla dhe Eduard Kukan, kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Ata e cilësuan mjaft pozitiv qëndrimin e KE-së për marrjen e statusit, por theksuan domosdoshmërinë e përmbushjes së rekomandimeve të dhëna nga ky komision.
Komiteti ftoi pozitën dhe opozitën që të vijojnë bashkëpunimin ndërpartiak dhe të kontribuojnë në reformat kyçe.
“Takimi u realizua në një kohë të rëndësishme, menjëherë pas rekomandimeve të KE-së. Prandaj që të merret statusi kandidat, duhet të zbatohen ato rekomandime, kryesisht duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit. Është shumë e rëndësishme për qeverinë dhe për vendin të vazhdojë të japë prova të sakta, në mënyrë që të binden të gjitha shtetet anëtare, po ashtu duhet të keni mbështetjen e Këshillit Evropian”, – u shpreh kryesuesi i delegacionit, Eduard Kukan
I pyetur për vendet që janë skeptike për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, Kukan ka thënë:“Disa vende janë skeptike, por ju duhet të bëni çdo gjë që është e mundur, që të keni ndërgjegjen e qetë. Nëse bëni gjithçka do t’ua bëni të pamundur atyre që t’ua bllokojnë statusin”.
Ndërsa Taulant Balla, duke falënderuar Kukanin për prezencën dhe rekomandimet, por edhe ambasadorin Ettore Sequi për mbështetjen që ka dhënë, premtoi se lufta ndaj korrupsionit do të vazhdojë si dhe do të rritet integriteti dhe pavarësia e institucioneve.
Nga ana tjetër, opozita nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Aldo Bumçit, deklaroi se propozimi i tyre nuk u pranua, megjithatë ata e miratuam deklaratën.
“Në emër të opozitës erdhëm në këtë takim me një qëndrim të qartë, ne duam që të marrim statusin e vendit kandidat”, -tha Bumçi.