Komuna e Namurit dhuratë zjarrëfikëse për Preshevën

74

Me anë të një postimi në facebook Adnan Rexhepi, kandidat në 14 tetor në Komunën e Namurit në Belgjikë bën me dije se një zjarrëfikëse është dhuruar për Komunën e Preshevës.
Postimi: Sot, dua të ndaj një gëzim me ju të gjithë bashkëatdhetarët e mi.
U bë e mundur nisja e një ndihme të çmuar vëllezërve tanë në Komunën e Preshevës, një autopompë zjarrëfikëse me gjithë materialet dhe agregatët e nevojshme. Shpresojmë t’i kemi ndihmuar në një fushë, ku kishin jo pak mangësi, duke kontribuar kështu në sigurinë qytetare atje. Kjo dhuratë e çmuar e Komunës së Namurit, me bourgmestre z. Maxime Prévot, do forcojë edhe më shumë marrëdhëniet me Komunitetin Shqiptar këtu në Namur, dhe me Preshevën tonë të shumëvuajtur. Personalisht ndjehem shumë i lumtur, që jam inicues dhe pjesë e projektit, dhe po bëj të pamundurën, që së shpejti, edhe Komuna të tjera Shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, të konkretizohen me mbështetje llogjistike dhe ndihma të kësaj natyre.
Kjo tregon më së miri, se mes dy komuniteteve tona, janë vendosur tashmë ura solide, bashkëpunimi dhe solidariteti. Kjo falë jush të dashur bashkëatdhetarë, si Komuniteti më i mirë integruar në Provincën e Namurit, por edhe të Komunës së Namurit, që falë vizionit përparimtar dhe gjithëpërfshirës të z. Maxime Prévot, dhe kabinetit të tij. Kurrë nuk e kemi ndjerë më përpara, një nderim, afrimitet dhe mbështetje të tillë nga pushteti lokal. Ju ftoj të gjithëve, të punojmë dhe të bashkëpunojmë edhe më shumë në të ardhmen, duke ruajtur tashmë bazat solide të bashkëpunimit, që kemi ndërtuar. Në emrin tuaj dhe gjithë Komunitetit Shqiptar, i kam shprehur mirënjohjen dhe falenderimet e mija Bourgmestre të qytetit të Namurit, z. Maxime Prévot dhe kabinetit të tij, si dhe Komandantit të zjarrëfikseve të qytetit të Namurit.
Jam i bindur se së shpejti, do kemi konkretizime të tjera me Komuna Shqiptare, për të forcuar dhe më shumë solidaritetin dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit reciprok ndërmjet palëve.
Të gjithë, për një Komunitet Shqiptar të fortë. Adnan Rexhepi.