Mazhoranca akuzon kryetarin e Partisë Demokratike për gjobëvënie

18

Socialistët nisën të tregojnë shembuj të atyre që Lulzim Basha i quan oligarkë, por që rezultojnë se bashkëpunojnë me kompanitë e kunatit të kryedemokratit.

Një praktikë kjo që mazhoranca e cilëson gjobëvënie të Bashës ndaj biznesit.

“Kompania “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulaj, u akuzua disa ditë më parë nga Lulzim Basha si e inkriminuar, pasi pritet të ndërtojë rrugën e re “Tiranë-Thumanë- Vorë”. Por e njëjta kompani, në pronësi të të njëjtit individ, vetëm brenda një viti ka paguar plot 220 milionë lekë tek kompania e kunatit të Lulzim Bashës”, u shpreh Ervin Bushati.

Nga selia e Kuvendit, deputeti socialist Ervin Bushati iu drejtua me një pyetje kryedemokratit Basha. “Përse kur zoti Bashkim Ulaj paguan 220 milionë lekë për kunatin e Lulit ai është sipërmarrës i ndershëm; kurse kur kontraktohet nga shteti për të ndërtuar rrugë, duke hapur edhe vende pune, qenkërka i inkriminuar?”

Socialistët pohuan se do të vijojnë të tregojnë raste të tjera të atyre që i quajnë gjobëvënie të kryedemokratit Basha ndaj sipërmarrësve të mëdhenj në vend.