Rama u shpreh se, pret që akuza të mos qëndrojë, por nga ana tjetër i bëri thirrje drejtësisë që të mos ndikohet dhe të thotë fjalën e saj të fundit.
“Akuza e prokurorisë është shumë e rëndë dhe faktet e pretenduara nga Prokuroria janë tejet të rëndë. Ne të gjithë ndihemi keq nga artikulimi i tyre dhe të gjitha duam dhe shpresojmë që akuza për një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron”, ka deklaruar Rama para deputetëve të PS-së.
“Por ne ndihemi po ashtu të detyruar nga 1 milion shqiptarë, të cilët na zgjodhën edhe për të luftuar korrupsionin në çdo nivel pa dallime partiake, dhe sot ndihemi të detyruar të kërkojmë nga drejtësia të bëjë punën e saj deri në fund pa asnjë pengesë politike.”
Kryeministri ka shprehur vlerësim për Gjikën, por theksoi se para ligjit të gjithë do të jenë të barabartë. “Dëshira jonë është ta shohim Shpëtim Gjikën të çliruar nga akuza e rëndë dhe të shpresojmë që kryebashkiaku socialist i Vlorës do të provojë pafajësinë e tij me argumentet dhe fakte të besueshëm, tha Rama.
“Por nga ana tjetër duhet të jetë e qartë për të gjithë se ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari nga prokuroria për korrupsion dhe abuzim me detyrën shtetërore. As sot, as kurrë! Ne duam një Shqipërisë të drejtë dhe të barabartë me këdo dhe për këdo në raport me ligjet e këtij vendi. Dhe kjo vlen jo vetëm kur akuzohen kundërshtarët, por në rrallë të parë kur akuza drejtohet nga ne drejt njërit nga nesh.”
“Prandaj si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situate unë do të jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij edhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë siç pretendon Prokuroria. Por si kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministër i këtij vendi unë mundem vetëm ta inkurajoj drejtësinë të bëjë punën deri në fund dhe ne mundet të presim që drejtësia dhe jo politika, të thotë fjalën e fundit.”
Kryebashkiaku i Vlorës dhe vartësja e tij akuzohen se falsifikuan lejet për dy shumëkatësha. Vetë Gjika është shprehur se, “çdokush është i lirë të dyshojë, por dyshimi nuk kthehet në provë me thashetheme para dhe pas zgjedhore”.