Zyrtarisht janë organizata individësh që besojnë në të njëjtat vlera dhe parime, në objektiva të përbashkëta që Atdheu ynë të bëhet një vënd më i mirë, më i begatë dhe më i drejtë. Në sytë e shumë njerëzve duken si organizata të ndërtuara për të ngjitur shkallët e pushtetit dhe me anë të tij të pushtojnë administratën e cila më pas të pushtojë ekonominë. Sido që të duket, Partitë Politike janë një e keqe e domosdoshme e sistemeve demokratike dhe shpesherë edhe diktatorët nuk mund të mbahen pa një parti. Si mbahen në këmbë këto Parti? Thënë ndryshe si financohen pasi siç e dimë mirë, njerëzit nuk mbijetojnë dot vetëm me ideale por kanë nevoja tepër materiale. Ka modele të ndryshme të financimit të Partive Politike. Modeli Evropian vendos që financimi i partive të kryhet në mënyrë tërësore ose madhore nga Shteti, me idenë që pavarësisht nga parimet e tyre këto parti duhet të synojnë të mirën e përgjithshme dhe si pasojë nuk duhet të ndikohen nga financimet dhe interesat e një individi ose një grupindividësh. Në vendet e BE-së ka patur probleme të ndryshme që lidhen me financimin e jashtligjshëm të Partive, ku rasti më tipik është ai i Italisë në vitin 1992 në të cilin u zbuluan qindra miliarda lireta financime të jashtligjshme drejt Partive të Qeverisë (Demokristiane) nga ana e sipërmarrjeve private e gjithashtu u zbuluan qindra miliarda lireta drejt Partive të Opozitës (Komunistët) nga ana e Bashkimit Sovjetik. Ky sistem kishte më shumë se 30 vite që ishte ngritur dhe funksiononte në mënyrë paralele dhe të jashtëligjshme. Skandali që plasi shkërmoqi gjithë sistemin Politik por edhe Partitë e reja që lindën nuk u treguan më të mira se të vjetrat. Përtej oqeanit, në SHBA modeli i financimit është i kundërt. Financimi i privatëve është i lejuar dhe i promovuar dhe Shteti nuk financon Partitë Politike. Dy parime mbrojnë këtë model. Parimi i parë është ai i transparencës, me të cilën qytetarët Amerikan kanë të drejtën të kuptojnë se cilat interesa do të mbrojë Partia e tyre duke parë se kush e financon atë dhe gjithsecili në këtë mënyrë voton sipas interesave përkatëse. Parimi i dytë është ai i ndershmërisë, që do të thotë se Shteti duhet të mirëpërdori paranë publike të taksapaguesve. Kjo gjë do të thotë se Shteti nuk mund të financojë mitingje, makina lluksoze, dreka e darka për politikanët me paratë e njerëzve që paguajnë taksat e që me djersë dhe mund, fitojnë bukën e gojës. Nëse dëshiron, çdo qytetar, biznesmen, profesionist mund të financojë organizatën politike që ka për zemër me kushtin që financimi i tij të jetë i publikuar. Po Shqipëria? Në realitetin tonë të gjitha Partitë Politike deklarojnë se veprojnë në të mirën e përgjithshme dhe se mbështesin të gjithë shtresat shoqërore. Besoj se nuk mund të gjeni në asnjë rast ndonjë Kryeministër apo Kryetar Opozite i cili të deklaroj “se jam në favor të një shtrese shoqërore kundrejt një tjetre”. Askush nuk di sot se si financohen Partitë Politike Shqiptare përtej parave që marrin nga Buxheti i Shtetit. Mesatarisht çdo Parti Parlamentare e madhe në Shqipëri ka një strukturë prej së paku 50 të punësuar si administratë e brendshme. Kjo gjë do të thotë se vetëm rrogat e punonjësve të Selisë Qëndrore kanë një vlerë prej 60 milion lekë në vit. Nëse marrim parasysh se 3 Partitë më të mëdha në Shqipëri kanë marrë një financim vjetor prej rreth 200 milion lekësh mund të kuptojmë se më këto para ato mezi paguajnë punonjësit e administratës. Qartazi del se paratë për të mbajtur degët në çdo rreth, lagje, fshat, paratë për fushata elektorale, udhëtime, dreka dhe darka, tollona karburantesh, automjete…për mos të folur më tej për blerjen e votës dhe për punësimin e përkohshëm “të trimave që mbrojnë votën” janë tërësisht të fituara në mënyrë të jashtëligjshme. Sistemi Shqiptar i financimit të Partive Politike është i kalbur dhe krijon premisa për abuzim të vijueshëm të çdo Partie që është apo vjen në qeverisje. Dëmi më i madh gjithsesi nuk është ai i shperdorimit të parasë por janë gënjeshtrat që Partitë u tregojnë njerëzve për të mirën e përgjithshme, sepse këto Parti në fakt financohen nga persona të caktuar dhe jo nga njerëzit në përgjithësi. Njerëzit sot nuk kanë më besim në gënjeshtrat e Partive, e si pasojë nuk kanë më besim tek sistemi Demokratik i zgjedhjeve. Ky është dëmi më i madh që sistemi i kalbur i financimit të Partive Politike Shqiptare po i bën Demokracisë dhe Shqipërisë. Per kete arsye cdo tentative qe synon te ndyshoje dicka ne sistemin tone elektoral eshte i mirëpritur. Le ta dimë kush financon PS, PD, LSI apo sajesat e rradhes që të kuptojme çfarë këto Parti duan të bëjnë me të ardhmen tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm në këtë mënyrë Shqiptarët do të vendosin se kë do të zgjedhin ne menyre te ndergjegjshme.