Rikostruksioni i Piramidës nis në qershor

68

Transformimi i Piramidës së Tiranës do të nisë në qershor. Projekti për rijetëzimin e godinës dhe kthimin e saj në një qendër atraktive, por dhe zhvillimore për të rinjtë do të jetë gati pas 12 muajsh. Kryeministri Rama tha se prej shumë vitesh zgjidhet një dilemë torturuese, ndërsa kryebashkiaku Veliaj vuri theksin te suksesi që do të ketë projekti.

Në qershor do të nisin punimet për transformimin e Piramidës në Tiranë. Projekti i lajmëruar që në vitin 2018, do të vihet në zbatim pas dy muajsh dhe do të përfundojë prej gati një vit pas nisjes së punimeve. Në një takim të zhvilluar në kryeministri u prezantua projekti i transformimit të Piramidës në një qendër të madhe për Teknologji Informacioni. Kryeministri Rama tha se me këtë projekt zgjidhet një dilemë torturuese prej shumë vitesh.

Rama: Zgjidhim një dilemë torturuese për shumë vite, një varr i hapur në mes të Tiranës, një godinë me potencial për të rilindur, rilind falë këtij ekipi dhe fuqisë së imagjinatës.

Ndërsa, kryebashkiaku Veliaj tha se puna e përbashkët mund ta shndërrojë këtë projekt ambicioz në një histori të vërtetë suksesi.

Veliaj: Kemi mjaftueshëm përvoja dhe përbërësit për një tjetër histori suksesi. Besoj kur ne bashkëpunojmë ne mund të bëjmë mrekulli. Piramida do jetë epiqendra më kreative për të gjithë ata që duan të marrin këtë shkollim. Kur shohim sa shpejt lëviz teknologjia kuptojmë sesa pas jemi. Do të fillojmë në qershor me pastrimin dhe heqjen e objekteve që janë sot pengesë.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë. Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj.

Të rinjve do t’u jepen mjetet dhe njohuritë që kanë nevojë për të arritur potencialin e tyre dhe ata do të jenë në gjendje të zhvillojnë aftësitë e tyre të të mësuarit për t’u përballur me sfidat e shekullit 21. Programi i të mësuarit TUMO përbëhet nga aktivitete të vetëmësimit, workshope dhe laboratorë në 14 programe të ndryshime nën mbikëqyrjen e ekspertëve më të mirë nga e gjithë bota që nisin nga Animacio, Zhvillimi i Lojërave, grafika e lëvizjes etj.

Rama: Projekti i Piramidës, ambicioz dhe nuk është i shtrenjtë

Rama: Është një projekt ambicioz dhe nuk është i shtrenjtë. Më vjen mirë që pavarësisht se është ndër projektet më pak të shtrenjta i ndërtuar nga Vini, do jetë një ndër projektet më të bukur, ose më saktë më interesant. Për faktin se kombinon një arkeologji të së shkuarës me gjithë kapacitetin për të ndërtuar të ardhmen.

Rama kujtoi edhe kohën kur qeveria e Berishës donte ta prishte Piramidën.

Rama: Ka pasur një moment kur një qeveri më parë vendosi ta shembte Piramidën. Ka pasur një debat publik, madje u krijua edhe një masë kritike të rinjsh që shumë më pak kishin lidhje me periudhën e shkuar që nënshkruan një peticion për të mos e shembur.