Dy javë pas votimit të një ligji mjaft të kritikuar që forcon kontrollin e internetit, Erdogan kërcënoi mbrëmjen e djeshme, gjatë një interviste televizive, se do të ndalonte rrjetet sociale, iniciatore të manifestimeve që tronditën pushtetin e tij të pakundërshtueshëm qershorin e kaluar.
“Jemi të vendosur për të mos lejuar popullin turk të sakrifikohet nga rrjeti ‘YouTube’ dhe ‘Facebook’, u shpreh ai në stacionin televiziv ATV. ”Do të marrim masat e nevojshme, cilado qofshin ato”, theksoi ai, duke përfshirë edhe mbylljen. Twitter dhe YouTube janë në fokusin e gjithë zemërimit të Erdoganit. Prej dy javësh, platforma ka nxjerrë pjesë të shkëputura nga biseda telefonike me djalin e tij Bilalin, të ministrave dhe biznesmenëve që zbuluan implikimin e tij në çështjet e korrupsionit apo ndërhyrjeve të vazhdueshme në procedurat gjyqësore ose të medias.