Ditmir Bushati takime të nivelit më të lartë shtetëror në Kosovë

52

Ditmir-BushatiMinistri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, sot në Prishtinë në takime të nivelit më të lartë shtetëror shprehu përkushtimin e Republikës së Shqipërisë për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e ekonomisë. Ai theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.
Takimet e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati kanë nisur paradite me pritjen te Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku u bisedua për proceset nëpër të cilat po kalojnë të dyja vendet, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe ndihmën që mund t’i japin njëra tjetrës në procesin e përafrimit me BE-në.
Presidentja Jahjaga theksoi se “Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fusha të ndryshme dhe vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve shërbejnë si shembull për rajonin.
Presidentja Jahjaga theksoi se “i gjithë rajoni i Ballkanit ka hyrë në një fazë të re të integrimit dhe bashkëpunimit fqinjësor dhe Kosova e Shqipëria, si faktorë paqeje dhe stabiliteti luajnë një rol të rëndësishëm në rajon”.”Të dyja vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe posaçërisht në procesin e integrimeve evropiane”, theksoi Jahjaga.
Presidentja Jahjaga tha se “viti 2014 është i një rëndësie të veçantë për realizimin e vizionit për një Kosovë të qëndrueshme dhe të vendosur për të ndërmarrë të gjitha reformat, që e përafrojnë me qëllimin parësor të integrimit euro-atlantik”.
Ajo u shpreh se “Kosova i ka edhe dy procese të rëndësisë së veçantë për përmbylljen e konsolidimit shtetëror dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar: procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, në veçanti shtimin e njohjeve dhe themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.”
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, pas takimeve sipas axhendës zyrtare edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi e Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, pak më parë në takim bashkë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi dhe më pas mbajtën një konferencë për shtyp.
I pyetur nga korrespondenti i ATSH-së në Prishtinë për vlerësimin e dy muajve të parë të progresit të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri pas mbledhjes së dy qeverive në fillim të këtij viti në Prizren, Ministri shqiptar Bushati tha mes tjerash se “konstatoj me kënaqësi që ecuria e zbatimit të vendimeve të marra në mbledhjen e Prizrenit është pozitive dhe bashkëpunimi jonë është në linjë të qëndrueshhme”.
Në këto momente Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, po zhvillon një takim me zv/kryeministrin e Kosovës nga komuniteti serb, Slobodan Petroviç, ndërsa do zhvillojë edhe takime të tjera.
Nga ora 14:00, në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë, ministri Enver Hoxhaj dhe ministri Ditmir Bushati do të mbajnë nga një ligjëratë, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës, me temën “Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri si një shembull i fqinjësisë konstruktive”.
Gjatë vizitës, ministri Bushati do ketë edhe takime të tjera dhe veprimtari në nderim të figurave të rëndësishme të Republikës së Kosovës.