Letra është nënshkruar midis të tjerave, nga ish-ambasadori grek në Turqi dhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Joanis Korantis, Konstantinos Politis, ish-ambasadorë në Shqipëri dhe ish-ambasadorë në Beograd dhe Qipro, raporton “Top-Channel”.
Midis çështjeve kombëtare për Greqinë, si marrëdhëniet me Turqinë, Shkupin dhe çështjen qipriote, një vend të rëndësishëm në këtë letër zënë marrëdhëniet me Shqipërinë.
Ish-ambasadorët kujtojnë se Shqipëria është një vend i krijuar nga Fuqitë e Mëdha në 1913 dhe deri tani nuk ka treguar një qëndrim miqësor ndaj Athinës, duke u bërë një shtet problematik për Greqinë që nga formimi i tij.
“Pas zhvillimeve pozitive për Tiranën në çështjet e Kosovës dhe Shkupit, rivaliteti i Tiranës me Athinën rritet gjithmonë e më shumë”, – kanë thënë ish-ambasadorët.
Sipas ish-diplomatëve grekë, “ndihma në anëtarësimin në NATO, pa asnjë shkëmbim si dhe mbështetja për integrim në BE, në të njëjtën mënyrë, duke lënë të ngrirë çështjen vorioepiriote, ka rritur ambiciet e Shqipërisë dhe kjo duket në radhe të parë me udhëheqësit Berisha dhe Rama, udhëheqës tipikë-ballkanikë, të zhdërvjellët, që më shumë kanë korrur fitime të konsiderueshme politike, pa asnjë shkëmbim nga kontaktet me Athinën zyrtare”.
Për çështjen çame, ish-ambasadorët, ndërsa rikujtojnë se, “kjo popullsi myslimane duhej të ishte dëbuar në Turqi sipas marrëveshjes të Lozanës, theksojnë sa kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas kanë shkuar në Shqipëri dhe se shumica e politikës shqiptare e konsideron këtë periudhë historike si çështje holokausti për shqiptarët”.
Këshilla përfundimtare që ish-diplomatët i japin kryeministrit grek është që Athina të korrigjojë gabimet e së kaluarës dhe të jetë më e kujdesshme me synimin e Tiranës për integrimin në BE.