Sot zhvillohet takimi ndërparlamentar PE-Kosovë

21

Kosova BE bashkimi evropian evropa flamurSot pritet të zhvillohet takimi dyditor ndërparlamentar mes Parlamentit të Evropës dhe Kosovës. Delegacioni i Parlamentit Evropian kryesohet nga Eduard Kukan, kryesues i delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, kurse delegacionin e Kosovës e kryeson kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Temat që do të diskutohen gjatë takimit janë: Progresi i Kosovës drejt integrimit evropian: Shkëmbimi i pikëpamjeve me Qeverinë e Kosovës, Përfaqësuesin e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë dhe Komisionin Evropian; Reformat e sistemit zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme lokale; Forcimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; Riintegrimi, riatdhesimi dhe liberalizimi i vizave; Personat e Pagjetur dhe procesi i bashkërendimit, si dhe Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, transmeton Telegrafi.

Në përfundim të takimit do të miratohet një deklaratë e përbashkët.

Në përbërje të delegacionit të Parlamentit Evropian, pos kryesuesit, Kukan, dhe do të jenë edhe, Antonio Cancian, anëtar i Komisionit për Transport dhe Turizëm, Ulrike Lunacek, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Raportuese për Kosovën, Lajos Bokros, anëtar i Komisionit për Buxhet, Doris Pack, kryesuese e Komisionit për Kulturë dhe Arsim, dhe Tonino Picula, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme.

Në delegacionin e Kosovës, ndërkaq, pos deputetëve nga radhët e të gjitha komisionet dhe grupet parlamentare, do të marrë pjesë edhe Zv.Kyeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.