Ndryshe nga ç’pritej, AK vendosi të mos i bashkohej koalicionit opozitar. Arsyet, të paktën ato që AK bën publike dhe ato që PS, po ashtu ka sqaruar, qartësojnë disa elementë duke turbulluar disa të tjerë.
Së pari, AK është një forcë e re opozitare, e cila iu afrua elektoratit shqiptar me kauza të mëdha, që i kalonin përmasat kombëtare, duke shkuar deri në ‘agresivitet’ verbal nacionalist. Dalja në skenën politike e kësaj force, në njëfarë mënyre, pavarësisht se çfarë përfaqësonte në vetvete, lideri i saj dhe historiku i marrëdhënieve të tij me Berishën, krijonte idenë, se parimet, që kjo forcë po reklamonte, ishin të nevojshme në një terren politik, thuajse të pa prekur më parë. Dalja me një moral, sado i pjesshëm, e problematik në formë e në thelb, krijoi iluzionin tek një pjesë e ndjekësve të saj, se po luftohej për disa principe bazë të nevojshme. Këto parime me lëvizjet e fundit të AK-së, u tronditën për të hyrë në një tjetër skemë politike, skemën e zbatimit konkret të ambicieve, për të cilën kjo forcë politike është krijuar. Skemë, që sipas AK-së po aplikohet për mbrojtjen e parimeve dhe sipas opozitës, po përdoret për të bërë lojën e shumicës në pushtet.
Së dyti, një lëvizje e re politike si AK, e cila nuk e ka provuar asnjëherë forcën e elektoratit të saj në terren, pra të shprehur nëpërmjet votës, nuk mund të ketë aspak garanci, që do të fitojë aq bindshëm sa të qeverisë vendin, pasi ky është absurditet politik, i paimagjinueshëm. Lideri i saj, duket t’i ketë këmbët në tokë, edhe atëherë kur të krijon idenë, se po fluturon. Nëse AK, nuk fiton bindshëm dhe ndërkohë ‘parimet’ e saj nuk e lejojnë, të bëjë aleancë me koalicionin opozitar, atëherë, kujt do t’i bashkohen votat e saj, pas zgjedhjeve? Kjo është një pikëpyetje, që vetëm lideri i kësaj force politike, mund të ketë tagrin ta sqarojë.
Nëse ‘parimet’ e saj e bëjnë ti qëndrojë larg opozitës, dhe se pikërisht ‘parimet’ e saj, po ashtu e kanë larguar ndaj shumicës, për ku do të drejtohet lideri Spahiu, drejt çfarë parimesh, meqenëse u referohet vazhdimisht atyre, në deklarata publike? Ku mund të gjejnë zbatim këto ‘parime’ qëndrimi? Skena politike është shumë e ngushtë, për të shpresuar në hapësira manovrimi irracionale.
Opozita ka dyshimet e saj, që i ka bërë publike sistematikisht. Edhe nëse, nuk besohet skema e saj, dyshimet janë më se normale të ekzistojnë, kur vëren, që lideri i AK-së, kërkon vazhdimisht arrestimin e Berishës, dhe vënien e tij para drejtësisë, pa i hyrë gjemb në këmbë, ndërkohë që publiku vazhdimisht, po sheh përditë gjyqe politike, ndaj një sëre deputetësh opozitarë, që përballen nëpër gjykata, dhe salla parlamenti, duke u dënuar, thjesht dhe vetëm për fyerje e shpifje ndaj familjes se Kryeministrit. Se, si ka mundësi që z. Spahiu i ka shpëtuar kësaj, vetëm ai sërish, mund të përgjigjet.
Nëse votat e tij, pas zgjedhjeve, do i bashkohen pikërisht atij, që ai ka kërkuar sistematikisht ta arrestojë, dhe ta çojë përpara drejtësisë, për çfarë ‘morali’ dhe ‘parimi’ do ju flasë shtetasi Spahiu, ndjekësve dhe elektoratit të tij.
Se fundmi, çka është më e rëndësishme në gjithë këtë situatë, përtej emergjencës për të shpëtuar vendin nga një i marrë, është morali dhe kujdesi ndaj amoralitetit. Elektorati shqiptar është përballur sistematikisht me një ngërç të fabrikuar, nga një skenë politike shumëvjeçare, ku në thelb të saj ka pasur amoralitetin. Çdo forcë politike e sapo krijuar, duhet të ketë parasysh, paralelisht me ambiciet e saj politike edhe dozën e moralit dhe amoralitetit që përcjell në elektorat, sepse nuk është thjesht elektorat, një koncept banal, por është bërthama e zhvillimit shoqëror. Prandaj edhe kostoja e amoralitetit politik të shfaqur përditë, shpërndahet përgjatë kësaj bërthame, duke krijuar rryma centrifugale, të cilat pavarësisht sa mund të zgjasin dhe të dëmtojnë shoqërinë përgjatë procesit të tyre, ato do te filtrohen duke lejuar sërish vendosjen e normave dhe moralit të nevojshëm.