Berisha: Komision Hetimor Parlamentar ndaj Ramës

60

sali-berisha-2011-5-19-14-1-48Pas incidentit të krijuar në Vjenë, të raportuar si të ndodhur, midis diplomatit të ambasadës shqiptare në Vjenë, djalit të Neritan Cekës dhe liderit opozitar Edi Rama, gjatë takimit që ky i fundit po organizonte, reagime të shumta, ka pasur nga të dy krahët politikë.

Debatet e zhvilluara në sallën e parlamentit ditën e enjte, synonin nga ana e shumicës, ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, ndaj liderit të opozitës Rama. Kryeministri shqiptar, Berisha, e cilësoi këtë ngjarje, si akti më i rëndë në historinë shqiptare dhe se, po të ishte nevoja, Berisha mund të sillte 30 dëshmitarë, për ta provuar fajin e liderit opozitar Rama. Berisha dhe shumica e tij në parlament, kërkuan ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, ndaj Ramës.

Ndërkohë, deputeti i PS-së Gramoz Ruçi, theksoi gjatë fjalës së tij në parlament, se akti më minimal, që qeveria duhej të bënte, ishte shkarkimi i diplomatit në fjalë, djali i Neritan Cekës, i cili sipas Ruçit jo vetëm që nuk plotësoi detyrat e tij si diplomat, për te pritur dhe shoqëruar liderin e opozitës në takimet diplomatike, por arrin edhe të krijojë incidente dhe provokime kundër tij. Asnjë diplomat perëndimor, sipas Ruçit nuk mund të imagjinojë që një diplomat karriere, të shkojë në takim, të prishë takimin dhe të krijojë incidente. Ky diplomat, duhej të ishte shkarkuar që kur ka anatemuar me shprehje aspak etike dhe demokratike Papën.

Ndërkohë Neritan Ceka, i ka dërguar gjithashtu, një letër publike liderit opozitar, ku ndër të tjera thekson, se Rama ka guxuar të kapë prej veshi historinë shqiptare, pasi ai i ka shkulur veshin djalit të tij, i cili sipas Cekës është nipi i Petro Nini Luarasit, i Migjenit, i Hysen Cekës, i Skënder Luarasit, i Hasan Cekës dhe i Neritan Cekës.

Lideri Rama, ka reaguar duke thënë shkurtimisht, se është për të ardhur keq dhe mëshiruar këtë gjendje, në të cilën ndodhet ky pushtet, kjo qeveri, ky Kryeministër, që angazhohen në një batërdi në mes të parlamentit, për të ngritur një valë mbi hiçin, mbi diçka, që duhet rregulluar dhe do ta rregullojmë patjetër pas 23 qershorit.

Lideri socialist, Rama, u zotua gjithashtu, se kush do të jetë deputet apo ministër, duhet të harrojë se mund të çojë djalë, vajzë, teze, hallë, dajë e deri tek kushëriri i tretë, tek një ambasadë që përfaqëson Republikën e Shqipërisë.

Incidenti në fjalë, pritet të shoqërohet në vazhdim me ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, kundër liderit socialist Rama, nga ana e shumicës në pushtet. Sipas lajmit më të fundit, në këto momente PD, ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Shumica në pushtet, ka ngritur sistematikisht Komisione Hetimore Parlamentare, ndaj liderit opozitar Rama, pothuajse në çdo prag elektoral zgjedhjesh. Paralelisht me këtë situatë, është për tu theksuar edhe fakti se, lideri opozitar Rama po hetohet gjithashtu dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas konfirmimit të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, pas një denoncimi të Bashkisë së Tiranës, të kryesuar nga Lulëzim Basha./a.b/