Duke theksuar vëmendjen e posaçme që Qeveria e Shqipërisë i kushton marrëdhënieve të gjithanshme me Greqinë, Ministri Bushati shprehu vlerësimin se Greqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik i Shqipërisë. Ministri Bushati u shpreh besimplotë në progresin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.
Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e çmuar të Presidentit Papoulias në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës së Greqisë, por në vijimësi, gjatë gjithë karrierës së tij, kur ka shërbyer në poste të ndryshme të larta të shtetetore.
Gjate takimit u shpreh vullneti i qartë mes palëve për të ecur përpara në raportet dypalëshe. Presidenti Papulias u shpreh se “Marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-greke janë të një rëndësie ekzistenciale për rajonin”. Njëkohësisht, Presidenti Papulias shprehu mbështetjen e Greqisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Ministri Bushati kërkoi që, si vende anëtare të NATO-s, të trajtohen çështjet e mbartura në përputhje me realitetin e ri në rajon, në kuadër të fqinjësisë së mirë dhe përkatësisë evropiane të të dy vendeve tona.
Ministri Bushati u shpreh se: “Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet e pa adresuara, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe janë me interes të ndërsjellë për dy vendet tona”.
Në një vit të veçantë, ku vendet fqinje e partnere strategjike si Greqia e më pas Italia, kanë kryesimin e BE-së, Ministri Bushati vlerësoi angazhimin e Greqisë për përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Bushati ndodhet në Greqi në kuadër të aktiviteteve të rëndësishme shumëpalëshe, Takimit të XVI të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës Adriatiko-Joniane dhe Konferencës së Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR).
Gjatë ditës së nesërme Ministri Bushati do të ketë takime me Kryeministrin grek, Andonis Samaras, dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Evangjelos Venizelos.