Basha-Lidington: Shqetësim mbarëpopullor, fushata anti-ligjore e qeverisë

13

basha2-1024x694Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot në takim Ministrin për Çështjet Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet midis të dy vendeve, integrimin europian të Shqipërisë, zhvillimet politike në vend si dhe per forcimin e bashkëpunimit midis Partisë Demokratike dhe Partisë Konservative.

Kryetari Basha i shprehu Ministrit Lidington mirënjohjen për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë dhe po i jep në vijimësi Shqipërisë, në veçanti përsa i përket integrimit në BE.

Ministri Lidington e falenderoi Kryetarin Basha per pritjen e ngrohtë dhe e siguroi atë se vendi i tij është i vendosur të vijojë bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë në projektin e integrimit në BE. Në këtë kontekst, Ministri Lidington vlerësoi rolin thelbësor të Partisë Demokratike si opozita demokratike në vend duke theksuar domosdoshmërinë që procesi i integrimit të jetë një përqasje gjithëpërfshirëse, dhe duke përshëndetur mbështetjen pa kushte që Partia Demokratike ka deklaruar gjatë misionit të saj opozitar.

Më tej zoti Basha e njohu Ministrin Lidington me shqetësimin tashmë mbarëpopullor për fushatën anti-kushtetuese, anti-ligjore dhe në kundërshtim të hapur më parimet e shtetit ligjor që qeveria dhe mazhoranca po intensifikojnë dita ditës në vend që filloi me shkeljen e paprecedentë të konsensusit dhe sulmin për zhbërjen e administratës publike profesioniste dhe zëvendësimin e saj me militante dhe qe sipas tij po vijon me:

“Uzurpimin dhe politizimin e policisë së shtetit në kundërshtim flagrant me ligjin dhe standardet e një policie profesioniste;Zhbërjen e njësive profesioniste të luftës kundër krimit e korrupsionit dhe përdorimin e policisë në tejkalim të kompetencave ligjore çka ka sjellë një rritje drastike të krimit në vend, duke shtuar pasigurinë e qytetarëve për jetën, lirinë dhe pronën e tyre.Moszbatimin e vendimeve të gjykatave si në rastin e INSTAT; Sulmin primitiv ndaj institucioneve të pavarura si ILDKP, AMA, SHISH, Presionin e paskrupullt ndaj gjyqësorit; Vjedhjen e votës së lirë të shqiptarëve në zgjedhjet vendore në Korcë; Grabitjen përpara kamerave të miliona të dhënave konfidenciale të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare, nga ndërhyrja e paligjshme në serverin e tatimeve. Në kundërshtim flagrant me parimet demokratike dhe traditën parlamentare në vend, mazhoranca Rama-Meta me dy vendime haptazi antikushtetuese ka shkelur të drejtën e opozitës dhe të zgjedhurve të sovranit për ngritjen e komisioneve investigative parlamentare”, u shpreh Basha.

Nisur nga shqetësimi i shprehur prej Ministrit Lidington, se si po reagon opinioni publik dhe se çfarë duhet të bëjnë partnerët ndërkombëtarë në këto kushte, Kryetari Basha tha se insistimi në respektimin e plotë të shtetit të së drejtës nga qeveria Rama, dhe në ruajtjen e standardeve demokratike të arritura e të vlerësuara nga institucionet e BE, është dhe mbetet e vetmja rrugë përballë arbitraritetit dhe papërgjeshmërisë së kësaj mazhorance.