Kryemadhi: Qeveria duhej të kishte rënë

Për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, në një vend normal qeveria do të kishte rënë pas ngjarjeve të rënda të regjistruar së fundmi.

E ftuar në emisionin “Debati në Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku, Kryemadhi thotë se nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës që Ministri i Brendshëm të përfshihet në të gjithë skemën e një bande kriminale të strukturuar.

Dhe sipas saj, një nga arsyet pse Rama e shkarkoi z. Tahiri ka qenë raporti i Departamentit të Shtetit në të cilin ai u kërcënua, që nëse nuk hiqte z. Tahiri, emri i tij do të ishte i shkruar në raportin e Departamentit të Shtetit.

E pyetur për aksionin opozitar, Kryemadhi thotë se Rama po e zhvendos debatin nga institucionet legjitime dhe do të futet në një fushë tjetër që vërtet nuk ka parë asgjë akoma.

Për këtë të enjte por edhe për seancat në vazhdim keni një skenar për mënyrën si do silleni me qeverinë?

Në fakt gjuha e të gjithë përfaqësuesve të LSI që në fushatën e zgjedhjeve ka qenë mjaft e ashpër. Sepse ishin personat e parë që ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me bandat dhe me krimin e organizuar. Në çdo moment që ne mund të bënim një denoncim, shihnim që viktima kthehej në të pandehur dhe i pandehuri kthehej në super shtet, pra ishte ai që drejtonte shtetin. Dhe kjo gjuhë qe në tre katër javët e fushatës dhe më pas ka vazhduar edhe pas zgjedhjeve dhe gjatë periudhës së gushtit kur të gjithë njerëzit ishin me pushime ne vazhdonim një gjuhë të tillë. Sigurisht që ngjarjet e fundit kanë qenë shumë të rënda. Në një vend normal dhe në një vend demokratik qeveria do kishte rënë faktikisht. Sepse nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka qenë i përfshirë në të gjithë skemën e një bande kriminale të strukturuar. Dhe një nga arsyet pse z. Rama e shkarkoi z. Tahiri ka qenë raporti i Departamentit të Shtetit në të cilin ai u kërcënua, që nëse nuk hiqte z. Tahiri, dhe për këtë mund të pyesni personat përgjegjës të kësaj skeme, emri i tij do të ishte i shkruar në raportin e Departamentit të Shtetit. Pavarësisht se media dhe konjukturat apo njerëzit e kryeministrit të futura në media apo në rrjete sociale duan ta shesin sikur ishte një kush i LSI. Kjo është shumë e rëndë. Kur Eskobari hyri në parlament, ministri i Drejtësisë i tha ose ti ose unë dhe ministri nuk e la që të futej ai në parlament. Ndërkohë ne jo vetëm që e kishim në parlament, por e kishim edhe ministër të Brendshëm i cili ndërtonte të gjitha strukturat. Për të vazhduar më tej me çështjen e radarëve, që është një skandal tjetër po prapë shumë i rëndë, duke vazhduar më tej me ngjarje të tjera që po vijnë njëra pas tjetrës dhe që do, do shpërthej sepse ka kaluar përmasat e thashethemeve dhe perceptimit. Tanimë është kthyer në një realitet shumë të dhimbshëm e cila është gjatë gjithë kohës prezentë. Unë mendoj që gjuha jonë është shumë e moderuar duke pasur parasysh se me çfarë kemi të bëjmë përpara. Tani për sa i përket aksionit opozitar, sigurisht që ne jemi në hapat e para të bashkëveprimit dhe bashkërendimit të punës sonë. Akoma ka të bëjë me këndvështrime të ndryshme për sa i përket sjelljes sonë në parlament. Ne mendojmë që partia jonë dhe jo vetëm, duhet të jenë alternativë. Faktikisht njerëzit janë shumë skeptik, edhe unë jam e tillë sepse nëse e heqim Edi Ramën, kush do vijë në vend të tij? Njerëzit janë shumë të lodhur nga politika e nga mënyra se si është lënë vendi në këto 27 vite tranzicion. Sigurisht që edhe unë kam qenë pjesë e kësaj, por jam një pjesë shumë e vogël në gjithë këtë spektrin e madh. Për mua nuk ka rëndësi se kush vjen se në Partinë Socialiste ka individë të tjerë shumë të mirë të cilët mund ta drejtojnë qeverinë dhe e kthejnë atë në antimafia. Këtu kemi dy qëndrime të ndryshme, sepse vërtet që në pushtet është Partia Socialiste, por është me 74 mandate të blera me paratë e drogës dhe të krimit. Sepse nuk janë përgjime as të emisioneve investigative, as përgjime të Prokurorisë shqiptare, as përgjime që janë bërë pa vendim gjykate. Por, janë përgjime që janë bërë nga Antimafia Italiane, me vendim gjykate, përgjime ambientale, të cilat janë përgjime ku deklarohet hapur që duhen 20 milion euro për Saimir Tahirin për t’i hedhur në Tiranë. Pra, Saimir Tahiri ka qenë përgjegjës për 11 njësitë e Tiranës. Pra, vetëm Saimir Tahiri ka përdorur 20 milion euro për të blerë votat. Këto përgjime nuk janë fantazi tonat, por janë fakte, të cilat kanë edhe vlerën e provës. Një Kryeministër që thotë: “Unë kam ardhur me vota dhe do iki nga politika kur të dua unë”, ky nuk është një njeri normal, sepse nuk është ajo që vendos. Ai pati një opozitë të çorientuar, një media të kapur, duam apo s’duam të pranojmë këtë gjë. Kemi pasur një Polici të kapur dhe të organizuar.

A keni pasur opozitë?

Ka qenë një opozitë e përçarë. Opozita deri në momentin e marrëveshjes së 18 majit ishte në rrugën e duhur, sepse edhe ne nuk do të hynim në zgjedhje nëse edhe Partia Demokratike nuk do të hynte.

Por, juve u regjistruar në KQZ. Ju e bëtë fakt të kryer këtë, pasi në ditën e fundit të afatit, ju bëtë regjistrimin…

Por unë mund të mos hyja në zgjedhje edhe një ditë përpara tyre. Ne shpresonim që deri në momentin e fundit, Partia Demokratike do të hynte në zgjedhje. Pastaj, mënyra se si u përdor marrëveshja e 17 majit, që vlen për t’u diskutuar nga elementë të tjerë.

Çfarë doni të thoni ju me shprehjen që keni thënë në Kuvend “Edi Rama nuk ka parë asgjë akoma”?

A e di shumë mirë se çfarë do të thotë që nuk ka parë asgjë akoma. Ai po e zhvendos debatin nga institucionet legjitime dhe do të futet në një fushë tjetër që vërtet nuk ka parë asgjë akoma.

Gjithçka që ka ndodhur këto kohë tregon që ky shtet ka dështuar. Dhe kjo nuk është vetëm faj i Edi Ramës por i të gjithë politikës, e cila është përgjegjëse për këtë gjë. Cili është komenti juaj?

Nuk i ndryshoj asgjë kësaj që thoni ju. Ne kemi pasur në këto vite tranzicion shumë kryeministra. Të gjithë këta kanë pasur defektet e tyre, për konflikt interesi, për arrogancë, për mungesë demokracie, për politizim të çështjeve, për korrupsion, për lidhje familjare, por asnjëri nga këta nuk është ulur në tavolinë me kriminelë. Edi Rama ka ngritur një platformë në mënyrë perfekte që me kapjen e mediave hap pas hapi. U pasurua, krijoi lidhje me bizneset. Ne e dimë çfarë ka ndodhur me pallatet në Tiranë. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe pastroheshin paratë e drogës. Dhe këtu ka faj politika sepse ne duke u marrë me njëri-tjetrin lejuam që të ndërtohej një skemë e tmerrshme e pastrimit të parave dhe e injektimit të tyre në ekonominë shqiptare. Dhe sot është një nga problemet më të mëdha që ka shteti shqiptar. Edhe me ligjin e ri për noterinë është bërë në funksion të pastrimit të parave. Është ngritur një shtet i tërë për të ngritur një infrastrukturë të pastrimit të parave. Projekti 1 miliard euro në fakt është pastrim parash drejtpërsëdrejti. Injektim i parave të drogës dhe krimit të organizuar në ekonominë shqiptare.

ORA NEWS

Itali-Suedi, shiten 65 mijë bileta për ndeshjen e play off

65 mijë bileta janë shitur për ndeshjen Itali-Suedi, që do të luhet të hënën e ardhshme në stadiumin “San Siro” të Milanos, ndeshja e kthimit për play off-in kualifikues për Botërorin 2018 në Rusi.

“Duhet të demonstrojmë që Italia nuk dorëzohet kurre”, ka deklaruar trajneri i ekipit kombëtar italian, Gian Piero Ventura.

Në Coverciano këto ditë me futbollistët janë takuar presidenti i FIGC, Carlo Tavecchio, drejtori i pergjithshem, Michele Uva dhe zv/presidenti Renzo Ulivieri.

“Me Federatën jemi në kontakte të vazhdueshme dhe askush nuk e merr në konsideratë mundesite e mosvajtjes në Botëror”, ka theksuar Ventura.

Piktura e Jezusit e Leonardo da Vinçit në ankand

Piktura e rrallë, e vjetër rreth 500 vjet e Jezu Krishtit, e realizuar nga Leonardo da Vinçi, do të shitet në ankand në New York.

“Salvator Mundi” është një nga 20 pikturat e njohura nga da Vinçi dhe i vetmi në duart e ankandit “Christie’s”.
Ky institut mund ta shesë atë më pak se 100 milionë dollarë më 15 nëntor.
“Puna e Leonardo da Vinçit është më të vërtetë e jashtëzakonshme. Dikush erdhi dje dhe më pyeti: Ku është Leonardo?’ Pra, kjo është një pyetje në karrierën time në Christie’s, që kurrë nuk më është drejtuar nga dikush”, shkruan albinfo.ch.

“Kështu që isha i lumtur t’i dërgoja ata te piktura”, deklaroi zëvendëspresidenti i “Christie’s”, Conor Jordan, i cili shtoi se kjo pikturë shton vëmendjen e publikut rreth shitjeve. /a.ke/

Ky është 5-vjeçari shqiptar me fuqi ‘mbinjerëzore’

Njihuni me 5-vjeçarin magnet,” kështu kanë shkruar mediat amerikane për djalin nga Kosova që mendohet të ketë veti magnetike.

Erman Delic nga Kosova zbuloi vetitë e tij magnetike, teksa po shihte televizor dhe vendosi një lugë në kraharor.

Tani Erman mund të fiksojë monedha, pirunj madje dhe telefona në trupin e tij.

Një doktor shpjegoi se Erman është plotësisht i shëndetshëm dhe nuk ka një shpjegim për aftësinë e tij. Mbase ka atë personalitetin magnetik!” ka shpjeguar NY Post aftësitë e djalit nga Kosova.

Komentuesit kanë patur reagime të shumta, një pjesë e mirë e të cilëve mendonin se bëhej fjalë për ‘djersë të ngjitshme’, që fikson trupat metalikë pas trupit.
Konica.al

Trump: Programi i Koresë Veriore, rrezik për botën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se programi raketor atomik i Koresë Veriore është “kërcënim” për botën dhe ka përsëritur se “periudha e durimit strategjik” ndaj Phenianit ka përfunduar.
Duke folur sot në Tokio, pas takimit me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, zoti Trump theksoi se të dy vendet po vazhdojnë të punojnë për t’i kundërshtuar “agresionet e rrezikshme” të regjimit të Koresë Veriore.
Programi atomik i Koresë Veriore është “kërcënim për botën e civilizuar dhe paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”, tha Trumnp gjatë një konference për gazetarë së bashku me zotin Abe.
Sot është dita e dytë e turneut aziatik të presidentit, Donald Trump, gjatë së cilit ai do ta vizitojë edhe Korenë Jugore, Kinën, Vietnamin dhe Filipinet.

Nis puna në pikën kufitare të Kapshticës

Pala greke ka nisur sot punën në pikën kufitare të Kapshticës pas 48 orësh bllokim.
Mëngjesin e sotëm në këtë pikë të kalimit janë lejuar që të gjithë qytetarët të kalojnë normalisht kufirin.
Kjo pikë doganore u bllokua për shkak të defektit në sistem të palës greke.
Dy ditë më parë policia e Shtetit sqaroi se: “Për këtë arsye shtetasit që nuk kanë dokument udhëtimi të një vendi të BE-së e kane të pamundur të kalojnë deri në rregullimin e defektit në sistem. Policia Kufitare ka mbajtur kontakt të pandërprerë me Policinë Greke, ku është marrë përgjigje se po punohet për rregullimin sa më shpejt të sistemit. Pala greke pretendon se deri sot pasdite ky defekt të rregullohet dhe të filloje lëvizja e qytetarëve me funksionimin normal të sistemit”

Goditet rrjeti i falsifikimit të pasaportave të BE

Policia greke ka goditur një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të emigrantëve, që i pajiste me pasaporta të falsifikuara, njoftoi media greke të hënën.
Në një operacion të organizuar në bashkëpunim me Europolin, janë zbuluar katër laboratorë të falsifikimit të pasaportave, ndërsa dosja penale përfshin të paktën 20 persona, mes tyre dhe gjashtë shtetas shqiptarë.
Rrjeti ka vepruar për të paktën tre vjet, duke i pajisur “klientët” me pasaporta të falsifikuara, kryesisht franceze, gjermane dhe spanjolle. Ata largoheshin nga Greqia nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar të Athinës, atij të Selanikut si dhe nga qytete të tjera të vendit.
Destinacioni i tyre kryesor ishte Britania e Madhe.
Autoritetet greke thonë se rrjeti kishte falsifikuar qindra pasaporta që dallohen për një saktësi të lartë dhe prandaj mjaft të vështira për t’u zbuluar.
Pritet që policia greke të japë më shumë detaje për çështjen gjatë ditës së hënë.

Ne, brezi i ‘vjetër’ me mentalitet të ri

Aurora Allushaj
Kam lindur në vitin 1984, i përkas brezit as andej e as këtej. Por, e them me bindje të plotë, se ne jemi ‘alienët’ e fundit, të edukuar, altruist dhe të mirë. Mbaj mend fëmijërinë time, të rrekëllyer në problemet që kishin të gjithë shqiptarët e atyre viteve, me fytyrën e vrarë nga dielli, me xhinset e vetme që kishim për të shkuar në shkollë. Fëmijë të urtë, ose e thënë më mirë të disiplinuar brenda shinave të mirësjelljes që prindërit na drejtonin çdo ditë.
Gjeneratat që na pasojnë demostrojnë emocione negative, egoizëm dhe keqedukim.
Në kohën time kur hipte në autobuz një i moshuar nxitonim t’i lironim vendin. E njëjta gjë ndodhte sa herë shikonim një grua shtatëzanë, apo person me handikap. Sot ndodh krejtësisht e kundërta, jo vetëm që nuk lirohet vendi, por me një shikim të rrufetë duket sikur thonë biletën e paguajmë edhe ne.
Të rinjtë sot, këtu fus edhe një pjesë të madhe të rrethmoshës time, vishen në të njëjtën mënyrë, flasin të gjithë njëlloj, i presin flokët në të njëjtin model. Flasin për seksin me të njëjtën liri siç mund të bënin për sportin apo një film të bukur. Pasioni dhe ndjenjat duken zero. Tymosin e ndajnë cigaren me njëri-tjetrin si çimçakëz që ne shkërmoqnim për të luajtur të gjithë me flluskat e krijuara prej tij. Sot, nuk ka interes nëse miku i ngushtë humbet punën, nëse komshiu ka probleme me shëndetin, a nëse dikush nuk arrin të ushqehet. Duket sikur asgjë dhe asnjë nuk intereson më.
Të rinjtë më japin përshtypjen sikur jetojnë brenda një kubi të vulosur aq fort, sa nuk arrijnë të ndiejnë aromë, shije, zhurmë a jetë.
Jemi bërë të gjithë nga pak të keq, egoist, asnjëanës. Kemi humbur vlerat më të rëndësishme njerëzore. Vrapojmë pas lekëve, suksesit e kënaqësive të çastit duke harruar se një fjalë e mirë, një përkëdhelje, a një moment i ndarë me njerzit që duam nuk ka çmim.
Çdo ditë e më tepër, teksa eci në rrugë, flas me dikë, tek shikoj një familje të ‘shthurur’, kam ndjesinë se bota po përfundon me të vërtetë në një humnerë të thellë.

AKU kontrollon fabrikën e pijeve në Nikel, dyshohet për produkte të falsifikuara

Autoriteti Kombëtar i ushqimit ka marrë kampione te pijeve alkoolike që prodhoheshin në magazinën prodhuese në Nikël të Krujës.
Kontrollet e AKU-së dhe Drejtorisë së tatimeve kanë nisur që të shtunën në këtë fabrikë të prodhimit të pijeve.
Dyshimet e para të AKU janë për falsifikim të pijeve të prodhuara si dhe ushtrim të aktivitetit në mungesë të kushteve higjieno-sanitare, raporton Ora News.
Ndërkohë, në lidhje me kontrollet e ushtruara është shprehur edhe pronari i magazinës, ku po zhvillohen kontrollet. “Aktivitetin e ushtrojmë prej 10 vitesh, jemi te pajisur me licence”, është shprehur ai.

Vlorë, Gjiknuri inspekton vendosjen e paneleve diellorë në kopshte

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi në Vlorë implementimin e projektit të mbështetur nga PNUD-i për vendosjen e paneleve diellore. Këto panele do t’u shërbejnë nevojave të godinave publike për ujë të ngrohtë.
Programi synon të përshpejtojë zhvillimin e tregut për këto sisteme si mënyrë për të kursyer energjinë elektrike. Investimi është pjesë e Nismës Globale për Transformimin e Tregut për Panelet Diellore për Ujë të Ngrohtë.
Implementimi i këtij projekti në Vlorë vjen si nevojë për të zbutur fenomenin e ndryshimeve klimatike.
Gjatë fjalës së tij ministri Gjiknuri u shpreh se përdorimi i paneleve diellore ka kosto të ulët si dhe ul nevojat për energji.
Damian Gjiknuri: Është një program i qeverisë shqiptare bashkë me PNUD-in, për të adresuar nevojat për ujë të ngrohtë në objektet e karakterit social si kopshtet, çerdhet apo shtëpitë e të moshuarve. Ka shumë leverdisshmëri përdorimi i paneleve diellore për kursimin e energjisë. Instalimi i këtyre lloj paneleve në godinat publike nga Shkodra deri në Sarandë, krijon kushtet që të ulet me 70% nevoja për energji për ngrohje.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli tha se këto projekte pritet të përmirësojnë kushtet dhe reduktojnë kostot e pushtetit lokal sa i përket administrimit të institucioneve.
Dritan Leli: Katër kopshte dhe një çerdhe në Vlorë ashtu sikurse një kompleks lojërash në Orikum janë bërë tashmë pjesë e këtij investimi të rëndësishëm.
Deri tani janë instaluar dhe janë në proces instalimi gjithsej 55 sisteme termike diellore për ujin e ngrohtë. Përfituese të këtyre investimeve janë institucione në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Lushnje, Elbasan, Gramsh, Berat, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Një prej këtyre përfituesve është edhe kopshti nr.10 në Vlorë ku ishte i pranishëm ministri.