Vlorë, Gjiknuri inspekton vendosjen e paneleve diellorë në kopshte

17

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi në Vlorë implementimin e projektit të mbështetur nga PNUD-i për vendosjen e paneleve diellore. Këto panele do t’u shërbejnë nevojave të godinave publike për ujë të ngrohtë.
Programi synon të përshpejtojë zhvillimin e tregut për këto sisteme si mënyrë për të kursyer energjinë elektrike. Investimi është pjesë e Nismës Globale për Transformimin e Tregut për Panelet Diellore për Ujë të Ngrohtë.
Implementimi i këtij projekti në Vlorë vjen si nevojë për të zbutur fenomenin e ndryshimeve klimatike.
Gjatë fjalës së tij ministri Gjiknuri u shpreh se përdorimi i paneleve diellore ka kosto të ulët si dhe ul nevojat për energji.
Damian Gjiknuri: Është një program i qeverisë shqiptare bashkë me PNUD-in, për të adresuar nevojat për ujë të ngrohtë në objektet e karakterit social si kopshtet, çerdhet apo shtëpitë e të moshuarve. Ka shumë leverdisshmëri përdorimi i paneleve diellore për kursimin e energjisë. Instalimi i këtyre lloj paneleve në godinat publike nga Shkodra deri në Sarandë, krijon kushtet që të ulet me 70% nevoja për energji për ngrohje.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli tha se këto projekte pritet të përmirësojnë kushtet dhe reduktojnë kostot e pushtetit lokal sa i përket administrimit të institucioneve.
Dritan Leli: Katër kopshte dhe një çerdhe në Vlorë ashtu sikurse një kompleks lojërash në Orikum janë bërë tashmë pjesë e këtij investimi të rëndësishëm.
Deri tani janë instaluar dhe janë në proces instalimi gjithsej 55 sisteme termike diellore për ujin e ngrohtë. Përfituese të këtyre investimeve janë institucione në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Lushnje, Elbasan, Gramsh, Berat, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Një prej këtyre përfituesve është edhe kopshti nr.10 në Vlorë ku ishte i pranishëm ministri.