Kryemadhi: Qeveria duhej të kishte rënë

Share This
Tags

Për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, në një vend normal qeveria do të kishte rënë pas ngjarjeve të rënda të regjistruar së fundmi.

E ftuar në emisionin “Debati në Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku, Kryemadhi thotë se nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës që Ministri i Brendshëm të përfshihet në të gjithë skemën e një bande kriminale të strukturuar.

Dhe sipas saj, një nga arsyet pse Rama e shkarkoi z. Tahiri ka qenë raporti i Departamentit të Shtetit në të cilin ai u kërcënua, që nëse nuk hiqte z. Tahiri, emri i tij do të ishte i shkruar në raportin e Departamentit të Shtetit.

E pyetur për aksionin opozitar, Kryemadhi thotë se Rama po e zhvendos debatin nga institucionet legjitime dhe do të futet në një fushë tjetër që vërtet nuk ka parë asgjë akoma.

Për këtë të enjte por edhe për seancat në vazhdim keni një skenar për mënyrën si do silleni me qeverinë?

Në fakt gjuha e të gjithë përfaqësuesve të LSI që në fushatën e zgjedhjeve ka qenë mjaft e ashpër. Sepse ishin personat e parë që ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me bandat dhe me krimin e organizuar. Në çdo moment që ne mund të bënim një denoncim, shihnim që viktima kthehej në të pandehur dhe i pandehuri kthehej në super shtet, pra ishte ai që drejtonte shtetin. Dhe kjo gjuhë qe në tre katër javët e fushatës dhe më pas ka vazhduar edhe pas zgjedhjeve dhe gjatë periudhës së gushtit kur të gjithë njerëzit ishin me pushime ne vazhdonim një gjuhë të tillë. Sigurisht që ngjarjet e fundit kanë qenë shumë të rënda. Në një vend normal dhe në një vend demokratik qeveria do kishte rënë faktikisht. Sepse nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka qenë i përfshirë në të gjithë skemën e një bande kriminale të strukturuar. Dhe një nga arsyet pse z. Rama e shkarkoi z. Tahiri ka qenë raporti i Departamentit të Shtetit në të cilin ai u kërcënua, që nëse nuk hiqte z. Tahiri, dhe për këtë mund të pyesni personat përgjegjës të kësaj skeme, emri i tij do të ishte i shkruar në raportin e Departamentit të Shtetit. Pavarësisht se media dhe konjukturat apo njerëzit e kryeministrit të futura në media apo në rrjete sociale duan ta shesin sikur ishte një kush i LSI. Kjo është shumë e rëndë. Kur Eskobari hyri në parlament, ministri i Drejtësisë i tha ose ti ose unë dhe ministri nuk e la që të futej ai në parlament. Ndërkohë ne jo vetëm që e kishim në parlament, por e kishim edhe ministër të Brendshëm i cili ndërtonte të gjitha strukturat. Për të vazhduar më tej me çështjen e radarëve, që është një skandal tjetër po prapë shumë i rëndë, duke vazhduar më tej me ngjarje të tjera që po vijnë njëra pas tjetrës dhe që do, do shpërthej sepse ka kaluar përmasat e thashethemeve dhe perceptimit. Tanimë është kthyer në një realitet shumë të dhimbshëm e cila është gjatë gjithë kohës prezentë. Unë mendoj që gjuha jonë është shumë e moderuar duke pasur parasysh se me çfarë kemi të bëjmë përpara. Tani për sa i përket aksionit opozitar, sigurisht që ne jemi në hapat e para të bashkëveprimit dhe bashkërendimit të punës sonë. Akoma ka të bëjë me këndvështrime të ndryshme për sa i përket sjelljes sonë në parlament. Ne mendojmë që partia jonë dhe jo vetëm, duhet të jenë alternativë. Faktikisht njerëzit janë shumë skeptik, edhe unë jam e tillë sepse nëse e heqim Edi Ramën, kush do vijë në vend të tij? Njerëzit janë shumë të lodhur nga politika e nga mënyra se si është lënë vendi në këto 27 vite tranzicion. Sigurisht që edhe unë kam qenë pjesë e kësaj, por jam një pjesë shumë e vogël në gjithë këtë spektrin e madh. Për mua nuk ka rëndësi se kush vjen se në Partinë Socialiste ka individë të tjerë shumë të mirë të cilët mund ta drejtojnë qeverinë dhe e kthejnë atë në antimafia. Këtu kemi dy qëndrime të ndryshme, sepse vërtet që në pushtet është Partia Socialiste, por është me 74 mandate të blera me paratë e drogës dhe të krimit. Sepse nuk janë përgjime as të emisioneve investigative, as përgjime të Prokurorisë shqiptare, as përgjime që janë bërë pa vendim gjykate. Por, janë përgjime që janë bërë nga Antimafia Italiane, me vendim gjykate, përgjime ambientale, të cilat janë përgjime ku deklarohet hapur që duhen 20 milion euro për Saimir Tahirin për t’i hedhur në Tiranë. Pra, Saimir Tahiri ka qenë përgjegjës për 11 njësitë e Tiranës. Pra, vetëm Saimir Tahiri ka përdorur 20 milion euro për të blerë votat. Këto përgjime nuk janë fantazi tonat, por janë fakte, të cilat kanë edhe vlerën e provës. Një Kryeministër që thotë: “Unë kam ardhur me vota dhe do iki nga politika kur të dua unë”, ky nuk është një njeri normal, sepse nuk është ajo që vendos. Ai pati një opozitë të çorientuar, një media të kapur, duam apo s’duam të pranojmë këtë gjë. Kemi pasur një Polici të kapur dhe të organizuar.

A keni pasur opozitë?

Ka qenë një opozitë e përçarë. Opozita deri në momentin e marrëveshjes së 18 majit ishte në rrugën e duhur, sepse edhe ne nuk do të hynim në zgjedhje nëse edhe Partia Demokratike nuk do të hynte.

Por, juve u regjistruar në KQZ. Ju e bëtë fakt të kryer këtë, pasi në ditën e fundit të afatit, ju bëtë regjistrimin…

Por unë mund të mos hyja në zgjedhje edhe një ditë përpara tyre. Ne shpresonim që deri në momentin e fundit, Partia Demokratike do të hynte në zgjedhje. Pastaj, mënyra se si u përdor marrëveshja e 17 majit, që vlen për t’u diskutuar nga elementë të tjerë.

Çfarë doni të thoni ju me shprehjen që keni thënë në Kuvend “Edi Rama nuk ka parë asgjë akoma”?

A e di shumë mirë se çfarë do të thotë që nuk ka parë asgjë akoma. Ai po e zhvendos debatin nga institucionet legjitime dhe do të futet në një fushë tjetër që vërtet nuk ka parë asgjë akoma.

Gjithçka që ka ndodhur këto kohë tregon që ky shtet ka dështuar. Dhe kjo nuk është vetëm faj i Edi Ramës por i të gjithë politikës, e cila është përgjegjëse për këtë gjë. Cili është komenti juaj?

Nuk i ndryshoj asgjë kësaj që thoni ju. Ne kemi pasur në këto vite tranzicion shumë kryeministra. Të gjithë këta kanë pasur defektet e tyre, për konflikt interesi, për arrogancë, për mungesë demokracie, për politizim të çështjeve, për korrupsion, për lidhje familjare, por asnjëri nga këta nuk është ulur në tavolinë me kriminelë. Edi Rama ka ngritur një platformë në mënyrë perfekte që me kapjen e mediave hap pas hapi. U pasurua, krijoi lidhje me bizneset. Ne e dimë çfarë ka ndodhur me pallatet në Tiranë. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe pastroheshin paratë e drogës. Dhe këtu ka faj politika sepse ne duke u marrë me njëri-tjetrin lejuam që të ndërtohej një skemë e tmerrshme e pastrimit të parave dhe e injektimit të tyre në ekonominë shqiptare. Dhe sot është një nga problemet më të mëdha që ka shteti shqiptar. Edhe me ligjin e ri për noterinë është bërë në funksion të pastrimit të parave. Është ngritur një shtet i tërë për të ngritur një infrastrukturë të pastrimit të parave. Projekti 1 miliard euro në fakt është pastrim parash drejtpërsëdrejti. Injektim i parave të drogës dhe krimit të organizuar në ekonominë shqiptare.

ORA NEWS

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>