Kapshtica vazhdon e bllokuar, kalojnë vetëm personat e pajisur me dokumente greke

Shqiptarët të cilët zgjodhën pikën kufitare të Kapshticës, sot për të kaluar drejt Greqisë janë përballur me të njëjtën problematikë të djeshme.
Gazetarja e Ora News, Ledjona Xheladinaj, informon se pala greke punon me regjistra vetëm në dalje ndërsa në hyrje të Greqisë lejohen vetëm personat me dokumentacion grek.
Ende nuk jepet një informacion zyrtar se kur mund të normalizohet situata.
Fluksi i qytetarëve nuk është aq i madh sa dje, por situata pritet të përkeqësohet në orët e mëvonshme.
Prej së shtunës paradite pika e Kapshticës është e bllokuar dhe radhët dje shkuan deri në disa kilometra.
Traun e doganës në drejtim të Greqisë u lejuan të kalonin vetëm shtetasit me pasaportë greke, të vendeve të tjera të BE, por edhe ata nga Himara.
Mbi këtë bazë mes qytetarëve dje qarkulluan teza se situata ishte një hakmarrje e Athinës për çështjen”Himara”.
Por Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili ishte dje në Kakavijë dha këtë shpjegim: Ka një rënie të sistemit Shengen që prek pikat kufitare që ka Greqia me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë, e kemi të verifikuar këtë gjë edhe me pikat e tjera.
Ndërkohë pas afro 14 orësh bllokimi u lirua situata në Kakavijë. Pasaportat e kalimtarëve u vendos të skanoheshin dhe të dhënat të hidheshin në sistem kur defekti të rregullohet.

Policia e Shtetit: Akuzat e PD të pavërteta, respektuam ligjin

Policia e Shtetit shprehu keqardhjen për akuzat politike sipas saj dhe pa bazë ligjore nga ana e opozitës, duke theksuar se ka respektuar procedurat ligjore në lidhje me të riun që u kap në Elbasan me 800 mijë euro.
Reagimi i plotë:
Policia e Shtetit rishpreh keqardhjen për akuzat politike dhe pa asnjë bazë ligjore apo faktike, mbi ndalimin e shtetasit Orest Sota.
Policia e Shtetit rithekson se ka kryer detyrën dhe respektuar procedurën ligjore pikë për pikë.
Pretendimet e opozitës janë spekulime politike dhe s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën e punës së bërë nga Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit ka ndaluar në flagrancë autorin, ka mbajtur të plotë procesverbalin në vendngjarje dhe i ka përcjellë menjëherë Prokurorisë dosjen e plotë të rastit për arrestin në flagrancë.
Policia e Shtetit i siguron të gjithë qytetarët se ajo ka bërë detyrën, po bën detyrën dhe do të bëjë detyrën e saj, pa asnjë ndikim politik në luftën me krimin e organizuar, krimin ekonomik e çdo lloj tjetër kriminaliteti.
Pas përmbylljes me sukses të plotë të luftës për çrrënjosjen e kanabisit nga territori i vendit, Policia e Shtetit ka hyrë në fazën e dytë të kësaj lufte, e cila do të përshkallëzohet javë pas jave.
Edhe arrestimi sot i një rrjeti trafikantësh në Tiranë e tregon qartë vullnetin e Policisë së Shtetit, për të goditur rrjetet dhe elementet kriminale që janë përfshirë në trafiqe, si edhe sekuestruar asetet financiare të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Vëzhgues të PSG dhe Inter dëshirojnë Bardhin

Paraqitjet fantastike në këtë fillim sezoni me Levanten në La Liga e kanë bërë Enis Bardhin shumë të kërkuar.
Mesfushori ofensiv me origjinë shqiptare por që përfaqëson kombëtaren e Maqedonisë eshtë vënë në listën e dëshirave të skuadrave të rëndësishme europiane .
Vëzhgues të PSG dhe Inter e kanë ndjekur edhe nga afër lojtarin, dhe pritet që në merkaton e ardhshme të ketë hapa konkret rreth kësaj çështjeje.
Në një intervistë për “DigiSport”, mesfushori e ka pritur mjaft mirë interesimin e tyre dhe ka dëklaruar se për momentin ai është i fokusuar të ndihmoj Levanten në luftën për mbijetesë dhe më pas do mendojë rreth zërave të merkatos.

Klosi: 99% e guroreve nuk zbatojnë lejen mjedisore

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi apeloi bizneset e në veçanti guroret që të ulin nivelin e ndotjes në të kundërt do të penalizohen.
Në forumin e mbajtur për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në Shqipëri, Klosi theksoi situatën alarmante ndërsa vendosi sërish në qendër të vëmendjes kompanitë që ndotin ambientin duke mos respektuar lejet mjedisore.
Klosi: Të zbatohet leja mjedisore. Ministria e Mjedisit ka dhënë qindra leje mjedisore për guroret dhe në masën 99% nuk zbatohet leja. Në masën 99%, ai biznes që merr përsipër të bëjë biznesin duhet të marrë përsipër të bëjë edhe investimin. Të bëjë biznes por të respektojmë jetën e qytetarit.
Në lidhje me menaxhimin e mbetjeve në vend, Klosi kërkoi nga bashkitë që të mendojnë zgjidhje afatgjata për të ndryshuar një realitet të hidhur që i ka shndërruar lumenjtë në landfille.
Një apel ministri e kishte edhe për qytetarët të cilëve u bëri thirrje të bashkohen në aksionin për pastrimin e Shqipërisë.
Pasi votoi pro dekretit të ish presidentit Nishani për rrëzimin e ligjit të mbetjeve, mazhoranca tha se përmes forumeve do të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ekspertëve të fushës për hartimin e ligjit te ri.

“Mallakastra” në Kushtetuese, Balla akuza Bashës dhe Kryemadhit

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të KQZ
për të mos i hequr mandatin kryetarit të bashkisë së PD-së Mallakastër, Agron Kapllanaj.

Përmes një postimi në fb, Balla akuzon Bashën dhe Kryemadhin se në bashkëpunim mes tyre ushtruan ndikim të paligjshëm ndaj anëtarëve të KQZ, e për pasojë 4 anëtarë të KQZ thyen hapur ligjin.

Sipas tij, vendimi i sotëm i KQZ jo vetëm që është i paligjshëm në përmbajtjen dhe arsyetimin e servirur nga Lulzimi dhe Monika, por ai është i paligjshëm për shkak të shkeljes së afatit të shqyrtimit.

“Kryetari i KQZ Klement Zguri, me dashje dhe nën presionin e Lulzim Bashës, vendosi të mos respektojë detyrimin ligjor për ta përcjellë atë në mbledhje publike të institucionit brenda 10 ditëve, sikundër e detyron neni 10 i ligjit nr.138/2015 “për dekriminalizimin”.

Reagimi në fb

Balla ka paralajmëruar se do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij Mallakastra nuk mund të vazhdojë të ketë kryebashkiak një të dënuar me dy vite burg për “vjedhje”, vetëm pse Agron Kapllanaj është përfaqësues i Partisë Demokratike.

Për Lulzim Bashën, ligji dhe drejtësia nuk mund të veprojnë kur bëhet fjalë për vetë Lulzimin apo për një ushtar të “ushtrisë së vdekur” të PD-së.
Siç paralajmërova dje në Parlament dhe sot, Lulzim Basha në bashkëpunim me Monika Kryemadhin ushtruan ndikim të paligjshëm ndaj anëtarëve të KQZ, e për pasojë 4 anëtarë të KQZ thyen hapur ligjin.

Është shumë e qartë se kryebashkiaku i Lulzim Bashës, Agron Kapllanaj, i cili në vitin 2015 fitoi ndaj kandidatit të propozuar nga LSI, përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2, gërma c) të ligjit 138/2015 “për dekriminalizimin”, pasi me vendim të datës 07.04.2003, i cili ka marrë formë të prerë në datë 17.02.2004, Agron Kapllanaj është dënuar me 2 vjet heqje lirie dhe 200 euro gjobë për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes”.

Përmes ndërhyrjes së paligjshme të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, KQZ vendosi sot që Mallkastra të vazhdojë të ketë kryebashkiak një të dënuar me dy vite burg për “vjedhje”, vetëm pse Agron Kapllanaj është përfaqësues i Partisë Demokratike.

Vendimi i sotëm i KQZ jo vetëm që është i paligjshëm në përmbajtjen dhe arsyetimin e servirur nga Lulzimi dhe Monika, por ai është i paligjshëm për shkak të shkeljes së afatit të shqyrtimit. Kryetari i KQZ Klement Zguri, me dashje dhe nën presionin e Lulzim Bashës, vendosi të mos respektojë detyrimin ligjor për ta përcjellë atë në mbledhje publike të institucionit brenda 10 ditëve, sikundër e detyron neni 10 i ligjit nr.138/2015 “për dekriminalizimin”.

Në zbatim të ligjit Nr. 138/2015 “PËR GARANTIMIN E INTEGRITETIT TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE”, të njohur si ligji “për dekriminalizimin”, neni 15, pika 4: “Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas këtij ligji”, jemi në kushtet për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Lulzim Basha hoqi sot maskën që përdori gjatë ditëve të fundit, duke treguar qartë fytyrën e tij të vërtetë. Lulzim Basha vetëm një punë di të bëjë mirë, të gënjejë.

Pervizi, Merkelit: Po gaboni rëndë me shqiptarët

Zef Pervizi
Zef Pervizi

E nderuar zonja Kancelare Merkel!
Për pasojat e osmanizmit në Ballkan, më mirë sesa në shqiptarët nuk mund të faktojë askush pasi kemi pësuar 479 vjet dhunën osmane pa shkollë, institucione e rrugë. Ndërsa për krishtërimin e shqiptarëve dhe misionin e shqiptarëve ndaj krishtërimit Europa të na rrijë në këmbë. Sepse ishte iliriani i madh, perandori Kostandin që zyrtarizoi krishtërimin në vitin 375. Ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, mbrojtës i qytetërimit dhe krishtërimit europian. Për të dyja këto vlera Europa, e në mënyrë të veçantë Gjermania si mike e shqiptarëve, një popull 3 milionësh do e kishte pranuar pa kushte në Europë.
Zonja kancelare, meqenëse jeni lindur dhe rritur në Gjermaninë Lindore, keni përjetuar murin e Berlinit dhe vrasjet gjatë kalimit të njerëzve drejt perëndimit, si dhe i dini dosjet e zeza të komunizmit. Po ju kujtoj se ne shqiptaret kaluam 50 vjet komunizëm që na dhunoi pronën, lirinë e besimin tek zoti. Pikërisht për këto arsye nuk duhet të na kujtoni neve shqiptarëve Turqinë, por Europën, të cilës i kemi shërbyer dhe po i shërbejmë.
Zonja Merkel, urdhëroni në Shqipëri dhe kërkoni sa shqiptarë duan të shkojnë në Turqi dhe sa në Gjermani. Të garantoj se të gjithë duan Europën. Shfetoni albanologët, historianë e diplomatë që kanë shkelur Shqipërinë, gjermanë e austriakë. Të gjithë kanë studiuar Ilirinë dhe kanë vërtetuar që është pjesë e pashkëputur në qytetërimin dhe kulturën europiane. Shqiptarët janë populli me tolerancën më të madhe fetare. Kurrë nuk kemi pasur luftë fetare. Feja e shqiptarit është shqiptaria.
Ju urojmë suksese dhe nderim për juve ashtu siç ju vlerësuan gjermanët për të katërtën herë. Ne shqiptaret presim shumë prej jush.

Zef Previzi, Bruksel

Shqiptarin fatkeq nuk e do as Europa dhe as Shqiperia!

Sot po kur po kthehesha nga Frankfurti ne Tirane, perpara se te hipja ne avion, u perballa me nje skene prekese dhe trishtuese.

Dy makina policie, iu afruan avionit dhe sollen te shoqeruar nje grua me dy femije te vegjel, dhe nje djale te ri ne makinen tjeter.

Skena e gruas me dy femijet ishte shume prekese, jo vetem per ne si shqiptare, por edhe per vete policine gjermane.
Nje nga policet, i prekur nga te qarat e kesaj familjeje qe po deportohej, po ferkonte shpatullat e njerit prej femijeve, si ta kishte femijen e tij dhe me dhimbsuri, kundra deshires se tij, po bente shoqerimin e detyrueshem ne avion.
Te qarat e kesaj familjeje vazhduan pergjate gjithe udhetimit, dhe ishte i pamundur qetesimi i tyre.
Sic duket, ne momentin qe keta fatkeqe menduan se i iken ferrit shqiptar, ferri i terhoqi me duart e tij te gjata, prej Gjermanise se larget.
Statusi absurd i Shqiperise, si nje vend i sigurte, po rendon vetem mbi ata fatkeqe, qe nuk kane me as te drejte te braktisin ferrin e vendlindjes, e te shijojne nje jete normale ne Europen e enderruar.
Politika europiane, edhe pse e di shume mire, se ketu ne ferrin e quajtur Shqiperi, vetem siguri nuk ka, perseri ben viktima te nje statusi te padrejte juridik, njerezit me te pafajshem dhe me te vobekte te ketij vendi.
Ku qendron siguria ne kete vend?
Tek polici qe trafikon hashash, tek Bankersi qe te tund themelet e shtepise 18 here ne nate, tek Gerdeci qe sfidon bomben atomike dhe perpin femijet fatkeqe, tek killerat e burgjeve qe dalin naten nga burgu dhe bejne kerdine me vrasjet me pagese, tek ushtria qe nuk ekziston, tek banka qendrore ku hajduti vjedh pernate me thes, tek katastrofa ne arsim e shendetesi, tek deputetet rrugace e legena, tek prokuria e gjykata, apo tek Presidenti qe nuk ka as cipe, as turp e as kufi ne kusarine e tij?
As ne arratisjen e tyre, ne braktisjen e dhimbsshme te vendlindjes, nuk gjen derman shqiptari.
Shqiptarin fatkeq nuk e do as Europa dhe as Shqiperia e kthyer ne pronen dhe parajsen e maskarenjve.
Shqiptari duhet ta kuptoje se me fatin duhet te perballesh dhe jo ti arratisesh.

Krijo biznesin tënd, mos prit punën në kafene

“Unë mendoj se gjithçka mund të arrihet nëse ti insiston fort në atë që do”. Ky është mesazhi që përcjell Anisa Kadare, një vajzë 27 vjeçare, e cila ka arritur të zhvillojë një biznes social në Shqipëri, falë edhe studimeve të saj në Milano.

“Zhvillimi i një biznesi social sjell përfitime zinxhir për të gjithë, duke nisur nga zhvillimi i zonave ku prodhohet gjithnjë e më shumë, hapja e vendeve të reja të punës, rritja e mirëqënies, mbrojtja e ambientit dhe natyrës, përmirësimi i shëndetit si dhe rritje e biznesit”, thekson Anisa.

“Studimet e mia më ndihmuan në krijimin e një biznesi social dhe idesë për të mos menduar vetëm përfitimet monetare të aktorëve, por për të gjitha hallkat e organizimit të një biznesi, nga fermeri tek konsumatori. Ndërthurja e këtyre dy koncepteve biznesi dhe socialja bashkë”, shprehet Anisa, në një video të shpërndarë në facebook nga kryeministri Edi Rama, i cili thekson se ky është një shembull fantastik i një vajze 27 vjeçare që nuk e ka pritur punën në kafene duke bërë shtetin përgjegjës, po e ka krijuar atë duke marrë përgjegjësinë për veten e për të tjerë që janë punësuar falë saj.

Anisa shprehet se, “krijimet e një shembulli që një ide e tillë funksionon si dhe përfitimet janë të dukshme e të prekshme nga të gjithë. Është bukur të përthithësh një ide, ta zhvillosh atë në biznes plan, pastaj ta financosh dhe më pas ta bësh atë realitet në vendin tënd”.

Ajo thekson se kërkon një koncept të ri të të ushqyerit, sidomos tek të rinjtë. “E kam për objektiv të sjell pranë konsumatorit produktet më të mira tradicionale natyrale dhe organike shqiptare, duke ruajtur standardet më të larta të cilësisë”, theksoi Anisa.

Ajo shprehet se dëshira e saj është të mbledh të gjitha produktet organike tradicionale shqiptare, ku çdo zonë e vendit tim të mund të identifikohet me më të mirat e saj. Ku “disavantazhet e zonave më të pazhvilluara të transformohen në avantazhe

“Vështirësitë e sektorit bujqësor në Shqipëri janë të shumta. Megjithatë vendosa të marr përsipër rrisqet që sjell bujqësia organike por edhe sadisfaksionin kur e sheh të realizuar dhe kënaqësinë që të falin klientët çdo ditë kur pëlqejnë produktet nga Ferma”, thekson Anisa, e cila shton se, “aktualisht që prej 2016-ës janë të punësuar mbi 10 familje të zonës, por edhe më shumë punësohen në formë sezonale”. /a.g/

Rilidh energjinë, arrestohet pronarja e fasonerisë

Burime të OSHEE-së bëjhnë të ditur se subjektit privat i ishte prerë energjia pasi ishte debitor, por pas kontrollit u verifikua se ai kishte bërë sërish lidhjen, pa paguar detyrimet.

“Nga OSHEE Durrës në kuadër të aksionit, është zbuluar vjedhja e energjisë nga abonenti privat ne fushën e industrisë prodhuese (veshje), për rilidhjes së paligjshme të linjës elektrike. Subjektit privat i ishte prerë furnizimi me energji pasi ishte debitor, por pas kontrollit u verifikua se ai kishte rilidhur energjinë, pa paguar detyrimet, në kundërshtim të plotë me ligjin. Për këtë arsyeje, u bë arrestimi në flagrancë i abonentes M.H. dhe tashmë po gjykohet nga organet kopetente”, njofton OSHEE.

Po në Durrës dy abonentë familjarë janë proceduar për vjedhje të energjisë elektrike, ndërkohë që të dhënat e fundit nga ky qytet flasin për rreth 40 abonentë, familjat dhe privat.

“Sulmuesi i Nju Jorkut” mund të dërgohet në Guantanamo!

Disa ligjvënës amerikanë i bënë thirrje Shtëpisë së Bardhë që ta dërgojë Sayfullo Saipovin, të akuzuarin për vrasjen e tetë personave në Nju Jork, në burgun ushtarak në Gunatnamo.

Presidenti Donald Trump tha se po e shqyrton këtë gjë, e cila fillimisht do të kërkonte nga ai që ta shpallte Saipovin “luftëtar të armikut”.

“Do ta konsideroj me siguri. Dërgojeni atë në Gitmo (v.j. Guantanamo)”, tha Trump. Në një postim në Twitter, presidenti po ashtu tha se beson se Saipov “duhet të dënohet me vdekje”, pasi, pas sulmit, ka thënë se është “i lumtur” dhe ka shprehur besnikëri ndaj grupit militant Shteti Islamik.

Burgu ushtarak në bazën detare të SHBA-së në Kubë është shfrytëzuar në të kaluarën kryesisht për të burgosur militantët e kapur nga forcat amerikane në fushat e betejës në Afganistan dhe Irak.

Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, ka shprehur keqardhje për praktikën, e cila, sipas tij dhe kritikëve të tjerë, u mohon të drejtat themelore ligjore të të burgosurve, dhe ka kërkuar mbylljen e burgut.

Asnjë i paraburgosur nuk është dënuar në Guantanamo qysh në vitin 2008. Për më tepër, Saipov është banor i ligjshëm i SHBA-së dhe normalisht ka të drejtat ligjore që i janë dhënë me sistemin civil të drejtësisë amerikane.

Por, kryetari i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, John McCain, ishte midis atyre në Kongres që i bënë thirrje Trumpit për ta dërguar Saipovin në Guantanamo.

“Nuk duhet t’i konsiderojmë këto sulme në tokën tonë si të izoluara, por t’i njohim ato ashtu siç janë: akte të luftës”, tha McCain.

Senatori republikan, Lindsey Graham, po ashtu i bëri thirrje Trumpit që ta shpallë Saipovin “luftëtar të armikut”. Graham tha se si duhet të merret më shumë në pyetje për të përcaktuar me siguri nëse ka vepruar i vetëm, ashtu siç kanë thënë autoritetet në Nju Jork.

“Është qesharake të besojmë se një ditë intervistash në spital na tregon gjithçka që duhet të dimë për lidhjet terroriste të Saipovit”, tha Graham.

Saipov, me prejardhje nga Uzbekistani, tashmë është akuzuar për terrorizëm nga një gjykatë e qarkut në Nju Jork. Më 31 tetor, ai dyshohet se ka goditur me kamionkalimtarët në një zonë të çiklistëve në lagjen Menhatën, duke vrarë tetë persona dhe plagosur disa të tjerë.