Brukseli nuk ka vend për Pëllumb Xhufat…

Nga Sulejman GJANA

Para disa ditësh, Komuna e Skarbekut në Bruksel lajmëroi mbajtjen më 23 prill (të hënën), të një konference kushtuar Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar.
Në lajmërimin dhe ftesat e shpërndara bëhej me dije se ky aktivitet organizohej me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Belgjikë dhe se konferencierët-panelistë të përzgjedhur nga ambasada do të ishin zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Lek Pervizi e Safet Kryemadhi.
I kam lexuar me endje e i kam vlerësuar veprat dhe studimet e prof. Pëllumb Xhufit për historinë e vendit tonë në Mesjetë. Në mënyrë të veçantë kam vlerësuar qëndrimet dhe mbrojtjen që ai i bën si rrallëkush në Shqipëri çështjes Çame dhe interesit kombëtar në raport me fqinjët tanë jugorë. Ndaj jam trishtuar shpesh kur ai prej 2 dekadash është pozicionuar hapur si mbrojtës fanatik i historiografisë komuniste lidhur me LDB dhe po aq shpesh edhe si relativizues, justifikues e deri si mohues kokëfortë i krimeve të komunizimit që datojnë qysh nga themelimi i PKSH e deri në ditën e mbrame të diktaturës.
Veçanërisht debati që ai ka nisur, nxitur dhe vazhduar lidhur me kampin famëkeq të Tepelenës dhe krimet e konsumuara aty nga xhelatët komunistë, e ka pozicionuar Xhufin si apologjet të krimeve monstruoze dhe i gjakatarëve në fjalë, duke kompromentuar rëndë figurën e tij morale si historian dhe intelektual me profil të lartë, që guxon të injorojë, të shtrembërojë e të flakë deri edhe parimet e të vërtetat faktologjike.
Pikërisht në këtë kontekst dhe në kulmin e emocioneve që kanë shkaktuar qëndrimet dhe deklaratat e tij, ishte tejet sfiduese dhe arrogante përzgjedhja nga Tirana zyrtare e Xhufit si panelisti kryesor i konferencës së lartpërmendur, ku ky apologjet profesionist dhe pasionant do të referonte bash para ish viktimave të mbijetuar të krimeve e torturave të diktaturës dhe bijve të mërgatës antikomuniste të Brukselit.
Bijtë e kësaj mërgate, lindur dhe rritur në demokraci, madje në mes të kryeqytetit zyrtar të Europës ku duam ta integrojmë Shqipërinë, janë edukuar që të bashkëjetojnë me të ndryshmin dhe kundërshtarin e ideve. Ndaj ata që përkundën e përkundin djepat e bijve të tyre duke mëkuar e derdhur atdhedashuri por edhe urrejtje për sllavokomunizmin, në kushte normale do ta pranonin si panelist Xhufin edhepse ky, në shtëpinë e tij, prej dekadash përkundi dhe ende përkund djepat e stërnipave të Enver Hoxhës. Do të pranonin të bashkëbisedonin me medievalistin e shquar Xhufi për: çështjen tonë kombëtare të pazgjidhur; për autoktoninë antiko-mesjetare në trojet tona etnike; për të drejtat kombëtare e pronësore të mohuara në Greqi; për marrëveshjen e detit; për Zajednicën; për të drejtat kombëtare, njerëzore e pronësore të mohuara e të cunguara në pjesën veriore të Mitrovicës, në Maqedoni, Malin e Zi, Metohi, Sanxhak, në Luginë e në mbarë Serbinë.
Sikur “këpucari” të qëndronte tek “këpuca”, sikurse këshilloi Napoleoni, do të pranonim të bashkëbisedonim me të për Skënderbe-Heroin e përbashkët, të cilit me fondet e grumbulluara anembanë botës nga emigracioni i vjetër antikomunist dhe peshën politike të merituar ia ngritëm përmendoren në mes të Brukselit 50 vjet më parë, bash në komunën e Skarbekut, në jubileun e 500-vjetorit të vdekjes.
Sikur të mos na lëndonte aq shumë, do të pranonim ta dëgjonim e të mos ia përmendnim akademikut Xhufi synimin e heshtur të Enverit për të na zhbërë nga shqiptarësia nëpërmjet shkombëtarizimit gradual me ndihmën e kohës, harresës së programuar e asaj biologjike, multikulturalizmit mbytës metropolitan dhe globalizmit asgjësues të identiteteve kombëtare.
Natyrisht që apologjetit akademik, prej finikërie e jo prej tute, nuk do t’ia ndërmendnim faktin se nga pasuritë e konfiskuara në atdhe pas LDB nga lufta e klasave dhe nga fitimet kolosale prej punës së papaguar në kampe e burgje, deri në “kursimet” shtazarake të ushqimit dhe kushteve të “jetesës”, Enveri dhe regjimi i tij nuk kursyen asnjë shpenzim për asgjësimin sitematik të nacionalistëve antikomunistë që përbënin dhe përbejnë shtresën e shëndoshtë të ish-të përndjekurve dhe burgosurve politikë; shtresë në të cilën emigracioni i vjetër politik e ka identifikuar dhe e identifikon vetvetën si pjesë e pandarë e saj.
Çuditërisht dhe me shkujdesje të habitshme, me aktivitetin e programuar Tirana zyrtare sërish e sfidoi dhe e ofendoi mërgatën antikomuniste që jeton prej dekadash në Bruksel teksa bash pa u shuar debati ngjethës, i vendosi Pëllumb Xhufit në krah një ish-të përndjekur si Lek Pervizi (?). Dhe për këtë u sajua kjo tribunë në Bruksel, prej ku akademikut do t’i jepej mundësia për t’u kumtuar të gjithë kundërshtarëve të vet në Shqipëri se “mua më njeh Brukseli dhe nuk pyes për ju”, se “ju jeni fanatikë të pandreqshëm”, se “në krah më rri nëpër konferenca një ish-i internuar i kampit të Tepelenës dhe ai nuk ka asnjë problem me mua, pasi e di që nuk gënjej”, etj., etj..
Mirëpo, me sa duket, qeveria shqiptare (që ende i përdor ambasadat për llogari politike) i kishte bërë hesapet pa hanxhinë, teksa harroi se Europa demokratike është ndërtuar edhe mbi bazën e vlerave e parimeve më të larta morale e njerëzore. Dhe si një prej parimeve të tilla të shenjta spikat injorimi i negacionistëve të vuajtjeve të komuniteteve, racave e popullsive të pafajshme, krahas injorimit të të pa-penduarve, apologjetëve të diktaturave dhe glorifikuesve të krimeve e kriminelëve.
Fatkeqësisht, në Shqipëri këto kategori individësh vazhdojnë të vlerësohen. Dhe kjo ndodh jo vetëm sepse trashëgimia komuniste është akoma e fortë (dikush mund të thotë se gjithçka ka qenë e planifikuar me “Katovicën” për të mbërritur në këtë ditë), por sepse morali dhe etika janë nocione të pakuptimta për shumëkënd…, por edhe ngaqë vlerat dhe parimet europiane konsiderohen ende si të huaja nga politikanët dhe aparaçikët tanë të djeshëm e të sotëm.
Mbi të gjitha ky zvetënim i frikshëm moral ndodh sepse pas ’90-ës sistemi i ndërtuar mbi “rrënojat” e komunizimit ka prodhuar një politikë monstruoze me dy fytyra, që ka jetësuar realitetin absurd ku viktimat dëmshpërblehen dhe xhelatët jetojnë të lirë, mbajnë titujt, dekoratat dhe madje edhe hierarkohen në administratë, krahas lejimit të glorifikimit të veprës së tyre gjakatare dhe mohimit të krimeve nën diktaturë. Sintetizuar të gjitha këto në sloganin “bashkëvuajtës-bashkëfajtor”.
Mirëpo për fat të mirë, gjërat funksionojnë ndryshe jashtë “bahçes me lule”.
Në vendet e qytetëruara, parimet janë parime, krimet janë krime dhe mohuesit e krimeve e glorifikuesit e xhelatëve nuk kanë vend.
Në Europë, për shembull, edhe pse shkrimtari francez Seline (Louis-Ferdinand Céline) është pa dyshim një prej autorëve më novatorë të letërsisë franceze të shek. XX, ai nuk studiohet nëpër gjimnaze sepse, ndonëse ishte antikomunist i thekur, ishte edhe antisemit dhe apologjet i holokaustit ndaj jahudive.
E njëjta gjë vlen në SHBA për kineastin 85-vjeçar Roman Polanski, që u arratis në vitin 1977 prej vendit vet, ku nuk mund të shkelë më pa u dënuar për krimet prej pedofili, pavarësisht se është një prej kineastëve bashkëkohorë më të vlerësuar.
“Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!”? Kurrën e kurrës…
“Kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është më i tillë”, – thotë Hana Arendt. Sipas saj, “nuk ka fajësi kolektive apo pafajësi kolektive. Fajësia dhe pafajësia kanë kuptim vetëm nëqoftëse u personalizohen dhe u mveshen individëve…”.
“Pranimi spontan i përgjegjësisë kolektive – shkruan Arendt – dëshmon një konfuzion moral mjaft të rrezikshëm, që fatkeqësisht vërehet në shoqëritë post-totalitare”.
E si mund të ketë përgjegjësi kolektive nëse pranojmë a priori mekanizmin tmerrues të krimit gjenocidal që Arendt na zbulon, teksa thekson: “Nyja morale e krimeve monstruoze konsistonte në urdhëresën: Ti do të vrasësh jo armikun tënd, por njerëz të pafajshëm, që as potencialisht nuk ishin të rrezikshëm, dhe do t’i vrasësh jo nga domosdoshmëria…”.
Diktaturat kudo ku u jetësuan, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të konsiderohen si më i madhi rrezik, që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale. Këto sisteme çnjerëzore bazohen mbi shkërmoqjen e hallkave jetike që e lidhin njeriun me disa pika reference morale.
Hajdegeri na mëson se “Diktaturat kanë vetëm një armik: vetë Lirinë…, domethënë të Vërtetën, akademizmin, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artet dhe letërsinë, pasi ato na bëjnë të depërtojmë në trojet e panjohura të shpirtit, ku gjithçka që është eksperiencë, gjithçka që piqet përmes përsosjes intelektuale, tek çdo qenie njerëzore na udhëheq kah ndërgjegjia për të qenë vetvetja”.
Ndaj jo më kot Hitleri deklaronte se do t’i largonte njerëzit nga ajo humnerë që quhet ndërgjegje.
Hegeli kishte të drejtë kur shkruante se “një komunitet politik nuk mund të ndërtohet pa krijuar më parë një komunitet moral”.
Monteskjë kërkonte krijimin doemos të qytetarit në gjirin e njerëzve dhe kishte të drejtë kur shkruante se “Njeriu mund të vdesë një ditë, por qytetari duhet të mbetet dhe doemos do të mbetet”.
Tashmë, në pasdiktaturë, ne shqiptarët duhet të krijojmë institucionin e Drejtësisë bazuar mbi “Të Drejtën” dhe “Lirinë”, sepse drejtësia është e lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë.
“Një popull që nuk arrin të bashkojë Lirinë me Drejtësinë është i humbur në gjithçka”, – shkruante Kamy.
Niçja na mëson se: “Njeriu ka nevojë ta shikojë historinë në mënyrën kritike, dhe ta vendosë atë (pra historinë) nën drejtësinë”.
Nëse pranojmë se historia është historia e njerëzimit dhe se nuk është tjetër veçse turravrapi i tij drejt lirisë (Hegeli)… nëse pranojmë edhe se veprimet e sjelljet janë forma e jashtme e moralit, – natyrshëm arrijmë në përfundimin se edhe demokracia ka nevojë dhe nuk mund të kuptohet pa moralin dhe moralizimin.
Kishin të drejtë filozofët grekë kur nënvizonin se Demokracia është ballafaqim të kundërtash dhe debat i përditshëm, teksa krahas Qytetit-(polis) ekziston edhe Konflikti-(Polemos), çka gjithashtu i jep të drejtë Kroçes kur shkruan se: Moraliteti nuk është tjetër veçse lufta kundër të Keqes…
Prandaj, për t’i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve tona të larta morale e qytetare, ne djemtë e mërgatës antikomuniste të Belgjikës bëmë të mundur që Komuna e Skarbekut në Bruksel të anullojë konferencën e planifikuar me datë 23 prill, ku Pëllumb Xhufi nuk është i pranueshëm as prej nesh as prej zyrtarëve vendas që mishërojnë pikërisht vlera dhe parime, pavarësisht se unë personalisht vazhdoj ta vlerësoj atë për kontributet prej historiani mesjetar dhe si një mbrojtës i mirë i çështjes Çame.
Sepse në fundore kujtojmë se edhe shejtani ishte i zgjuar, i ditur dhe adhurues i madh por Zoti e mallkoi dhe e bëri lahnet për shkak të mohimit që ai i bëri të vërtetës si dhe për shkak të mendjemadhësisë dhe arrogancës vet.

Negociatat me UE, festë shqiptarësh në Bruksel

Fatos Mahmutaj
Hapja e negociatave për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian, nisin festimet në Bruksel. Grupe shqiptarësh janë organizuar fillimisht nëpër zona të ndryshme të Brukselit dhe më pas janë nisur drejt qendrës së qytetit, ku në mbrëmje priten festime të shumta.
Deputeti shqiptar, i parlamentit te Brukselit, Amet Gjanaj në prononcime të ndryshme për mediat e ka përshëndetur vendimin e KE dhe ka shprehur miënjohje për të.
Çelja e negociatave krijon një mundësi të re që Evropa të sjellë një administrim më efektiv dhe të drejtë të sferave publike dhe politike për një minimizim të dukurive negative që kanë 70 vjet që po mbajnë peng potencialitetet e këtij popullit dhe të këtij vendit evropian!
Në të njëjtin moment shoqata ‘Vatra’, e cila ka qenë shpeshherë promotore e aktiviteteve të shqiptarëve në Bruksel, ka organizuar aktivitete te shumta në lidhje me këtë njgjarje të shënuar.
Me festën e shqiptarëve janë solidarizuar edhe një pjesë e konsiderueshme e bar-kafeve, të cilat kanë ofruar edhe pije falas, jo vetëm për klientët e tyre, por edhe më tepër.
Fotot më poshtë flasin vetë.

Veliaj deri në 22 Prill 122 mijë pemë të mbjella në Tiranë

Vijon mbjellja e pemëve në kryeqytet duke rritur në këtë mënyrë sipërfaqet e gjelbra.

Kreu i bashkisë Erjon Veliaj gjatë mbjelljes së pemëve në parkun e Farkës u shpreh se pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë shumë e madhe, e po aq i madh edhe numri i donatorëve që kanë kontribuar.
Veliaj tha se deri në ditën e tokës do të arrihet objektivi për mbjelljen e 122 mijë pemëve.
Në aksionin e mbjelljes së pemëve në Farkë morën pjesë edhe punonjës të Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Agim Kraja të cilët dhanë kontributin e tyre.

Reali kërkon Antoine Griezmann

Prej kohësh po flitet për një transferim të mundshëm të sulmuesit Antonie Grizman tek Barcelona, por duket se katalanasit nuk do ta kenë aspak të lehtë akordin me lojtarin e Atletiko Madridit pasi tashmë në skenë ka dalë edhe skuadra madrilëne.

Los Blanchos kanë hasur probleme në repartin sulmues gjatë këtij sezoni, me Karim Benzema dhe Gareth Beil të cilët nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë, e për këtë arsye futbollisti i Los Kolconeros shihet si një ndër alternativat kryesore për klubin e Florentino Perez. Kampionët në fuqi të La Liges kanë besim se mund ta bindin 27-vjeçarin të nënshkruajë me ta pasi Griezman njihet si tifoz i ekipit të Zinedine Zidane.

Ndërkohë ylli i Realit të Madridit Cristiano Ronaldo, i cili ka luksin të influencojë tek klubi madrilen përsa i perkëet merkatos, po lobon tek presidenti Florentino Perez për të nënshkruar me sulmuesin e Valencias, Goncalo Guedes . 21-vjeçari është kthyer në të preferuarin e momentit për Ronaldon, pasi ka bërë paraqitje dinjitoze gjatë këtij sezoni.

Për më tepër duket se fituesi i 5 topave të artë i frikësohet afrimit të super talenteve si Neymar , Levandovski apo Harry Kane, për të cilët Los Blanchos kanë shfaqur interes të lartë.

Për këtë arsye portugezi kërkon të bindë stafin drejtues se zgjedhja e duhur për repartin e avancuar do të ishte Guedes, i cili mund t’i vijë në ndihmë Cristianos për të finalizuar në portë.

Ramush Haradinaj, jemi me aleatët euroatlantikë për sulmet në Siri

Kryeministri Ramush Haradinaj reagon lidhur me sulmet në Siri.

“Kosova i qëndron në krah intervenimit të aleatëve euroatlantik për ta ndalur regjimin e Asadit në Siri. Sulmet me armë kimike ndaj civilëve të pafajshëm janë të pafalshme dhe përpjekja e vendeve demokratike për të vendosur paqe në këtë vend është veprim tejet i nevojshëm.

RH” shkruan kryeministri ne nje postim ne faceboo

Italia neutrale ndaj sulmeve në Siri

Ndaj sulmit ushtarak në Siri ka reaguar në një konferencë për shtyp dhe kryeministri italian Paolo Gentiloni.

“Italia nuk ka marrë pjesë në këtë sulm ushtarak,” deklaroi ai.

“Nuk është momenti për përshkallëzim, është momenti për të vënë në siguri armët kimike. Është momenti i diplomacisë dhe punës për të garantuar stabilitet e demokraci në Siri, pas 7 viteve të një konflikti të tmerrshëm. Sulmi i kësaj nate synoi të godiste armët kimike e nuk mundet e nuk duhet të përdoret si fillimi i një përshkallëzim.”

Kryeministri italian ka nënvizuar faktin se Italia nuk ka marr pjesë në këtë sulm.

“Italia , – tha ai – ofron ndihmë logjistike SHBA me bazat ushtarake në territorin italian, por në këtë rast kemi kërkuar dhe kemi insituar që nga këto baza të mos niset asnjë sulm për të goditur Sirinë.”

Ndaj sulmit usharak të aleatëve në Siri ka reaguar dhe politika italiane.

Lideri i Partisë Lidhja , Matteo Salvini është shprehur kundër duke e konsideruar një çmenduri, që duhet ndaluar. “Ende po kërkojnë armët kimike të Sadamit, akoma po paguajmë për çmenduritë e luftës në Libi, e dikush me këmbëzën e lehtë insiston me raketa inteligjente duke ndihmuar veç terroristët islamikë që pothuajse janë mundur. Është çmenduri , ndaluni”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Po kundër këtij sulmi është shprehur dhe liderja e Partisë Fratelli D’Italia, Giorgia Meloni e cila e quan “një sulm të kryer jashtë normave të së drejtës ndërkombëtare e pa një vendim të OKB mbi përdorimin e dyshuar të armëve kimike. Mesa duket fatkeqësitë e shkaktuar në Libi nuk na kanë mësuar asgjë, është shprehur ajo. Italia nuk duhet të ndjek këtë linjë të rrezikshme”.

Krejt ndryshe e mendon Silvio Berlsuconi i cili ka deklaruar “Në këto situata është më mirë të heshtësh e mos të thuash asgjë.”

Ndërsa Partia Demokratike me anë të kryetarit të saj Maurizio Martina shprehet: “Në këtë situatë të tensionuar është i nevojshëm impenjmi maksimal i diplomacisë dhe politikës për të ndaluar përdorimin kriminal të armëve kimike. Rruga e negociatave është e vetmja rrugë për t’i dhënë fund dramës që Siria po jeton prej 7 vitesh.”

Assad: Sulmet na bëjnë më të vendosur, Irani në krahun tonë

Presidenti sirian Bashar al- Assad iu përgjigj sulmit ajror të SHBA, Britanisë dhe Francës duke thënë se e kanë bërë Sirinë dhe popullin e saj më të vendosur se kurrë për të shtypur terrorizmin në vend.

Në komentet e bëra gjatë një telefonate me presidentin iranian Hassan Rouhani dhe të botuar në llogarinë e Tëitterit të presidencës siriane, Assad tha: “Ky agresion do të rrisë Sirinë dhe vendosmërinë e popullit sirian që të vazhdojë të luftojë dhe të shtypë terrorin në çdo pëllëmbë të vendit .

Ai akuzoi vendet perëndimore se kërkojnë të mbështesin terrorizmin në Siri

Gjatë telefonatës z. Rouhani rikonfirmoi mbështetjen e Iranit për Sirinë, tha presidenca siriane.

Irani besohet se ka mështetur me trupa dhe fonde qeverinë e Asadit gjatë konfliktit, shkruan BBC.

A duhet ti themi të gjitha ne gazetarët?

Aurora Allushaj
Çdo ditë opinioni publik informohet deri në detajet më të vogla për veprat penale që tashmë janë bërë si një zinxhir i gjatë dhe i trishtuar i vdekjes dhe zisë. Duket sikur detajet më të frikshme të këtyre ngjarjeve nuk bëjnë më bujë.

Rregulli i profesionit thotë se gazetarët duhet të tregojnë gjithçka. E vërteta duhet absolutisht të stampohet në faqet e gazetës. Duhet të zgjidhen fragmentet më të frikshme, duhet të tregohen njollat e gjakut në mure dhe armët e gjakosura të krimeve. Duhet të ndalet deri në ekzagjerim në detajet dhe në dinamikën e një vrasje apo vetëvrasje. Asgjë nuk duhet të ndikojë tek e drejta e shenjtë për t’u informuar. Nëse nuk do të ndiqej kjo linjë, nuk do të quheshim profesionalisht të besueshëm. Gazetaria nuk do të ishte më një detyrë. Gazetarët nuk do të quheshim të aftë për informim.

Disa dyshime lindin nga arroganca e këtyre deklaratave. Është e mundur që e vërteta, për tu thënë dhe kuptuar plotësisht ka nevojë për këto mbështetje morboze (patologjike)? Është e nevojshme të provokojmë goditje të fortë emocionale për ta bërë shkrimin më të lexueshëm dhe për të shtuar kështu edhe numrin e shitjeve të gazetës? Lexuesi, radio dëgjuesi, teleshikuesi a kanë në të vërtetë nevojë për këtë shtesë morboziteti? Si është e mundur që të besojmë se ata nuk kanë inteligjencë të mjaftueshme për të kuptuar plotësisht një vepër penale nëpërmjet një artikulli me të dhënat themelore? Janë disa pyetje në kërkim të përgjigjeve.

Ndoshta profesionalizmi gazetaresk lulëzon në një tjetër përgjegjësi, ka një tjetër frymë njerëzore dhe etike sidomos kur është fjala për të treguar akte që shkatërrojnë individët dhe familjet. Ndoshta këto detaje nuk bëjnë mirë as për informatorin.

Kjo është një çështje që ka ngjallur debat prej kohësh midis gazetarëve dhe publikut të gjerë. Nuk është rasti për të krijuar një listë me emra të mirë dhe të këqinj, sepse puna e të dëgjuarit dhe rrëfyerit të historive është e vështirë për të gjithë. Këtu bëhet fjalë për të menduar për marrëdhëniet mes të vërtetës dhe dinjitetit të njerëzve. Kjo e fundit nuk mund të përjashtohet.

Etika dhe morali gazetaresk shumë shpesh i ngjajnë një filli lehtësisht të këputshëm. Përsa i përket Shqipërisë ky debat ndërlikohet edhe më tepër nga faktorë të njohur tashmë.

Ekziston një ekuilibër për ta bërë të besueshëm profesionin e gazetarit, jo të nënshtruar ndaj interesave që kanë pak ose aspak të bëjë me kërkimin e së vërtetës. Kjo sigurisht nuk është një rrugë e lehtë: Kërkon një proces të vazhdueshëm reflektimi për një profesion që gjithmonë është matur nga lartësia dhe ultësia e njeriut.

Edhe publiku ka përgjegjësi për rritjen e aftësisë të të menduarit kritik në lidhje me informacionin. Shumë gazetarë e kanë arritur, shumë të tjerë do ta arrijnë për hir të një profesioni të ndërtuar me punën e madhe të të dëgjuarit, të menduarit dhe të treguarit.

Nuk është e vërtetë se ky ekuilibër është i paarritshëm: Ekziston një opinion publik që lexon, sheh dhe dëgjon me kompetencë, që di të gjykojë të vërtetën dhe të dallojë shërbimin normal nga shërbimi për interesa të tjera.

Është aleanca midis dy përgjegjësve, gazetarisë dhe opinionit publik, të cilët mund të ndihmojë të vërtetën dhe dinjitetin për të bërë rrugën e tyre çdo ditë, madje edhe në rastet e lajmeve të trishtuara dhe të dhimbshme.

Opozita shpif për axhendën e Kryeministrit

Kryeministri Edi Rama nuk ka pasur asnjë plan për të vizituar Shkodrën sot dhe vizita e tij e supozuar, është shpikur nga Partia Demokratike për të nxitur një tension të kotë në luftën e dëshpëruar me pafuqinë e saj.

Siç njofton zyra e shtypit në Kryeministri, “sot kryeministri është në Vlorë për të marrë pjesë në takimin e planifikuar me rastin e 100-vjetorit të Shërbimit Stomatologjik në Vlorë, ku nëna e tij, Aneta Rama, do të nderohet nga Urdhri i Stomatologut, si gruaja e parë në këtë shërbimit.”

Reagimi i Kryeministrisë vjen pas lajmeve të hedhura në media se Rama do të ishte sot në Shkodër për një vizitë një ditore, ku do merrte pjesë në një takim me sipërmarrësit.

Merkel: Ndërhyrja në Siri e nevojshme

Merkel

Angela-Merkel-Kancelarja-Gjermane
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka deklaruar se qeveria e saj mbështeste sulmet, që kanë si objektiv regjimin sirian, si një ndërhyrje ushtarake e nevojshme dhe e duhur, pas sulmit të dyshuar kimik të ndërmarrë një javë më parë në Duma nga regjimi i presidentit Asad, ku u regjistruan dhjetëra të vdekur.

”Ne mbështesim faktin se aleatët tanë amerikanë, britanikë dhe francezë kanë marrë përgjegjësitë e tyre”, deklaroi Merkel.

”Ndërhyrja ushtarake ishte e nevojshme dhe e duhur”, bëhet e ditur në një deklaratë të kancelares, e cila njoftoi të enjten se Gjermania nuk do të merrte pjesë në veprimet ushtarake.