Gjinkuri inspekton punimet në Kukës, përfundojnë brenda vitit

Brenda vitit, aksi që lidh Kukësin me Morinën, pjesë e Rrugës së Kombit do të jetë i përfunduar me urat e dubluara dhe elementët e sigurisë rrugore.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro inspektuan në Kukës kantierin e hapur në një prej urave të cilat po dublohen.

Qendro sqaroi se tanimë janë programuar fondet dhe do të garantohet përmbyllja e dy kontratave të zvarritura prej vitesh që kanë të bëjnë me përfundimin e 7 urave. Sipas tij, mos kryerja e investimit në kohë dhe defektet që e kanë shoqëruar në fazën e zbatimit, kanë shkaktuar tashmë mosrakordim të trupit të rrugës me urat dhe veprat e artit janë në disnivel. Për këtë shkak, ARRSH ka filluar procedurat për rakordim masash mbrojtëse dhe siguri rrugore në viaduktet e aksit Kukës- Morinë.

Meta: Jemi pro ndërhyrjes në Siri

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas sulmeve të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës në Siri, duke e renditur Shqipërinë në krah të aleatëve.

“Mbështesim ndërhyrjen ushtarake të SHBA, Francës e Britanisë ndaj arsenalit kimik të regjimit kriminal të Asadit. Jemi në krah të aleatëve tanë dhe mbështesim vendosmërinë e Presidentit Trump në mbrojtje të jetëve të njerëzve, të të drejtave të njeriut dhe të çdo veprimi, i cili jo vetëm ndëshkon akte barbare por krijon më shumë siguri dhe stabilitet në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e Presidentit Meta.

SHBA, Britania e Madhe dhe Franca mbrëmjen e djeshme filluan sulmet ndaj regjimit të Asadit.

“Shqipja” në tryezën e Ivanov, maqedonasit kërkojnë bllokimin

Në një letër të hapur, anëtarët e rëndësishëm të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, Katica Kjulafkova, Gordana Siljanovska and Simona Madzoska thanë se ligji vë në rrezik statusin kushtetues të gjuhës maqedonase, duke njohur dygjuhësinë dhe një lloj identiteti dykombësh.

“Është shumë e nevojshme që Presidenti Ivanov të përdorë veton e tij të paktën një herë, jo për të treguar pushtetin e tij, por në emër të sundimit të ligjit”, shkruajnë tre profesorët, që njihen për kundërshtinë e tyre ndaj ligjit për gjuhën shqipe.

Gjithashtu, organizata Diaspora e Bashkuar e Maqedonisë bëri një kërkesë të ngjashme. Ndërkaq, partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE, deputetët e të cilës nuk morën pjesë në votim e kanë quajtur ligjin antikushtetues.

Kabineti i Presidentit tha se ligji kishte mbërritur tashmë në tryezën e Ivanovit, i cili ka 7 ditë kohë për të vendosur nëse do ta firmosë ose jo. Nëse ai vendos për “jo” Parlamenti duhet ta votojë edhe një herë për atë dhe nëse miratohet sërish, ai do të dekretohet automatikisht, pa nevojën e firmës së kreut të shtetit.

Në këtë rast, e vetmja mënyrë për ta anuluar ligjin, ose disa pjesë të tij do të jetë përmes apelimit në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë fjalimit të tij në Parlament për vitin e ri, Ivanov sugjeroi se mund të vinte veton mbi ligjin, për të cilin tha se nuk është një kërcënim për gjuhën maqedonase, por rrezikon unitetin e vendit.

Pallati i Vlorës, vjehrri i Lulzim Bashës përfituesi kryesor

Gjykata e Strasburgut ka zbardhur bashkë me vendimin që dënon shtetin shqiptar, edhe tabelat e pagesave. Pagesa fillestare është 14.2 milionë euro, por është marrë parasysh inflacioni dhe interesi për katër vite, duke e rritur shifrën.

Përfitues janë 18 persona, 16 prej të cilëve pronarë me nga një apartament dhe që do të marrin nga 90 deri në 200 mijë euro si dëmshpërblim.

Përfituesit kryesorë janë dy shtetas. Xhaferr Isufi, vjehrri i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pronar i vetëm në 35 apartamente e ambiente do të përfitojë 6.2 milionë euro. Por ai, do të kompensohet deri në gjysmën e vlerës prej 7.2 milionë euro për 25 prona që i ka në bashkëpronësi me shtetasin Xhuvi Sharxhi.

Në total Xhafert Isufi përfiton rreth 9.8 milionë euro. Në vendimin e Gjykatës citohet një intervistë e Ylli Manjanit dhënë për Top Channel, atëkohë zv.ministër i Transporteve dhe Infrastrukturës, që shpjegonte parregullësitë e dhënies së lejes së ndërtimit për këtë pallat.

“Është një pasojë e një morie pavlefshmërie absolute, e një morie shkeljesh flagrante të ligjit shqiptar”, deklaronte Manjani në atë kohë.

Juristja Erinda Ballanca, në atë kohë si e dëmtuar kishte këtë reagim.

“Pavlefshmërinë nuk e gjykon një organ i administratës shtetërore, siç është zoti Manjani, sot, apo edhe INUK-u”, deklaronte Ballanca.

Me ankesën se vendimet e gjykatave shqiptare nuk respektoheshin, pronarët e apartamenteve dhe ndërtuesit, me ndihmën e një avokati italian paditën qeverinë shqiptare më 10 shkurt të vitit 2016.

Seanca e pare publike e gjyqit është realizuar më 23 maj të vitit 2017, një javë pas marrëveshjes Rama-Basha, që çoi në mbylljen e çadrës së protestës.

Në gjyq përballën qëndrimet e tyre përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë shqiptare, drejtuar nga avokatja e shtetit Alma Hiçka dhe avokati i palës së dëmtuar, i cili këshillohej nga juristja Erinda Ballanca, e cila në këtë kohë ishte Avokate e Popullit, sipas marrëveshjes politike mes Ramës dhe Bashës.

Gjykata e Strasburgut dëgjoi të dëmtuarit, të cilët paraqitën edhe disa vendime rresht të gjykatave shqiptare, ndërsa përfaqësuesja e qeverisë shqiptare, në maj të vitit 2017 para Gjykatës së Strasburgut se kanë dhënë shpjegime verbale, sepse çështja ishte ende në Gjykatën e Lartë dhe se kanë pranuar se ishte një ndërhyrje në të drejtat pronësore të aplikantëve për shkak të procedurës së shpronësimit.

“Fizikisht, në 600 metër/katrorë truall ne kemi 3000 metër/katrorë ndërtim si pasojë e një spektakli institucionesh totalisht të korruptuara”, deklaronte po në atë kohë, Ylli Manjani.

Këtë qëndrim përfaqësuesi i Qeverisë në vitin 2013 e kishte të qartë, por në gjyqin në Strasburg në vitin 2017, një tjetër përfaqësues i shtetit nuk e ka paraqitur, të paktën kjo duket nga vendimi përfundimtar. Pra me të tjera argumenta u prish e me të tjera u mbroj katër vjet më vonë një vendim që do t’u kushtojë shtrenjtë takspaguesve shqiptarë.

Top Channel

Qeveria marveshje për blerjen e sistemit të vëzhgimit të hapësirës ajrore

Qeveria ka miratuar ne mbledhjen e sotme kontratën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Lockheed Martin Global, Incorporated, SHBA, për blerjen e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore – Faza I.

Ky vendim eshte marre në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut III, të rregullores “Për procedurat që përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për prokurimin e disa mallrave dhe shërbimeve të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik”, të miratuar me vendimin nr.521,datë 8.8.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e blerjes nga Ministria e Mbrojtjes të disa mallrave të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.

Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Kryemadhi: Teknologjia e fermerëve si e para 30 viteve

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka shprehur kritika për shpërndarjen e fondeve për bujqësinë në buxhetin e vitit 2018. Në një takim me ekspertë të fushës, Monika Kryamedhi tha se është e domosdoshme që të ketë rritje të fondeve me 2.4% të prodhimit të brendshëm bruto në vit.

Kryemadhi: Çfarë reforme bujqësore apo çfarë zhvillimi rural pretendojmë ne kur fermerët shqiptarë akoma punojmë me mekanikën dhe teknologjinë e 30 viteve më parë? Ku është dora e shtetit për të zgjidhur çështjen e pronësisë së tokës apo më pak akoma, për të mbështetur fermerin qoftë dhe me një traktor. Propozimi ynë si LSI është rritja e buxhetit të bujqësisë deri në 2.4 % të PBB.

Ndërkohë ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se ky sektor po i rikthehet sërish parmendës për shkak të barës financiare me të cilën po përballen fermerët sot.

Panariti: Fermerët nuk kanë nevojë që ti shpërndash 5 lekë andej 5 lekë këtej, duhet ti ndihmosh që ti ulësh koston e prodhimit, ti zgjerojnë numrin e krerëve nëpër tufa, ti ndihmojmë që ti rritën sipërfaqet e mbjella, ti lehtësosh nga bara fiskale, mos ti ndash naftë me çmimin sic shitet me pakicë, po kthehemi tek parmenda, sepse nuk po e përballojnë dot.

Edhe ekspertët shprehën rezervat e tyre sa i përket investimeve dhe lehtësirave financiare që duhet të ketë bujqësia.

Sot masa e sigurisë, kërkohet “arrest me burg” për gjyqtarin Shkëlqim Miri

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës i ndaluar për akuzën e korrupsionit aktiv ka dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për vlerësim të masës së sigurisë.

Gjyqtari Shkëlqim Miri është në hetim pasi akuzohet se ka ndikuar në lirimin e Gentian Dodës, i dënuar me 20 vjet burg për dy vrasje, falë ndryshimit të klasifikimit të veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë”.

Prokuroria kërkon arrest me burg ndaj gjyqtarit. Seanca po zhvillohet me dyer të mbyllura.

Gjyqtari u ndalua mbrëmjen e 9 nëntorit pasi “ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme.

Në këtë operacion, në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Shkelqim Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash.” deklaronte policia një ditë pas ndalimit. Gjatë kontrollit të banesës së gjyqtarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë

Në kuadër të operacionit të koduar “Një vrasje e dytë” u ndalua edhe Kujtim Miri dhe Alban Buci.

Tiranë, autobusi përplas nënën dhe fëmijën e mitur

Një aksident është shënuar paraditen e sotme në Tiranë.

Autobusi i Tiranës së re ka përplasur një grua dhe një fëmijë të mitur në bulevardin Dëshmorët e Kombit”

Ata janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Nuk ka shumë informacion lidhur me dinamikën e aksidentit.

Rama sqaron taksën për puset

Kryeministri Edi Rama tha nga Dibra se puset familjare nuk do të taksohen, megjithëse siç tha ai, ujërat nëntokësor janë pasuri kombëtare. Sipas Ramës, ka fabrika që përdorin ujin nëntokësor dhe nuk paguajnë kokërr dhe se këto kompani do të taksohen.

Rama: Nuk bëhet fjalë për taksë pusesh, nuk bëhet fjalë për puse familjare. Ka fabrika uji që marrin ujë masivisht dhe nuk paguajnë kokërr leku dhe sigurisht ndodh që puset janë ndërtuar për vaditje dhe nuk bëhet llaf për të vendosur taksa, sepse kjo i përket një kohe tjetër. Ne problemin e kemi me ujin e pijshëm. Puset shfrytëzojnë ujërat nëntokësor dhe shfrytëzimi i tyre është pasuri e përbashkët. Shko shpo një herë në Itali apo Gjermani dhe a del ujë përpara. Ky është një keqkuptim për ata që duan të bëjnë diversion midis meje dhe publikun. Ne nuk mund të lejojmë shpërdorimin e ujit të pijshëm. Uji konsiderohet si nafta e shekullit 21. Ne me 1 për qind të burimeve natyrore mund të plotësojmë të gjitha nevojat.

Pako me eksploziv dyqanit të 44 vjeçarit në Krujë

Një pako e dyshimtë me eksploziv është vendosur në një dyqani mishi në fshatin Qerek të Krujës, por fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Policia lokale e Durrësit bëri me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:05 minuta në dyqanin e shtetasit P.N, 44 vjeç.

“Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, të cilët kanë konstatuar një sasi të vogël lënde plasëse e dyshuar eksploziv, e cila nuk ka shpërthyer”, sqaron policia.

Vijojnë veprimet hetimore nga ana e uniformave blu në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.