Skënderbeu fiton në Vlorë dhe siguron vendin e parë në renditje

Edhe pse një ndeshje deri diku e barabartë, kampionët në fuqi bëjnë sërish diferencën për të marrë tre pikët përballë skuadrës së ish-trajnerit të tyre, Ilir Daja, që ka filluar një sezon me pritshmëri të lartë për garën e titullit kampion. Nën drejtimin e Orges Shehit, Skëndërbeu i ri në emra dhe në moshë vazhdon të ketë një ritëm të lartë prej kampionësh, duke mundur edhe skuadra me lojtarë me më shumë eksperiencë.

Kjo ishte një fitore që bind për korçarët, duke vërtetuar se do të jenë sërish ekipi për t’u mundur në këtë kampionat. Kur gjithçka shkonte drejt një barazimi, 15 minuta nga fundi i ndeshjes ndryshon gjithçka. Radas kroson nga një goditje standarte dhe brenda zonës Krasniqi zhbllokon ndeshjen me golin e parë në minutën e 73-të.

Pak minuta më pas, pikërisht autori i golit Krasniqi zëvendësohet me Oto Xhon dhe këtij të fundit i duhen pak minuta jo vetëm për t’u ambientuar, por edhe për të shënuar golin e dytë të takimit, që vulos fitoren e tretë në katër ndeshje për Skënderbeun që kryeson me 10 pikë.

Ndërkohë, Flamurtari mbetet po në vendin e dytë në kuotën e 7 pikëve, edhe pse e mbyll këtë javë të katërt me humbjen e parë sezonale dhe me dy golat e parë të pësuar nën drejtimin e Ilir Dajës.

Europol në aksion me policinë ndërkufitare sekuestron armë e drogë

Një ngarkesë e madhe me drogë dhe armësh janë sekuestruar gjatë një operacioni të policisë ndërkufitare të koordinuar nga Europol.

Në aksion janë përfshirë 8.300 policë nga 28 shtete. Operacioni është ndërmarrë nga 5-9 shtator dhe janë përfshirë policia e Shqipërisë, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia.

“Janë arrestuar 32 persona të dyshuar, sekuestruar armë luftarake si dhe janë ushtruar kontrolle në 60 banesa” thuhet në një njoftim të Europol.

Gjithashtu janë sekuestruar dhe 286 kg drogë.

Policia ka arrestuar trafikantë klandestinësh,emigrantë ilegalë, refugjatë, trafikantë droge, trafikantë armësh dhe falsifikatorë dokumentesh.

MAS, mësuesit e pezulluar në Lushnje do të zëvendësohen

Pezullimi i 16 mësuesve të shkollës 9-vjeçare të fshatit Çermë e Sipërme në Lushnje nuk do të sjellë asnjë pengesë në vijueshmërinë e procesit mësimor për nxënësit. Garancia vjen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Në një njoftim për mediat, MAS thotë se në bashkëpunim me prokurorinë e Lushnjes ka ndjekur me seriozitet situatën deri në pezullimin e 16 mësuesve në shkollën 9-vjeçare të fshatit Çermë e Sipërme në Lushnje.

Bazuar në kallëzimin e bërë gjatë viteve 2010-2013 se në shkollën 9-vjeçare Çermë e Sipërme ka pasur regjistrime fiktive, Prokuroria e Lushnjës ka regjistruar procedimin penal për “Falsifikimin e dokumenteve shkollore”.

“Prokuroria e Lushnjës ka filluar hetimet prej disa kohësh për këtë rast duke kërkuar sot nga gjykata pezullimin e 16 mësuesve” sqaron MAS.

Ky vendim është zbatuar menjëherë nga Zyra Arsimore Lushnje duke marrë masa të menjëhershme për zëvendësimin e këtyre mësuesve dhe mos pasur asnjë pengesë për mbarëvajtjen mësimore.

Zbulohet statuja me trupin e një luani e kokën e një njeriu në Egjipt

Arkeologët egjiptianë kanë zbuluar një statujë me kokën e një njeriu dhe me trupin e një luani në tempullin faraonik të Kom Ombo në qytetin jugor Asëan.

Ministria e antikiteteve tha se statuja e bishës mitike me kokën e një njeriu dhe trupi i një luani u bë prej guri ranor.

Mendohet se daton në dinastinë Ptolemaike, e cila vendosi Egjiptin nga viti 305 para Krishtit deri në pushtimin romak në 30 para Kishtit.

Statuja është 28 cm e gjerë dhe 38 cm e gjatë.

Sfinks përfaqësonte fuqinë mbretërore në Egjiptin faraonik, duke kombinuar fuqinë fizike të një luani me fuqinë tokësore të një mbreti.

Sfinksi i Madh nga piramidat e Gizës është më i famshëm.

Akuzohet për korrupsion, kërkohen 2.8 vjet burg për ish-gjyqtarin Shkëlqim Miri

Prokuroria kërkon dënimin me 2.8 vjet burg të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Tiranë, Shkëlqim Miri.

Kjo masë dënimi u kërkua pasi u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar.

Prokuroria gjithashtu ka kërkuar heqjen e së drejtës së ushtrimit të detyrës si gjyqtar për 3 vite dhe vendosjen e sekuestros vetëm për 30 mije euro.

Gjyqtari akuzohet për korrupsion.

Bruksel, sulmohet me thikë oficeri i policisë

Një person me thikë ka sulmuar dhe plagosur një oficier policie në Bruksel.

Policia tha se sulmuesi ishte qëlluar me armë dhe ka mbetur i palgosur.

Ngjarja ndodhi në Parkun Maximilian në lagjen veriore të kryeqytetit të hënën në mëngjes, tha zëdhënësja e policisë Ilse Van De Keere.

Zyrtari i policisë i cili u sulmua mori lëndime të lehta, shtoi ajo.

I dyshuari u qëllua nga një oficer tjetër i policisë dhe është në një gjendje të rëndë për jetën.

Maksimilian Park ka qenë prej kohësh një vend ku qindra azil kërkues mblidhen.

Aty ndodhet një kamp refugjatësh, që tërheq emigrantë dhe vullnetarë që shpërndajnë ushqime e rroba.

Ruçi vizitë në shkollën “Janaq Kilica”: Duam arsim cilësor

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zgjodhi shkollën e mesme të Përgjithshme “Janaq Kilica” në Fier për të uruar nxënësit dhe mësuesit për ditën e parë të shkollës.

Në cilësinë e ish-mësuesit dhe deputetit të zonës, Ruçi theksoi domosdoshmërinë për një arsim sa më cilësor, në funksion edhe të zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Ruçi: Dita e parë e shkollës nuk është vetëm ditë feste por edhe moment reflektimi. Fieri është qarku i dytë më i madh pas Tiranës ku jetojnë e punojnë rreth 11% e popullsisë së vendit.

Fieri është dhe një potencial i madh rinie dhe energjie, shkollimi, ku 15% e popullsisë së qarkut të shkollës janë nxënës shkolle.Në provimet e maturës të vitit të kaluar mësimor nga 1778 nxënës të qarkut të Fierit morën 551 nota 10 në të katër provimet.

Qarku jonë është një motor zhvillimi i vendit.Ekonomia e dijes nuk zhvillohet dhe ndërtohet vetëm në Tiranë por edhe këtu në Fier dhe gjitha qytetet e tjera të vendit. Sa më shumë njerëz të kenë qasje në arsim cilësor aq më lart dhe aq më cilësore dhe e qëndrueshme do të jetë dhe rritja ekonomike.

Gjimnazi “Janaq Kilica” i uroi mirëseardhjen nxënësve të tij nën një atmosferë festive, me këngë dhe valle të përgatitura për këtë ditë.

Bebe Rexha arrin 6 milionë ndjekës në Instagram, hidhet në pishinë me rroba

Bebe Rexha ka arritur një tjetër sukses, por këtë herë nuk bëhet fjalëpër karrierën e saj muzikore.

Këngëtarja me origjinë shqiptare ka arritur plot 6 milionë ndjekës në rrjetin social Instagram.

Bebe ka festuar lajmin e bukur për të duke u hedhur në pishinë me rroba.

29-vjeçarja ka publikuar një video ndërsa feston momentin dhe në sfond dëgjohet kënga e saj e fundit “I’m a mess”

“6 milionë ndjekës. Ju falenderoj shumë,”-shkruajti ajo.

Operacioni “Oriku-2018”, në pranga 23 vjeçari

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 23 vjeçar, i dyshuar si autor i vjedhjes së disa banesave në qytet. Finalizimi i operacionit të koduar “Oriku-2018” çoi në arrestimin e shtetasit Erjon Baraj, 23 vjeç, banues në Vlorë.

“Policia e Vlorës ka bërë të mundur finalizimin e këtij operacioni mbi bazën e të cilit është arritur kapja dhe ndalimi i shtetasin Erjon Baraj, si autor i dyshuar për vjedhjet e banesave në pronësi të shtetasve E.P dhe M.D, në datën 14 Shtator 2018, në Orikum” informon policia.

Nga hetimet e kryera nga ana e policisë, ka rezultuar se ky shtetas dyshohet të jetë autorë i 4 vjedhjeve të tjera,për të cilat po punohet për dokumentimin e plotë të tyre

– Në datën 14.09.2018, vjedhje e mbetur në tentativë e banesës së shtetasit A.Sh, Orikum.

– Në datën 14.09.2018, vjedhja e shtetasit Y.L, Orikum.

– Në datën 18.08.2018, vjedhja e banesës së shtetasit A.R, Orikum.

– Në datën 11.09.2018, vjedhje e mbetur në tentativë e banesës së shtetasit J.K, Vlorë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

-bizhuteri floriri me vlerë; unaza, varëse, vëthë, medaljon etj,

-mjete të ndryshme që shërbenin për kryerjen e vjedhjeve; çekiç, kaçavida, çelësa mekaniku etj.

-tesha (rroba) të veshura për kryerjen e vjedhjeve, fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë.

Tirana u kthehet fitoreve

Bardheblutë mposhtën me rezultatin 3-1 Luftëtarin në “Selman Stërmasi” me gola të Blazhevskit, Turtullit dhe Grecës, ndërsa gjirokastritët kishin gjetur barazimin e përkohshëm pas një autogoli të Dokës.

Të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga 10 lojtarë pas dy kartonëve të kuq.