Rama takon Ruçin, Veliajn dhe Agaçin për Teatrin

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Kryesinë e Kuvendit me kryeparlamentarin, Gramoz Ruçi.

Në takim ishin gjithashtu Vali Bizhga, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Sekretari i Përgjishëm në Kryeministri, Ëngjëll Agaçi.

Takimi mes tyre vjen një ditë para seancës plenare ku mazhoranca pritet të votojë ligjin për Teatrin e ri Kombëtar, që është shoqëruar me mjaft debate.

Një debat që ka vijuar edhe ditën e djeshme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku mazhoranca në Komision pranoi dekretin e Presidentit Meta për ligjin e teatrit, duke bërë disa ndryshime, më e rendësishme është ajo e hapjes së garës për këtë projekt.

PS kërkon garë të hapur për ndërtimin e teatrit, një nga pikat më të kontestuara të opozitës, shoqërisë civile të reflektuar edhe në dekretin e presidentit Meta për rikthimin e ligjit në kuvend.

Gjithashtu, në ligj parashikohet të ngrihet një komision i negocimit të kontratës për Teatrin e ri që do të bëjë edhe thirrje të hapur palëve që janë të interesuar të paraqesin propozimin për Teatrin e ri.

Zbulohen shkaqet e vdekjes së Karavaxhos

Karavaxho, i njohur edhe si Michelangelo Merisi, ishte një piktor revolucionar që ndikoi shumë artistë gjatë jetës së tij por dhe pas vdekjes së tij.

Piktori, i cili lindi në vitin 1571, kishte një jetë të trazuar gjatë së cilës u përfshi në shumë luftëra dhe beteja.

Karavaxho u largua nga Roma pasi u dënua me vdekje dhe një luftë përfundimtare e detyroi atë të largohej nga Kiaia në Napoli, rreth 9 korrikut 1610.

Duke u nisur nga Napoli, varkë me të cilën udhëtonte Caravaggio u ndal në Palo, një port 20 milje nga Roma, ku u arrestua dhe u burgos.

Pas lirimit të tij, Karavaxho mbërriti në këmbë në Porto Erkole në Toskanë, ku vdiq në spitalin lokal në moshën 39 vjeçare (1610). Ai kishte shenja të etheve malinje dhe infeksion, ndërsa mendohet u varros në varrezën aty pranë.

Studiuesit filluan të kërkonin trupin e Karavaxhoo në këtë varrezë të vjetër duke u përqëndruar tek çdo skelet i moshës 30-40 vjeç dhe 1.65 metra i gjatë.

Ndër 9 skeletet që përmbushën këto kritere vetëm një prej ture daton në fillim të shekullit 17-të.

Nga analiza e eshtrave u zbulua nivel i lartë plumbi, që është një zbulim i rëndësisë së madhe për shkak se Karavaxho përdorte plumb për të realizuar pikturat.

Për të identifikuar shkakun e vdekjes u analizuan dhëmbët që i atribuohen Caravagos.

Dhe u arrit në përfundimin se piktori i famshëm vdiq nga stafilokoku aureus.

Messi thyen rekordin, plotëson tregolëshin e 8-të në Champions

Lionel Messi nuk njeh limite në Champions League. “Pleshti” argjentinas shënoi një “hat-trick” kundër PSV-së, duke vendosur dhe një rekord personal në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Argjentinasi plotëson tregolëshin e 8-të në Champions, duke kaluar rivalin e tij, Cristiano Ronaldon, i cili ka aktualisht 7 “hat-trick”.

Kjo ishte hera e tretë që Messi shënon në ndeshjen e parë të grupeve një “hat-trick ” pas atyre të shënuar në vitin 2013 kundër Ajax (4-0) dhe Celtic në 2016 (7-0).

“Viktimat” e tij të tjera me tre ose më shumë gola në një takim evropiane ishin Arsenal, kundër të cilëve shënoi një “poker” në sezonin 2009-10, Viktoria Plzen (4-0) në 2011-12, Bayer Leverkusen me pesë gola (7-1) në raundin e 1/8-ave në 2011-12, APOEL Nikosia (0-4) në 2014-15 dhe Manchester City (4-0) në 2016-17.

Pas Leos dhe Cristianos vijnë Mario Gomez, Luiz Adriano dhe Filippo Inzaghi, me 3 “hat-trick” në Ligën e Kampionëve.

Zënkë masive në Babrru, tre në pranga e tre të plagosur

Një grindje masive ka ndodhur në zonën e Babrrusë në rrethinat e Tiranës, ku 11 persona janë përfshirë në sherr midis tyre.

Ngjarja ka përfunduar me tre të plagosur, tre në pranga, dhe 5 të tjerë në kërkim.

Ngjarja ka ndodhur të hënën.

Policia nuk sqaron arsyet konkrete të zënkës, por ajo që dihet është se 8 persona kanë rrahur për spital 3 të tjerë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 17. 09. 2018, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. M., Gj. M., L. M., dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit V. P., E. M., N. N., R. N., dhe R. M., vjeç 22, 30, 34, 30, 29, 27, 23 e 23, banues në Babrru, pasi në Babrru, në bashkëpunim, kanë goditur me sende të forta, shtetasit A. R., E. H., dhe E. H., vjeç 33, 22 e 22, banues në Babrru, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Po punohet për kapjen e V. P., E. M., N. N., R. N., dhe R. M. Nenet 88 e 150 të Kodit Penal.

PS nuk pranon propozime që anashkalojnë BKH dhe SPAK

Deputetja e PS, Klotilda Ferhati tha se mazhoranca nuk do të pranojë asnjë propozim që synon të krijojë struktura paralele për të anashkaluar rolin e BKH dhe Prokurorisë së Posaçme. Në një dalje për mediat nga selia e Kuvendit, deputetja socialiste e quajti nismen e PD si një veting që merret me thashetheme.

Ferhati: Nëse duhet veting, vetingu duhet të jetë për politikanët dhe familjarët dhe jo siç do Luli që nusen, vëllain, kunatin apo fëmijët e Saliut t’i lerë jashtë. Një veting që merret vetëm me thashetheme pa dënuar dhe pa hetuar as burgosur nuk i sjell asnjë të mirë qytetarëve shqiptarë. PS nuk mund të pranojë asnjë propozim që synon të krijojë një strukturë paralele për të anashkaluar strukturat e ngritura posaçërisht për këtë punë sic ështqë BKH apo Prokuroria e Posaçme. Nëse sinqerisht opozita e dëshiron vetingun do të vinin në tavolinë për të shpjeguar propizimin dhe për të kërkuar bashkëpunimin për hartimin e këtij ligji.

Edhe njëherë ajo përsëriti se për këtë propozim mazhoranca do t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

Ferhati: Ne jemi të gatshëm të çojmë propozimin e opozitës në komisionin e Venecias. Nëse Venecia thotë po, në rregull, por në asnjë rast nuk duhet që kjo nismë të minojë reformën në drejtësi, SPAK dhe BKH.

Gjykata e Strasburgut refuzon padinë e Mark Frrokut

Gjykata e Strasburgut ka refuzuar padinë për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Mark Frroku, i cili paraqiti në këtë gjykatë një ankesë kundër arrestimit të tij në vitet 2015 dhe 2016.

Në një dokument të publikuar sot, Gjykata e Strasburgut, thotë se nuk ka asnjë shkelje të nenit 5 të Konventës.

Në vendim thuhet se në vitin 2015, Frroku anëtar i Parlamentit në atë kohë, u ngritën tre grupe procedimesh penale kundër tij, duke përfshirë atë të vrasjes me paramendim, pastrimit të parave dhe deklaratave të rreme.

Ai u vu nën arrest shtëpiak nga 26 marsi i vitit 2015, ndërsa Parlamenti autorizoi arrestimin e tij më 2 prill të atij viti.

Në procedurat gjyqësore të mëvonshme, Gjykata Supreme e vërtetoi ligjshmërinë e vendosjes në paraburgim, duke gjetur se ekziston rreziku i manipulimit të provave.

Z. Frroku dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese kundër arrestimit, ankesë e cila u hodh poshtë po atë vit.

“Rasti e ka origjinën në një kërkesë (nr.47403 / 15) kundër Republikës së Shqipërisë të paraqitur në Gjykatë në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetas shqiptar, Mark Frroku (“aplikanti”), më 22 shtator 2015.

Aplikanti u përfaqësua nga z. T. Prendi, një avokat që praktikon në Tiranë. Qeveria Shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti i tyre, znj. A. Hicka nga Zyra e Avokatit të Shtetit.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se ndalimi i tij në lidhje me akuzat sipas neneve 257 / a dhe 287 të Kodit Penal ishte i paligjshëm.

Më 5 shkurt 2016, ankesa në lidhje me paligjshmërinë e paraburgimit të tij në lidhje me akuzat sipas neneve 257 / a dhe 287 të Kodit Penal iu komunikua Qeverisë dhe pjesa tjetër e kërkesës u shpall e papranueshme sipas Rregullës 54 § 3, Rregullorja e Gjykatës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

U arrestua me 3.4 mln euro në ‘Toyota Yaris’ Do shkoj në shkollë

Klevis Lika, një nga katër të arrestuarit për 3.4 mln eurot e sekuestruar në automjetet ‘Toyota Yaris’ në portin e Durrësit më 23 qershor 2018, kërkon lirimin.

Klevis Lika ka kërkuar lirinë nga trupi gjykues me arsyetimin se dëshiron të vazhdojë shkollën, pasi pritet të nisë vitin e dytë të gjimnazit. Kërkesa për ndryshimin e masës është bërë nga avokati i tij Saimir Visha.

Prokuroria kundërshton lirimin pasi po pret përgjigje nga Belgjika, Anglia dhe Italia për origjinën e parave.

Megjithatë seanca gjyqësore e planifikuar për sot u shty për mungesën në sallë të prokurorëve të çështje. Seanca tjetër u caktua për nesër në orën 09:00.

Klevis Lika shoqëronte ngarkesën e automjeteve ku u gjetën dhe sekuestruan 3.4 mln euro.

Në lidhje me ngjarjen policia arrestoi në flagrancë shtetasit; Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës; Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë; i biri Klevis Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Kushërinjtë e shpallur në kërkim, Alfred dhe Elvis Vladi, sipas Policisë janë porositës së ngarkesës me sasinë rekord të eurove, që u zbuluan në portin e Durrësit. Të dy rezultojnë pronarë biznesesh në Tiranë, por njëri prej tyre, Alfred Vladi, ka në pronësi edhe dy kompani që merren me dhënien e automjeteve me qira.

Policia sekuestron çokollatë kanabis dhe heroinë në Berat

Një ngarkesë prej 441 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva e përpunuar në formën e Çokollatës si dhe 2 kg heroinë janë sekuestruar gjatë një operacioni të koduar “Kalaja” në qytetin e Beratit.

U shpall në kërkim shtetasi: L.B, 47 vjeç, banues në Berat.

“Në kuadër të operacionit u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit L.B në lagjen “13 Shtatori” ku gjatë kontrollit u gjetën në banesë 441 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva e përpunuar në formën e Çokollatës, 2.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, një sasi e vogël lëndë narkotike e dyshuar Kokainë, një arkë me 35 granata ofensive dhe 40 difensive dhe peshore elektronike të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale” informoi sot policia e Beratit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” “Mbajtja e armëve dhe municioneve ushtarake” parashikuar nga nenet 283/1, 278 të Kodit Penal.

Lirohet nga burgu Ermal Hoxha, nipi i Enverit

Gjykata e Fierit ka liruar me kusht nga burgu Ermal Hoxhën, nipin e diktatorit Enver Hoxha.

Kjo gjykata ka urdheruar lirimin para kohe kur kishte edhe 1 vit e gjashte muaj dënim për të kryer.

Mësohet se kërkesa për lirim lirim me kusht është bërë me 13 korrik 2018 dhe vendimi është dhënë me 13 shtator dhe është ekzekutuar një ditë më vonë në datën 14.

Lajmi u konfirmua edhe nga bashkëshortja e tij, Rezarta Shkurta, e cila e ka ndarë këtë moment me miqtë e saj në Instagram.

“Familja ime e vockel u bashkua. Faleminderit per cdo fjale e mbeshtetje qe kam ndjere nga ju , keto vite te veshtira… Uroj nga zemra per gjithsecilin nga ju, te gjitha urimet qe me keni dhene, tju kthehen ne bekime ne jetet tuaja”, shkruan Shkurta.

Hoxha u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2017 me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit ‘Xibraka’. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim.

Si u arrestua Ermal Hoxha

Operacioni ‘Xibraka’ u zhvillua katër vite më parë në Elbasan, ku më 14 Janar të 2015, në pranga ranë 11 persona mes tyre dhe 2 kolumbianë të cilët sipas hetimeve merreshin me përpunimin e kokainës dhe pse në Shqipëri e kishin mbërritur me leje pune dhe si futbollistë.

Në pranga përfunduan: Saimir Batku, 43 vjeç nga Tirana, Fatmir Hoxha, 48 vjeç, Kastriot Imeri, 47 vjeç nga Tirana, Gentjan Gjonaj, 43 vjeç nga Vlora, Arjan Dalipi, 50 vjeç nga Elbasani, Kelment Dalipi 45 vjeç nga Elbasani, Ilir Hyseni, 47 vjeç nga Tirana, Ermal Hoxha, 40 vjeç (nipi i Enver Hoxhes) nga Tirana, Egest Dankesi, 27 vjeç nga Elbasani.

Në laborator u gjet dhe sekuestrua sasia prej 19 kilogramë e 416.2 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë; 8 kg e dyshuar si përziers i lëndës narkotike kokainë; 400 euro; 769.000 lekë të reja dhe 4150 dollarë amerikanë.

Dënimet e dhëna në korrik të 2017 nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të pandehurit janë si më poshtë

10 vite burg për Ermal Hoxhën

12 vite burg për Ilir Hysenin

10 vite burg për Arjan Dalipin

13 vite burg për Genci Xhixhan

11 vite burg për Gentjan Gjonaj

12 vite burg për dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno

11 vite burg për Kelmend Dalipin

13 vite burg për Sajmin Batkun

Me vendimin e sotëm të pandehurve u ulet 1/3 e këtij dënimi.

6-vjeçarja e ngujuar: Dua të shkoj në shkollë

Elvana 6-vjeçare, nga fshati Pjollë i Malësisë së Madhe, është e detyruar ta ndjekë shkollën te daja, pasi familja e saj prej 15 vitesh është në gjak. Edhe pse është femër, sërish prindërit janë të frikësuar. Gjakmarrja, sipas tyre nuk i kursen më as femrat.

Historia e ngujimi të familjes së Elvanës fillon 15 vite më parë, kur gjyshi dhe gjyshja e saj u vranë nga një bashkëfshatar. Më pas, halla e saj vrau vëllain e gjakësit. Gjykata dënoi si bashkëfajtor në këtë krim edhe babain e Elvanës, i cili është në kërkim edhe sot e kësaj dite.

Frika e gjakësit e detyron familjen të dërgojë vajzën e tyre 6-vjeçare disa fshatra larg për t’u shkolluar. Sot, Elvana është ulur në bankën e shkollës për herë të parë. Në çantë kishte dy fletoret që ia ka blerë mamaja, mbante veshur një pale xhinse të reja dhe një palë atlete të grisura që ia kanë falur.

Mes lotësh, ajo tregon se ka shumë frikë të kthehet në fshatin e saj dhe se dëshiron të shkollohet. Qan me ngashërim dhe tregon se e ka marrë malli për prindërit dhe motrat, por në shtëpinë e saj nuk mund të kthehet.

Gjyshja e Elvanës thotë se familja e saj ka probleme me gjakmarrjen, “ndaj jemi detyruar ta marrim këtu, edhe pse kemi frikë edhe ne”. Ajo shton se gjendja ekonomike e familjes së Elvanës është e rëndë. Gjyshja shton se e bija ka frikë për vajzat.