Ruçi vizitë në shkollën “Janaq Kilica”: Duam arsim cilësor

82

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zgjodhi shkollën e mesme të Përgjithshme “Janaq Kilica” në Fier për të uruar nxënësit dhe mësuesit për ditën e parë të shkollës.

Në cilësinë e ish-mësuesit dhe deputetit të zonës, Ruçi theksoi domosdoshmërinë për një arsim sa më cilësor, në funksion edhe të zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Ruçi: Dita e parë e shkollës nuk është vetëm ditë feste por edhe moment reflektimi. Fieri është qarku i dytë më i madh pas Tiranës ku jetojnë e punojnë rreth 11% e popullsisë së vendit.

Fieri është dhe një potencial i madh rinie dhe energjie, shkollimi, ku 15% e popullsisë së qarkut të shkollës janë nxënës shkolle.Në provimet e maturës të vitit të kaluar mësimor nga 1778 nxënës të qarkut të Fierit morën 551 nota 10 në të katër provimet.

Qarku jonë është një motor zhvillimi i vendit.Ekonomia e dijes nuk zhvillohet dhe ndërtohet vetëm në Tiranë por edhe këtu në Fier dhe gjitha qytetet e tjera të vendit. Sa më shumë njerëz të kenë qasje në arsim cilësor aq më lart dhe aq më cilësore dhe e qëndrueshme do të jetë dhe rritja ekonomike.

Gjimnazi “Janaq Kilica” i uroi mirëseardhjen nxënësve të tij nën një atmosferë festive, me këngë dhe valle të përgatitura për këtë ditë.