Bëhet publike padia ndaj Ramës për kanosje

Padia e opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama për kërcënim të ish-oficerit të policisë, Emiljano Nuhu mban datën 3 tetor 2018 dhe grupet parlamentare të PD dhe LSI përfaqësohen nga kryetarët respektivë Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.

Opozita e akuzon kryeministrin Edi Rama për 3 vepra penale: “Kanosje për shkak të detyrës”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “kanosje për të mos kallëzuar”.

Pasi depozituan kallzimin në prokurorinë e Tiranës, Spaho dhe Vasili thanë se kjo është dhe një provë morali dhe e zbatimit të detyrës shtetërore për prokurorinë.

Spaho: Shpresojmë dhe insistojmë që prokuroria të hetojë seriozisht dhe të vërë kryeministrin Rama përpara përgjegjësisë penale.

Vasili: Kryeministri nuk i është kanosur dhunuesit por denoncuesit. Pas këtyre deklarimeve djali i deputetit ndodhet në burg. Jemi për të vënë në provën e moralit dhe zbatimit të detyrës shtetërore prokurorinë. Kjo është provë e madhe për zbulimin e të vërtetave dhe një provë e madhe që nuk ka dy të vërteta.

Rama për padinë: Dy gjysmagjela të opozitës më paskan kallëzuar në Prokurori

Kryeministri Rama ka bërë ironi me opozitën e cila sot dorëzoi një padi në prokurorinë e Tiranë. Padia që ka kallzues grupin parlamentar të PD-së të përfaqësuar nga Edmond Spaho dhe grupin parlamentar të LSI-së të përfaqësuar nga Petrit Vasili ka për objekt kallëzimin e veprës penale “Kanosje për shkak të detyrës”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “kanosje për të mos kallëzuar”.

Menjëherë sapo Spaho dhe Vasili u panë të dalin nga ambientet e prokurorisë, Rama cicëroi në twitter: Dy gjysmagjela të opozitës së shpërndarë më paskan kallëzuar në Prokurori në emër të heroit të filmit Babale 2. I falenderoj dhe plotësisht gati të hetohem, duke pritur me durim që Prokuroria t’i nxjerrë fundin të dy Babaleve, ndërkohë që puna për Paketën Antishpifje vazhdon”

Arrestohen 25 persona në Itali, bënin pjesë në 3 grupe kriminale

Zhvatje dhe trafik droge, 25 të arrestuar në Itali nga antimafia.
Karabinierët, policia dhe Gauardia di Finanza kanë ndërmarrë një operacion masiv, duke arrestuar 25 persona.

Të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e tre organizatave të ndryshme kriminale.

Njëra prej tyre ishte e tipit mafioz, i cili vepronte në të gjithë bregun Joniano-Lucano.

Grupi kriminal është i përfshirë në zhvatje, trafik droge, kryesisht kokainë dhe hashash.

Në operacion u angazhuan 170 karabinierë të ROS dhe komanda provinciale e Materas, 100 efektivë të Policisë së Kozencës dhe 60 ushtarë të Komandës Provinciale të Guardia di Finanza.

Përveç ekzekutimit të 25 urdhër-arresteve, agjencitë e zbatimit të ligjit janë angazhuar në 22 kërkime për armë dhe drogë.

Konfiskimet e aseteve, pronave dhe aktiviteteve të biznesit, janë duke u zhvilluar në provincat Matera, Potenza, Bari, Lecce, Foggia, Milano dhe Salerno.

Qeveria shqiptare refuzon ofertën e Telekom Serbia

Zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare nuk kanë mirëpritur ofertën e kompanisë serbe të telefonisë Telekom Serbia për të qenë pjesë e tregut shqiptar të telefonisë. Burime bëjnë me dije se drejtues të kësaj kompanie janë takuar me përfaqësues të ministrisë së Transporteve, të cilët i kanë sqaruar se futja e tyre në tregun shqiptar mund të sjellë probleme edhe për vetë kompaninë si pasojë e reagimeve me natyrë politike. Ndërkohë që në një deklaratë për mediat vetë ministri serb e ka përshëndetur një nismë të tillë.

Qeveria shqiptare nuk e ka mirëpitur ofertën e kompanisë serbe “Telekom Serbia” për të blerë kompaninë shqiptare “Telekom Albania”.

Burime zyrtare bëjnë me dije se drejtues të lartë të kompanisë serbe janë takuar me përfaqësues të ministrisë së Transporteve.

Gjatë këtij takimi drejtuesve të “Telekom Serbia” i është bërë i ditur edhe qëndrimi i palës shqiptare se nuk janë të mirëpritur për tu bërë pjesë e tregut të telefonisë mobile edhe pse investimet serbe janë të rëndësishme për Shqipërinë.

“Ardhja e kompanisë Telekom Serbia në Shqipëri nuk është e mirëpritur. Edhe pse vendimi është midis kompanive, përfshirja e Telekom Serbia në tregun e telefonisë celulare mund të sjellë reagime që mund të ndikojnë negativisht edhe për vetë kompaninë. Ne jemi të gatshëm të presim investimet serbe në vend, por për këtë sektor preferojmë një investitor me një tjetër profil.”

Mësohet se Telekom Serbia ka bërë ofertën më të favorshme për blerjen e Telekom Albania duke ofruar 60 mln euro.

Mundësinë e hyrjes në tregun shqiptar të kompanisë serbe të telefonisë mobile, e ka përshëndetur edhe ministri serb për Tregtinë dhe Telekomunikacionin Rasim Lajiq, i cili e konsideron një lëvizje të mirë, por edhe mjaft të logjikshme që flet vetë për fuqinë dhe potencialin e kësaj kompanie. Në një deklaratë për mediat serbe, Lajiq deklaron se po arriti të blejë “Telekom Albanian”, kompania serbe mund të kthehet në një lider të telekomunikacionit në Ballkan, ndonëse e pranon se është ende herët të flitet për rezultatin.

Në Kosovë varin mollë në avlli për kalimtarët

Kosovarët kanë filluar të ndjekin një traditë të norvegjezëve duke varur mollë jashtë avllisë për kalimtarët.

Një profesor nga fshati Shajkovc, ka mbushur qese me mollë dhe i ka lënë të varura në avlli në mnëyrë që kalimtarët ti marrin.

Kjo është një formë sensibilizmi për njerëzit e pasur që të ndihmojnë të varfërit.

Fillimisht ideja është vënë në zbatim në Norvegji dhe po bëhet praktikë edhe në Kosovë.

Alibeaj: Alfred Çepe fshiu kamerat e sigurisë në Fushë Krujë

Partia Demokratike akuzon ministrinë e Brendshme dhe policinë e shtetit se kanë urdhëruar fshirjen e kamerave të komisariatit të Fushë Krujës të cilat kishin filmuar praninë e Rrahman Rraja, Artur Bushi në ambientet e komisiariat të Fushë Krujës.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj doli sot në një prononcim nga selia e PD-së ku akuzoi vetë drejtorin e policisë së qarkut të Durrësit, Alfred Çepe si i përfshirë personalisht në zhdukjen e provave.

Enkelejd Alibeaj: “Me urdhër të Ardi Veliut, Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe, ka ngritur një grup pune për të gjetur dhe fshirë çdo kamera që mund të provojnë praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në Policinë e Fushë Krujës në 21 Korrik. Policët e zonës e dinë se ky grup pune me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë kanë kërcënuar me tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për shkatërrimin e provave.

Punonjësit e policisë dhe punonjësit e SHKB-së tregojnë se vetë Drejtori i Policisë se Qarkut Durrës, Alfred Çepe është përfshirë personalisht në operacionin për zhdukjen e provave që implikojnë Taualant Ballën, Artri Bushin dhe Rrahman Rrajën në kërcënimin me armë të nënkomisar Emiljano Nuhut.

Ministri i Brendshëm është në dijeni të plotë të këtij operacioni, por nuk ka ndërhyrë për ta ndaluar atë. SHKB-ja që varet direkt nga Fatmir Xhafaj, duhet t’i kishte sekuestruar dhe administruar kamerat që provojnë praninë e Taulant Ballës në Fushë Krujë, por nuk e ka bërë këtë për t’i dhënë kohë shkatërrimit të provave. ”

Alibeaj akuzon Ramen se po perdor propagandën me qëllim që të mos zbulohet e vërteta.

“Edi Rama po përdor të gjithë makinerinë e tij të propagandës që askush të mos flasë për denoncimin e oficerit të policisë, Emiljano Nuhu, i cili përmend me emra mbrojtësit politikë të bandës famëkeqe të Fushë Krujës Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rraja. Ata janë të përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut natën e 21 Korrikut, por Policia ka bërë gjithçka për ta fshehur ngjarjen dhe për të zhdukur çdo gjurmë që mund ta vërtetojë atë.

Nënkomisari Emiljano Nuhu dëshmoi se Taulant Balla, Rrahman Rraja dhe Artur Bushi kanë qenë në komisariatin e Fushë Krujës për ta kërcënuar pasi kishte marrë kallëzimin e shtetases Xhisiela Maloku ndaj djalit të deputetit të PS, Rrahman Rrahja, Rexhep Rraja.

Aktualisht Rexhep Rraja ndodhet ne masen e arrestit burg per akuzen e perndjekjes.

Makina përplas tre shqiptarë në Napoli, njëri vdes

Një 24 vjeçar italian është ndaluar nga policia italiane pasi ka aksidentuar rëndë 3 emigrantë shqiptarë që me biçikleta po udhëtonin drejt vendit të tyre të punës.

Njëri prej shqiptarëve i moshës 26 vjeç ka ndërruar jetë në spital, ndërsa dy të tjerët janë në gjëndje të rëndë por jashtë rrezikut për jetën.

Tre emigrantët shqiptarë punonin në një fermë në rajonin e Kampanjës.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën që lidh Napolin me Kazertën.

Pasi ka akisdentuar 3 shqiptarët, i riu italian nuk ka ndaluar për t’i ardhur në ndihmë por është larguar me shpejtësi duke dërguar makinën tek mekaniku për ta sistemuar nga dëmet e aksidentit.

Identifikimi i automjetit u bë falë kamerave të sigurisë së rrugës. 24 vjeçari italian është ndaluar në flagrancë në ofiçinën ku kishte dërgaur makinën për ta riparuar.

Ai ka pranuar fajësinë e është vënë në urdhrin e arrestit shtëpiak në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

Policia italiane ka vërtetuar gjithashtu se motori i automjetit ishte i trukuar.

Gabimet që bëhen kur doni ti hiqni pampersin fëmijës

Shumë prindër e kanë periudhë stresi kohën kur fëmijës së tyre u duhet të heqin pampersin dhe ti mësojnë të përdorin banjon.

Kjo periudhë mund të zgjasë me ditë por ka raste dhe me muaj.

Për ta bërë këtë proces më të lehtë ekspertët japin këshillat dhe tregojne gabimet që të gjithë prindërit bëjnë duke e zgjatur më shumë në kohë këtë proces.

1- Mos përdorni njëkohësisht dhe pampersin dhe tualetin

Kjo zgjat kohën e heqjes së pampersit. Vishni fëmijës mbathje sepse fëmija duhet të ndjejë lagështirën për tu ndërgjegjësuar me atë çfarë i ndodh.

2- Pyeteni shpesh fëmijën nëse do të shkojë në banjo

Prindërit duhet të pyesin shpesh fëmijët e tyre nëse duan të shkojnë në banjo apo jo, sepse në fund të fundit ata po mësojnë një gjë të re.

2- Prisni deri kur ata të jenë gati

Ka shumë shenja që prindërit duhet të bëjnë kujdes dhe të vërejnë kur është puna për të vendosur nëse është koha e duhur për të hequr pampersin.

3- Vëzhgoni me vëmendje çdo shenjë që të japin fëmijët

4- Mos i thoni fëmijëve që do të marrin lekë apo ëmbëlsira nëse shkojnë në banjo

Nuk ka efekt. “Nëse bën këtë do të të jap këtë” bën që fëmijët të kenë të gjithë kontrollin ndërkohë që roli i prindërve është të vendosin kufij që në fillim

5-Bëjeni si lojë dhe arsyetoni

Le të jetë kjo periudhë si lojë dhe tregoni fëmijëve arsyet përse duhet ta bëjnë. Funksionon më shumë sesa ta detyroni të qëndrojë ulur në banjo apo të qajë dhe të bërtasë me të madhe sepse nuk do të qëndrojë atje.

Ky është një proces që ndodh 6- 8 herë në ditë prandaj duhet ta merrni me qetësi.

Kryemadhi: Rama do dënohej i pari për shpifje

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ka cilësuar qesharak propozimin e kryeministrit Rama për një paketë antishpifje.
Duke folur në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së, Kryemadhi tha se nëse ajo paketë miratohet i pari që dënohet është vetë Rama.
Kryemadhi: U them të gjithë shqiptarëve që të mos e besojnë kurrë atë. Jo vetëm që është një hipokrit dhe gënjeshtar, jo vetëm është një grabitës por ai është një njeri i cili është e keqja më e madhe e këtij vendi. Edi Rama është njeriu që ka grabitur dhe rrëmbyer shtetin dhe veç kësaj ndihet aq i rrezikuar sa dëgjojmë edhe propozime qesharake që kanë të bëjnë me paketën antishpifje.
Është një paketë që duhet dënuar për shpifje është Edi Rama. Mjafton të mbledhim gjithë historikun e tij dhe do të shikojmë shpifje nga më mostruozet dhe më të poshtrat. Ashtu siç quajti dhe Xhisielën përdhunuese me telenovelën e famshme që na paraqiti, ashtu do të quajë të gjithë shqiptarët trafikantë droge, kriminelë, ndërsa ai është njeriu më i ndershëm dhe më i pastër i shoqërisë shqiptare.
Rama, tha Kryemadhi, është i sinqertë vetëm kur gënjen
Kryemadhi: Të shkosh në zyrën e shtetit sot është njësoj si të dorëzohesh në gojën e ujkut: Shteti të rreh, të vret dhe varros për së gjalli. Nëse informon shtetin për një kriminel dhunohesh ti, dënohesh ti dhe nuk dënohet krimineli. Edi Rama është i sinqertë vetëm kur gënjen. Standardi i vetëm i Edi Ramës është alibia për çdo lloj krimi dhe llumi, qoftë përdhumi, krim, trafik droge dhe çdo gjë tjetër.

Poeti Petrit Ruka i shkruan letër prekëse Roland Roshit

Petrit Ruka
I dashur Landi,
nuk kam pasur këtë javë pikë fuqie të të them dy fjalë e ti me siguri më je mërzitur shumë, i miri im i shtrenjtë.
Jam zgjuar çdo mëngjes, si të kisha fjetur nën dhė, siç tha vëllai ynë më i madh Pëllumb Kulla, ditën e parë që u gdhi dhe ne pimë kafen e parë pa ty.
Prita me ankth tërë mëngjesin të binte telefoni yt si çdo ditë (tre a katër herë deri në mbrëmje) dhe të dëgjoja zërin tënd të bukur plot dritë, atë zë që për mua ishte dhe është zëri më i bukur shqip që kam dëgjuar kësaj jete. Prita si gjithmonë të më pyesje plot merak për shëndetin tim të rrënuar, ti “i shëndoshi”, që nuk ankoheshe nga asgjë e sëmundja e parë në jetë të mori pabesisht, duke na ngulur një thikë drejt e në zemër.
Nuk ka fund kjo dhembje e re, që më duket kaq e dashur e ndër më “luksozet” që kam provuar në këtë botë. Më bërë më të pasur me gjithçka: me këtë mall që po më përvëlon dita ditës, me lotët që i paskam akoma në trupin e lodhur, me vezullime kujtimesh që feksin orë e çast para fytyrës tënde të qeshur e aq engjëllore, me pendimin e pashërueshëm; se përse nuk të desha e të dhashë ca më shumë dashuri prej vëllai më të madh, me…
Uhhh, ku thuhen dot me fjalë të gjitha ato që ndjen zemra ime, shoku im i mrekullueshëm!
Por le t’i lemë fjalët e mëdha, se as ato nuk pinë ujë në kësi rastesh. Thjesht desha të të njoftoja shkurt, se lajmin ma dha i mbytur në lot yt bir, Redi, e qielli u shemb mbi mua.
Si ta besoja që kishe ikur, kishim veç një orë që të kisha marrë ne telefon për atë dreq stomaku gënjeshtar, që të dhembte aq shumë e që paska qenë një hile e zemrës tënde, e cila nuk doli hapur e ballazi të të thoshte se ajo e kish fajin. Pjesa tjetër e asaj nate është lot e turbullirë mendjeje.
Të nesërmen, në homazhet e tua, tek holli i RTSH, kishte kaq shumë njerëz, sa ta pata zili, edhe pse kurrë nuk kam dyshuar se ti u ngjisje njerëzve “sëmundjen” e dashurisë, që po rrallohet në këtë botë.
Por nuk kish si të mos ndodhtë ironia më e madhe në botë, nga ato që kurrë nuk u ndahen njerëzve të mrekullueshëm si ty e Shqipërisë. Mikrofoni i nxjerrë nga RTSH para njerëzve për fjalimin e lamtumirës nuk punoi. Nuk punoi mikrofoni për njeriun që ishte Mikrofoni i Artë i këtij vendi, se kishte një defekt teknik dhe nuk gjetën dot një tjetër aty ku ka nja njëmijë të tillë. Foli shoku yt i një jete, zëri tjetër i mrekullueshëm Xhelil Aliu dhe duhet të ketë thënë fjalë shumë të dhembshura shpirti, po unë nuk arrita të dëgjoja dot asnjë tyre. Nga paria e Televizionit nuk foli asnjeri, si të mos ishe punonjës i tyre, po më mirë. Druaj e kam frikë se nga mosnjohja nuk do të thoshin dot asgjë për ty. Se mos dinin gjë nga tërë ato pjesë të famshme, që kishe vënë si një regjisor i shkëlqyer në Estradën e Fierit, atëherë kur ti dhe Pëllumb Kulla e bëtë atë isntitucion periferik Akademinë e humorit shqiptar. Asnjë titull për be nuk dinë nga ato pjesë të arta që vijojnë sot e kësaj dite ti dojë e përdor si shprehje bisedimore një popull i tërë. As nga rolet e tu të mrekullueshëm në teatër, kur luaje një natë ti dhe një natë Fatos Sela rolin e shkëlqyer të Avni Rustemit tek drama “Dy krismat në Paris”, një dramë simbol i majave të teatrit shqiptar.
E pra, vëlla im, nuk punoi për ty mikrofoni, edhe pse ti ishe Princi i Madh i mikrofonit shqiptar dhe përmes tij ke lënë mbi 15.000 orë gjuhë shqipe, që mjafton për të mbushur gjithë qiejt e Shqipërisë me bukurinë e kësaj gjuhe hyjnore.
15.000 orë gjuhë shqipe, nga ajo shqipja me zërin tënd magjik, me një ëmbëlsi dhe qartësi të “frikshme” në drejtshqiptim si askush tjetër më parë. Tërë fjalët shqip të shqiptuara secila mijëra herë si një model i përkryer, aq sa me të, mund ta ndërtoje sërish gjuhën shqipe nga e para edhe sikur ajo të zhdukej për një çast. Sepse ti nuk e lexoje shqipen, or mik, ti e këndoje prej zemre drejt e nga një dashuri e lindur për të qysh në bark të nënës.
E di pse mbeta pak gjatë me këtë “shakanë” e mikrofonit, Landosh? Nga që e kam zakon të “ngatërrohem” me simbole e metafora dhe dua që ti të qeshësh pak, siç bëjë gjithmonë me “incidentet tona të vogla shtetërore” që nuk na lënë dot ta bëjmë një Vend, këtë vend të bekuar që ti aq shumë e doje.
Dhe së fundi, përmetari im i qeshur, desha të të thosha se balada jonë: “Nëntë vjet e nëntë ditë” që unë e shkrova, po ti i dhe shpirt ka arritur në JouTube e FB në 28 mijë shikime dhe 334 shpërndarje dhe jo sa e le ti me 26,700 të tilla.

E di që do të gëzohesh shumë si një fëmijë, se çdo mëngjes e shikoje dhe vrapoje të më thoshe në telefon, duke shtuar, kush tha që shqiptarët nuk lexojnë e shohin art po t’u japësh krijime të mira? Kështu ishe ti, gëzoje me gjëra të “vogla” jo me gjërat e mëdha ku plasin sukseset kombëtare në ekrane e gazeta…
Dhe së fundi, edhe një lajm tjetër i mirë, se nuk dua të të lodh, vëllai im i shtrenjtë; sot pas një emisioni homazh në TVSH për ty (veç 20 minuta dhe vetëm në këmbë, qesh pak edhe me këtë!) Jeta, gruaja jote e dashur, “labushka” jote, që bëhej xheloze për miqësinë tonë të madhe, më mori në telefon dhe më tha: “Petrit, t’i kam bërë hallall tërë ato mijëra orë, që ma merrje Landin dhe rrije me të.”
E sheh pra, na ka falur të dyve!
Ja pra që ka lajme të mira dhe të këqija, siç i ka kjo dreq jete gjërat e saj.
Ah, se mos harroj; Naum Lasku më dha sot fletën me kokat e lajmeve që po pergatisje në regjinë e edicionit të lajmeve të fundit që ti drejtove. Ke arritur të nënvizosh me një rreth blu vetëm katër lajme, para se të shembeshe e të ikje përgjithmonë.
Në fund me stilolaps ke bërë tri pika të mëdha retiçence… Vdes ta di se çfarë ke dashur të thuash me to?
Tre pika?!
Mua më ngjajnë me tri pika loti, po të kujt?
Të miat apo të tuat janë vallë, Landi ynë?!

P.S
Të lutem mos m’u zemëro, qe i rashe kaq shkurt, do të të shkruaj prapë!