Bëhet publike padia ndaj Ramës për kanosje

15

Padia e opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama për kërcënim të ish-oficerit të policisë, Emiljano Nuhu mban datën 3 tetor 2018 dhe grupet parlamentare të PD dhe LSI përfaqësohen nga kryetarët respektivë Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.

Opozita e akuzon kryeministrin Edi Rama për 3 vepra penale: “Kanosje për shkak të detyrës”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “kanosje për të mos kallëzuar”.

Pasi depozituan kallzimin në prokurorinë e Tiranës, Spaho dhe Vasili thanë se kjo është dhe një provë morali dhe e zbatimit të detyrës shtetërore për prokurorinë.

Spaho: Shpresojmë dhe insistojmë që prokuroria të hetojë seriozisht dhe të vërë kryeministrin Rama përpara përgjegjësisë penale.

Vasili: Kryeministri nuk i është kanosur dhunuesit por denoncuesit. Pas këtyre deklarimeve djali i deputetit ndodhet në burg. Jemi për të vënë në provën e moralit dhe zbatimit të detyrës shtetërore prokurorinë. Kjo është provë e madhe për zbulimin e të vërtetave dhe një provë e madhe që nuk ka dy të vërteta.