Rama: është hedhur në erë KQZ

rama (1)Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u takua me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, NATO-s, të delegacionit të Bashkimit Europian, Prezencës së OSBE-se dhe Zyrës së Këshillit të Europës. Pas këtij takimi është zhvilluar menjëherë një tjetër takim me bashkë-raporterët e Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Europës, deputetët Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët vizitojnë Shqipërinë në kuadrin e një vizite fakt-mbledhëse.

Në përfundim të këtyre takimeve Kryetari i PS, Edi Rama dha këtë prononcim për mediat.

‘’Ne jemi në komunikim intensiv me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të shqetësuar që të gjithë për atë që po ndodh. Praktikisht, është hedhur në erë Institucioni Qendror i Zgjedhjeve. Përsa na takon në kuptimin e betejës elektorale dhe të ballafaqimit me kundërshtarin e vetmuar dhe në panik, le ta marri KQZ-në në shtëpi, nuk është ky problemi ynë. Ky është problem i vendit tonë, ky është problem i Shqipërisë në sytë e botës demokratike. Ky është problem për shoqërinë shqiptare sot dhe për popullin shqiptar mbas 23 qershorit kur pavarësisht se ne do të fitojmë e rëndësishme është që në sytë e Europës, në sytë e partnerëve tanë strategjikë, në sytë e Shteteve të Bashkuara që prej kaq kohësh po përpiqen që Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme, vendi ynë do të jetë i njollosur. I njollosur me turpin që po i lë në fytyrë kryeministri dhe kjo shumicë pa shumicë. I njollosur me faktin që nuk realizoi dot zgjedhjet të standardeve ndërkombëtare, të lira dhe të ndershme. Dhe, për këtë ne kërkojmë që të ketë një reflektim, për këtë ne kërkojmë që të ketë një kthim në ligjshmëri të Institucionit Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë ne kërkojmë që administrimi i zgjedhjeve të ndahet nga gjithë vala e panikut që e ka përfshirë kryeministrin, që ka përfshirë pushtetin familjar dhe partinë familjare të kryeministrit. 

Cila do të ishte ligjshmëria për KQZ-në z.Rama? Për çfarë ligjshmërie e keni fjalën? Kush është zgjidhja që propozon Partia Socialiste? 

“Nuk ka nevojë të shikojmë gishtin, kur gishti tregon hënën”, thotë një fjalë e urtë. Zgjidhja është e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, dokumenti i rregullave të lojës shkruar dhe miratuar me konsensus, i cili praktikisht është shkelur me të katërt këmbët e kësaj shumice, që ka mbetur në duart e 3 mercenarëve dhe që përcakton shumë qartë se KQZ-ja nuk është as instrument i partive dhe as organ që varet nga Kuvendi. 

Riformatimi total i KQZ-së mund të jetë një zgjidhje?  

Nuk hymë ne në këto hulli. Ne kërkojmë kthimin e ligjshmërisë për KQZ-në. E përsëris, për t’i dhënë procesit dinjitetin që meriton Shqipëria, që meriton populli shqiptar, jo për ne si forca politike në një koalicion që është fitues dhe që do të fitojë edhe sikur KQZ-në e përsëris ta marri Saliu dhe ta fusë në kuzhinë. Ne zgjedhjet do t’i fitojmë me një shumicë bindëse. Problemi këtu qëndron gjetkë, tek dinjiteti i këtij vendi, tek liria e këtij populli, tek domosdoshmëria që Shqipëria të ikë nga harta e regjimeve hibride, siç thotë revista prestigjioze “The Economist” vetëm pak ditë më parë dhe të ikë nga horizonti ku rrinë në radhë vende që nuk kanë lidhje me botën demokratike. Sot për sot me këtë që ka ndodhur me KQZ-në gjithë këtij procesi i mungojnë vetëm mustaqet e Llukashenkos, se të gjitha të tjerat i ka si të ishim në Bjellorusi. Edhe një palë mustaqe po ja bëjmë dhuratë Saliut, le t’ia ngjisë Jozefina me zamkë edhe le të vazhdojnë rrugën e tyre. Janë të humbur, nuk i shpëton asgjë. Ne zgjedhjet do t’i fitojmë dhe në 23 qershor Shqipëria do të rilindë.’

PS: Shqipëria si Tunizia

balla1Taulant Balla, deputet i Partisë Socialiste në një deklaratë për mediat theksoi se’ The Economist’ e ka cilësuar Shqipërinë si një regjim hibrid dhe se jemi klasifikuar në vendin e 90, pas Tunizisë Honduarsit dhe Guatemalës dhe kjo vetëm për faj të regjimit të Berishës. Ai tha gjithashtu se, raporti ‘The Freedon House’ e cilësoi Shqipërinë si një vend pjesërisht të lirë, me një tendencë degradimi të shtetit ligjor,  duke i kujtuar kryeministri Berisha sulmet ndaj gazetarit të Top Channel dhe presionet po ndaj kësaj medie.

‘’Për katër vite rresht, Indeksi i Demokracisë, raport i përpiluar nga Njësia Studimore pranë revistës prestigjioze britanike “The Economist”, e klasifikon Shqipërinë si regjim hibrid.  Jemi në vendin e 90 pas Tunizisë, Hondurasit dhe Guatemalës. Pra, Shqipëria e regjimit të Sali Berishës është shumë larg demokracive perëndimore, shumë larg Europës ku duam të anëtarësohemi. Sepse zgjedhjet karakterizohen nga parregullsi dhe mungesë standardesh, të cilat pengojnë që këto të zhvillohen të lira e të drejta. Sepse Fenomeni Ruzhdije, është standardi që ka vendosur Sali Berisha në këto 8 vite, standardin e vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve. Presionet e qeverisë mbi opozitën dhe kandidatët opozitarë janë të zakonshme. Sepse  për katër dëshmorët e 21 janari, për Fatmir Xhindi, për Remzi Veseli presim drejtësi, ndërsa regjimi hibrid mban peng hetimin dhe dënimin e vrasësve.

Sepse ka mangësi serioze të funksionimit të ekzekutivit dhe të pjesëmarrjes politike. Sepse ka korrupsion të githëpërhapur dhe shtetit ligjor të dobët. Sepse pushteti gjyqësor është larg të qenit i pavarur, i kthyer në një aneks të kuzhinës së punëve të pista të Sali Berishës. 

Dhuna dhe presioni mbi gazetarët është tipik në këto regjime. Vetëm pak ditë më parë u dhunua në ambientet e komisariatit nr. 1 Tiranë u dhunua kameramani i një media të lirë, Top Channel. Të po asaj media që Sali Berisha po nxjerr me dhunë nga ambientet e saj. Raporti i “The Freedom House” i vitit 2012 e klasifikon Shqipërinë si vend pjesërisht i lirë me një trend degradimi të shtetit ligjor, të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore.

Shqipëria, thotë raporti, ka pësuar rënie si rrjedhojë e dhunës së ushtruar ndaj demonstruesve, si rrjedhojë e zgjedhjeve vendore me të meta dhe dështimit të gjykatave për të trajtuar me efektivitet çështjet më të mëdha të korrupsionit.

Këto raporte po demaskojnë fytyrën e vërtetë të regjimit Sali Berishës. 

1.    atë ç’demokratizimit të Shqipërisë

2.     të dhunimit të vullnetit popullor

3.     të shpërdorimit të parave publike

4.     të rrënimit të institucioneve kushtetuese

5.     të çimentimit të kulturës të pandëshkueshmërisë

6.     të rrënimit të shtetit të së drejtës në emër të ndikimit të interesave ekonomike e financiare korruptive të familjes në pushtet, të partisë familje, të dështakut historik, të Sali Berishës. 

Më 23 qershor shqiptarët do ta ndëshkojnë me votë Sali Berishën dhe me votën e lirë dhe të bashkuar do të vendosin një standard të ri në Shqipëri: atë të largimit me votë të një qeverie, e cila në 8 vite ka rrënuar besimin e qytetarëve tek demokracia dhe parimet e saj themelore.

Partia Socialiste do ta rikthejmë dinjitetin Kuvendit të Shqipërisë, tashmë një institucion monokratik që ratifikon vendime autokratike të Sali Berishës.

1.    Do të fuqizojmë institucionet kushtetuese.

2.    Do të promovojmë dialogun dhe debatin konstruktiv politik.

 

 

PE: Rezolutë Kosovë, Serbi, Mali i Zi

PE/fotoalbaniaplus
PE/fotoalbaniaplus

Reforma dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore janë të nevojshme

Mali i Zi, Serbia dhe Kosova mund të bëjnë një progres më të shpejtë drejt aderimit për në BE duke u përqendruar mbi marrëdhëniet e mira të fqinjësisë dhe reformave, kanë deklaruar eurodeputetët në tre rezoluta të veçanta, në Parlamentin Europian, këtë të enjte. Sipas eurodeputetëve, reformat në këto vende duhet të synojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, garantimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e sistemit juridik dhe të medieve, si edhe mbrojtjen e lirive të tjera thelbësore.

 Serbia

Deputetët kanë nënvizuar, se negociatat e aderimit me Serbinë duhet të fillojnë përpara qershorit 2013, nën rezervën që reformat e përcaktuara nga qeveria të mbahen, në fushën e drejtësisë, të luftës kundër korrupsionit, të lirisë së shtypit dhe të mbrojtjes së tërë minoriteteve. Ato kanë nënvizuar gjithashtu, se parlamentet dhe shoqëria civile e Serbisë dhe Kosovës, duhet të jenë paraprakisht të angazhuar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Sipas raportuesit të Serbisë, Jelko Kacin, fiksimi i  një datë hapje të negociatave të aderimit do të simulonte partizanët e reformave në Serbi dhe do të kontribuonte në ringritjen ekonomike. Ai ka nënvizuar gjithashtu se, progresi në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë do të kishte pasoja të rëndësishme mbi procesin e integrimit europian, të Ballkanit Perëndimor në tërësi.

Kosovë

Eurodeputetët kanë theksuar se, Kosova duhet të realizojë me shpejtësi reformat në fushën e shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar, të mbrojtjes së minoriteteve, të kapaciteteve administrative dhe tregtisë, për të lejuar linçimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, që përcakton të drejtat dhe detyrimet që lindin nga aderimi në BE. Sipas Ulrike Lunacek, raportuesit mbi Kosovën, është për të ardhur keq që Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro nuk i kanë mbështetur plotësisht përpjekjet e Kosovës. Sipas Lukacek, këto shtete anëtare nuk kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës dhe se, ato duhet ta bëjnë pa vonuar këtë, me qëllim që të lejohet Kosova të marrë pjesë në aktivitetet e Europol dhe Interpol, si edhe në evenimentet sportive.

Mali i Zi

Deputetët kanë nënvizuar progresin solid të realizuar me synim aderimin e vendit në BE dhe rolin e Malit të Zi, në mbajtjen e stabilitetit rajonal. Ato tregojnë gjithsesi, se përpjekje  të tjera nevojiten, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivele më të larta, si edhe për të ruajtur lirinë e shtypit, të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Raportuesi mbi Malin e Zi, Charles Tannock, ka shpjeguar, se zhvillimi i mirë i negociatave deri më tani, i tregon qartësisht fqinjëve të Ballkanit perëndimor që zgjerimi nuk ndalon me aderimin e Kroacisë. Ai ka nënvizuar gjithashtu, se është e nevojshme riforcimi i pavarësisë dhe përgjegjësisë së sistemit juridik si edhe liria e medieve.

Largohet anëtari i tretë, KQZ jashtë funksionit

foto KQZ
foto KQZ

Pas dorëheqjes së anëtarit të KQZ Denar Biba të Partisë Socialiste dhe dorëheqjes së dytë të Albana Shtyllës, një tjetër anëtar i KQZ-së distancohet. Jani Jani, ka deklaruar se ngrin veprimtarinë e tij, duke u solidarizuar në këtë mënyrë me shkaqet, që detyruan kolegët e tjerë të jepnin dorëheqjen nga ky institucion. Ai i përket partisë për të Drejtat e Njeriut. Pas largimit të tij, KQZ ka ngelur totalisht në duart e shumicës në pushtet. KQZ nuk mund të kryejë tashmë asnjë lloj funksioni duke u futur në një spirale krize.

Largimet janë pësuar menjëherë pas shkarkimit nga parlamenti të Ilirjan Muhos dhe zëvendësimit të tij me Klement Zguron. Denar Biba deklaroi dorëheqjen i pari duke e quajtur ilegjitime dhunimin e hapur të institucionit të pavarur të KQZ-së i cili është institucioni që duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas tij, shqiptarëve u është dhunuar e drejta për të votuar në mënyrë të lirë dhe të ndershme.

Adult tiran apo pervers narcizist

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Joshës, manipulues, pak të aftë për empati (aftësi të përjetosh, atë çka përjeton një qenie tjetër njerëzore), ato nuk ndjejnë asnjë lloj faji. Perversët narcizistë (kur ndjen admirim dhe dashuri të pamasë ndaj vetvetes) ndajnë karakteristika të përbashkëta me adultët tiran. Gjithsesi, ka disa diferenca midis këtyre dy patologjive të egos.

Ndërkohë që adulti tiran, shfaq një ego të pamasë, perversi narcizik nuk kënaqet. Për ti ikur anktheve të tij, ai do të projektojë një marrëdhënie shkrirëse me një tjetër person dhe do ta akuzojë atë, për gjithë të këqijat. Një sjellje në kufijtë e çmendurisë për psikoanalistin Bouchoux : ‘në vend të luhet me vetveten, skizofrenia do të luhet brenda çiftit.’

Nëse lidhja me tjetrin, është qendrore tek Perversi dhe se, ai ka nevojë për një viktimë për të ‘funksionuar’,  kjo kalon në plan të dytë tek Tirani, që kërkon para së gjithash kënaqësinë e tij pa u shqetësuar për ato, që e rrethojnë. Është ky kërkim i kënaqësisë së menjëhershme e dyfishuar me një egoizëm të thellë, që mund ta çojë në shfrytëzimin dhe në poshtërimin e tjetrit. Kjo diferencë përkthehet konkretisht nga fakti, që më shpesh perversi narcizist nuk ka veçse një viktimë, ndërkohë që tirani e ushtron diktaturën e tij ndaj të tërëve. Psikoanalisti shpjegon se, perversi mund të jetë komplet një ‘qengj’ në punë dhe një ‘despot’ në shtëpi ose e kundërta.

Perversi dhe Tirani dallohen gjithashtu nga ndërgjegjja, që ato kanë për veprimet e tyre. Perversi i mohon përgjegjësinë, origjinën e akteve të tij dhe të pasojave të tyre. Ai mund të funksionojë shumë mire dhe janë pikërisht ato, që e rrethojnë që vuajnë.

Adulti tiran, në të kundërt është i ndërgjegjshëm që vepron në forma egoiste, ndaj shkatërrimit të të tjerëve, sepse e ka shndërruar këtë në filozofi të jetës. Përballë realiteteve acaruese të jetës, tirani është po ashtu i dyshimtë se mund të zhvillojë gjendje ankthi dhe depresioni, duke e çuar atë dhe deri në akte vetëvrasje.

Psikologët rekomandojnë se, nuk duhet në asnjë rast ti sigurojmë këto persona, sepse rrezikojmë të ushqejmë dhe të përforcojmë sjelljet e tyre. Përkundrazi, duhet ti vendosim përballë realitetit, ti detyrojmë të pozicionohen dhe shpeshherë edhe ti fajësojmë.

Fillimisht duhet pranuar realiteti dhe fakti se, këto persona nuk ndryshojnë dot vetë. Hapi i dytë, rekomandohet të jemi konfliktualë, por kujdes, jo agresiv! Duhet të shprehim mosaprovimin tonë, të mbrohemi, të kërkojmë në mënyrë të qartë ndryshimin e sjelljes së tij dhe të formulojmë kritika. Hapi i fundit duhet ti sanksionojmë, por edhe ti shpërblejmë kur kanë të drejtë, njësoj siç veprojmë edhe me fëmijët.

marrë me shkurtime nga ‘Bota e Inteligjencës’

autor Clémence Gueidan

BE: ATLAS nën presidencën gjermane, simulimi më i madh antiterrorist në Europë

Komisioni Europian
Komisioni Europian

Sipas një komunikimi për shtyp të Komisionit Europian, rrjeti Europian ATLAS, që përbëhet nga njësitë speciale të forcave policore të 27 vendeve anëtare dhe që aktualisht është nën presidencën gjermane, po organizon operacionin më të madh simulues antiterrorist në rang evropian. Sot dhe nesër, në 9 vende të ndryshme evropiane, Austri, Belgjikë, Irlandë, Itali, Letoni, Sllovaki, Spanjë, Suedi dhe Rumani, po organizohen ushtrime simuluese nga rrjeti ATLAS, i cili merret me përgatitjet më komplekse dhe simulimet e përgjigjeve ndaj krizave në nivel Europian. Simulimet përfshijnë sulme të menjëhershme terroriste, paralelisht në 9 shtete të ndryshme evropiane.

Gilles de Kerchove, Koordinatori i Luftës kundër Terrorizmit, në BE, deklaroi se, në Europë ne vazhdojmë të përballemi me një kërcënim serioz terrorist, dhe se ne po punojmë që ti mbrojmë sa më mire qytetarët europian. Ky simulim, që po organizohet në 9 vende europiane njëkohësisht, është më i madhi i organizuar ndonjëherë.

Komisioneria e BE-së për Punët e Brendshme, Cecilia Malmström deklaroi gjithashtu se, lufta kundër terrorizmit është një nga sfidat kryesore të sigurisë sonë të brendshme. Terrorizmi nuk njeh kufij dhe mbajtja e sigurisë publike është një sfidë komplekse, e cila kërkon koordinimin e përpjekjeve tona. Ajo deklaroi gjithashtu, se beson që bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve policore në Europë, është tashmë më e nevojshme se kurrë dhe se ajo e mirëpret ushtrimin e rrjetit ATLAS.

Rrjeti ATLAS, kontribuon në rritjen e efikasitetit dhe të ekspertizës së njësive te ndërhyrjes speciale, duke ndërtuar platforma të përbashkëta për trajnime dhe taktika, duke ndarë pajisjet dhe duke ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në hapësirën ndërkufitare të shteteve anëtare. Sulmet e kaluara terroriste, të kryera si nga individë po ashtu edhe nga grupe, si jashtë Europës po ashtu edhe brenda saj, kanë shfaqur një sofistikim të madh dhe koordinim të grupeve terroriste. Më 2008, sulmet e koordinuara të Mumbai, sulmet e Al Kaedës më 2012, ndaj zonës së prodhimit të gazit, si edhe sulmet e fundit me bomba në Maratonën e Bostonit, nënvizojnë nevojën e rritjes së mbrojtjes kundrejt sulmeve, si në infrastrukturën kritike dhe në mjediset publike, në një kontekst kombëtar dhe ndërkufitar. Në mënyrë që tu sigurojmë mbrojtje të njëjtë, gjithë qytetarëve të BE-së, rrjeti ATLAS shkëmben praktikat më të mira, procedura si edhe ndërmerr ushtrime të përbashkëta trajnuese. Në mënyrë që BE, të jetë e përgatitur kundër sulmeve terroriste, simulime të vërteta të jetës reale, do të kryhen nga anëtarët e ATLAS të njësive antiterroriste nga Shtete të ndryshme Anëtare.

‘Sfida e Përbashkët’, është quajtur trajnimi simulues i sulmeve terroriste, në 9 shtete të ndryshme të BE-së, në ambiente të ndryshme publike. Shënjestra të simuluara terroriste përfshijnë sulme në termocentrale, shkolla, mjetet e ndryshme të transportit publik (tren, autobus, anije). Ky simulim, më i madh i këtij lloji në rang europian, do të ndihmojë në praktikimin dhe nxjerrjen e mësimeve, se, si të fuqizohen më tej përgatitjet dhe përgjigjet e krizave. Drejtoria e Përgjithshme për Punët e Brendshme, është përgjegjëse për koordinimin e ushtrimeve simuluese, të cilat kryhen në bashkëpunim me Presidencën e ATLAS, të mbajtur nga njësitë Speciale të Policisë Gjermane (GSG9).

Rrjeti ATLAS është një shembull i pozicionit pro-aktiv kundër terrorizmit dhe nënvizon solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve anëtare të Bashkimit Europian, siç është rregulluar nëpërmjet nenit 222, të Traktatit të Lisbonës, duke kontribuar në sigurimin dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurisë publike në BE.

Rrjeti ATLAS, është krijuar më 2001, është një shoqatë e përbërë nga njësi speciale të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, që merren me luftimin e terrorizmit dhe akteve të tjera kriminale. Rrjeti financohet dhe mbështetet nga Komisioni Europian, Drejtoria e Përgjithshme e Punëve të Brendshme. Qëllimi i rrjetit ATLAS është përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet njësive policore dhe vlerësimi i aftësive nëpërmjet trajnimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.

 

Rama: plan energjetik, merr fund varësia e Kosovës nga Serbia

Lideri i Partisë Socialiste, Rama prezantoi kapitullin e programit për Infrastrukturën, Turizmin, Burimet Natyrore dhe Mjedisin, në Peshkopi. Prezantimi u fokusua dhe në një nga pikat e rëndësishme gjeopolitike, siç është ajo e ndërtimit të një plani mbarëkombëtar strategjik për sigurinë energjetike, mes qeverisë së Kosovës dhe së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, sipas Ramës do të bëhet edhe shkëputja e varësisë energjetike të Kosovës nga Serbia.

‘’Brenda dy viteve të para, në bashkëpunim me të gjitha realitetet vendore, në bashkëpunim me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, ne t’i japim Shqipërisë një plan kombëtar të zhvillimit.

Është e nevojshme që ne të ndërtojmë një plan mbarëkombëtar strategjik për sigurinë energjetike. Që do të thotë një plan mbarëkombëtar strategjik mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Në gjithë hapësirën shqiptare që përmbledh këto dy shtete të mund të garantohet jo vetëm furnizimi me energji elektrike i familjeve dhe i bizneseve, jo vetëm e ardhmja e këtij furnizimi, por edhe furnizimi me energji me çmime të arsyeshme, të cilat të mund të jenë të përballueshme qoftë nga familjet, qoftë nga bizneset. 

Kjo kërkon që ne t’i qasemi problemit të pasigurisë energjetike me një vizion të ri dhe t’i japim kuptim atij transformimi të madh gjeopolitik, që ka ndodhur dhe që ka sjellë krijimin e një tjetër shteti shqiptar. T’i japim kuptim faktit që kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është pengesë për zhvillimin e përbashkët ekonomik, social, kulturor, përkundrazi është një arsye për të kuptuar se duhet të përfitojmë maksimalisht nga kushtet e reja në mënyrë që familjet shqiptare këtej dhe andej kufirit të jetojnë më mirë, të kenë më shumë punë, të kenë më shumë mirëqenie, të kenë më shumë arsye për t’u ndjerë të qetë dhe krenarë në atdheun tonë të përbashkët. 

Tre çështje konkrete. 

E para, lidhet me vënien, menjëherë, në jetë të projektit të interkonjeksionit që lidh, praktikisht, nga pikëpamja energjike Kosovën me Shqipërinë, pavarëson Kosovën nga Serbia, që sot është i vetmi burim marrës i energjisë dhe integron tregun energjetikduke shtuar një lidhje të re.

Projekt, që është penguar në mënyrën më absurde, por edhe më të dyshimtë nga qeveria, projekt që financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe ka mbështetjen e qeverisë gjermane. Projekt, që sot e gjithë ditën mbahet në sirtar si shprehje kuptimplotë e faktit që ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre që qeverisin, të cilët për atdhetarinë dhe për atdheun e përbashkët dinë vetëm të flasim, ndërkohë që ne dimë të bëjmë, jo vetëm të flasim. 

E dyta, është çështja e 300 lejeve që janë dhënë në formë koncesionesh për të shfrytëzuar pasurinë e përbashkët. Kudo ku rrjedh ujë këta kanë dhënë një koncesion për të bërë hidrocentral. Dihet, botërisht, se pjesa më e madhe e këtyre lejeve janë kthyer në letra me vlerë në një treg të zi ku i shiten njëri tjetrit. Nga njëra anë transparencë për gjithë këto leje nga ana tjetër shqyrtim i të gjitha kontratave që janë vënë në lëvizje. Për çdo kontratë të parespektuar ku është dëmtuar shteti, pra është dëmtuar publiku, pra janë dëmtuar qytetarët, ne do të marrim masa sipas ligjit dhe sipas ligjit.Ne do të anulojmë të gjithë lejet që janë në shkelje të kontratave dhe të detyrimeve ndaj publikut, që deri më sot ka mbetur i pambrojtur dhe i papërfaqësuar, dhe që pas 23 qershorit do të ketë mbrojtës dhe përfaqësues të vetën qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Lidhur me naftën. Aktualisht, sa për një dijeni, sot, zyrtarisht vidhen 100 mijë tonë naftë. Kështu, i faturohet popullit shqiptar që e ka pasuri të vetën, naftën, një humbje 45 milion dollarë në vit. Humbje e drejtpërdrejtë. Parafytyroni, sikur 50 milionë dollarëve në vit, që janë ndihmë ekonomike që ju jepen familjeve që janë në nevojë dhe nuk kanë punë, t’ju shtohen edhe këto 45 milionë dhe të shkojnë tek rreth 100 milion dollarë ndihmë, të cilën ne ta kthejmë nga një lëmoshë që e dini mirë që përdoret për të mbajtur peng njerëzit më të varfër, në emër të lidhjes me pushtetin. E, madje, ju pritet 3-4 muaj para zgjedhjeve dhe u thuhet nëqoftëse e doni duhet të votoni për partinë në pushtet. Pra, ta kthejmë nga një lëmoshë e tillë skllavëruese në një fond të madh kombëtar për riintegrim përmes punës, duke krijuar kushte punësimi për të gjithë ata burra e gra që janë në gjendje fizike normale, por që nuk arrijnë dot të gjejnë një punë. Parafytyroni çfarë transformimi do të sillte kjo në ekonominë tonë.

 

(…)

Rama: Saliu i PPE-së nuk e shpëton dot Saliun e PD-së

rama (1)Lideri Socialist Rama, ka reaguar nëpërmjet rrjetit social Twitter, në lidhje me deklaratën e Presidentit të Partisë Popullore Europiane, Martens, duke deklaruar : “Saliu i PPE flet për KQZ-në si të ishte vegël e partive! Por ligji flet ndryshe. SHBA e BE po ashtu. Saliu i PPE-së s’e shpëton dot Saliun e PD”

Presidenti i PPE-së, Martens ka deklaruar sot, se dënon bojktoin që i është bërë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, nga anëtarët socialistë. Sipas tij, është e rëndësishme që të ruhet balanca brenda KQZ-së, çka është përcaktuar nga një marrëveshje ndërpartiake dhe nga ligjet për zgjedhjet. Çdo përpjekje për të modifikuar balancën e pranuar, katër anëtarë nga qeveria dhe tre nga opozita, është një përpjekje për të destabilizuar të gjithë sistemin zgjedhor dy muaj përpara zgjedhjeve. Në këto kushte, sipas Martens, tërheqja e anëtarëve socialistë është e papranueshme. Martens e mbyll deklaratën duke theksuar, se është e panevojshme të theksojmë se PPE mbështet fuqishëm kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike dhe është e bindur, se zgjedhjet e 23 qershorit do të shënojnë një hap vendimtar për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.

HRW: Sudani të ndalë martesat e forcuara të fëmijëve

foto HRW-/Helen 18 vjeç dhe burri i saj 50 vjeç
foto HRW-/Helen 18 vjeç dhe burri i saj 50 vjeç

Organizata e Ruajtjes së të Drejtave të Njeriut, HRW ka publikuar një raport mbi martesat e detyruara në Sudanin e Jugut. Sipas statistikave qeveritare, afërisht 48% e vajzave të Sudanit të Jugut nga mosha 15-19 vjeç janë të martuara, disa edhe në moshën 12 vjeçare. Raporti prej 95 faqesh i titulluar, ‘Ky plak ne, mund të na ushqejë, ti duhet të martohesh me të’ Fëmijët dhe martesat e forcuara në Sudanin e Jugut’, jep në detaje pasojat e martesave të parakohshme, mungesën thuajse totale të mbrojtjes për viktimat, që tentojnë të refuzojnë të martohen, ose ti arratisen bashkimeve abuzive.

Vajzat e reja në moshë i kanë treguar HRW, se ato janë pre e presioneve nga shumica e anëtarëve të familjes për tu martuar, ose sepse, ato familja kërkon të sigurojë një prikë, ose, se ato dyshojnë se vajza ka kryer marrëdhënie seksuale paramartesore. Njëra nga vajzat, deklaron për HRW, se nuk e donte burrin që i ofruan, por ato e rrahën shumë keq dhe e dërguan, po tek  ky burrë me forcë. Personi e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me të, dhe vajza  ishte e detyruar të qëndronte aty.

Në Sudanin e Jugut shumë pak prej vajzave, e dinë se, kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë. Ndërsa për sa u përket atyre, të cilat përpiqen ti rezistojnë martesave të parakohshme të detyruara, ato bëhen pre e pasojave më brutale nga familjet e tyre, si fyerje, agresione fizike, deri, duke e paguar me jetën e tyre.

Raporti rrëfen historinë e një vajze të re 17 vjeçare, të Shteteve të Liqenit, ku babai i saj kërkonte ta martonte me forcë, me një burrë të moshuar, i cili i kishte ofruar familjes një prikë prej 200 lopësh. Vajza kishte refuzuar duke iu përgjigjur : ‘’ Nuk e njoh këtë njeri, nuk i kam folur kurrë dhe për më tepër nuk është mosha ime’’. Ajo u mor, u dërgua në një pyll aty afër,  e lidhën në një pemë, duke e rrahur deri sa ajo vdiq.

Raporti rekomandon që qeveria të fiksojë qartësisht moshën minimum të martesës në 18-vjeç; të ratifikojë Konventën mbi eliminimin e gjithë formave të diskriminimit përballë femrave; të ratifikojë Konventën në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe traktatet e tjerë ndërkombëtarë, mbi të drejtat e njeriut ; dhe së fundmi të adaptojë një legjislacion të përbëre që të rregullojë martesat, ndarjet dhe divorcin.

Martesa e parakohshme shqetëson dhe ndërpret shkollimin e vajzave të reja, rrit riskun që ato të bëhen pre e dhunës dhe abuzimeve dhe vë shëndetin e tyre në rrezik. Nga ana tjetër dështimi për te luftuar martesën e fëmijëve, rrezikon te ketë pasoja të rënda mbi zhvillimin e ardhshëm të Sudanit të Jugut, ka deklaruar HRW.

Ai komprometon edukimin, shëndetin, sigurinë dhe progresin ekonomik të vajzave dhe grave, të familjeve dhe komuniteteve të tyre.

Vajzat i kanë rrëfyer HRW, se ëndrrat e tyre për të ndjekur studimet dhe për tu bërë një ditë llogaritare, mësuese dhe mjeke ishin thyer nga martesa.

Martesa e parakohshme paraqet dhe probleme shëndetësore për vajzat e reja duke pasur një risk më të madh për të vdekur për shkak të problemeve të shtatzënisë dhe lindjeve të parakohshme, pasi trupat e tyre nuk kanë arritur fazën e maturimit fizik.

HRW, i ka bërë thirrje qeverisë sudaneze të jugut në mbështetje dhe me partnerët e zhvillimit të : përpunojnë dhe vënë në jetë një plan të gjerë veprimi kombëtar, për parandalimin e martesave të parakohshme dhe të luftojnë kundër pasojave të tyre; të përpilojnë direktiva për Ministritë dhe Agjencitë qeveritare, se, si duhet të trajtojnë rastet e martesave të parakohshme; të organizojnë legjislacionin dhe formacione në gjirin e qeverisë për forcat e rendit, mbi të drejtat e vajzave dhe të drejtat për të qenë të mbrojtura ndaj martesave të parakohshme; ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësimi në popullatë, për dëmet e shkaktuara nga martesa e parakohshme ; programe për sigurimin e ndihmës ndaj vajzave, që i ikin martesave të detyruara.

Vlerësohet se çdo vit, 14 milionë vajza në botë, janë të martuara përpara moshës 18-vjeçare. Një raport i UNICEF-it i 2012, tregonte se ndërmjet vajzave të moshës 20-24 vjeç, pothuajse një në tre, ka qenë e martuar përpara se të mbushte 18- vjeç dhe përafërsisht 11% përpara moshës 15- vjeç. Martesa e parakohshme ekziston në të gjitha rajonet e botës, por në Azinë e Jugut, në Afrikën Subsahariane, në Amerikën Latine dhe në Karaibe, e takojmë më shpesh këtë fenomen.

Bylis-Laçi, finalja e Kupës së Shqipërisë

BylisBylis dhe Laçi janë kualifikuar për herë të parë në historinë e tyre në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Në ndeshjet gjysmëfinale që u luajtën sot, Bylis fitoi në fushën e vet me kampionët në fuqi të Skënderbeut me rezultatin minimal 1-0.

Goli i vetëm i takimit u shënua nga Julian Gërxho me një gjuajtje të saktë nga një goditje dënimi nga një distancë rreth 35 metra.

Ndeshja e parë e luajtur para dy javësh në Korçë kishte përfunduar në barazim 1-1, kështu që me fitoren e sotme, mallakastriotët sigurojnë biletën për në finale.

Në ndeshjen tjetër që u luajt në Laç, vendësit fituan 2-1 me Kukësin. Nimani hap serinë e golave në minutën e 33-të, ndërsa Peqini barazon për miqtë në të 65’.

Por Laçi do të rimarrë sërish epërsinë, ku Çela 12 minuta para përfundimit të takimit shënon golin e dytë dhe të fitores. Sfida e parë e luajtur në Kukës kishte përfunduar pa gola, ndaj laçianët me këtë fitore kualifikohen për në finalen e Kupës së Shqipërisë, trofe të cilin do ta diskutojnë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” me Bylisin.