Rama: plan energjetik, merr fund varësia e Kosovës nga Serbia

52

Lideri i Partisë Socialiste, Rama prezantoi kapitullin e programit për Infrastrukturën, Turizmin, Burimet Natyrore dhe Mjedisin, në Peshkopi. Prezantimi u fokusua dhe në një nga pikat e rëndësishme gjeopolitike, siç është ajo e ndërtimit të një plani mbarëkombëtar strategjik për sigurinë energjetike, mes qeverisë së Kosovës dhe së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, sipas Ramës do të bëhet edhe shkëputja e varësisë energjetike të Kosovës nga Serbia.

‘’Brenda dy viteve të para, në bashkëpunim me të gjitha realitetet vendore, në bashkëpunim me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, ne t’i japim Shqipërisë një plan kombëtar të zhvillimit.

Është e nevojshme që ne të ndërtojmë një plan mbarëkombëtar strategjik për sigurinë energjetike. Që do të thotë një plan mbarëkombëtar strategjik mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Në gjithë hapësirën shqiptare që përmbledh këto dy shtete të mund të garantohet jo vetëm furnizimi me energji elektrike i familjeve dhe i bizneseve, jo vetëm e ardhmja e këtij furnizimi, por edhe furnizimi me energji me çmime të arsyeshme, të cilat të mund të jenë të përballueshme qoftë nga familjet, qoftë nga bizneset. 

Kjo kërkon që ne t’i qasemi problemit të pasigurisë energjetike me një vizion të ri dhe t’i japim kuptim atij transformimi të madh gjeopolitik, që ka ndodhur dhe që ka sjellë krijimin e një tjetër shteti shqiptar. T’i japim kuptim faktit që kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është pengesë për zhvillimin e përbashkët ekonomik, social, kulturor, përkundrazi është një arsye për të kuptuar se duhet të përfitojmë maksimalisht nga kushtet e reja në mënyrë që familjet shqiptare këtej dhe andej kufirit të jetojnë më mirë, të kenë më shumë punë, të kenë më shumë mirëqenie, të kenë më shumë arsye për t’u ndjerë të qetë dhe krenarë në atdheun tonë të përbashkët. 

Tre çështje konkrete. 

E para, lidhet me vënien, menjëherë, në jetë të projektit të interkonjeksionit që lidh, praktikisht, nga pikëpamja energjike Kosovën me Shqipërinë, pavarëson Kosovën nga Serbia, që sot është i vetmi burim marrës i energjisë dhe integron tregun energjetikduke shtuar një lidhje të re.

Projekt, që është penguar në mënyrën më absurde, por edhe më të dyshimtë nga qeveria, projekt që financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe ka mbështetjen e qeverisë gjermane. Projekt, që sot e gjithë ditën mbahet në sirtar si shprehje kuptimplotë e faktit që ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre që qeverisin, të cilët për atdhetarinë dhe për atdheun e përbashkët dinë vetëm të flasim, ndërkohë që ne dimë të bëjmë, jo vetëm të flasim. 

E dyta, është çështja e 300 lejeve që janë dhënë në formë koncesionesh për të shfrytëzuar pasurinë e përbashkët. Kudo ku rrjedh ujë këta kanë dhënë një koncesion për të bërë hidrocentral. Dihet, botërisht, se pjesa më e madhe e këtyre lejeve janë kthyer në letra me vlerë në një treg të zi ku i shiten njëri tjetrit. Nga njëra anë transparencë për gjithë këto leje nga ana tjetër shqyrtim i të gjitha kontratave që janë vënë në lëvizje. Për çdo kontratë të parespektuar ku është dëmtuar shteti, pra është dëmtuar publiku, pra janë dëmtuar qytetarët, ne do të marrim masa sipas ligjit dhe sipas ligjit.Ne do të anulojmë të gjithë lejet që janë në shkelje të kontratave dhe të detyrimeve ndaj publikut, që deri më sot ka mbetur i pambrojtur dhe i papërfaqësuar, dhe që pas 23 qershorit do të ketë mbrojtës dhe përfaqësues të vetën qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Lidhur me naftën. Aktualisht, sa për një dijeni, sot, zyrtarisht vidhen 100 mijë tonë naftë. Kështu, i faturohet popullit shqiptar që e ka pasuri të vetën, naftën, një humbje 45 milion dollarë në vit. Humbje e drejtpërdrejtë. Parafytyroni, sikur 50 milionë dollarëve në vit, që janë ndihmë ekonomike që ju jepen familjeve që janë në nevojë dhe nuk kanë punë, t’ju shtohen edhe këto 45 milionë dhe të shkojnë tek rreth 100 milion dollarë ndihmë, të cilën ne ta kthejmë nga një lëmoshë që e dini mirë që përdoret për të mbajtur peng njerëzit më të varfër, në emër të lidhjes me pushtetin. E, madje, ju pritet 3-4 muaj para zgjedhjeve dhe u thuhet nëqoftëse e doni duhet të votoni për partinë në pushtet. Pra, ta kthejmë nga një lëmoshë e tillë skllavëruese në një fond të madh kombëtar për riintegrim përmes punës, duke krijuar kushte punësimi për të gjithë ata burra e gra që janë në gjendje fizike normale, por që nuk arrijnë dot të gjejnë një punë. Parafytyroni çfarë transformimi do të sillte kjo në ekonominë tonë.

 

(…)