Rama gazetarëve: partia familjare e Saliut po uzurpon KQZ-në

56

Lideri i opozitës socialiste Rama, në një takim sot me gazetarët është prononcuar mbi shumë çështje të rëndësishme, si ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar kundër tij, mbi KQZ-në dhe kriteret për zgjedhjet e deputetëve, marrëveshjen me LSI-në, dhe me kryetarin e PDS, Paskal Milo, marrëdhënien me profesor Rexhep Qosen dhe akuzat e kryeministrit Berisha, mbi raportin e Bankës Botërore, etj.

Më poshtë do gjeni të plotë, pyetjet e gazetarëve dhe përgjigjet e liderit opozitar Rama :

Pyetje: Së pari, maxhoranca, grupi parlamentar demokrat ka nisur një komision hetimor ndaj jush lidhur me atë që është cilësuar një incident mes jush dhe diplomatit Ceka në Vjenë. Cila është e vërteta sipas jush rreth asaj që ndodhi atje dhe cila është përgjigja juaj që i drejtoni le të themi grupit parlamentar për këtë iniciativë. E dyta, lidhet me listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për deputet, sa larg nga përfundimi i asaj liste jeni. Dhe cila është përgjigjja juaj për shqetësimet e disa deputetëve aktualë mes tyre dhe anëtarë të kryesisë së PS-së që thonë që në lista po vihen individë që nuk e meritojnë.

Së pari, përsa i përket veshit. Dua të shprehem shumë i kënaqur që mora medaljen e radhës nga Partia Demokratike dhe nga kryetari i saj, që do të thotë komisionin hetimor të radhës. Edhe pse më duhet të them që nga komisioni hetimor, në komision hetimor, në komision hetimor ka një degradim të vazhdueshëm siç është rrënimi i përgjithshëm i qeverisjes, rrënimi i përgjithshëm i rrugës logjike të komunikimit me popullin dhe me opozitën, rrënimi i përgjithshëm i vetë PD-së që sot është një parti familjare. Përsa i përket pastaj përmbajtjes ka vetëm një përgjigje. Kam parë se ka pasur një mbështetje shumë të madhe publike në rrjetet sociale propozimi i artistit të njohur shqiptar Fate Velaj për ta shpallur 24 prillin ditën kombëtare të shkuljes së veshit. Do ishte një ditë e bukur ku secili mund t’i shkulte veshin vetes ose t’i shkulte veshin kujtdoqoftë rreth e rrotull për çfarëdo nevoje për të reflektuar dhe për të përmirësuar veten dhe për të përmirësuar njëri-tjetrin. Është shumë paqësore si ide dhe do të ishte një ditë e veçantë në 365 ditët e vitit shqiptar. Ndërkohë që për përmbajtjen jam shprehur.

Në raport me listat është e natyrshme që të ketë edhe ndonjë stonaturë në ndonjë dalje publike. Unë i mirëkuptoj edhe stonaturat, edhe pse janë plotësisht të evitueshme. Ne po punojmë dhe po bashkërendojmë idetë. E, po bashkërendojmë edhe sensin logjik të gjithë ndërtimit të skuadrës sonë kombëtare, në një proces ku janë përfshirë drejtues politikë, ku janë përfshirë drejtues lokalë, ku janë përfshirë edhe aktorë dhe faktorë të rëndësishëm të jetës politike brenda familjes sonë politike, por edhe të jetës sociale në zona dhe komunitete të ndryshme.

Jemi të bindur që Skuadra jonë Kombëtare do të jetë një skuadër që do të jetë në lartësinë e sfidës që kemi, që është çuarja përpara e projektit tonë historik për të krijuar kushtet që të ketë një Rilindje Shqiptare

Pyetje: Pyetja e parë ka të bëjë me marrëveshjen me LSI-në, ju keni arritur një marrëveshje paraprake, por  a mund të zbulojmë disa detaje, sidomos për periudhën paszgjedhore. Pyetja e dytë ka të bëjë me disa kritika që kanë ardhur nga partitë e vogla dhe më konkretisht zoti Milo ka deklaruar se PS mund t’u ofronte më shumë aleatëve të saj tradicionalë. A besoni edhe ju se mund t’i jepnin ndoshta diçka më shumë, duke përfshirë edhe atë diskutim që u bë për përfshirjen e krerëve të këtyre partive në listat e PS-së. Pyetja e tretë, është folur kohët e fundit për një nismë, nuk e dimë sa është e vërtetë, që deputetët nuk do jenë ministra. Pra, kabineti qeveritar do të krijohet nga persona që nuk do jenë zgjedhur në zgjedhjet e 23 qershorit. A është e vërtetë kjo nismë?

Po e nis nga fundi, sepse e kundërta është e vërtetë. Ministrat do të zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandatit të ministrit do të heqin dorë nga mandati i deputetit. Pra, ministrat do të jenë përgjithësisht figura politike, figura që janë pjesë e Skuadrës sonë Kombëtare të Rilindjes, por do të bëjmë një ndarje të punëve, siç kemi rënë dakord dhe siç e kemi sanksionuar edhe në marrëveshjen me LSI-në, por edhe në marrëveshje me të gjitha forcat e tjera të koalicionit duke bërë që Parlamenti të bëjë parlamentin, legjislativi të bëjë legjislativin dhe ekzekutivi të bëjë ekzekutivin. Duke krijuar kështu një ekuilibër të ri dhe një hapësirë shumë më të madhe për kontrollin parlamentar, por edhe për t’i kryer punët në shërbim të publikut shumë më mirë dhe shumë më të fokusuar nga ana e qeverisë. Duke shtuar padyshim edhe numrin e njerëzve tanë pjesëmarrës në atë hapësirë që është hapësira që, nesër, do të jetë e ndarë mes parlamentit dhe qeverisë.

Është normale që aleatët e vegjël të kërkojnë gjithnjë e më shumë, sepse duan të rriten, apo jo? Por, besoj që kemi arritur marrëveshje korrekte me të gjithë. Për sa i përket marrëveshjes me LSI-në specifikisht është një marrëveshje shumë e detajuar, të cilën e keni disponibël, pasi është nënshkruar publikisht dhe është nënshkruar mbi një tekst prej 15 pikash në mos gabohem që janë “A”-ja, “B”-ja, “C”-ja, dhe “Zh”-ja e marrëveshjes sonë. Nuk ka asgjë tjetër përtej atij teksti.

Pyetje: Meqë jemi te marrëveshja me LSI-në, ju thoni që nuk ka përtej atij teksti asnjë gërmë tjetër, por flitet shumë që pjesë e kësaj marrëveshjeje, mbase jo e shkruar është edhe përfshirja në listën e PS-së e disa kandidatëve të ardhur nga LSI. A është edhe zoti Gjinushi pjesë e këtyre listave, apo nuk keni rënë dakord, sepse zoti Milo në këtë pikën duke e quajtur shumë të vështirë këtë marrëveshje që pati me PS-në u duk i pakënaqur që nuk ju plotësua një nga kushtet kryesore, pikërisht kjo, përfshirja në listat e PS.

Ju u është dukur shumë i pakënaqur, mua më është dukur mjaftueshmërisht i kënaqur. Kjo është çështje perceptimi. Ndërkohë që ajo që është e rëndësishme është fakti që me PDS-në kemi firmosur një marrëveshje të cilës ne do t’i qëndrojmë pikë për pikë dhe Partia Demokracia Sociale nëpërmjet profesor Paskal Milos është shprehur e kënaqur për atë marrëveshje, edhe pse sigurisht do të kishte dashur më shumë. Kush nga partitë e vogla nuk do të kishte dashur më shumë. Ndërkohë që për sa i përket skuadrës sonë dhe për sa i përket listave unë besoj që është përjashtuar edhe nga vetë kryetari i LSI-së, pjesëmarrja e LSI-së me prezencë të zgjeruar në listat tona. Në fund të fundit një gjë është e sigurt. Ne do t’u paraqesim shqiptarëve një skuadër konkurruese, fituese dhe të aftë për të çuar projektin, tanimë, të shkruar dhe të detajuar si asnjë herë tjetër nga një forcë politike në këto 22 vjet përpara zgjedhjeve, për të rilindur Shqipërinë. Ne do të paraqiteni përpara shqiptarëve jo vetëm, por me një Aleancë për Shqipërinë Europiane, një aleancë që është më e gjera që ka pasur ndonjëherë në këtë vend në një konkurrim zgjedhor. Sigurisht, që si forca e parë e kësaj aleance, ne jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e krijimit të një sinergjie, përtej sinergjisë së brendshme në Partinë Socialiste. Që do të thotë se do të jemi në kohezion, në harmoni, në bashkërendim me aleatët. E fundit, më lejoni tua përsëris, bashkimi Partisë Socialistë me LSI-në, nuk është një bashkim mekanik, as një bashkim aritmetik, nuk është as një bashkim për t’u rikthyer në hullinë e së shkuarës me sinore të ndara me thikë dhe me tensione që krijohen për shkak të kësaj ndarjeje me thikë. Është një bashkim strategjik, që ka një objektiv afatshkurtër që është një fitore e plotë, e qartë dhe e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe një objektiv afatgjatë që është përsosja e të gjithë mekanizmave të qeverisjes duke e rikonceptuar sistemin qeverisës nga themeli, si edhe krijimin e një sinergjie të re në gjithë spektrin e qendrës së majtë.

Pyetje: Nuk besoj se është vetëm çështje perceptimi ajo që ishte pakënaqësi apo jo e zotit Milo karshi marrëveshjes që bëri me PS. Por, zoti Milo u shpreh se në ndryshim nga ju zoti Berisha i trajtoi shumë më mirë aleatët, duke i përfshirë ata në listat e deputetëve të PD-së. Pyetja e fundit, sa i përket raportit që ju prezantuat. Ka pasur dje një akuzë nga Ministria e Arsimit se ky nuk është një raport i Bankës Botërore, por është një raport i hartuar në “zyrat mavi”,  siç i quajnë ata.

E para e punës, besoj që në çështje të ngjyrave nuk ka pasur ndonjëherë konkurrencë. Në kuptimin që kemi qenë gjithmonë të fituar. E dyta, në çështjet e arsimit Ministria e Arsimit nuk ka gojë të flasë, siç nuk ka gojë të flasë në çështjet e krimit Ministria e Brendshme, siç nuk ka gojë të flasë në çështje të fshatit Ministria e Bujqësisë, siç nuk ka gojë të flasë në çështje të transportit Ministria e Transportit, sepse siç e shihni ka një humnerë mes fjalëve të tyre dhe realitetit. Shihini rrugët e Shqipërisë! Unë udhëtoj rregullisht në rrugët e Shqipërisë. Udhëtoj prej vitesh dhe po ju them që kurrë më parë si në këto vite të qeverisjes së partisë familjare të Saliut rrugët e Shqipërisë nuk kanë qenë në gjendjen që janë sot. Është një gjendje rrënimi i përditshëm. Kurrë më parë paratë e popullit shqiptar nuk kanë qenë kaq të shumta për të investuar në rrugë dhe investimet nuk kanë qenë kaq të dobëta dhe të paqëndrueshme si në këto vite.

Shikoni gjendjen e fshatit. Është një gjendje mesjetare. Shqipëria sot nuk arrin dot të vadisë tokat e veta. Një turp i pashembullt në mes të Europës. Unikale në mes të Europës. Nuk ka asnjë vend në rajon, se në Europë jo e jo, që nuk arrin të vadisë dot tokat e veta, që përmbytet rregullisht nga mungesa e sistemit të kullimit. E, si mund të flasë Ministria e Brendshme, apo ministri i Brendshëm kur krimi po bën kërdinë dhe kur lidhjet e krimit me kupolën e Ministrisë së Brendshme janë më evidente se kurrë. E çfarë mund të flasë Ministria e Arsimit? Do flasë për universitetet, që janë kthyer në një skemë piramidale që investimet e prindërve i kthen në diploma pa asnjë vlerë, apo do flasë për 57% analfabetizëm funksional. E pra, kjo është dhe drama e madhe, drama e madhe e këtij rrënimi të mëtejshëm. Sepse nga një anë kemi rrënim të vazhdueshëm, nga ana tjetër kemi një përshkallëzim të vazhdueshëm të propagandës me gënjeshtra, me suksese imagjinare, me sajesa, me shpifje dhe me situata deri dhe kaq qesharake sa janë gati-gati sureale, si kjo historia e veshit. Domethënë një qeveri e tërë që angazhohet në një proces hetimor mbi asgjë. Mbi fabulën më qesharake që mund të gjendet. Këto janë shprehje të një krize të madhe dhe të një degradimi të madh, që normalisht është edhe shprehje e faktit se Shqipëria është marrë peng dhe do të mbahet peng deri në 23 qershor. Shqipëria pësoi rrënimin e dytë, kësaj radhe të ftohtë jo të nxehtë pas atij të ’97. Një rrënim ekonomik, social, demokratik, i pashembullt.

Pyetje: Po për deklaratat e Milos në lidhje me aleatët e tjerë?

I dhashë përgjigjet e mia dhe nuk kam asgjë për të shtuar. I mirëkuptoj të gjitha shprehjet e kriticizmit, siç mirëkuptoj edhe të gjitha deformimet që i bëhen nga mediat këtyre shprehjeve. Nuk ka asnjë problem. Ne jemi shumë të kthjellët dhe jemi shumë të fokusuar tek fitorja e 23 qershorit me një vizion të ri, me një program të ri, me një skuadër që harmonizon njerëzit më me eksperiencë me njerëz fare të rinj dhe sigurisht edhe me një lidership të ri në krye të vendit.

Pyetje: Dje kemi pasur disa deklarata të kryeministrit Berisha, ku akuzoheshit ju dhe akademikun kosovar Rexhep Qosja se po mbroni periudhën e diktaturës. Përveçse do të doja një koment për këto deklarata, do të kujtoja se ka pasur në historinë e politikës dhe të zgjedhjeve një inisiativë për të nënshkruar një kod etike mes partive politike. Mos ndoshta do ishte mirë që kjo të bëhej në këtë periudhë kur po shikojmë që tonet po nxehen së tepërmi? 

Ju besoj po shikoni që marrëzia po përshkallëzohet nga njëra anë dhe nga ana tjetër nëse shikoni ndonjë gjë që bie ndesh me etikën e një ballafaqimi politik dhe elektoral të çdo vendi europian jeni e lirë të ma thoni. Por, unë nuk e shoh. Unë nuk shoh që Partia Socialiste, apo opozita në tërësi, të jetë në shkelje të ndonjë norme etike në përpjekjen e përditshme për të komunikuar me shqiptarët dhe sigurisht edhe për t’ju kundërvënë makinerisë së një propagande të shfrenuar që ushqehet çdo ditë me gënjeshtra, me sajesa, me suksese imagjinare, me përralla, me broçkulla dhe me baltë kundër opozitës.

Në qoftë se e gjeni ma thoni. Unë vet qysh ditën e parë që jam ulur në këtë pozicion dhe kam nderin dhe privilegjin që të drejtoj Partinë Socialiste jam përpjekur që të zhvilloj komunikimin tim me publikun apo betejën me kundërshtarin me ato standarde që janë të gjithëpranuara në botën demokratike. Në qoftë se gjeni mi thoni ku janë.

Ndërkohë që, nga ana tjetër është përditë jashtë standardeve, është përditë jashtë normave, është përditë jashtë çdo lloj etike minimale, jo mes forcash politike, por mes qeniesh njerëzore. Megjithatë, kjo është zgjedhja e tyre dhe rruga e tyre e rrënimit të mëtejshëm. Zgjedhja jonë dhe rruga jonë është Rilindja për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Pyetje: Një koment për deklaratat? 

Vlerësim më të madh sesa të akuzohem në bllok bashkë me Profesor Rexhep Qosen nga kryeministri në ikje, unë nuk mund të kisha nga dita e djeshme. 

Pyetje: Megjithëse, ju i keni dhënë një përgjigje më parë, faktit nëse ju do të kandidoni në listat për deputet apo jo, por unë po e ribëj meqënëse jemi afër kandidaturave. Do të kemi një kanditim tuajin për deputet?

Në sistemin e sotëm pjesa më e madhe e atyre që janë në parlament janë deputetë automatikisht, sepse gara zhvillohet mes palëve dhe numri i deputetëve që janë në kufirin mes hapësirës së parlamentit apo hapësirës politike pa mundësinë për të qenë në parlament, është një numër i kufizuar. Unë patjetër do të jem deputet, si shumë të tjerë në skuadrën tonë kombëtare. 

Pyetje: Gjatë ditës së sotme 11  sekretarë politik të AK kanë dhënë dorëheqjen. Nëse ky veprim do ndërmerret edhe nga numri dy i saj, Myslym Pashaj do të jetë ai i mirëpritur në PS? 

Të gjithë janë të mirëpritur në Partinë Socialiste. Ne po mirëpresim në mënyrë të vazhdueshme anëtarë, themelues, drejtues të Partisë Demokratike ashtu sikundër edhe të forcave të tjera. Kemi bërë aleancë me një sërë forcash që deri dje kanë qenë në kampin tjetër, por që janë pozicionuar për rotacionin dhe për ndryshimin e domosdoshëm të qeverisë dhe të qeverisjes. Sigurisht, që mirëpresim edhe të gjithë ata patriotë, ata idealistë, ata njerëz të ndershëm dhe të zakonshëm të këtij vendi. Po ashtu jo vetëm figurat e njohura, që u mikluan dhe u tërhoqën pas në emër të flamurit kuq e zi drejt një rruge ku fatkeqësisht doli që destinacioni nuk ishte opozita, destinacioni nuk ishte beteja për rotacionin, por ishte beteja për oborrin e Saliut. Shqiponja doli sorrë dhe, fatkeqësisht, ndodhi kështu. Unë e kam thënë para pak sesa kjo gjë të provohej me fakte se mbetet për t’u parë se çfarë është kjo forcë, por ju siguroj se ajo çka kam parë bashkë me Sekretarin e Zgjedhjeve, Damian Gjiknuri në procesin e negocimit, ka qenë një provë e pashembullt e një manipulimi të madh të opinionit publik dhe një spekulimi të pashembullt me gjithë ndjekësit idealistë dhe të ndershëm të Aleancës Kuq e ZI. Gjithsesi, besoj që dyert e Partisë Socialiste do të jenë pa asnjë dyshim destinacioni i të gjitha atyre që për shumë arsye mund të kishin parapëlqyer Aleancën Kuq e Zi, edhe pse qysh në krye të herës kam thënë dhe besuar se ishte një pjellë e të djathtës, pavarësisht, se nuk e kam imagjinuar që ishte një pjellë e partisë familjare të Saliut. 

Pyetje: Ndodhemi para zgjedhjeve ndërkohë që situata ekonomike në vend nuk është edhe aq e mirë nga të gjitha raportet. Sipërmarrësit kanë filluar të tërheqin rezervat e tyre. Nëse do të merrnit besimin e shqiptarëve, shumë vetë thonë që askush nuk do të donte të ishte në vendin e zotit Rama në qeverisjen pas 23 qershorit. Si do ta kthenit klimën e besimit të shqiptarëve në ekonomi dhe në shumë fusha të tjera? E dyta, sot komisioni i ligjeve ka aprovuar një tjetër anëtar të Gjykatës së Lartë, bëhet fjalë për institucione të rëndësishme, por opozita nuk ka qenë e pranishme. Mos ndoshta do të ishte mirë që opozita të ishte aty dhe të thoshte dhe ajo fjalën e saj? Ju e nisët me arsimin, ndërkohë që PS ka një program të sajin. Është arsimi në këndvështrimin afatgjatë të Partisë Socialiste? 

Së pari, përsa i përket emërimeve të Presidentit, ato emërime provojnë katërcipërisht atë që nënvizoi edhe përfaqësuesi më i lartë i SHBA, këtu në Shqipëri, kur tha se Presidenti është i politizuar, ashtu sikur tregojnë rrënimin e vazhdueshëm. Janë një farsë që e çon gjyqësorin shqiptar në një katandi që nuk ka qenë kurrë. Janë emërime tërësisht politike, shprehje e panikut nga humbja e sigurt dhe e domosdoshmërisë për të siguruar vetveten nga proceset gjyqësore. Janë shembulli më kuptimplotë i faktit se Shqipëria, sot, nuk ka President të Republikës, por ka një noter të Saliut në godinën e presidencës.

Përsa i përket ekonomisë, më lejoni t’ju them se tre muajt e parë, janar, shkurt, mars të këtij viti janë 5% më pak të ardhura buxhetore sesa tre muajt e parë të vitit të shkuar, që u quajt një periudhë shumë e rëndë. Janë 36 milionë dollarë më pak të ardhura. 36 milionë dollarë për Shqipërinë nuk janë pak, janë shumë. Ashtu sikundër edhe të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që lidhet drejtpërdrejtë me konsumin, janë rreth 10% më pak. Kjo do të thotë që ka rënë fuqia blerëse. Vazhdon bie fuqia blerëse, shkon poshtë e më poshtë fuqia blerëse. Përsa i përket kthimit të besimit, besoj që kthimin e besimit do ta fillojnë shqiptarët me votën e tyre më 23 qershor. Do ta çojmë përpara, ne, bashkë me shqiptarët me qeverinë që do të dalë nga fitorja e 23 qershorit. Kurse arsimi është një prioritet i ynë. Kemi një program të detajuar për arsimin. E kemi thënë që në krye të herës që nuk mundet dot që të vazhdojë kjo hile e madhe me familjet dhe me të rejat dhe të rinjtë që shkojnë në shkollë, që konsiston në hapjen e dyerve të universiteteve dhe në hapjen e universiteteve private pa asnjë kriter dhe karar, për të blerë qetësi qeveria në raport me  papunësinë rinore duke u thënë të gjithëve shkoni në universitet. Kjo është një maskaradë që duhet të marrë fund dhe do të marrë fund më 23 qershor. Ne do të krijojmë me patjetër dhe rrugën alternative që është rruga e marrjes së zanatit. E mundësive për të jetuar me atë zanat, për të bërë lekë me atë zanat, duke u vetëpunësuar dhe mirëmbajtur familjen.

Pyetje: Pak më parë kuvendi ka miratuar komisionin hetimor, nëse dëshironi ta komentoni meqë është aktualitet. Para pak ditësh kishte një protestë tek shtëpia e Kastriot Islamit, ju distancoheni nga një protestë e tillë? Për krizën në KQZ, PS ka shprehur gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje. Por, nëse kryeministri Berisha nuk pranon për rikostituimin, apo gjetjen e një zgjidhje tjetër, a do të shkoni ju në zgjedhje me këtë KQZ? A mund ta përjashtojmë një skenar të tipit tërheqje të komisionerëve ditën e votimit?

Ka vetëm një forcë që duhet të tërhiqet në këtë histori dhe bën mirë të tërhiqet për veten e vet, në radhë të parë, dhe sigurisht për të mirën e vendit. Kjo është partia familjare e Saliut që ka uzurpuar KQZ duke shkelur Kushtetutën, duke shkelu ligjin, duke shkelur çdo standard të zhvillimit të zgjedhjeve pluraliste dhe duke shkelur padyshim edhe në të gjithë partneritetin e Shqipërisë me botën demokratike.

Përsa na takon, është një përgjegjësi shumë e madhe që Saliu ka marrë përsipër, nëse do që ta mbajë të tërën mbi vete, le ta mbajë. Ne nuk do të tërhiqemi nga asgjë. Ne do të vazhdojmë betejën. Do të vazhdojmë ballafaqimin në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo familje mes vizionit, programit, skuadrës sonë të rilindjes me  koalicionin e rrënimit. Sigurisht, që mbajtja e kësaj përgjegjësie implikon pasoja që mund të jenë të rënda dhe të pallogaritshme për procesin dhe për vendin. Por, kjo është një përgjegjësi që në mënyrë të dhunshme kryeministri deri më sot e ka marrë. Ne nuk do të bëhemi pjesë e asnjë makiazhi të KQZ, ndërkohë që ne do të jemi të pranishëm në të gjithë administratën zgjedhore dhe do të mbrojmë si asnjëherë më parë çdo votë për Aleancën për Shqipërinë Europiane. Çdo votë!

Ndërkohë që s’ka pikë dyshimi se edhe ky akt është vazhdë e një zinxhiri veprash antidemokratike dhe antishqiptare, por edhe antieuropiane që e kanë izoluar praktikisht, qeverinë dhe kryeministrin nga bota demokratike. Që e kanë kthyer Shqipërinë në një sëkëlldi të madhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe që e kanë bërë imazhin e vendit tonë një imazh që shqiptarët nuk e meritojnë, një imazh shumë më të keq sesa 4 vite më parë. Prandaj, Shqipërisë i duhet një lidership i ri që ta rilidhë me botën, ta ribashkojë me Europën dhe ta çojë përpara në procesin e integrimit. Ashtu sikundër Shqipërisë i duhet një program i ri. Mes programit tonë të Rilindjes dhe kopjes, që prezantohet përditë bazuar mbi leximin e programit tonë, nga ana e një qeverie që mbas 8 vjetësh s’ka asgjë për të treguar mbi ato që ka bërë, por ka vetëm përralla se çdo të bëjë, shqiptarët do të zgjedhin origjinalin dhe nuk kanë asnjë arsye të zgjedhin kopjen.

Së pari, unë nuk kam nga çfarë të distancohem, sepse ajo ka qenë një protestë krejt spontane e njerëzve që kanë besuar dhe kanë votuar duke menduar se atë zotëri e kishin deputetin e tyre. Së dyti, edhe në Amerikë kur përfaqësuesit e zgjedhur të popullit lëvizin nga çka i kanë thënë njerëzve dhe nga çka ka bërë që njerëzit t’u japin votën ka fushata të tëra deri edhe presidenti i SHBA-ve u thotë njerëzve, publikisht, përmes spoteve elektorale, ky është numri i telefonit i filan senatori, ky është numri i telefonit i filan kongresmeni, merreni dhe kujtojani se për çfarë e keni votuar. Ashtu sikundër s’ka pikë dyshimi se çdo shprehje paqësore e refuzimit të një vendimmarrjeje politike të një përfaqësuesi apo të një përfaqësie politike është pjesë e jetës demokratike të vendeve. Unë nuk kuptoj për çfarë duhet bërë gjithë kjo histori, kur bëhet fjalë për diçka spontane dhe absolutisht paqësore, me të cilën ne s’kemi asnjë lidhje të drejtpërdrejtë, por me të cilën sigurisht nuk kemi asnjë arsye që të jemi kritik. Zero!

Pyetje : Cilat janë kriteret për kandidimin e deputetëve, kur do jetë gati lista?

Besoj këto janë çështje që i takojnë organizimit të brendshëm të Partisë Socialiste nuk janë biseda që trajtohen me median. Ju keni detyrën tuaj ne kemi tonën. Sigurisht, që qëllimi është që të ndërtojmë një skuadër që të jetë skuadra më e mirë kombëtare që Partia Socialiste ka pasur ndonjëherë për të përballuar sfidën më të madhe që PS ka pasur pas asaj të vitit ’97, kur mori përsipër për të rimëkëmbur një vend të shkatërruar totalisht, ndërkohë që sot merr përsipër të rilindë një vend të asfiksuar totalisht.

Ne jemi në një linjë me partnerët ndërkombëtarë. KQZ duhet të rikonstituohet. S’kemi asnjë kushtëzim që do të pengonte një rikonstituim të KQZ-së përmes një dialogu dhe bon sensi të palëve për t’i dhënë procesit një KQZ që të marrë përgjegjësi institucionale përpara shqiptarëve dhe të mos jetë një vegël politike e partisë familjare të Saliut. Në rast se duan ta bëjnë këtë jemi gati që të ulemi. Jemi të hapur për të gjitha variantet e mundshme, që do të sillnin një rikonstituim për t’i dhënë legjitimitetin e shkatërruar dhe njëkohësisht besueshmërinë e domosdoshme për ta çuar procesin përpara. Në të kundërt duan ta mbajnë ashtu të pushtuar atë institucion, le ta mbajnë. Duan që ta spostojnë edhe në ballkonin, në atë verandën e shtëpisë së kryeministrit, le ta spostojnë. Duan t’i zëvendësojnë ata të katërt me katër anëtarë të familjes së kryeministrit, le ta bëjnë. Ne nuk kemi lidhje me këtë KQZ. Kjo KQZ do të mbajë përgjegjësi për çdo cenim që mund t’i bëjë procesit.

Pyetje: A ka ndonjë komunikim me PD për çështjen e KQZ-së apo të dy palët komunikojnë përmes ekranit?

Siç e shihni ne s’po merremi fare me këtë çështje. Ju po më pyesni për këtë dhe unë po përgjigjem. Por ne nuk po merremi fare me këtë çështje, nuk po humbasim asnjë sekondë për këtë çështje. Shqiptarët sot e kanë të qartë, KQZ-ja është e tëra e kontrolluar nga personalisht kryeministri në ikje. Do të jetë edhe kryetar KQZ-je, do të jetë edhe anëtar KQZ-je, do të jetë edhe kryetar plus tre anëtarë ai vetë, le të jetë, le të rrijë, le ta mbajë. Nuk ka problem fare. Ne do ta mundim thellë, dhe kush do guxojë që fitoren e thellë ta prekë qoftë dhe një fije do të marrë përsipër të paguajë të gjithë çmimin e këtij guximi. Unë besoj që nuk do ta gjejë dot kush atë guxim. Historia nuk do të përsëritet më.

Nuk hyjmë fare në këto. Ne jemi të hapur. Këto janë 55 ditë, kur ne do të fokusohemi tërësisht te shqiptarët, qytet më qytet dhe fshat më fshat. Do të fokusohemi tek shpjegimi deri në detaje për çdokënd i rrugës së re që do të hapim për Shqipërinë dhe për shqiptarët, do të fokusohemi tek krijimi i energjie të jashtëzakonshme opozitare për rotacionin, do të fokusohemi te krijimi i vetëdijes së kujtdo se këto zgjedhje duhet të jenë të paprekshme dhe se për të larguar këtë farsë nga pushteti çdokush duhet të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo është detyra jonë. Ne nuk do t’i fitojmë këto zgjedhje me 10 vota. Ne këto zgjedhje do t’i fitojmë me aq vota sa do t’i japim shqiptarëve një shumicë solide për të bërë gjitha ato transformime radikale që kemi marrë përsipër. Rruga jonë është e qartë, është e drejtë, është rruga e aspiratave dhe interesave kombëtare dhe publike të shqiptarëve. Është rruga që do t’u japë shqiptarëve mundësi të shohin çka nuk kanë pasur mundësi të shohin në gjithë këto vite për shkak të një zvarritjeje të pafundme dhe në radhë të parë për të dalë nga kjo krizë që po i merr frymën. Kush do të përdorë mjete jashtëligjore për të na penguar në këtë rrugë do të marrë përsipër reagimin sipas nevojës.

Pyetje: Janë 30 mijë dublime në listat e zgjedhësve, 400 mijë pa adresë, a jeni të sigurt të hyni me këto lista në zgjedhje?

Shqipëria sot është një rrëmujë e tërë kudo. Shqipëria është një rrëmujë me listat. Shqipëria është një rrëmujë me pronat. Shqipëria është një rrëmujë me rrugët. Shqipëria është një rrëmujë me shkollat e universitetet. Shqipëria është një rrëmujë me qendrat shëndetësore e me spitalet. Shqipëria është një rrëmujë nga të katër anët dhe kudo ku ta shohësh e kudo ku ta kapësh ka vetëm rrëmujë. Por, duke e pasur këtë pamje të qartë të Shqipërisë së sotme, dhe duke qenë të vetëdijshëm dhe për rrëmujën e listave, nuk ka asnjë fije dyshimi se ne do të hyjmë në zgjedhje, se ne do t’i fitojmë zgjedhje. Pastaj me qeverinë e re do të regjistrojmë pronat, do regjistrojmë popullin, do regjistrojmë votuesit, do regjistrojmë edhe rrugët. E keni dëgjuar besoj që thonë kemi bërë 10.400 km rrugë dhe nuk i tregojnë. Një qeveri ka një inventar, i ka rrugët, ka distancat, ka dhe paratë që ka paguar dhe i tregon. Bashko hartën e punëve, prokurimet që ke bërë, paratë që ke paguar dhe dalin 10.400 km rrugë, po këta nuk i kanë dhe thonë “të dalin t’i masin vetë”. Është një rrëmujë nga të katër anët. Atëherë duhet të fitojmë zgjedhjet dhe më pas të zhbëjmë rrëmujën. Kanë bërë regjistrim popullsie dhe është një lëmsh që nuk i gjendet fundi, banon këtu e ka gjendjen civile këtej, djalin e ka andej, ka votuese edhe gruan në një tjetër qendër. Pra, është një histori që nuk mbaron. Ne nuk mundet tani të tutemi apo të tërhiqemi përpara kësaj rrëmuje. Ne jemi këtu për ta zhbërë këtë rrëmujë me një projekt shumë të qartë dhe me një vullnet të hekurt dhe do ia dalim.

Pyetje: Është thënë që kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të zgjidhet me konsensus nga klasa politike? 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej dy zgjedhjesh është institucioni më i rëndësishëm i vjedhjeve, jo i zgjedhjeve.

Mos u bëni dhe ju si ata ndërkombëtarët që janë larg, se ata që janë afër e shohin mirë dhe nuk e përdorin më këtë shprehje “klasa politike shqiptare”, të gjithë në një thes, të gjithë njësoj fajtorë, të gjithë njësoj të barabartë para fajit. Por, si qenkan të gjithë njësoj ata që kanë të gjithë instrumentet për t’i bërë gjërat dhe ata që kanë vetëm mundësinë të flasin se si gjërat mund të bëhen më mirë. Si qenka njësoj një pushtet që përdor kartonët për të shkelur Kushtetutën, për të shkelur ligjin, për të marr peng KQZ-në, dhe një opozitë që maksimumi që mund të thotë është që ne nuk mund të bëjmë dot propozime të tjera, pasi tre njerëz të cilët shkuan atje për të qenë në shërbim të shtetit dhe të zgjedhësve u larguan, sepse kuptuan që nuk janë aty në shërbim të shtetit dhe të zgjedhësve dhe nesër siç ua bëri njëra palë mund t’ua bëjë dhe pala tjetër. Si janë njësoj këto?! Si qenkan njësoj një qeveri dhe një pushtet që ka 8 vjet dhe nuk bën dot një palë lista që të jenë të pakontestuara, nuk regjistron dot prona, nuk regjistron dot shtëpi dhe një opozitë që duhet të shkojë në zgjedhje sa herë afrohen zgjedhjet me këto probleme? Si mund të jenë njësoj hajdutët e zgjedhjeve me të vjedhurit në zgjedhje? Ç’klasë politike? Këtu, është fjala për një forcë politike të degraduar, të korruptuar, të marrë fund që do me çdo kusht të mbajë pushtetin dhe për të parin e asaj pune që nuk di më ku i mbaron familja dhe ku i fillon partia, dhe ku i mbaron partia dhe ku i fillon familja si interesa flas.