Rama demokratëve: çojeni në opozitë PD-në të çlirohet nga uzurpimi

62

ramaNë një takim me banorët e Kombinatit në Tiranë, lideri opozitar Rama, i ka bërë thirrje atyre, që të votojnë masivisht në mënyrë që të bëhen pjesë e një ndryshimi historik të nevojshëm, për të dalë nga kriza ku vendi gjendet sot. Ai ju drejtua edhe mbështetësve të demokratëve, duke u thënë se, duhet ti jepni një shans Partisë Demokratikë të shpëtojë, duke e dërguar në opozitë në mënyrë që ajo të reflektojë, për të çliruar vetveten nga një grusht që e ka uzurpuar. 

‘’Ka shumë arsye secili prej jush që të mos mjaftohet vetëm me ardhjen në votim, por çdo ditë të flasë me fqinjët, të flasë me të afërmit, të flasë me ata që ende kanë dyshime për të shkuar në votim jo vetëm, por dhe me të tjerë. Imagjinojeni se çfarë vote masive për ndryshimin dhe për Rilindjen do të vijë në 23 qershor sikur secili prej jush t’i vërë detyrë vetes që atë ditë të marrë me vete dhe dikë që nuk ka votuar herën e shkuar, që nuk ka votuar herët e shkuara, por që me votën e vet do të bëhet protagonist i një ndryshimi që për Shqipërinë do të jetë historik, ashtu siç ishte historik ndryshimi i vitit ’92, ashtu siç ishte i domosdoshëm ndryshimi i vitit ‘97, ashtu është historike dhe vota e 23 qershorit 2013 për t’i dhënë Shqipërisë një shtysë të re drejt të ardhmes së saj europiane, për t’u dhënë familjeve shqiptare një shtysë të re për të dalë nga kriza ekonomike, për të dalë nga kriza sociale, për të dalë nga kriza e besimit tek e ardhmja dhe tek ky vend. Për të hyrë së bashku në një rrugë të përbashkët ku ne do të bëjmë të mundura gjëra që sot duken të pamundura, sepse do të jemi bashkë dhe do t’i përballojmë bashkë të gjitha sfidat.’’ 

‘’Dua t’ju them dy fjalë edhe demokratëve këtu në Kombinat. Nuk janë shumicë e di, por ka demokratë. Demokratë që kanë besuar tek Partia Demokratike. Demokratë që e kanë lidhur besimin e tyre, shpresën e  tyre tek e ardhmja dhe rrugëtimin e tyre drejt së ardhmes me Partinë Demokratike. Dua t’u them, shpëtojeni Partinë Demokratike duke mos e votuar në 23 qershor. Jepini Partisë Demokratike mundësinë të rilindë edhe ajo pas 23 qershorit, duke shkuar në opozitë dhe duke bërë një reflektim të madh mbi vetveten, për t’u çliruara nga kthetrat e një grupi që përmes PD ka uzurpuar shtetin e shqiptarëve, ka uzurpuar rrugët e ekonomisë shqiptare. Ka uzurpuar të gjitha shtigjet për shoqërinë shqiptare dhe e ka kthyer Shqipërinë në një vend që është gjithmonë e më pak i jetueshëm për njerëzit e zakonshëm dhe ku përfitojnë vetëm ata që janë të lidhur me këtë pushtet klanor dhe familjar.’’/a.b/