Këshilli i Europës: Pa zgjidhur krizën në KQZ, rezultati zgjedhor është i pabesueshëm
Në një intervistë për DW, Kryesuesi i Delegacionit të KE-së, Luca Volonté, sheh një rrezik real në lidhje me besueshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve, për shkak të krizës që ka pushtuar KQZ-në, e cila funksionon vetëm me 4 anëtarë. Volonté insiston se KQZ nuk mund të marrë vendime me shumicë të cilësuar, vetëm me 4 anëtarë dhe kjo do të minojë besimin e rezultatit të zgjedhjeve në popull.
DW: Z. Volonté, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kryesuar prej jush, e cilësoi situatën në KQZ, të tillë që rrezikon zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në Shqipëri atyre parlamentare të 23 qershorit. Ju lutem, a mund të thoni konkretisht se ku rrezikohen këto zgjedhje, çfarë rreziku vjen nga funksionimi i KQZ vetëm me 4 anëtarë që i përkasin së njëjtës forcë politike?
Luca Volonté : Rreziku ka lidhje me kredibilitetin e procesit zgjedhor, me besimin e publikut tek rezultati i zgjedhjeve. Vendimi i disa partive për të dhënë dorëheqjen nga KQZ është një rrezik real, objektiv për funksionimin e KQZ. Ndërkohë Kodi Elektoral, ligji zgjedhor ka dispozita që e lejojnë KQZ të marrë vendime edhe me 4 anëtarë, por jo vendime që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Prandaj, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka bërë një apel të fortë drejtuesve politikë të shqipërisë, që ta zgjidhin krizën në KQZ, pasi ajo rrezikon kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Ne kemi bërë apel që të gjendet një zgjidhje për funksionimin e plotë të KQZ. Vendimin për t’i dhënë fund kësaj situate, kur nga 23 qershori kanë mbetur pak ditë, duhet ta marrin drejtuesit politikë dhe kjo duhet të bëhet në emër të së ardhmes së Shqipërisë, ky është apeli ynë, kjo është ftesa jonë.
DW: Çfarë parregullsish, mangësish apo moszbatim të ligjit ka në funkdsionimin e deritanishëm të KQZ në krizën e tij , të pjesëmarjes së paplotë, të mungesës së shumicës së cilësuar për të bërë në fund të fundit punën e vet? Çfarë ju kanë thënë përfaqësuesit e partive politike, shoqërie civile në takimet që delegacioni juaj zhvilloi në Tiranë?
Luca Volonté: Kemi zhvilluar takime dhe biseda me KQZ, drejtues të të gjitha forcave politike. Deri tani asnjë nga përfaqësuesit e partive politike nuk ka denoncuar parregullsi nga ana e KQZ, pasi anëtarë të PS apo të partive të tjera mund të ndjekin publikisht takimet dhe mbledhjet e KQZ. Njëkohësisht KQZ mund të marrë sugjerime nga përfaqësues të partive politike, para se të marrë vendimet. Kjo është shumë e mirë, pra që po punojnë në mënyrën e duhur edhe pse jo me të gjithë anëtarët. Ndërkohë duhet marrë në konsideratë që deri tani procesi zgjedhor ka ecur qetë dhe drejtuesit politikë në takimet me elektoratin shpalosin programet e tyre, gjë që është e re për Shqipërinë dhe Ballkanin dhe që tregon se drejtuesit politikë po ecin drejt zhvillimit të fushatave elektorale sipas mënyrës perëndimore, flasin për të ardhmen e vendit, për qytetarët, sesi mund të zgjidhin probleme të krizës ekonomike. Pra këto tri aspekte: vendime mjaft të mira nga KQZ, bashkëpunimi jo zyrtar mes përfaqësuesve të të gjitha partive politike, qofshin ose jo anëtarë të KQZ si edhe përqasja e re e drejtuesve politikë për të shpalosur programet e tyre janë tregues pozitivë të fushatës që mund të sjellin një rezultat jo të kontestueshëm të zgjedhjeve.
DW: Një anëtar i delegacionit tuaj, Z. Petros Tatsopoulos, deklaroi se KQZ nuk mund të mbajë peng zgjedhjet, se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike është tregues i një demokracie të pjekur. Si mund të kuptohet kjo deklaratë duke patur parasysh opinionin tuaj të saposhprehur për KQZ?
Luca Volonté: Nga vizita në Tiranë kemi kuptuar se dikush, nuk po përmend emra nga asnjë prej partive politike, mund ta përdorë dorëheqjen e disa anëtarëve të KQZ për të pritur përfundimin e zgjedhjeve dhe ta përdorë këtë dorëheqje për të zhvlerësuar procesin dhe mos pranuar rezultatin. Ne këtë nuk e pranojmë. Sigurisht që organizmat e pavarura institucionale duhet të funksionojnë me të gjithe anëtarët dhe secili prej tyre duhet të përmirësojë kredibilitetin e institucionit dhe jo të përdorë mungesën e kredibilitetit për të protestuar në rrugë dhe sheshe. Përmes tyre nuk fitohen zgjedhjet. Ne bëjmë apel për të përmirësuar pjekurinë e demokracisë në Shqipëri, të fokusuar veçanërisht në pyetjen që u drejtojmë politikanëve protagonist: a dëshironi një demokraci të pjekur apo dëshironi të përdorni një alibi teknike? Kjo do të ishte një rrezik i mundshëm për Shqipërinë dhe do të zvogëlonte kredibilitetin në përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e re BE.
DW: A keni parë vullnet politik nga drejtuesit politikë për të gjetur një formulë ligjore dhe për t’i dhënë fund krizës në KQZ?
Luca Volonté: Reagimet janë të ndryshme, disa janë pozitve, të tjera ende të pavendosura. Disa drejtues të forcave politike janë në linjën e dhënies fund të krizës në kQZ, të tjerë janë ende duke u menduar. Kjo do të duket në këto ditë që kanë mbetur nga 23 qershori. Zgjidhja e krizës në KQZ është në interesin të të gjithëve dhe mendoj se askush nuk do të refuzoje të dëgjojë apelin tonë.
DW: Cilat janë standartet e Këshillit të Evropës që duhet të plotësojnë këto zgjedhje?
Luca Volonté: Në radhë të parë njerëzit duhet të votojnë, të votojnë lirisht për kë dëshërojnë, pa asnjë detyrim, pa asnjë presion, numërim i votave duhet të jetë transparent dhe realist, palët duhet të pranojnë rezultatin, kjo është çështje kyç. Po kështu shumë e rëndësishme është jeta parlamentare. Një nga standartet e Këshillit të Europës është jo transparenca në procesin e numërimit të votave , por edhe përmirësimi i kuptimit të demokracisë për qytetarët nga njëra anë, dhe nga tjetra duhet, që drejtuesit politikë të binden që instituvioni për të vendosur së bashku për ecurinë dhe zhvillimin demokratik të vendit është Parlamenti. Nuk mund të jetë kurrë i pranueshëm bojkoti i Parlamentit. Gjithsesi standartet e Këshillit të Europës, të BE,të OSBE/ODIHR-it dhe në përgjithësi standartet europiane nuk plotësohen kurrë të gjitha. Prandaj nuk përdoret më përkufizimi ”zgjedhje të lira dhe të ndershme” por “në linjë me standartet ndërkombëtare”, përkufizim që e kemi përdorur para tri vitesh edhe për zgjedhjet në SHBA.
DW: Media ankohet për kufizim të lirisë së shprehjes, kasetat e gatshme, të prodhuara në selitë e partive shpërndahen në kanalet televizive. Çfarë mendoni, si mund t’i jepet fund kësaj praktike kaq të dëmshme dhe kompromentuese lidhur melirinë e medias?
Luca Volonté: Kodi elektoral ka dispozita për të transmetuar kaseta te gatshme, pra duhet amenduar kodi elektoral në parlamentin e ardhshëm. Duhet respektuar liria e medias.
Rama ironizon deklaratat e Berishës për dëmshpërblimi e përmbytjeve
Duke iu është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Berisha për miliarderët e PS-së, Rama tha se ndryshimi mes sipërmarrësve socialistë dhe anëtarëve të qeverisë është se biznesmenet e PS-së i kanë bërë paratë me bizneset e tyre, ndërsa qeveritarët janë pasuruar në kurriz të qytetarëve, përmes korrupsionit.
“E keni dëgjuar shpesh Saliun që të thotë se në grupin e deputetëve të PS ka disa milionerë, madje në mënyrë të pacipë. Ka nxjerrë dhe një spot ku rreshtojnë portrete sipërmarrësish. E dini kush është ndryshimi midis TomDoshit dhe secilit prej anëtarëve të kësaj qeverie, duke filluar nga katragjyshi. Ndryshimi është ky, se Tom Doshi erdhi në politikë nga biznesi, hyri në politikë si sipërmarrës dhe paratë i kishte bërë si sipërmarrës. Në politikë shumë ka dhënë dhe asgjë s’ka marrë nga pikëpamja financiare. Këta hynë në qeveri me një kostum dhe sot janë miliarderë dhe pasanikë, jo nga biznesi, por nga korrupsioni. Ky është ndryshimi” tha Rama.
Rama gjithashtu ironozoi edhe deklaratat e kryeministrit se do të dëmshpërblejë me para në dorë banorët e përmbytur në Shkodër.
“Kanë premtuar se nuk do të ketë më përmbytje por tani na u bë 5 herë në ditë. Vjen këtu dhe thotë që t`jua jap lekët në dorë për përmbytjet. Ai e përdori në njëjës përmbytje por për cilën përmbytje e ka sepse kanë ndodhur shumë. Po a ka njeri që beson më që ajo dorë futet në xhep të japë ndonjë lekë. Por kur thotë që do t`ju jap në dorë leket e naftës” tha Rama.
Rama ka premtuar se me qeverisjen e PS-së do të vijë ndryshimi, shërbim shëndetësor i merituar sipas nevojës e jo sipas xhepit, arsim, punësim, rend e siguri. “Ne nuk tregojmë përralla e as nuk bëjme shpikje” tha Rama.
vijon..
Gjesti simbolik i De Biasit , xhiro me biçikletë nëpër Shqipëri
Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka menduar të bëjë një gjest simbolik, që do të tërheqë njerëzit. Italiani do të udhëtojë në rrugët e Shqipërisë me biçikletë, teksa kërkon dhe mbështetjen e njerëzve që do të hasë në xhiron e tij.
“Shumë shpejt do të udhëtoj me biçikletë nëpër rrugët e Shqipërisë. Nëse më takoni, më jepni një të shtyrë…”, shkruan De Biasi me humor në faqen e tij në “Facebook”.
Me sa duket tekniku italian kërkon të shohë nga afër impaktin që ai ka tashmë në Shqipëri, por gjesti i tij ka një tjetër simbolikë; një udhëtim i vështirë, por jo i pamundur drejt ëndrrës. Pra, De Biasi ëndërron ashtu si të gjithë shqiptarët që kombëtarja të kualifikohet për në Botëror, ndaj kërkon ndihmën e të gjithëve për të realizuar këtë synim.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, pas takimit me Ramën bisedon edhe me Metën
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, është takuar edhe me Kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Fokusi i bisedimeve ka qenë sërish, problematika e situatës në KQZ dhe procesi zgjedhor.
Përpara takimit me Metën, Sequi është takuar edhe me liderin e selisë rozë Rama, ku procesi zgjedhor dhe problematika në KQZ, kanë qenë thelbi i takimit.
“Bisedova me zotin Rama edhe për çështjen e KQZ-së, mes të tjerash. Kam ndjekur deklaratat e ambasadorit Arvizu dhe Shefes së Misionit të OSBE/ODIHR-it Conny McCormack dhe pozicioni ynë është i njohur që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimet, duhet të ketë më shumë se 4 anëtarë. Meqë përmendët ambasadorin Arvizu do të takohem edhe me të dhe BE-ja dhe SHBA-ja do të ndajnë së bashku opinionin për procesin zgjedhor” – tha Sekui.
Fjalim surprizë i Linda Ramës, përpara elektoratit tiranas
Në një takim elektoral me banorët e Tiranës, lideri i selisë rozë Edi Rama, kërkoi mbështetjen e Tiranës për Programin e Rilindjes. Në këtë takim, bashkëshortja e liderit opozitar socialist, Linda Rama mbajti një fjalë, përpara elektoratit tiranas. Takimi i zhvilluar ishte me temë ‘Komuniteti Tiranas për një Rilindje Shqiptare’. Më poshtë do të gjeni fjalën e plotë të Linda Ramës.
Kur Edi më pyeti a ke dëshirë të vish në një takim ku do mblidhen tironcit, më shkoi mendja në oborrin e shtëpisë së fëmijërisë sime me avlli qerpiçi, ku bisedohej nën aromën e trëndafilave e të karafilave, selfijonit e hidershasë, mes ngjyrave të luleve të borës e mullagave, poshtë kumllave, kajsive e hurmave. Gratë e shtëpisë vinin rrotull miqve duke i qerasur me ujë brisk të ftohtë nga pusi në hajat, shurup trëndafili e reçel të mrekullueshëm përgatitur nga petalet e luleve dhe frutat e pemëve të oborrit. Ende sot ai oborri është me mua dhe gjyshi e gjyshja ime apo “nona” siç i thërrisnim, janë aty, megjthëse me vite larguar nga jeta. Kujtimi i tyre është këshilla më e mirë për mua.
U lindëm këtu, këtu u rritëm, mësuam në fillim mësimet e urta të shtëpisë pastaj ato të shkollës, kaluam vite vështirësish, pune, gëzimesh e hidhërimesh, lindjesh e ikjesh. Këtu, në Tiranë u lindën mu në kufirin e një kohe tjetër, edhe Rea dhe Gregu. Koha tjetër e bëri tjetër edhe Tiranën. Tirana ku fëmijët tanë u rritën ishte shumë e ndryshme nga Tirana ku u rritëm ne. Edhe më e ndryshme akoma është Tirana e fëmijëve që lindin sot.
Nuk do të kisha ardhur sot nëse nuk do ta shihja si rast për të qenë mes tiranasve që duan një Tiranë dhe një vend ku të mos tretet për fare kultura qytetare e oborreve të bashkëbisedimit e të bashkëjetesës së urtë. Nuk do ta kisha marrë fjalën si një prej këtyre tiranansve nëse nuk do të ndjeja detyrimin për të nderuar gjyshërit e mi për gjithçka më dhanë e më bënë të kuptoj nga mënyra e vjetër tironse e të qenit njeri e qytetar. Sot dua të flas edhe për ta dhe kam një dëshirë të thellë të besoj se ata janë këtu duke më dëgjuar, siç dëgjova unë para pak ditësh gjithë kërshëri mbesën time Alesian duke i rënë pianos në saxhon e saj të fundvitit. Shpresoj që ata të jenë krenarë për mua, si unë për Alesian që rritet bukur.
Mënyra e jetesës dhe e sjelljes së familjes së vjetër tiranase ishte natyrshëm busulla që drejtonte frymën e qetë të bashkëjetesën në qytet. Në krah të shtëpisë sonë ishte një familje përmetare, në krahun tjetër një familje nga Leskoviku, pak më tej nënë Aliseja nga Shkodra, tek rrugica përballë familje dibrane, pak me tutje, Vesht, Durisht e Gugallt, familje të vjetra Tiranase. Të gjithë fqinj të mirë e të urtë, punëtorë dhe fjalë ëmbël që i ndanin sëbashku gëzimet dhe hidhërimet e tyre, që shkëmbenin vlerat dhe kulturën e origjinës si pasurinë dhe investimin më të mirë për veten, komshillëkun, brezat. Tironsit e vjetër thoshin para shpis blehet komshiu! Prindërit e gjyshërit na mësonin që fëmijët e fqinjëve i kishim motra dhe vëllezër dhe që njerëzilliku ishte vlera më e paprekshme e njeriut dhe tek njeriu. Kështu u rritën prindërit tanë, kështu u mësuam ne.
Tironcit e panë jo si fillesën e një skenari lufte po si bulevardin e një paqeje të qëndrueshme detyrimin për të bashkëjetuar me të tjerët kur Tirana nuk ishte më vetëm e tyrja, po kryeqyteti i Shqipërisë dhe qyteti i gjithë shqiptarëve. Dhe është fakt: Tiransit si tërësi autoktone nuk u deformuan në qytetarinë e tyre, as kur deformimet dhunuan hapësirën dhe bashkëjetesën qytetare. Ata u përfshinë thuajse si komunitet i tërë në zhvillimet demokratike. Por me protagonizmin e tyre të urtë kolektiv, pa u shquar në asnjë rast si protagonistë të shkeljes së oborrit të tjetrit, të dhunimit të pronës a pasurisë së shtetit, të rregullave të të jetuarit nën ligjësinë e vjetër të mosprekjes të asaj që s’është jotja dhe të respektit për atë që është ndryshe nga ty.
Tirancit i kanë ofruar në dekada qytetit dhe shoqërisë talentin dhe përkushtimin në profesionin e tyre. Me dhjetëra familje tiranase kanë qenë të njohura për talentin e punën artizanale e zejtare në mjaft raste të trashëguar brez pas brezi. Jam e bindur që ju sot kujtoni këtu ustallarë të mëdhenj me shumë emër në qytet që nuk jetojnë më. Asnjë usta i madh i kohëve të shkuara nuk do të na e falte sot situatën në të cilën është katandisur tradita dhe arsimi në qytet që po e le pa punë, pa farë zanati, rininë duke i kërcënuar seriozisht të ardhmen. Nuk do të na e falnin situatën në arsim as shumë mësues e mësuese të vjetër tiranas apo profesorë të shquar universitetit, që kanë investuar me përkushtim për arsimimin e brezave të qytetit tonë. Dhe kur? Sot kur mundësitë janë të pafundme, sepse bota e madhe është bërë shumë e vogël e ka ardhur tek porta e oborrit.
Tirancit i kanë ofruar mjekësisë shqiptare emra të mëdhenj, të paharruar, që brezi i prindërve tanë i kujtojnë me respekt dhe nostalgji për humanizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm. Të gjithë ata merituan dhe morën vetëm një çmim, pa letra e medalje, çmimin e mirënjohjes së thellë në kujtesën e qytetarëve të cilëve u shërbyen. Kujtohen edhe më shumë sot, këta mjekë të devotshëm kur shëndetësia është në gjendje katastrofale. Nuk do të na e falnin sot mjekët e mëdhenj tiranc të kohëve të shkuara ankthin që provojnë mijëra shqiptarë nga pamundësia për t’u diagnostikuar, nga shërbimi tepër problematik shëndetësor, nga pamundësia për të blerë ilaçe, nga mungesa e gjerë e humanizmit në mjekësi. Dhe kur? Sot kur botën e madhe e kemi prapa portës së oborrit të cilën mjafton ta hapim për të mirëpritur të rejat e pafundme saj.
Tirancit janë respektuesit më fanatikë të ligjit dhe të shtetit. Të tillë kanë qenë të parët tanë, të tillë janë prindërit tanë, të tillë jemi ne. Dhe aq e vërtetë është kjo sa rëndom këtë respekt i’a kanë marrë për frikë e për dobësi duke abuzuar jo pak, sidomos në vitet kur pronat e tyre shteti në njëzet vite i la pa asnjë mbrojtje. Të prirur për t’i trajtuar gjërat me tolerancë, pothuaj të gjitha familjet e vjetra tiranase apo njëlloj si ata, familjet e qytetarëve të ardhur herët në Tiranë sot gjenden të zhgënjyer, rropatur vite të tëra dyerve të gjyqeve dhe zyrave të shtetit, duke u ndjerë çdo ditë dhe më jabanxhi në qytetin dhe pronën e vet dhe pa mundur të shohin jo vetëm zgjidhje, por asnjë fije drite në fund të tunelit. Të parët tanë, ata që me shumë mund, djersë e ndershmëri e krijuan pronën, do të ishin krenar për ne pasardhësit e tyre që respektojmë ligjin dhe shtetin, por nuk do të na e falnin kurrë qëndrimin duarkryq përpara kujt në emër të shtetit shkel ligjin, dhunon të drejtën e pronës dhe ngatërron çdo mot e më keq çështjen e pronave në këtë vend. Dhe kur? Sot kur sfida jonë është ta bëjmë oborrin tonë pjesë të oborrit të madh të familjes europiane dhe kur të mos rrish duarkryq do të thotë edhe fare thjesht, të përdorësh votën tënde për të mos u bërë palë me të ligën që i ka hyrë shtetit e përmes shtetit gjithë shoqërisë.
Gjyshja ime thonte “Masi ti nigjosh fjalën tjetrit vreji punën tkeqen nona”. Dhe puna e secilit sot është që masi ka nigju fjalët të vrejë punën e vet si qytetar duke votuar që punët në oborrin tonë të shkojnë ndryshe. Tirana s’do jetë më kurrë ajo që ishte. Shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë, të tjera për keq. Por siç mund të bëhen më mirë gjërat janë keq, mund të bëhen më keq edhe gjërat që janë mirë. E, ja pse sot s’desha thjesht të jem krenare në krah të Edit, për gjithçka ka bërë për Tiranën, po desha të flas si njëra nga ju për të trokitur me fjalën time në portën e oborreve të tironcave dhe për t’ju thënë: Eshtë koha të vreni punën me votë! Për Tiranën. Për sigurinë e jetës, punës, pronës. Për fëmijët tanë që duhet të trashëgojnë një vend më të mirë. Për Shqipërinë që sytë i ka gjithnjë nga Tirana.
Yjet e kinemasë që kanë bërë operacione plastike














Reforma e Shengenit mbështetet edhe nga PE
Parlamenti Europian ka mbështetur reformat e Paketës Shengen. Skuadrat e inspektimit do të kryejnë kontrolle të papritura në kufijtë e brendshëm të Zonës Shengen në mënyrë që të parandalojnë vendosjen e paligjshme të kontrolleve. Të gjitha kontrollet, që do të vendosen në situata të jashtëzakonshme do të monitorohen në nivel Europian.
Reformat e Paketës Shengen përfshijnë krijimin e një Mekanizmi të ri vlerësimi, për t’u përballur me situatat kritike si edhe amendimin e Kodit të Kufijve Shengen, për fiksimin e rregullave të përbashkëta, për të bërë të mundur rifutjen e përkohshme të kontrollit, në kufijtë e brendshëm në raste të jashtëzakonshme.
Për herë të parë, do të jetë e mundur për skuadrat e inspektimit, kryerja e kontrolleve të paparalajmëruara për të parandaluar çfarëdolloj tentative, për kontroll kufiri ilegal në kufijtë e brendshëm. Kur skuadrat të vizitojnë kufijtë e jashtëm, shtetet anëtare në fjalë, do të paralajmërohen 24 orë përpara. Skuadrat e inspektimit do të përfshijnë ekspertë nga Shtetet Anëtare, Komisioni dhe agjencitë dhe organizmat e BE-së.
Kodi Kufitar Shengen (SBC), lejon tashmë vendosjen e përkohshme të kontrolleve të brendshme kufitare, në rrethana të jashtëzakonshme në rast kërcënimi serioz të politikave publike ose të sigurisë së brendshme. SBC e modifikuar, nënvizon se çdo rifutje e kontrolleve të kufirit të brendshëm, duhet të jetë një përjashtim dhe duhet të aplikohet vetëm si opsion i fundit, për një qëllim të kufizuar dhe për një periudhë të kufizuar kohore, në mënyrë strikte, e bazuar në kritere specifik, objektiv dhe në një vlerësim të nevojshmërisë së tij, i cili duhet të monitorohet në nivel Europian.
Në rast të një kërcënimi serioz të politikave publike ose të sigurisë së brendshme, kontrolli mund të rivendoset për 30 ditë dhe të zgjatet deri më 6 muaj. Kur ngjarje të paparashikueshme kërkojnë veprim të menjëhershëm (p.sh: sulme terroriste) Shtetet Anëtare rivendosin kontrollin kufitar në mënyrë unilaterale, deri më 10 ditë. Çdo zgjatje duhet të jetë e monitoruar në nivel Europian.
Teksti thotë se Migrimi dhe kalimi i kufijve të jashtëm nga një numër i lartë i shtetasve të vendeve të treta, nuk mund të konsiderohet si një kërcënim i politikave publike apo ndaj sigurisë së brendshme. Reformat e Paketës Shengen, pritet të adoptohen formalisht nga Këshilli në vjeshtë.
Sequi takon Ramën, shqetësime për procesin zgjedhor dhe KQZ-në
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me liderin opozitar Edi Rama. Në fokus të bisedimeve, kanë qenë shkëmbimi i pkëpamjeve në lidhje me procesin zgjedhor dhe situatën në KQZ.
“Bisedova me zotin Rama edhe për çështjen e KQZ-së mes të tjerash. Kam ndjekur deklaratat e ambasadorit Arvizu dhe shefes së misionit të OSBE/ODIHR-it Conny McCormack dhe pozicioni ynë është i njohur që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimet, duhet të ketë më shumë se 4 anëtarë. Meqë përmendët ambasadorin Arvizu, do të takohem edhe me të dhe BE-ja dhe SHBA-ja do të ndajnë së bashku opinionin për procesin zgjedhor”,- deklaroi Sequi.

