Fjalim surprizë i Linda Ramës, përpara elektoratit tiranas

55

Linda-Rama-1024x665Në një takim elektoral me banorët e Tiranës, lideri i selisë rozë Edi Rama, kërkoi mbështetjen e Tiranës për Programin e Rilindjes. Në këtë takim, bashkëshortja e liderit opozitar socialist, Linda Rama mbajti një fjalë, përpara elektoratit tiranas. Takimi i zhvilluar ishte me temë ‘Komuniteti Tiranas për një Rilindje Shqiptare’. Më poshtë do të gjeni fjalën e plotë të Linda Ramës.

Kur Edi më pyeti a ke dëshirë të vish në një takim ku do mblidhen tironcit, më shkoi mendja në oborrin e shtëpisë së fëmijërisë sime me avlli qerpiçi, ku bisedohej nën aromën e trëndafilave e të karafilave, selfijonit e hidershasë, mes ngjyrave të luleve të borës e mullagave, poshtë kumllave, kajsive e hurmave. Gratë e shtëpisë vinin rrotull miqve duke i qerasur me ujë brisk të ftohtë nga pusi në hajat, shurup trëndafili e reçel të mrekullueshëm përgatitur nga petalet e luleve dhe frutat e pemëve të oborrit. Ende sot ai oborri është me mua dhe gjyshi e gjyshja ime apo “nona” siç i thërrisnim, janë aty, megjthëse me vite larguar nga jeta. Kujtimi i tyre është këshilla më e mirë për mua.

U lindëm këtu, këtu u rritëm, mësuam në fillim mësimet e urta të shtëpisë pastaj ato të shkollës, kaluam vite vështirësish, pune, gëzimesh e hidhërimesh, lindjesh e ikjesh. Këtu, në Tiranë u lindën mu në kufirin e një kohe tjetër, edhe Rea dhe Gregu. Koha tjetër e bëri tjetër edhe Tiranën. Tirana ku fëmijët tanë u rritën ishte shumë e ndryshme nga Tirana ku u rritëm ne. Edhe më e ndryshme akoma është Tirana e fëmijëve që lindin sot.

Nuk do të kisha ardhur sot nëse nuk do ta shihja si rast për të qenë mes tiranasve që duan një Tiranë dhe një vend ku të mos tretet për fare kultura qytetare e oborreve të bashkëbisedimit e të bashkëjetesës së urtë. Nuk do ta kisha marrë fjalën si një prej këtyre tiranansve nëse nuk do të ndjeja detyrimin për të nderuar gjyshërit e mi për gjithçka më dhanë e më bënë të kuptoj nga mënyra e vjetër tironse e të qenit njeri e qytetar. Sot dua të flas edhe për ta dhe kam një dëshirë të thellë të besoj se ata janë këtu duke më dëgjuar, siç dëgjova unë para pak ditësh gjithë kërshëri mbesën time Alesian duke i rënë pianos në saxhon e saj të fundvitit. Shpresoj që ata të jenë krenarë për mua, si unë për Alesian që rritet bukur.

Mënyra e jetesës dhe e sjelljes së familjes së vjetër tiranase ishte natyrshëm busulla që drejtonte frymën e qetë të bashkëjetesën në qytet. Në krah të shtëpisë sonë ishte një familje përmetare, në krahun tjetër një familje nga Leskoviku, pak më tej nënë Aliseja nga Shkodra, tek rrugica përballë familje dibrane, pak me tutje, Vesht, Durisht e Gugallt, familje të vjetra Tiranase. Të gjithë fqinj të mirë e të urtë, punëtorë dhe fjalë ëmbël që i ndanin sëbashku gëzimet dhe hidhërimet e tyre, që shkëmbenin vlerat dhe kulturën e origjinës si pasurinë dhe investimin më të mirë për veten, komshillëkun, brezat. Tironsit e vjetër thoshin para shpis blehet komshiu! Prindërit e gjyshërit na mësonin që fëmijët e fqinjëve i kishim motra dhe vëllezër dhe që njerëzilliku ishte vlera më e paprekshme e njeriut dhe tek njeriu. Kështu u rritën prindërit tanë, kështu u mësuam ne.

Tironcit e panë jo si fillesën e një skenari lufte po si bulevardin e një paqeje të qëndrueshme detyrimin për të bashkëjetuar me të tjerët kur Tirana nuk ishte më vetëm e tyrja, po kryeqyteti i Shqipërisë dhe qyteti i gjithë shqiptarëve. Dhe është fakt: Tiransit si tërësi autoktone nuk u deformuan në qytetarinë e tyre, as kur deformimet dhunuan hapësirën dhe bashkëjetesën qytetare. Ata u përfshinë thuajse si komunitet i tërë në zhvillimet demokratike. Por me protagonizmin e tyre të urtë kolektiv, pa u shquar në asnjë rast si protagonistë të shkeljes së oborrit të tjetrit, të dhunimit të pronës a pasurisë së shtetit, të rregullave të të jetuarit nën ligjësinë e vjetër të mosprekjes të asaj që s’është jotja dhe të respektit për atë që është ndryshe nga ty. 

Tirancit i kanë ofruar në dekada qytetit dhe shoqërisë talentin dhe përkushtimin në profesionin e tyre. Me dhjetëra familje tiranase kanë qenë të njohura për talentin e punën artizanale e zejtare në mjaft raste të trashëguar brez pas brezi. Jam e bindur që ju sot kujtoni këtu ustallarë të mëdhenj me shumë emër në qytet që nuk jetojnë më. Asnjë usta i madh i kohëve të shkuara nuk do të na e falte sot situatën në të cilën është katandisur tradita dhe arsimi në qytet që po e le pa punë, pa farë zanati, rininë duke i kërcënuar seriozisht të ardhmen. Nuk do të na e falnin situatën në arsim as shumë mësues e mësuese të vjetër tiranas apo profesorë të shquar universitetit, që kanë investuar me përkushtim për arsimimin e brezave të qytetit tonë. Dhe kur? Sot kur mundësitë janë të pafundme, sepse bota e madhe është bërë shumë e vogël e ka ardhur tek porta e oborrit.

Tirancit i kanë ofruar mjekësisë shqiptare emra të mëdhenj, të paharruar, që brezi i prindërve tanë i kujtojnë me respekt dhe nostalgji për humanizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm. Të gjithë ata merituan dhe morën vetëm një çmim, pa letra e medalje, çmimin e mirënjohjes së thellë në kujtesën e qytetarëve të cilëve u shërbyen. Kujtohen edhe më shumë sot, këta mjekë të devotshëm kur shëndetësia është në gjendje katastrofale. Nuk do të na e falnin sot mjekët e mëdhenj tiranc të kohëve të shkuara ankthin që provojnë mijëra shqiptarë nga pamundësia për t’u diagnostikuar, nga shërbimi tepër problematik shëndetësor, nga pamundësia për të blerë ilaçe, nga mungesa e gjerë e humanizmit në mjekësi. Dhe kur? Sot kur botën e madhe e kemi prapa portës së oborrit të cilën mjafton ta hapim për të mirëpritur të rejat e pafundme saj.

Tirancit janë respektuesit më fanatikë të ligjit dhe të shtetit. Të tillë kanë qenë të parët tanë, të tillë janë prindërit tanë, të tillë jemi ne. Dhe aq e vërtetë është kjo sa rëndom këtë respekt i’a kanë marrë për frikë e për dobësi duke abuzuar jo pak, sidomos në vitet kur pronat e tyre shteti në njëzet vite i la pa asnjë mbrojtje. Të prirur për t’i trajtuar gjërat me tolerancë, pothuaj të gjitha familjet e vjetra tiranase apo njëlloj si ata, familjet e qytetarëve të ardhur herët në Tiranë sot gjenden të zhgënjyer, rropatur vite të tëra dyerve të gjyqeve dhe zyrave të shtetit, duke u ndjerë çdo ditë dhe më jabanxhi në qytetin dhe pronën e vet dhe pa mundur të shohin jo vetëm zgjidhje, por asnjë fije drite në fund të tunelit. Të parët tanë, ata që me shumë mund, djersë e ndershmëri e krijuan pronën, do të ishin krenar për ne pasardhësit e tyre që respektojmë ligjin dhe shtetin, por nuk do të na e falnin kurrë qëndrimin duarkryq përpara kujt në emër të shtetit shkel ligjin, dhunon të drejtën e pronës dhe ngatërron çdo mot e më keq çështjen e pronave në këtë vend. Dhe kur? Sot kur sfida jonë është ta bëjmë oborrin tonë pjesë të oborrit të madh të familjes europiane dhe kur të mos rrish duarkryq do të thotë edhe fare thjesht, të përdorësh votën tënde për të mos u bërë palë me të ligën që i ka hyrë shtetit e përmes shtetit gjithë shoqërisë.

Gjyshja ime thonte “Masi ti nigjosh fjalën tjetrit vreji punën tkeqen nona”. Dhe puna e secilit sot është që masi ka nigju fjalët të vrejë punën e vet si qytetar duke votuar që punët në oborrin tonë të shkojnë ndryshe. Tirana s’do jetë më kurrë ajo që ishte. Shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë, të tjera për keq. Por siç mund të bëhen më mirë gjërat janë keq, mund të bëhen më keq edhe gjërat që janë mirë. E, ja pse sot s’desha thjesht të jem krenare në krah të Edit, për gjithçka ka bërë për Tiranën, po desha të flas si njëra nga ju për të trokitur me fjalën time në portën e oborreve të tironcave dhe për t’ju thënë: Eshtë koha të vreni punën me votë! Për Tiranën. Për sigurinë e jetës, punës, pronës. Për fëmijët tanë që duhet të trashëgojnë një vend më të mirë. Për Shqipërinë që sytë i ka gjithnjë nga Tirana.