Ettore Sequi, takohet me Metën: Besojmë në një tranzicion të qetë të pushtetit

71344Kreu i Lëvizjes për Integrim Ilir Meta është takuar paraditen e sotme, me Ambasadorin e BE-së në Tiranë Ettore Sequi.

Pas takimit, Kreu i LSi-së Meta deklaroi se, e garantoi Sequin se do të punohet në një frymë gjithëpërfshirëse për të realizuar reformat dhe për të bërë të mundur marrjen e statusit të vendit kandidat.

“E falënderova për angazhimin e tij në monitorimin e zgjedhjeve, që ishin një moment kyç për të ardhmen në BE të vendit tonë. Zgjedhjet dhanë një mesazh të qartë për të ecur më shpejt me integrimin. E garantova ambasadorin se do të punojmë edhe më shumë për të çuar përpara reformat që të marrim sa më parë statusin e vendit kandidat. Tani janë të gjitha mundësitë për të krijuar një klimë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje mes mazhorancës së re dhe opozitës së re”,- deklaroi Meta.

Ndërkohë Ambasadori Sequi, deklaroi gjithashtu se beson në një tranzicion të qetë të pushtetit në mënyrë që të kemi një përqendrim mbi axhendën e integrimit.

“Dua ta përgëzoj zotin Meta për fitoren e madhe dhe ta falënderoj për promovimin e integrimit në BE. Ne presim nga Shqipëria plotësimin e reformave që të ecë përpara në rrugën drejt BE-së. Pas zgjedhjeve, kemi besim se, do të ketë një tranzicion të qetë drejt pushtetit në mënyrë që të përqendrohet puna në axhendën e integrimit. Mbeta i kënaqur nga fjala “gjithëpërfshirje” që tha zoti Meta sepse integrimi në BE përfshin të gjithë vendin. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe kemi besim se kjo do të bëhet e mundur”,- deklaroi Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.

Garës së PD-së i shtohet edhe Nallbani, personi që i vuri dinamitin bustit të Stalinit

foto Ballkanweb
foto Ballkanweb

Garës për të marrë kreun e PD-së i shtohet edhe një element i ri. Është një personazh i njohur, një nga nismëtarët e parë të lëvizjes Demokratike në Shqipëri, i cili në mars 1990 i ka vënë dinamitin bustit të Stalinit pranë Hotel ‘Dajtit’ në Tiranë, njofton Ballkanweb. 

Bujar Nallbani, i cili është shprehur i keqardhur që nuk ka pasur vëmendjen e duhur të mediave ka theksuar, se rivali më i fortë për të është Sokol Olldashi.

“Çuditem sesi njerëz të tillë që kanë një radhë në kandidim të lihen në harresë, dhe të zhvendoset vëmendje tek një i kollarisur. Natyrisht kanë dhënë kontribute te tyre njerëz të mrekullueshëm si Sokol Olldashi dhe të tjerë, por dhe nuk duhet të lihemi në harresë. Rivali i im më i fortë, Sokol Olldashi”, ka deklaruar Bujar Nallbani, për Ballkanweb.

 

 

Erzen Breçani pezullohet një muaj nga detyra, pas thirrjeve për përmbysje të Ramës

brecaniiii-300x219Kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj ka pezulluar për një muaj nga detyra Zv. Drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

Vendimi i pezullimit vjen menjëherë pas publikimit në Facebook të thirrjeve të Breçanit për përmbysje të Edi Ramës, duke i bërë thirrje Berishës që t’i prijë në këtë betejë dhe duke e konsideruar Kryeministrin e ardhshëm Edi Rama një Hitler, që do të gjunjëzojë shqiptarët. Thirrja u drejtohej gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike. Zv. Drejtori i Policisë, Breçani është justifikuar duke thënë se faqja online ishte e tij, por se ai mund ta kishte haruar hapur atë dhe dikush tjetër duhet të kishte shkruar në vend të tij.

Kreu i Policisë Burgaj, ka sqaruar se do të kryhet një inspektim nga ana e Policisë së Tiranës në lidhje me incidentin, për të vërtetuar nëse komenti mban autorësinë e Zv. Drejtorit Breçani dhe më pas, po sipas Burgaj, i ngelet Komisionit Disiplinor të vendosë përfundimisht.

Zv. Drejtori i Policisë së Shtetit Breçani është vënë vazhdimisht në fokus të opinionit publik për konfrontimet e tij me deputetët socialistë. Gjithashtu Partia Socialiste e ka akuzuar atë në deklaratat e saj, si të lidhur me kupolën e krimit. Deklarata e fundit që PS ka bërë në drejtim të Breçanit lidhet me zgjedhjet e 23 qershorit, menjëherë pas incidentit të Laçit.

Pavarësisht pezullimit të përkohshëm të tij, duke marrë në konsideratë kulturën e pandëshkueshmërisë, që është shndërruar në një fenomen problematik për vendin, duket se Zv. Drejtori i Policisë së Tiranës Breçani, do të rikthehet sërish shumë shpejt në postin e tij.

Lajmërimi i Breçanit në Facebook :

« Përshendetje liderit historik të shqipëtarëve Doktorr Sali Berishës e duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistave me në krye Edvin Ramen ta largojmë këtë Enver të dytë ne që dikur studenta të ‘91 shembëm diktaturen Enveriste do gjejmë forcë dhe optimizem do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët. »

 

 

 

 

 
 
 
 
 

 

Rinisin protestat në Orikum, qytetarët kërkojnë zgjidhjen e çështjes së pronave

Protesta-OrikumÇështja e tokave është rikthyer sërish në vëmendjen e publikut nga banorët e Orikumit, të cilët kërkojnë menjëherë zgjidhjen e tyre.

Protestat synojnë të paralajmërojnë Kreun e Bashkisë së Orikumit që të ruajë pronat e qytetarëve, deri në ardhjen në funksion të qeverisë së re socialiste, ose të japë dorëheqjen. Banorët kanë lajmëruar se protestat do të përshkallëzohen nëse situata e pronave nuk gjen zgjidhje.

Lideri socialist Edi Rama, gjatë fushatës elektorale i ka premtuar banorëve të Orikumit që çështja e tyre e pronave, do të zgjidhej njëherë e mirë.

Mustafaj: ja provat që kam kërkuar reformim të PD-së, por asnjë nuk më ka dëgjuar

mustafaj1Besnik Mustafaj, një prej figurave më të njohura të PD-së si edhe ish Ministër i Jashtëm, ka deklaruar në lidhje me reformimin e PD-së, se megjithëse ai ka folur prej vitesh në lidhje me këtë temë,  askush nuk e ka dëgjuar.

Ai ka risjellë në vëmendjen e publikut dhe një memorandum të përpiluar nga ai vetë para dy vjetësh.

“Të dashur miq demokratë! Midis qindra e qindra komenteve që bëni sa herë nis një postim në FB, janë edhe disa që më pyesin, herë me sinqeritet e herë me shejtanllek, se çfarë kam bërë më parë për ta ndihmuar Partinë Demokratike të mos bjerë në gabime. Përftoj nga rasti të risjell në vëmendjen tuaj memorandumin që paraqita në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar qysh nga viti 2009. Ishim në forumin më të lartë drejtues të partisë. Unë fola dhe shpëtova shpirtin tim, siç thuhet në Bibël. Por, nuk pati veshë për të më dëgjuar. Duke e sjellë edhe njëherë në vëmendje, ndoshta i ndihmoj sadopak edhe kandidatët për kryetar në hartimin e platformave të tyre zgjedhore”, shprehet Mustafaj.

Memorandum, Këshilli Kombëtar i PD-së, 6 shkurt 2011

Duke patur parasysh situatën veçanërisht problematike që kalon vendi pas ngjarjeve shumë të dhunshme përpara selisë së Kryeministrisë me 21 janar 2011:

Duke patur parasysh përgjegjësinë historike që ka në këto momente Partia Demokratike jo vetëm si forca kryesore politike në qeverisje, por edhe si forca politike më e madhe në vend;

Duke patur parasysh se kemi përballë një opozitë, e cila prej më shumë se një vit e gjysmë e ka nxjerrë luftën e saj politike nga institucionet e natyrshme demokratike për ta zhvilluar në rrugë, në dëm të përparimit ekonomik të vendit dhe po aq në dëm të forcimit të institucioneve të shtetit të së drejtës,

Duke marrë parasysh rëndësinë specifike që kanë zgjedhjet e 8 majit të ardhshëm për pushtetin vendor si test për vullnetin dhe për kapacitetin e mazhorancës sonë qeverisëse për të zhvilluar zgjedhjet të lira e të drejta;

Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e fitores së Partisë Demokratike në këto zgjedhje si alternativa më e mirë programore, por edhe si ekipi më i aftë për të drejtuar e më i lidhur me interesat e komunitetit si edhe të mbarë shoqërisë, me cilësinë time si antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i drejtoj këtij Këshilli Memorandumin si vijon:

1.

Këshilli Kombëtar që mblidhet sot për herë të pare, ka dalë nga Kuvendi Kombëtar i zhvilluar me 14 dhjetor 2009. Kanë kaluar, pra, katërmbëdhjetë muaj pa u konstituuar e rrjedhimisht pa e filluar veprimtarinë e tij Këshilli Kombëtar, i cili, ashtu siç përcaktohet në statutin e Partisë Demokratike, është organi më i lartë i kësaj partie midis dy kuvendeve kombëtare. Ky fakt nxjerr qartë në pah se Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë kolegjial i analizës politike, i hartimit të politikave programore dhe i marrjes së vendimeve politike të Partisë Demokratike ka qënë krejtësisht jashtë funksionit të tij qysh nga fillimi i mandatit tonë të dytë qeverisës. Jam i bindur se ky asgjesim i rolit të natyrshëm politik të Këshillit tonë Kombëtar ka qënë me pasoja të dukshme negative në përmbushjen e misionit politik që ka Partia Demokratike ndaj kombit.
Unë propozoj që t’i japim kësaj mbledhjeje të parë rëndësinë e duhur, duke e shndërruar në një moment refleksioni të thellë vetëkorrigjues, jo vetëm për t’u prerë rrugën praktikave të tilla në të ardhmen, por edhe për t’i dhënë krah një fryme të re brenda partisë, ku çdo antar i Partisë, që nga seksioni e deri te kryetari i Partisë, të ndjehet plotësisht pjestar i një familjeje politike të shëndetshme, ku bashkimi është vërtet me vullnet të lirë dhe ku respektohet e vlerësohet kontributi dhe individualiteti i gjithësecili demokrat.

2.

Qysh nga Kuvendi ynë i fundit Kombëtar para katërmbëdhjetë muajsh e deri sot, ne si parti, në përputhje me statutin tonë, kemi të ligjshëm vetëm Kryetarin e partisë, i cili është zgjedhur nga kuvendi në fjalë dhe nënkryetarin e partisë, Zotin Patozi, i cili me statut, duke qënë kryetar i grupit tonë parlamentar, është ex oficio edhe nënkryetari i partisë. Nuk kemi patur, pra, de juro e as de facto as kryesi të partisë, as sekretar të përgjithshëm, as nënkryetar të dytë, as sekretariat e as gjykatë të partisë. Kjo tablo flet vetë. Distanca institucionale e krijuar gjatë kësaj periudhe midis kryetarit të partisë dhe vetë partisë është jashtëzakonisht e madhe e për pasojë edhe me dëm të madh për demokracinë brenda partisë. Statuti është kushtetuta e partisë. Qysh në themelimin e saj njëzet vjet më parë, Partia Demokratike u angazhua përpara kombit të ndërtonte në Shqipëri shtetin ligjor. Me shkelje të tilla të rënda të kushtetutës së partisë, ne japim detyrimisht përpara shoqërisë shqiptare një dëshmi shumë të keqe të vullnetit tonë politik për të ndërtuar një sistem ku prevalon ligji.
Unë propozoj që ne sot, me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, të zgjedhim organet drejtuese të partisë dhe të kërkojmë prej tyre t’i përvishen punës për të rivendosur në parti frymën e munguar të kolegjialitetit demokratik. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie nga secili antar i Këshillit Kombëtar unë kuptoj vendosjen e kritereve parimore, jashtë çdo klientelizmi në përzgjedhjen e personaliteteve që do të zënë vend në organet tona drejtuese. Ju bëj thirrje të gjithë kolegëve antarë të Këshillit Kombëtar të kenë parasysh interesat e Partisë Demokratike dhe jo parapëlqimet subjektive nga njerëzit tanë me pushtet në ekzekutiv.

3.

Në praktikën e ushtrimit të pushtetit vërej se Partia Demokratike ka një largim gradual por të vazhdueshëm nga identiteti i saj si parti e qëndrës së djathtë. Janë inicuar dhe vazhdojnë të iniciohen njëherash politika të mirëfillta liberale, politika po ashtu të mirëfillta konservatore, dhe po aq shpesh qëndrime ndaj pronës apo politika sociale me përmbajtje të pastër të majtë. Këto luhajtje nga njëri ekstrem në tjetrin shpjegohen, sipas mendimit tim, me një frymëzim të tepruar populist të udhëheqjes së partisë, që e kemi në ekzekutiv. E keqja e një praktike të tillë pa fizionomi dhe pa identitet politik në ushtrimin e pushtetit shfaqet në modelin inkoherent të shtetit që na takon të ndërtojmë. Dhe jo vetëm kaq. Ky eklektizëm identitar ka dobësuar ndjeshëm lidhjet e partisë tonë me shtresat shoqërore, të cilat për arsye parimore duhet të jenë mbështetja jonë kryesore. Ndër to do të veçoja ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët dhe biznesin e madh. Më e pakta që mund të thuhet për këto dy shtresa është se ato kanë humbur entusiazmin në mbështetjen tonë.
Unë propozoj që kjo mbledhje e vonuar e Këshillit tonë të ri Kombëtar të ndërmarrë çeljen e një debate të gjerë brenda partisë për identitetin e saj. Ky debat, me pikësynim fokusimin e qartë identitar në programin tonë do të shërbente si rast për të tërhequr e gjallëruar edhe kapacitetet e grupeve shoqërore dhe të grupeve të interesit jashtë strukturave të partisë , por që presin nga ne si forcë politike të mishërojmë idealet e tyre për shtetin, për drejtësinë shoqërore, për lirinë e tregut dhe për pronën.

4.

Me mënyrën e saj të funksionimit ose të mosfunksionimit gjatë kësaj periudhe të gjatë, Partia Demokratike është larguar dukshëm nga modeli i partive të djathta europiane. Partia Demokratike është prej disa vitesh antare –vëzhguese në Partinë Popullore Europiane. Kjo është një fitore e rëndësishme dhe e merituar e partisë tonë, sigurisht, por është gjithashtu një kontribut i saj i çmuar edhe në procesin e përafrimit të vendit tonë me Bashkimin Europian. Antarësia në Partinë Popullore Europiane kërkon nga secili antar i partisë tonë e veçanërisht nga ne, që jemi në drejtimin e saj, të mbajmë vazhdimisht lart vlerat e shenjta, mbi të cilat mbështetet e djathta politike europiane. Këto vlera brenda Partisë Popullore Europiane, do të thotë brenda secilës nga partitë e djathat që e përbëjnë atë, sanksionohen si frymë lirie, por edhe si normë detyruese për të respektuar demokracinë e brendshme, ku përfshihet edhe mendimi ndryshe si pjesë e kulturës politike të djathtë.
Unë propozoj sot që kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të përcaktojë si objektiv madhor ndërmarrjen urgjente të reformave brenda partisë për ta modernizuar dhe demokratizuar atë, që të jemi në lartësine e partive popullore europiane. Vetëm duke e modernizuar dhe demokratizuar partinë, ne të vjetrit e partisë do të ndjehemi të rinj me përvojën tonë dhe vetë partia do të bëhet thelbësisht atraktive për masën e madhe të rinisë shqiptare. Nuk duhet hequr nga mendja një fakt: janë 50 mijë të rinj të cilët çdo vit arrijnë moshën e vetëdijes dhe po ashtu moshën e të së drejtës për t’u marrë me politikë jo vetëm si votues, por edhe si aktivistë. Përtëritjen e shoqërisë Partia Demokratike duhet ta paraprijë duke u përtërirë dhe vetë në mënyrën e saj të funksionimit.

Si përfundim, unë jam i bindur se janë të gjitha mundësitë për ta shndërruar këtë mbledhje të parë të Këshillit të ri Kombëtar në një gjenerator transformues për krejt partinë. Nuk shoh rrugë tjetër më të mirë për t’i dhënë asaj besueshmërinë e nevojshme për t’i fituar me 8 maj zgjedhjet lokale në Tiranë dhe në mbarë vendin. Vetëm duke ndjekur me guxim rrugën e reformimit të shpejtë e të thellë të partisë do të zbulojmë te vetja rezerva të reja për të përfunduar me nder mandatin e besuar nga populli për të qeverisur deri në vitin 2013 dhe do të jemi të përgatitur për të kërkuar një mandat të tretë. Ne duhet të provojmë para shqiptarëve se jemi në pushtet jo pse kemi përballë një opozitë të keqe e pa alternativë, por sepse Partia Demokratike në vetvete, jashtë krahasimit me kundërshtarin, është forca politike më e denjë, më vitale, më modern për ta qeverisur vendin.

 

Grinden taksistët, plagoset 15 vjeçari

policia-ne-patrull-300x225Një sherr mes dy taksistëve në qytetin e Përmetit ka përfunduar me plagosjen e një 15-vjeçari. Sipas informacioneve të fundit, përplasja mes dy taksistëve ka nisur për shkak të konkurrencës dhe 15-vjeçari ka ndërhyrë për të ndihmuar të atin.

Në përplasje e sipër, shtetasi Sazan Zoto ka plagosur me thikë adoleshentin, i identifikuar me iniciale R.K. Forcat policore janë njoftuar nga personat e pranishëm në vendin e ngjarjes dhe kur kanë mbërritur atje kanë arrestuar agresorin.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se kanë ushtruar edhe një kontroll në banesën e autorit të plagosjes, ku kanë gjetur një kallashnikov dhe rreth 80 fishekë. Ndërkohë, 15-vjeçari i lënduar ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spital.

Itali, ish-polici plagos dy krerët e bashkisë

Carabinieri_triesteNjë agjent policie i pezulluar nga detyra ka qëlluar me pistoletë Kryetaren e Bashkisë të lokalitetit Kardano al Kampo në very të Italisë.  Sipas raportimeve të mediave vendase, nga të shtënat janë plagosur Kryetarja e Bashkisë si dhe Nënkryetari, i cili ishte ndodhur aty në momentin e sulmit, në afërsi të Milanos, ka mbetur e plagosur rëndë.

Mësohet se kryebashkiakja Laura Prati dhe zëvendësi i saj, 76-vjeçari Costantino Iametti, janë transportuar në një spital ku i janë nënshtruar ndërhyrjeve delikate.  Sipas burimeve, Prati ka marrë plagë në bark dhe në krah, ndërsa bashkëpunëtori i saj është qëlluar në kokë.  Edhe autori i sulmit është dërguar në spital për shkak të disa lëndimeve të marra pasi bëri rezistencë gjatë arrestimit. Më pas ai është transferuar në një kazermë karabinierësh.

Agjenti punonte prej tre vitesh në sektorin ekologjik, pasi ishte shkarkuar nga një detyrë më e lartë në gradë për shkak të disa shkeljeve.  Sipas disa dëshmitarëve, ai hyri armatosur në ambjentet e bashkisë dhe pasi largoi punonjësit hyri në zyrën e dy drejtuesve të saj dhe hapi zjarr. Kur doli prej andej ai tha: “Lava hesapet”.

JLo kërkon falje për urimin e ditëlindjes diktatorit të Turkmenistanit

article-2351922-1A93F90A000005DC-778_634x426Jennifer Lopez ka kërkuar falje për faktin, se ka kënduar për nder të ditëlindjes së diktatorit brutal të Turkmekistanit, i cili akuzohet për tortura dhe vrasje.

Qeveria e Turkmekistanit është akuzuar për arrestime arbitrare dhe torturim të kundërshtarëve politikë. Organizata për ruajtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch e ka renditur Turkmekistanin, ndër vendet më shtypëse në botë.

Jlo ka bërë të ditur gjithashtu, se nuk do të kishte marrë pjesë po të ishte në dijeni të kësaj situate. /dailymail/

 

 

http://i.dailymail.co.uk/i/pix/2013/07/01/video-undefined-1A992A06000005DC-457_290x163.jpg

 

 

 

Ish Kryeministri Maqedonas Buçkovski dënohet me tre vite burg

FGH_461834889Ish Kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski dhe ish Ministër i Mbrojtes janë dënuar dje me 3 vite burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ish Kryeministri është vënë nën akuzë  për shpërdorim të fondeve publike, pasi kishte përvetësuar në mënyrë të paligjshme shifrën monetare prej më shumë se  dy milionë euro. Shuma në fjalë mendohet të jetë përvetësuar gjatë furnizimit me pjesë rezervë të tankeve ushtarake.

Buçkovski nuk e ka pranuar akuzën duke deklaruar se do ta ankimojë atë në Gjykatë të Apelit.

“Ky është vendim skandaloz. Po zhvillojmë betejë 6 vjeçare për këtë çështje. Edhe Gjykata e Apelit kur e anuloi verdiktin e shkallës së parë dha kah që në përkthim do të thoshte vendim për liri. Më vjen keq që gjykatësja nuk kishte guxim, nuk ka asnjë dëshmi që mund ta përdorë për të arsyetuar vendimin e saj. Shihet se vazhdon tendenca që gjykatësit të bëjnë flert me autoritetet dhe pushtetin. Jam i bindur se ky vendim do të rrëzohet nga Gjykata e Apelit”, -tha Vllado Buçkovski, ish kryeministër.

Në fakt ky është vendimi i dytë për sa i përket ish Kryeministrit Buçkovskit, pasi kur shkalla e parë e dënoi më tre vite burg, Apeli e rrëzoi vendimin duke ia rikthyer sërish shkallës së parë për gjykim.

Me tre vite burg janë dënuar gjithashtu edhe ish kryeshefin e ARM-së Metodij Stamboliski dhe Mitre Petkovski. Ndërkohë janë dënuar me 2 vite burg edhe Menko Nelkinovskin dhe ish këshilltarin shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, Aco Gjurçevski. Të gjithë të dënuarit ngarkohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

 

 

 

 

Snowden kërkon azil politik në 19 vende të ndryshme

Edward Snowden
Edward Snowden

Eduard Snowden, personi që zbuloi për mbarë botën përgjimin gjigand, që bënin SHBA është shndërruar në personin më të kërkuar nga shteti amerikan.

Wikileaks ka raportuar, se ka dorëzuar 19 kërkesa për azil në vende të ndryshmë të botës, për Snowden që tashmë ndodhet në arrati i kërkuar për spiunazh dhe cënim të sigurisë kombëtare.

Mendohet se Snowden është duke qëndruar akoma në Moskë, në një nga aeroportet e saj, pasi SHBA bllokoi pasaportën e tij. Megjithëse, autoritetet amerikane i kanë kërkuar zyrtarisht Moskës që të dorëzojë Snowden, Moska ka mohuar një fakt të tillë që Snowden gjendet në Rusi.

SHBA kanë kërcënuar gjithashtu për sanksione, nëse vendet arrijnë t’i ofrijnë atij ndihmë.

Wikileaks thotë gjithashtu, se disa nga venet ku ka depozituar kërkesën e tij për azil janë Rusia, Kina, India, Brazili, Ekuador, Islandë, etj.