Erzen Breçani pezullohet një muaj nga detyra, pas thirrjeve për përmbysje të Ramës

14

brecaniiii-300x219Kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj ka pezulluar për një muaj nga detyra Zv. Drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

Vendimi i pezullimit vjen menjëherë pas publikimit në Facebook të thirrjeve të Breçanit për përmbysje të Edi Ramës, duke i bërë thirrje Berishës që t’i prijë në këtë betejë dhe duke e konsideruar Kryeministrin e ardhshëm Edi Rama një Hitler, që do të gjunjëzojë shqiptarët. Thirrja u drejtohej gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike. Zv. Drejtori i Policisë, Breçani është justifikuar duke thënë se faqja online ishte e tij, por se ai mund ta kishte haruar hapur atë dhe dikush tjetër duhet të kishte shkruar në vend të tij.

Kreu i Policisë Burgaj, ka sqaruar se do të kryhet një inspektim nga ana e Policisë së Tiranës në lidhje me incidentin, për të vërtetuar nëse komenti mban autorësinë e Zv. Drejtorit Breçani dhe më pas, po sipas Burgaj, i ngelet Komisionit Disiplinor të vendosë përfundimisht.

Zv. Drejtori i Policisë së Shtetit Breçani është vënë vazhdimisht në fokus të opinionit publik për konfrontimet e tij me deputetët socialistë. Gjithashtu Partia Socialiste e ka akuzuar atë në deklaratat e saj, si të lidhur me kupolën e krimit. Deklarata e fundit që PS ka bërë në drejtim të Breçanit lidhet me zgjedhjet e 23 qershorit, menjëherë pas incidentit të Laçit.

Pavarësisht pezullimit të përkohshëm të tij, duke marrë në konsideratë kulturën e pandëshkueshmërisë, që është shndërruar në një fenomen problematik për vendin, duket se Zv. Drejtori i Policisë së Tiranës Breçani, do të rikthehet sërish shumë shpejt në postin e tij.

Lajmërimi i Breçanit në Facebook :

« Përshendetje liderit historik të shqipëtarëve Doktorr Sali Berishës e duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistave me në krye Edvin Ramen ta largojmë këtë Enver të dytë ne që dikur studenta të ‘91 shembëm diktaturen Enveriste do gjejmë forcë dhe optimizem do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët. »