Presidenti Nishani niset për vizitë në SHBA, i ftuar nga Bill Klinton

Bujar NishaniKreu i shtetit shqiptar vizitë në Shtetet e Bashkuara. Sic bën të ditur njoftimi për shtyp i Presidencës, mësohet se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u nis sot për një vizitë në SHBA, ku do të marrë pjesë në veprimtarinë “Clinton Global Initiative 2013 – Nisma Globale Klinton 2013, që do të zhvillohet në Nju Jork, në datat 23-26 shtator 2013.

Presidenti Nishani është i ftuar në këtë veprimtari nga ish-Presidenti i SHBA, Bill Klinton.

Vizita në SHBA e Kreut të Shtetit përfshin edhe disa takime të rëndësishme me organizma dhe përfaqësues të shtetit amerikan si dhe me ata të komunitetit shqiptar në Boston, Detroit dhe Nju Jork.

Rama: 21 janari, arsye për qeverisje të drejtë

edi rama vlZgjedhja në postin e kryeministrit me votë plebishitare e rëndon peshën e karriges në të cilën Edi Rama është ulur. Kështu shprehet ai në një intervistë për “Top Story”. Por, ndërkohë që vlerëson rolin e mazhorancës së djeshme në hartimin e ligjeve, shprehet se ajo çka është e rëndësishme, zbatimi në praktikë i tyre ka ecur në regres dhe jo progres. Kryeministri ka komentuar vendimet e para të Qeverisë dhe është shprehur se heqja e fotos së Presidentit nga ceremoniali zyrtar është për të evituar përplasjet e herëpashershme politike, zgjidhja më e mirë për këtë ishte Ismail Qemali.

Sokol Balla: Shoh që zgjodhët një vend simbolik të zyrës së Kryeministrit. Dritaren, duhet të keni kujtime nga kjo dritare, protestave…

Kryeministri Edi Rama: Më mirë hajde ulemi i lëmë kujtimet.

Në fakt doja t’u pyesja për 21 janarin sa jemi këtu. E di që intervista të tilla duhet të nisnin ndryshe, por është një peng i madh, besoj, 21 janari.

Është një peng shumë i madhe dhe arsye shumë e fortë për të mos përsëritur të gjitha ato që i shtynë njerëzit të vijnë në këto protesta dhe nga ana tjetër është një arsye shumë e fortë për ta kthyer këtë mandat në mandatin e një qeverisjeje të drejtë.

Çfarë ndjen një person kur vjen në majë të pushtetit, natyrisht duke ardhur në një mënyrë të caktuar si ju, pasi ka qenë një rrugë jo e lehtë?

Është një ndjesi peshe mbi supe, jo një lloj boshllëku, por një lloj ndjesie paralele, një zbrasti që lidhet me kujtesën e hershme si një film me flashback se sa shumë punë, vështirësi, sa shumë problemeve, plagëve janë mbrapa këtij vendimi të njerëzve për të bërë këtë ndryshim sepse në fund ajo që ndodh në skenë është ajo që shohim, por kush e vë në skenë është një popull i tërë që fatkeqësisht bëhet i padukshëm pasi prozhektorët janë mbi skenë, por që është autori që ne jemi në skenë. Nga ana tjetër ma bëri më të lehtë të gjithë këtë kapërcim, se është edhe si një kapërcim, nuk është futja nga një palë shkallë në tjerat, por është një kapërcim periudhash jete dhe periudhash që lidhen me jetën e një vendi, ma bëjnë më të lehtë takimin me zonjën që ka qenë edhe kohën kur unë kam hyrë në këtë godinë si Ministër i Kulturës dhe që shërbente me shumë dashuri për të gjithë në barin e Kryeministrisë.

Ju këtë të diel, ju miratuat 3 vendimet e para. Mund të na thoni diçka më tepër për këto 3 vendime? Kur flitet për vazhdimësi të shtetit, ju bëtë një gjë që duket si një goditje, ju hoqët me vendim qeverie fotografitë e Presidentit Nishani.

Kjo nuk ka lidhje me këtë. E përsëris me Presidentin e Republikës do të bëj gjithçka është në dorën time që të ndërtojmë një marrëdhënie shembullore për nga mënyra se si dy përfaqësues të institucioneve të mëdha, kaq të rëndësishme, mund të bashkëpunojnë në respekt të Kushtetutës dhe në interes të qytetarëvedhe të ligjit pavarësisht se vijnë nga parti të ndryshme. Kjo ka lidhje me një histori shumë të stërzgjatur dhe qesharake të gjithë kësaj periudhe kur asnjëherë një fotografi e Presidentit të Republikës nuk ka gjetur paqe mbi mure sepse gjithmonë është bërë objekt i kontestit të palëve për beteja të verbra brenda vetes apo për inerci betejash me të tjerët. Besoj që ky vend ka nevojë për një rilindje morale dhe kjo rilindje morale duhet jo vetëm të përfshijë, por duhet të jetë pjesë e vetëdijes së qeverisë. Megjithëse simbolet kanë një peshë relative, pesha e tyre ndonjëherë është shumë e rëndësishëm në momente të caktuara dhe Ismail Qemali është një figurë e gjithëpranuar që rrezaton shumëçka në funksion të një rilindje morale të qeverisjes dhe në rrugën për të gjetur pika të përbashkëta me të gjithë.

A duhet të ndjehet Presidenti Nishani i rrezikuar potencialisht nga ndonjë shkarkimi i mundshëm i tij?

Presidenti Nishani nuk ka asnjë arsye të ndjehet i rrezikuar nga asgjë, por ka të gjitha arsyet që të ndjehet gardian i Kushtetutës, ashtu sikundër Kushtetuta e kërkon dhe mund t’ju siguroj që përsa më takon, epoka e municioneve që mblidheshin në këtë zyrë dhe pastaj mbushnin topat apo armët e luftës politike për t’u nisur të shtënat drejt Presidencës ka mbaruar. Në të gjitha rastet ju nuk do të dëgjoni që unë si Kryeministër të sulmoj publikisht Presidentin. Sigurisht që mund të ketë momente mosdakordësie, por gjithmonë në rast se do të shprehen, edhe pse do të bëj çmos që këto as të mos shprehen, por t’i shprehen Presidentit në rrugë konfidenciale. S’do kenë lidhje fare me çfarë na kanë parë sytë dhe na kanë dëgjuar veshët deri pak kohë më parë.

Çfarë do të thotë kodi ministror? Se shumë është interpretuar si një mënyrë censure ndaj ministrave.

Kodi Etik Ministror është praktikisht dokument i miratuar bashkarisht i një praktike të mirë që kemi huazuar si praktikë të parë, e kemi modifikuar në funksion të kontekstit tonë, nga qeveria britanike dhe e kanë edhe qeveri të tjera. Do të thotë që është një angazhim për një sërë elementesh që kanë të bëjnë me ndërveprimin dhe elemente etikë të qeverisjes dhe do të jetë publik.

Vendimi i tretë është i importit të mbetjeve.

Vendimi i tretë është anulimi i atyre ndërhyrjeve në ligj që kanë mundësuar futjen e plehrave nga jashtë në Shqipëri. Shqipëria nuk do të interpretojë më plehra nga jashtë. Ky është një angazhim solemn që e kemi marrë përpara popullit dhe na u duk shumë e rëndësishme që ta vendosim në vend këtë zotim qysh ditën e parë.

Pyetja që shtrojnë armiqtë tuaj politikë është a do të rezistojë dot raporti Rama-Meta?

Njerëzit shkojnë përpara altarit betohen për dashuri të përjetshme edhe përtej jetës në tokë dhe pastaj gjenden përballë në një gjyq divorci, ndërkohë që kur vjen puna tek politika, besoj se dy aleatë që janë divorcuar njëherë, kur ribashkohen, nuk ribashkohen për t’u divorcuar për të dytën herë sepse mos harrojmë që edhe koha bën të veten. Ne tanimë kemi në lëkurë shumë nga vragat e një jetë politike jo të lehtë dhe besoj që kemi nxjerrë mësime të çmuara për të qenë në lartësinë e kërkesës së njerëzve ndaj nesh. Besoj.

A është e vërtetë zoti Rama që ka patur jo një vendim, por një mendim për të lënë jashtë kabinetit të gjithë ata që kanë punuar me Fatos Nanon?

Nuk do ta shihja dot në mënyrë ka simpliste, ashtu sikundër nuk shoh shkëndija përtej natyrës dhe profilit të Ben Blushit. Ben Blushi është ai dhe pa ato do të ishte dikush tjetër. Ajo që shoh është një shumicë e re që duhet të jetë në lartësinë e mandatit që ka marrë dhe qeveria që unë kam kompozuar në bashkëpunim me aleatin tonë strategjik është një qeveri e kompozuar si një skuadër për t’iu përgjigjur pritshmërisë së parë të publikut dhe fakti që pritshmëria nuk u zhgënjye, por u rrit kur u paraqit skuadra qeverisëse, është prova më e mirë.

Një bashkëpunëtor i juaji më kujtoi kohën kur ju keni qenë kryetar bashkie dhe kur zoti Nano ju linte, ndoshta dhe qëllimisht, ndoshta edhe jo, që të prisnit gjatë para kësaj zyre. Çfarë ndjesie keni sot ndaj zotit Nano që besoj duhet të jetë gëzuar si personi që ju dha mundësinë që sot kulmon në këtë mënyrë, por nga ana tjetër edhe shumë histori të tjera?

Nuk është këtu, nuk na dëgjon, por e vërteta është që nuk më ka lënë asnjëherë të pres gjatë në atë kohë. Kemi patur një marrëdhënie shumë të mirë që buronte nga një marrëdhënie e krijuar jashtë oborrit të PS dhe nga një këndvështrim për njëri-tjetrin në distancë. Kur u njohëm nga pranë pastaj u bë e pamundur që të kishim të njëjtin raport, ai për arsyet e tij dhe unë për të miat. Unë të miat i kam thënë dhe përtej tyre nuk kam asgjë tjetër. Kam keqardhje për anën njerëzore dhe gjithmonë kam menduar që si ka mundësi që një person me aq shumë histori në politikë, të mos e vendosë vetë daljen. Por nga ana tjetër është një çështje që…

I jeni mirënjohës atij, qoftë edhe minimalisht, që jeni ulur sot në këtë karrike?

Unë kam një këndvështrim disi ndryshe për këtë temën e mirënjohjes kur vjen puna tek politika. Unë nuk mendoj, të themi që Sajmir Tahiri duhet të më jetë mua mirënjohës në formën që asnjëherë që të mos i shkojë mendja të mendojë ndryshe nga unë, apo edhe të dalë kundër meje nëse arsyet pse ai ka ardhur të punojë me mua dhe pse ne kemi një raport pune kaq të mirë, e përmend atë sepse ai ka qenë i pari që ka ardhur me mua nga jashtë në PS, sepse besoj që sa do të jetë ai mirënjohës ndaj meje, duhet t’i jem edhe unë mirënjohës atij që ai pranoi të punojë me mua. Unë kështu e shoh.

Cili do të jetë aksioni i parë i qeverisë? Që ju do të drejtoni.

Do të jetë një ballafaqim frontal me problemet. Nëse ju doni 3 cështje që unë i kam prioritete të forta të miat edhe si Kryeministër, së pari rimarrja e kontrollit të territorit në kuptimin e sigurisë të individit dhe pronës, së dyti dhënia e të drejtës për të gëzuar pronën qoftë bujqve në fshat, qoftë të ardhurve që kanë ndërtuar shtëpi rreth qyteteve për një jetë më të mirë në zonat informale dhe qoftë të atyre që kanë 20 vjet zvarriten dhe nuk marrin dot një pronë që mund të merrnin se ka raste sa të duash që nuk e marrin dot për arsye se është objektivisht e pamundur dhe duhet ndjekur një politikë kompensimi dhe e treta heqjen nga axhenda e fushatës së ardhshme elektorale pas 4 vitesh e ujit si një çështje ku të gjithë përplasen se kush do ta sjellë ujin, qoftë në arë, qoftë në rubinet.

Nëse mund të na thoni me 2-3 fjali, si realisht mendoni se do ta zgjidhni këtë problem?

Po të zgjidhej me 2-3 fjali të thjeshta kjo do ishte zgjidhur, besoj unë, por duhet të ulemi edhe me të tjerë. Shpresoj zoti Shehi, që është një promotor i kahershëm i idesë së një zgjidhjeje racionale përtej retorikave elektorale dhe të tjerë do të jenë të interesuar që ta bëjnë këtë me ne dhe të tjerë, ndërkohë që ne pavarësisht se kush do të na bashkohet do të bëjmë legalizimet falas për ata që kanë ndërtuar shtëpi në zonat informale dhe do të shkojmë përpara me përfundimin e procesit të stërzgjatur 20 vjet të ligjit 7501 për t’i dhënë certifikatën e tokës atyre që jetojnë me tokën dhe që tokën s’e kanë ende të tyre.

Megjithatë, në programin tuaj ka disa ide thelbësore përsa i përket mënyrës se si do të drejtohet ky vend në fusha të caktuara dhe këtu po përmend Byronë Kombëtare të Hetimit apo Shërbimin Kombëtar Shëndetësor.

Është tërësisht një tym që del nga oxhaku i propagandës kundërshtare. Byroja Kombëtare e Hetimit nuk do të jetë e varur nga Kryeministri, kjo është një sajesë që bazohet mbi keqkuptimin ose nevojën për keqinformim. Do të jetë pjesë e strukturave që varen nga Ministria e Brendshme dhe do të bashkojë të gjitha strukturat që sot ekzistojnë për që janë komplet të pakoordinuara me njëratjetrën dhe që merren me inteligjencën në kuptimin e punëve të brendshme, jo në kuptimin e shërbimit sekret shqiptar.

Cilin person që nuk e kishit këtu do të donit që ta kishit në këto momente pranë?

Nuk është këtu, por e kam pranë, është Linda.

Assad pranon zotërimin e armëve kimike dhe shkatërrimin e tyre

Mideast SyriaPresidenti sirian, Bashar al-Assad pranoi gjatë një interviste për televizionin amerikan ”FoxNews” mbrëmjen e djeshme se vendi i tij zotëronte armë kimike duke u shprehur i sigurt mbi shkatërrimin e tyre.

Presidenti sirian, Assad intervista me të cilin u realizua të martën në Damask, u shpreh se demontimi në fjalë mund të kushtonte deri në një miliard dollarë dhe mund të zgjaste pak më shumë se një vit.

“Me anëtarësimin javën e kaluar në një traktat ndërkombëtar mbi armët kimike, Siria e ka dhënë tashmë miratimin e saj për t’i shkatërruar ato”, deklaroi Assad gjatë intervistës.
“Besoj se është një operacion shumë i ndërlikuar nga ana teknike. Kërkon shumë para, rreth një miliard dollarë”, shtoi ai.

“Demontimi do të realizohet sipas një afati të përcaktuar kohor. Do të duhet një vit, ose ndoshta pak më shumë”, theksoi Assad.

Vrasja e këngëtarit, “Agimi i Artë” mund të dalë jashtë ligjit

agimi_506529234Vrasja e këngëtarit grek me prirje të majta, antifashist dhe antiracist, ka risjellë në vëmendje skenarët për nxjerrjen jashtë ligjit të partisë “Agimi i Artë”, edhe pse Kushtetuta greke nuk parashikon shpërbërjen e partive.

Qeveria greke është duke shqyrtuar propozimet për klasifikimin e partisë neonaziste “Agimi i Artë” si një organizatë kriminale, gjë që do t’i hapte rrugë ndalimit të veprimtarisë së saj.

Kryeministri grek Antonis Samaras dhe zv.kryeministri Evangelos Venizelos zhvilluan dje një takim urgjent për situatën, ku shqyrtuan dhe mbështetën propozimin e ministrit të i Rendit, Nikos Dendias që kjo parti të klasifikohet si “organizatë kriminale” dhe të shtrëngohet legjislacioni për grupet kriminale dhe të armatosura.

Pas shpërthimit të dhunës dje pasdite, ministri i Rendit anuloi udhëtimet e planifikuara jashtë vendit dhe deklaroi se qeveria do të konsiderojë legjislacionin emergjent për nxjerrjen jashtë ligjit të partisë “Agimi i Artë”.

Greqia ka presione edhe nga ndërkombëtarët për qëndrimin që duhet të mbajë me partinë neonaziste. Kreu i grupit të deputetëve socialistë në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda paralajmëron Greqinë për presidencën e BE. “Nëse qeveria greke dështon për t’i dhënë fund sjelljes së urryer të “Agimit të Artë”, presidenca greke është e papranueshme”, është shprehur ai. Svoboda e cilësoi vrasjen e të riut, shokuese dhe të papranueshme për çdo vend të BE. Ai kërkoi nga qeveria e Parlamenti grek të marrin në konsideratë ndalimin e partisë “Agimi i Artë”.

Presidenti grek Karolos Papulias ka bërë thirrje për ndërgjegjësim politik. “Duhet vigjilencë institucionale dhe zgjim social për të luftuar një dukuri të neveritshme”, ka deklaruar presidenti.

Partia “Agimi i Artë” është aktualisht forca e tretë parlamentare, me 18 vende në parlamentin me 300 deputetë, e votuar nga afro 1 milionë grekë dhe duket se po forcon pozitat e saj për shkak të zemërimit popullor ndaj vështirësive ekonomike.

Gazeta “The Guardian” thotë se “në këto kushte ekziston një shqetësim serioz, pasi udhëheqja e “Agimit të Artë” mund të humbasë kontrollin mbi përkrahësit e partisë, të cilët e shohin veten si ushtarë në një luftë të armatosur, me qëllim përmbysjen e një sistemi politik që fajësohet për sëmundjet e vendit”.

Vrasja e këngëtarit 34 vjeçar Pavlos Fissas nga një person që ka lidhje me “Agimin e Artë”, shkaktoi zemërim dhe protesta, të cilat degjeneruan në përleshje mes protestuesve dhe policisë dhe në dhunë. Frika është se ngjarja do të shfrytëzohet për përshkallëzimin e reagimit popullor mbi gjendjen ekonomike, në të cilën është zhytur vendi. Policia është në gatishmëri për përballimin e situatës.

Këngëtari i repit u vra natën e kaluar duke dalë nga një klub, pasi u përball i vetëm me një grup njerëzish të veshur me rroba të zeza, derisa njëri prej tyre, një 45 vjeçar (në foto) e qëlloi për vdekje. Këngëtari vdiq pas 20 minutash, dhe deri atëherë arriti t’i tregojë policisë se cili ishte personi që e qëlloi me thikë në zemër, gjë që çoi në arrestimin e tij të menjëhershëm.

Nënoficeri mohon vrasjen tek ish-Blloku: Kam alibi

policiaNënoficeri i arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Tiranës nën dyshimet si autor i vrasjes aksidentale të Majlinda Hoxhës në atentatin për ekzekutimin e Elton Fushës, nuk e ka pranuar akuzën. Ai ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje, duke theksuar se ka alibi. Ndriçim Balla ka mohuar kategorikisht të jetë ai autor i vrasjes, madje duke pretenduar se ka edhe një alibi që mund të provojë pafajësinë e tij. Sipas deklarimeve të 33-vjeçarit, më momentin kur ka ndodhur ngjarja te ish- Blloku, mbrëmjen e datës 9 shtator, ai ndodhej në shtëpi dhe e ka mësuar vetëm nga lajmet se çfarë kishte ndodhur.

Ai pretendon se këtë fakt mund ta konfirmojë edhe bashkëshortja e tij, pasi të dy kanë qenë bashkë në momentin kur ka ndodhur krimi. Burime nga grupi hetimor thanë se nënoficeri i Shkollës së Bashkuar gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se mes tij dhe Elton Fushës ka pasur një debat disa ditë para ngjarjes para lokalit të basteve që ishte marrë me qira nga Fusha. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur edhe në prezencë të vëllait të ushtarakut të dyshuar, pasi Fusha nuk i kishte dhënë paratë për punimet që kishte kryer në shtëpinë e tij. Por, sipas tij, debati ka qenë vetëm me fjalë dhe është mbyllur aty.

ARRESTIMI 
Policia e Tiranës arrestoi dy ditë më parë shtetasin Ndriçim Balla, 33 vjeç, nënoficer te Shkolla e Bashkuar, pasi dyshohet të jetë autori i vrasjes së 30- vjeçares Majlinda Hoxha, e punësuar si ekonomiste në lokalin e basteve të Elton Fushës, i cili ishte objektiv i ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë se nga hetimet rezultoi se i plagosuri Elton Fusha ka pasur një konflikt me shtetasin A. Balla (vëllai i nënoficerit të arrestuar), pasi ky i fundit i kërkonte t’i paguante shumën prej 25 mijë lekësh për një punë që kishte bërë si usta në objektin e tij. Por kjo shumë nuk pranohej të paguhej nga Fusha e si rezultat, disa ditë para ngjarjes, te lokali i tij ka shkuar shtetasi A. Balla, i shoqëruar me një person tjetër, që siç ka rezultuar, është autori i dyshuar ngjarjes, vëllai i tij Ndriçim Balla.

Nga deklarimet e të plagosurit Elton Fusha dhe bashkëshortit të viktimës Majlinda Hoxha, shtetasit Fatos Hoxha, që ishte i pranishëm në momentin e krimit, është shpjeguar ngjarja dhe mekanizmi i saj, si dhe është bërë përshkrimi i autorit. Kanë qenë pikërisht këta dëshmitarë dhe persona të tjerë të pranishëm që nëpërmjet paraqitjes për njohje, kanë identifikuar si të dyshuar të arrestuarin Ndriçim Balla.

Zveçan, qëllohet me armë makina e EULEX-it, vdes polici nga Lituania

eulexNjë pjesëtar i EULEX-it është vrarë sot në mëngjes në territorin e komunës së Zveçanit, bën të ditur agjencia “Beta” e Beogradit. Mësohet se makina e EULEX-it është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Plumbat kanë prekur në kokë dhe në bark policin nga Lituania me iniciale A.S.

Si pasojë e sulmit janë plagosur edhe dy policë të tjerë, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e KFOR-it dhe njësitë speciale të EULEX-it. Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, pa dhënë detaje shtesë.

EULEX-i KONFIRMON VDEKJEN E PJESËTARIT TË SAJ
EULEX-i konfirmoi se të enjten rreth orës 7:30, dy automjete të EULEX-it, me të cilat udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit.
Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. Task-Forca Mitrovica është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar.

Zona përreth është bllokuar, ndërsa thuhet se do të bëhet çmos për t’i sjellë autorët e kësaj vepre përpara drejtësisë. EULEX-i e dënon fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarit të tij.

“Ne i bëjmë apel komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që din ndonjë gjë lidhur me këtë incident që të paraqiten dhe të na kontaktojnë në numrat e telefonit 00381 38 78 5555 ose 00381 38 78 5556. EULEX-i i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

THACI DENON SULMIN
Kryeministri Hashim Thaçi e ka dënuar sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në afërsi të Komunës së Zveçanit, ku si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it.

“Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria ka kërkuar nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryerësit e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it.

AMBASADORJA JACOBSON: JAM E TRONDITUR
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit.

“Jam e tronditur me sulmin ndaj EULEX-it në veri, këtë mëngjes, dhe e trishtuar me humbjen e jetës”, – ka shkruar Jacobson në “Twitter”.

MINISTRJA VLORA E TRONDITUR
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku u shpreh se ështe tronditur me lajmin për vrasjen e një polici të EULEX-it në Veri të Kosovës.
Nëpërmjet Twitter-it, Çitaku ka shkruar se sulmet ndaj personelit të EULEX-it janë të papranueshme dhe është lutur për shërimin e policëve tjerë të plagosur.

“Ne lutemi për shërimin e shpejt të dy oficerëve të plagosur”, shkruan ajo.

BE gati sanksionet kundër Kroacisë

beBashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve financiare kundër anëtarit të saj më të ri, Kroacisë për shkak të ligjit për ekstradim.

Komisioni Evropian ka thënë se rregullisht ka kërkuar nga qeveria kroate që të ndryshojë ligjin i cili nuk lejon ekstradimin e të kërkuarve për krime në vendet e tjera.

Komisioni ka thënë se vendet anëtare të BE-së tani kanë dy javë kohë për tu konsultuar, para se të suspendohet ndihma financiare për këtë shtet.

Parlamenti kroat e kishte ndryshuar ligjin në fjalë vetëm pak ditë para se të bëhet pjesë e BE-së. Sipas amandamenteve, secili i akuzuar apo i dënuar për krime para gushtit të vitit 2002 nuk mund të transferohet jashtë shtetit.

Greqi, vritet këngëtari nga një neonazist

greqia repNjë 34 vjeçar grek, me profesion muzikant, është qëlluar për vdekje mbrëmë në Athinë.
34 vjeçari njihej si veprimtar i majtë, antifashist dhe antiracist dhe është sulmuar nga një grup neonazistësh, njëri prej të cilëve e qëlloi me thikë.
Policia greke arrestoi një 45 vjeçar, i cili ka pohuar se është anëtar i “Agimit të Artë”, ndërkohë që më herët në një njoftim zyrtar, partia neonaziste mohoi të ketë lidhje dhe u distancua nga ngjarja.

Krimi ndodhi mbrëmë teksa reperi grek Pavlos Fissas, që njihej me pseudonimin Killah P. (në foto), doli me të fejuarën dhe miqtë e tij nga një klub ku kishte ndjekur një ndeshje futbolli dhe është përplasur me një grup njerëzish të veshur me të zeza, të cilët edhe sipas dëshmitarëve, ishin anëtarë të partisë “Agimi i Artë”. Kur 34 vjeçari është larguar, njëri prej tyre e ka ndjekur dhe e ka qëlluar me thikë duke i shkaktuar vdekjen.

Policia po heton për të zbuluar motivet e kësaj vrasjeje, por mendohet se ajo mund të ketë të bëjë me ngjarjen e disa ditëve më parë, kur neonazistët sulmuan një grup komunistësh duke shkaktuar 9 të plagosur.

Partitë e majta dhe sindikatat dënojnë ngjarjen dhë bëjnë thirrje për protesta kundër “Agimit të Artë”.

Shoqërohet 41-vjeçari, kundërshtoi me dhunë dy punonjës policie

policiaNjë person ka kundërshtuar me dhunë dy punonjës policie në kryqëzimin pranë ushtarit të panjohur. Ngjarja është shënuar pasditen e sotme, kur shtetasi Bedri.O 41 vjeç nga Kukësi, i cili udhëtonte me makinën e tij BMW seria 7 me targë AA 193 FE, ngjyrë e zezë, është ndaluar nga autopatrulla njësia “Shqiponja” për shkelje të sinjalistikës rrugore, duke kaluar kryqëzimin me semafor të kuq.

Menjëherë 41-vjeçari ka dalë nga makina dhe ka kundërshtuar me dhunë dy punonjësit e policisë. Drejtuesi i mjetit aktualisht ndodhet i shoqëruar në komisariatin numër 1, aty ku dhe dy punonjësit e “Shqiponjave” kanë bërë kallëzimin penal.

Apeli: Vrasjet nga pakujdesia, 1 vit burg për Ndrea Prendin, 3 vjet për Llupon

21-janariKatër vite burg për vrasjet e ‘21 Janarit’. Gjykata e Apelit dënoi sot me 1 vit burg ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi dhe me 3 vite burg ish-gardistin Agim Llupo. I pafajshëm nga kjo cështje doli i akuzuari i tretë nga prokuroria, shoferi i Prendit, Margarit Kume.

Sipas trupit gjykues, ish-kreu i gardës vrau nga pakujdesia protestuesin Faik Myrtaj, kurse ish-gardisti llupo vrau nga pakujdesia, protestuesin Ziver Veizi.

Gjykata e Apelit vendosi keshtu për dy gardistët e akuzuar për vrasjen e 3 protestuesve në 21 Janar 2011.
Asnjëri prej 2 të pandehurve nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit përvec, Margarit Kumes.

Avokati Gjokutaj
“Vendimi i Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, por është i pabazuar në ligj. Ne do të ndjekim hapat e ankimit, do të jetë gjykata Supreme që do të thonë përfundimisht fjalën e tyre”- tha avokati mbrojtës i Prendit, Gjokutaj.

Gjokutaj theksoi se do të ndjekë shkallët e gjyqësorit deri në nxjerrjen e pafajshëm të Ndrea Prendit.

“Do të ndjekim hapat e ankimit, do jetë gjykata Supreme dhe shkallët e gjyqësorit që do thonë fjalën e tyre”.

Prokurori
Dje në Gjykatën e Apelit, Prokuroria kërkoi të prishet dënimi i Gjykatës së Tiranës dhe të dënohen me burg dy gardistët që akuzohen për vrasjen e protestuesve.

Procesi gjyqësor që konsiderohet si ‘patatja e nxehtë’ e drejtësisë shqiptare nisi me kërkesën e prokurorisë ndaj gardistëve Ndrea Prendit dhe Agim Llupos.

Prokurori Shkëlqim Hajdari kërkoi që të prishet vendimi i Gjykatës së Tiranës, ndërsa kërkoi të njëjtin dënim dhe në Gjykatën e Tiranës.
“Ndrea Prendi të dënohet me 23 vite burg, Agim llupo të dënohet me 25 vite burg”,- tha prokurori Hajdari.

21-janariSipas prokurorëve ekzistojnë prova balistike që provojnë se ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi vrau Faik Myrtajn sepse një copë predhë e gjetur në trupin e Myrtaj përkonte me plumbin që ka qëlluar nga pistoleta e Prendit. Ndërsa gardisti Agim Llupo, sipas prokurorisë vrau protestuesit, Ziver Veizin dhe Hekuran Dedën.

Prokurori u shpreh se gjykimi i çështjes në Shkallën e Parë të gjykatës ka qenë i paplotë dhe nuk janë marrë parasysh provat. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë i nxori të pafajshëm gardistët për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011.

Gjyqi për 21 Janarin cilësohet si një proces gjyqësor që ka futur në kontradiktë politikën shqiptare si dhe ka ngjallur një diskutim juridik.
Më 21 Janar, viti 2011 u vranë gjatë një proteste të së majtës atë kohë në opozitë, protestuesit Hekuran Deda, Aleks Nikaj, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi.