Samaras: Demokracia i ka mjetet për t’u mbrojtur nga sfidat

greqi-flamurKryeministri grek Antonis Samaras thekson nevojën e ekzistencës së unitetit të popullit dhe të forcave politike në luftën kundër nazizmit dhe për mbrojtjen e legjitimitetit demokratik.

Në një deklaratë për gazetën “To Vima”, Samaras shprehet i vendosur për t’u përballur me veprimtarinë kriminale të neonazisteve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe të demokracisë.

“Demokracia nuk është e pambrojtur. Ajo i ka mjetet për t’u mbrojtur përballë sfidave dhe do t’i përdorë të gjitha në mënyrën më efikase”, nënvizon kryeministri, duke shtuar se uniteti i popullit është kusht i domosdoshëm.

“E përpjeta që po kalojmë për të dalë nga kriza, do të përfundojë së shpejti. Mirëpo tatëpjeta e përçarjes, po të tolerojmë dhunën dhe tensionin, shpie në katastrofën e vendit dhe këtë nuk do ta lejojmë kurrë”, përfundon kryeministri grek.

Ndërkohë opinioni grek vazhdon të shokohet nga dëshmitë e disa anëtarëve anonimë të Agimit të Artë, që militojnë në radhët e partisë ose janë larguar të zhgënjyer. Shtypi boton çdo ditë dëshmi dhe video, ku bëhet fjalë për brigada ushtarake me rreth 3000 njerëz, të cilët stërviten për sulme ndaj antifashistëve dhe të huajve.

Tashmë Gjykata Supreme ka marrë përsipër hetimin e dosjes së veprave kriminale të Agimit të Artë, që do të përcaktojë nëse ekziston edhe akti i krijimit të organizatës kriminale, ndërsa është vendosur prerja e financimit shtetëror për këtë parti.

Gjykata Helene kërkon Neritan Cekën, u përplas me makinë në Greqi

neritan cekaProkuroria dhe gjykata greke janë duke kryer hetime ndaj ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka, në lidhje me aksidentin rrugor ku ai është përfshirë muaj më parë në Greqi. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të gazetës “Panorama”. Në qershor 2013, autoritetet greke kanë sjellë në Shqipëri, me anë të një letërporosie, kërkesën për të marrë në pyetje ambasadorin shqiptar në Itali. Pas mbërritjes së dokumenteve greke në Ministrinë e Jashtme dhe të Drejtësisë, dosja është përkthyer dhe i është përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme.

Kjo e fundit e ka dërguar dosjen në Prokurorinë e Tiranës, së cilës i është kërkuar të marrë në pyetje ambasadorin për llogari të hetimeve që zhvillohen në Greqi. Pasi ka marrë dosjen e ardhur nga Greqia të përkthyer në gjuhën shqipe, Prokuroria e Tiranës ka nisur veprimet për vënien në zbatim të kërkesës së lëshuar nga autoritetet greke. Në korrik 2013, kryeprokurori i atëhershëm i Tiranës ka firmosur një njoftim për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, si institucion epror i ambasadorit shqiptar në Romë. Prokuroria kërkonte që më datë 25 korrik 2013, ambasadori i Shqipërisë në Romë të paraqitej në Tiranë për të dhënë shpjegime në lidhje me aksidentin e ndodhur në Greqi, ku ai ishte përfshirë muaj më parë.

Burimet kanë thënë se për aksidentin ku është përfshirë Neritan Ceka, gjykata e Kallamatës ka nisur një proces penal të lidhur me një proces civil. Në gjyqin civil, mësohet se pronari i makinës së përplasur me mjetin e Neritan Cekës ka kërkuar dëmshpërblim për dëmtimin e makinës së tij.

“Aksidenti ka qenë me pasoja të lehta, por ka lindur problemi i zhdëmtimit të dëmit të pësuar nga makina e shtetasit grek. Ai ka ngritur padi në gjykatë pasi ka pasur probleme me siguracionin e makinës së shtetasit shqiptar Neritan Ceka, për shkak se nuk i është mbuluar gjithë dëmi i bërë”, thanë burimet. Sipas tyre, gjykata greke e Kallamatës ka pranuar padinë e bërë dhe procesi gjyqësor pritet të fillojë më 25 shtator 2013.

Llalla: Antikorrupsioni, përparësi. Arvizu: Tranzicioni ofron mundësi

arvizuAmbasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu inkurajon njësitë e përbashkëta hetimore që të hetojnë rastet e korrupsionit, pavarësisht trysnisë dhe presioneve që mund të hasin gjatë punës.

Gjatë fjalës së tij në takimin me 7 njësitë speciale të hetimit, ambasadori amerikan thekson rëndësinë që faza e tranzicionit politik të mos shikohet vetëm si sfidë, por edhe si një moment që ofron mundësi të reja.

“Mbështesim njësitë e përbashkëta hetimore pasi besojmë tek një qasje rajonale dhe kombëtare. Diçka që kam mësuar për Shqipërinë është se ajo është si një fshat ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Zyrat hetimore mund të ndjejnë trysni kur hetojnë, por në këto kushte hetimin mund ta bëjë një zyrë tjetër. Kjo është një kohë tranzicioni në Shqipëri, dhe tranzicioni vjen me sfida por dhe mundësi. Ne si ambasade e SHBA e kemi përdorur këtë kohë për të folur me ministrat e rinj, kryeprokurorin, në mënyrë që ta shohim si mundësi për të adresuar të gjitha ndryshimet që të luftohet korrupsioni.” – tha ambasadori Arvizu.

Ambasadori Arvizu theksoi gjithashtu rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të denoncuar rastet e korrupsionit dhe të për të mos paguar më ryshfet.

“Gjyqësori është një institucion më pak i besuar pasi shumica e shqiptarëve e shohin atë si të korruptuar. Ndjekja penale e suksesshme kërkon mbështetjen e të gjithëve. Kemi nevojë që të denoncohen rastet e korrupsionit nga publiku. Është me rëndësi nisja e një fushate për të bindur shqiptarët të reshtin të paguajnë ryshfet” – deklaroi ambasadori Arvizu.

Nga ana e tij, kryeprokurori Adriatik Llalla theksoi vendosmërinë e institucionit që drejton për të vijuar luftën ndaj korrupsionit. Prokurori i Përgjithshëm tha se “antikorrupsioni do të vijojë të qëndrojë në vijën e parë të betejave tona”.

“Luftë” për Adnan Januzajn

januzajnFutbollisti shqiptar i Manchester United, Adnan Januzaj, sipas shtypit anglez është vënë në shënjestër të nacionalisteve shqiptarë që duan që të influencojnë në vendimin e tij për të luajtur me kombëtaren e Shqipërise apo të Belgjikes, ku ka lindur.

“Për shkak të trashëgimisë së tij përzier”, shkruan “The Daily Star”, “ylli i Manceshter United mund të luajë për Shqipërinë, Belgjikën, Serbine dhe Turqinë, por ende nuk ka vendosur”.

“Në postimet në median sociale, atij i kujtohet se rrjedh nga gjak shqiptar dhe këtë të mos e harrojë”, shkruan gazeta angleze.

Talenti 18-vjeçar i Manchester United ka refuzuar deri më tani për të luajtur me Belgjikën ku ka lindur dhe ende nuk ka vendosur nëse do të luaj për Belgjikën që ka shanse të medha për të shkuar në Botërorin e Brazilit apo do të luaj me Shqipërine, duke humbur shansin për të marrë pjesë në një turne kaq të madh ndërkombetar.

Sipas “The Telegraph”, familja e tij janë në favor të kombëtares shqiptare. Ndërkohë, një lufte e madhe ka shpëthyer mes Manchester United me të cilin i mbaron kontrata këtë sezon dhe rivaleve te Manchester City, i cili kerkon ta blejë kartonin e tij.

Lezhë, tentoi t’i grabiste varësen nga qafa 60-vjecares, pranga autorit

arrestim20-vjecari Ervis Ndoji është arrestuar në flagrancë pasditen e së dielës në hyrje të qytetit të Lezhës, teksa ka tentuar të grabisë me dhunë varësen e floririt nga qafa e një të moshuare.

60-vjecarja ka bërtitur duke sinjalizuar qytetarët përreth të cilët menjëherë kanë njoftuar policinë që për fat të mirë ndodhej pranë vendngjarjes.

Burime nga policia bëjnë me dije se 20-vjecari Ervis Ndoji nga fshati Shënkoll ka qenë më parë person me precendentë penal më parë për grabitje.

Një stuhi afër lumit Ravi në Lahore, Pakistan

pakistan2209
Një stuhi afër lumit Ravi në Lahore, Pakistan. (Arif Ali, Afp)

 

Terror në Kenia, sulm në një qendër tregtare, mbi 30 të vdekur

kenyaNjë numër i pacaktuar pengjesh vazhdojnë të jenë brenda një qendre tregtare në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, pas një sulmi te armatosur nga militantet e grupit terrorist Al Shabab. Të paktën 39 persona kane vdekur dhe më shume se 150 të tjerë janë plagosur kur anëtarët e grupit islamik somalez rrethuan këtë qendër tregtare duke vrarë disa prej klientëve që ndodheshin brenda. Presidenti Kenian u zotua se do të bëjë gjithcka për të ndaluar personat që kryen këtë akt të rëndë.

39 te vdekur ne qendren tregtare nga grupi Al Shabaab
Një grup i armatosur sulmoi qendrën tregtare “Westgate mall” në Nairobi, në Kenia, duke hapur zjarr ndaj njerëzve. Autoritetet konfirmojnë vdekjen e mbi 30 personave dhe plagosjen e 150 të tjerëve.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se personat që hapën zjarr në qendrën tregtare ishin të paktën pesë.

“Klientët u ekzekutuan me gjakftohtësi. Atentatorët flisnin një gjuhë të panjohur, dukej si arabe, ose somaleze.”- shprehet një dëshmitar.

Grupi terrorist Al Shabaab, celulë e Al Kaedës, ka marrë përsipër sulmin.

Në kohën e sulmit qendra tregëtare ishte e mbushur me qindra blerës.
Forcat e sigurisë dhe policoa këmbyen zjarr me autorët e sulmeve në një përpjekje për të liruar një numër të papërcaktuar njerëzish që ishin të bllokuar në qendrën tregëtare.

Blerësit ikën të tmerruar kur panë sulmet. Shumë u evakuuan nga ndërtesa.

Al- Shabab tha në mesazhe të postuara në Twitter se “muxhahedinët” e tij e kishin kryer sulmin në shenjë hakmarrjeje për ndërhyrjen ushtarake të Kenias në Somali. Në këtë vend ndodhen 4000 trupa keniane te cilet luftojne me militantet islamike qe nga viti 2011. Franca dhe Kanadaja kanë njoftuar se nga dy shtetas të tyre ishin vrarë, përfshirë edhe një diplomat kanadez.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ka raporte se një shtetas amerikan është plagosur, ndërsa Britania është shprehur se shtetasit e saj pa dyshim qe janë prekur nga ky sulm.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka dënuar sulmin me “shprehjet më të ashpra të mundshme”.

Dasma “e thjeshtë” e Aurela Gaçes

dasma aurelesKa vetëm dy ditë që është martuar. Premtoi se nuk do të bënte një dasmë të madhe, por ajo si gjithnjë ka bërë zhurmë. Fotografitë e dasmës së saj tashmë po bëjnë xhiron e internetit. Ftesa po ashtu u komentua. “Shekulli” do t’ju sjellë sot disa nga fotografitë e realizuara në këtë ceremoni martesore, ku sigurisht që nuk mungonin edhe emra të njohur të botës muzikore në Shqipëri. përmendim këtu : Dashnor Dikon, Elton Dedën, Aleksandër Gjokën, Eli Farën dhe të tjerë këngëtarë të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në kudo në Diasporë. Miqtë e saj pohojnë se kjo ka qenë një dasmë e jashtëzakonshme.

E në fakt, përmasat e kësaj ceremonie nuk ishin kaq të mëdha, një javë më parë, atëherë kur vetë këngëtarja Aurela Gaçe shkruante kështu: “Për miqtë që më japin këshillë të mos bëj dasmë bombastike, u them se do të jetë e thjeshtë. Madhështia e dasmës do të jetë tek ata që do të më rrethojnë, tek qejfi i madh që do të bëjmë. Kam miq artistët më të mirë të vendit. Unë po bëj dasmë që ta kem kujtim me familjen time të re që kam krijuar, në mënyrë që goca ta ketë kujtim, prindërit të gëzohen dhe ata që më duan e di që do të gëzojnë vërtet. Nuk kam qenë ndonjëherë tipi i njeriut që mburrem me emrin e sandaleve e çantave, dhe as me vendet e shtrenjta ku mund të kalohen pushime vipash. E nuk kam pse të ndryshoj tani. I kam lajmëruar të ftuarit të marrin bukë me vete. Do martojmë Malon, me tre pale saze (kështu thotë kënga e famshme e humorit fierak). Unë do të kem 2 palë saze. Po i bej gati edhe gazetarët që tek dasma jonë nuk do të ketë para të harxhuara kot që të merret vesh se kush harxhon shumë bëhet i famshëm. Tek dasma jonë, diçka do të jetë pa limit. Jo para, por Qejffff”. Këtë status këngëtarja e ka postuar vetëm katër ditë përpara ceremonisë martesore. Ajo u shfaq krejtësisht ndryshe nga nuset tradicionale duke konfirmuar edhe një herë tjetër se mbetet kurdoherë origjinale.

mix aurela“As nuk besoja tek fjala martesë”

Para se këngëtarja të sillte në jetë vajzën që po ashtu ka shkëlqyer në dasmën e prindërve të saj, askush nuk e mendonte se Aurela Gaçe do të martohej ndonjë ditë. Dhe këtë bindje ia kishte ngulitur vetë këngëtaja publikut shqiptar. Madje edhe ajo vetë e ka pranuar këtë gjatë përgatitjeve të fundit të ceremonisë martesore. Ajo shkruan kështu në profilin e saj zyrtar në portalin social Facebook: “Ju falenderoj të gjithëve për urimet. Në kokë të beqarëve. Më duket pak çudi edhe vete se si edhe unë do të martohem. Kam qenë një nga vajzat që as e mendoja dhe as e doja martesën. As nuk besoja tek fjala “martesë”. Por mesa duket, atëherë kur mendoja ashtu, ishte sepse akoma nuk e kisha njohur njeriun me të cilin do të doja të plakesha. Të ardhmen nuk mund ta dijë askush, por tani që kam marrë vendimin, ndihem mirë”.

Një nga gjërat më të çuditshme të paradasmës ka qenë edhe ftesa e cila u është shpërndarë miqve të saj.  Të gjithë ata që kanë menduar se kjo ka qenë një nga idetë e tjera “të çmendura” të Aurela Gaçes, nuk ka pasur të drejtë. Këtë na e pohon vetë këngëtarja. “Kush nga miqtë e ka parë ftesën e krijuar për dasmën time dhe të Skerdit, menjëherë ka reaguar me buzën në gaz. Dhe ky ishte qëllimi i asaj ftese. Në media e kanë quajtur ide Origjinale… dhe të gjithë ma kanë faturuar mua këtë ide. Mirëpo, e vërteta është se autorësinë e asaj ftese e ka tjetërkush. Ai është Armand Peza. Gjatë diskutimit për ftesat, ai na pyet: A e doni ftesën serioze, klasike apo … Po ç’klasike e serioze, i thamë ne. më pas ai na dha disa ide. Dhe një nga këto ide ne e pëlqyem. Vendosëm që kjo të ishte ftesa e dasmës sonë”.  Kështu ka deklaruar këngëtarja cila menjëherë pas kësaj i ka përcjellë falënderimet Armandit, i cili sigurisht që bëri një punë të mirë për këtë ceremoni martesore. Veshjet e çiftit dhe dekorimi në fakt është pëlqyer nga të gjithë të pranishmit në dasmë.

‘Foreign Policy’: A mundet të ndryshojë Shqipërinë basketbollisti?

rama revista“Mundet Edi Rama ta ndryshojë vendin e pashpresë duke u bërë ylli i kësaj emergjence? Me këtë pyetje nis shkrimin e saj revista prestigjioze amerikane ‘Foreign policy’ për situatën në Shqipëri dhe qeverisjen e pritshme të kryeministrit, Edi Rama.
“Një lajm i mirë nga një cep i botës. Të dielën e shkuar Edi Rama nisi punën si kryeministër i vendit. Në rast se keni humbur lajmin, në qershor, një koalicion i udhëhequr nga PS e Ramës korri një fitore dërrmuese mbi qeverinë e udhëhequr nga Sali Berisha “ nis artikullin e tij me titull “Basketbollisti”, gazetari James Traub.

“Kryeministri i ri i shqiptarëve është një 49-vjecar, i cili ka jetuar në Paris, një ish-basketbollist, ish-drejtues i Bashkisë së Tiranës për tre mandate, politikan i matur, por dhe udhëheqës i protestave në rrugën, bohem me mjekër, reformator i përkushtuar “do ta përshkruajë revista amerikane kryeministrin e ri të shqiptarëve. Duke shkruar për sfidat që presin qeverisjen e re, gazetari amerikan shprehet vetëm zoti e di sesi mund të ecë ky vend shumë afër vendeve të botës së tretë.

Ndërsa përmend disa aspekte negative ku vendi shpesh cilësohet si tokë e prostitutave dhe emigrantëve të paligjshëm. Shqipëria gjithashtu vend tranzit për trafikun e drogës dhe prostitutave, vend i një grope të madhe korrupsioni ku prindërit duhet të paguajnë rryshfete që fëmijët e tyre të shkollohen, kurse mësuesit duhet të blejnë me para një vend pune.

Revista analizon karrierën politike të zotit Rama dhe punën e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, ku ngriti një administratë të arsimuar, me të rinj anglishfolës.

Ai premtoi, shkruan revista-se do shembë kioskat dhe ndërtimet pa leje dhe e bëri. U ktheu ngjyrat e ndritshme fasadave gri të pallateve në kryeqytet. Ngriti zyrën e informacionit ku u dyndën dhjetra ankesa të qytetarëve. Foreign Policy e cileson ramen nje valsav havel te revolicionet kadife te tiranes. Foreign Policy” analizon edhe veprimet e ish-kryeministrit Berisha kur thotë:

“Berisha, një adhurues i madh i tregut të lirë, jo vetëm që ftoi Steve Forbes në Tiranë, por e ktheu Shqipërinë një parajsë forbesiane duke vendosur taksën e sheshtë apo duke privatizuar shumë shërbime publike si energjinë elektrike dhe ujin. Por eksperimenti forbesian,- nënvizon revista amerikane, -dështoi me sukses pasi sot rritja ekonomike qëndron pezull tek zero. Revista amerikane analizon dhe koalicionin Rama-Meta duke shprehur optimizëm se gjithcka mund të shkojë mirë pasi Meta si Rama është i vendosur të cojë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Dhunë ndaj shqiptarin: S’jam i “Agimit të Artë”

dhunoi shqipPersoni që para dy ditësh dhunoi një 20 vjeçar shqiptar në qytetin e Lamias, ka mohuar që të ketë lidhje me “Agimin Artë”, madje ka akuzuar shqiptarin se ishte ai që e provokoi i pari.

35 vjeçari i denoncuar nga shqiptari ka thënë se nuk ka lidhje me “Agimin e Artë”, por ndodhej në zyrat e partisë neonaziste për t’i shpëtuar përplasjes së policisë me antifashistët.

Ndërkaq një video e publikuar nga media lokale, vërteton lidhjet e tij me nonazistët. Në video duket dhunuesi i cili ka qenë jashtë zyrës së neonazistëve edhe një natë para incidentit, së bashku me militantë të tjerë të “Agimit të Artë”, gati për t’u përleshur me antifashistët.

Videoja e realizuar një natë para sulmit, tregon 35 vjeçarin me një fanellë blu, që bashkë me të tjerë neonazistë, ndodhen jashtë zyrave të degës lokale të partisë dhe hedhin slogane, fyerje dhe kërcënime në drejtim të antifashistëve, që protestonin në rrugë për vrasjen e këngëtarit Pavlos Fissas.

20 vjeçari shqiptar (në foto) tha në lidhje me incidentin: “Ai më pyeti nëse unë jam shqiptar dhe kur u përgjigja “po”, më goditi në fytyrë dhë në hundë. Nuk e fyeu askush”.

Nga ana e tij 35 vjeçari ka pohuar se është një keqkuptim: “Kanë parë bluzën time dhe kanë kujtuar se jam i “Agimit të Artë”, por unë nuk kam asnjë marrëdhënie me të. Unë bëj shoqëri me pakistanezë dhe shqiptarë. Nuk jam racist. . . Më quajtën Hrisavgjit (nga emri i partisë në greqisht “Hrisi Avgji”) dhe më fyen. Për këtë arsye e godita. Unë shkova te zyrat e Agimit të Artë për t’u fshehur, sepse miqtë e shqiptarit ishin duke më ndjekur”.

Edhe dega vendore e “Agimit të Artë” në Lamia, në një deklaratë pretendon se nuk ka të bëjë me sulmin mbi 20 vjeçarin shqiptar të enjten në mbrëmje në qendër të Lamias.

Pas vrasjes së këngëtarit të majtë, anëtarët e partisë neonaziste janë vënë nën mikroskopin e medias dhe opinionit publik, ndaj partia “Agimi i Artë” përpiqet të distancohet zyrtarisht nga incidente të tilla.