Zveçan, qëllohet me armë makina e EULEX-it, vdes polici nga Lituania

52

eulexNjë pjesëtar i EULEX-it është vrarë sot në mëngjes në territorin e komunës së Zveçanit, bën të ditur agjencia “Beta” e Beogradit. Mësohet se makina e EULEX-it është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Plumbat kanë prekur në kokë dhe në bark policin nga Lituania me iniciale A.S.

Si pasojë e sulmit janë plagosur edhe dy policë të tjerë, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e KFOR-it dhe njësitë speciale të EULEX-it. Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, pa dhënë detaje shtesë.

EULEX-i KONFIRMON VDEKJEN E PJESËTARIT TË SAJ
EULEX-i konfirmoi se të enjten rreth orës 7:30, dy automjete të EULEX-it, me të cilat udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit.
Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. Task-Forca Mitrovica është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar.

Zona përreth është bllokuar, ndërsa thuhet se do të bëhet çmos për t’i sjellë autorët e kësaj vepre përpara drejtësisë. EULEX-i e dënon fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarit të tij.

“Ne i bëjmë apel komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që din ndonjë gjë lidhur me këtë incident që të paraqiten dhe të na kontaktojnë në numrat e telefonit 00381 38 78 5555 ose 00381 38 78 5556. EULEX-i i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

THACI DENON SULMIN
Kryeministri Hashim Thaçi e ka dënuar sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në afërsi të Komunës së Zveçanit, ku si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it.

“Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria ka kërkuar nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryerësit e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it.

AMBASADORJA JACOBSON: JAM E TRONDITUR
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit.

“Jam e tronditur me sulmin ndaj EULEX-it në veri, këtë mëngjes, dhe e trishtuar me humbjen e jetës”, – ka shkruar Jacobson në “Twitter”.

MINISTRJA VLORA E TRONDITUR
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku u shpreh se ështe tronditur me lajmin për vrasjen e një polici të EULEX-it në Veri të Kosovës.
Nëpërmjet Twitter-it, Çitaku ka shkruar se sulmet ndaj personelit të EULEX-it janë të papranueshme dhe është lutur për shërimin e policëve tjerë të plagosur.

“Ne lutemi për shërimin e shpejt të dy oficerëve të plagosur”, shkruan ajo.