Greqi, vritet këngëtari nga një neonazist

61

greqia repNjë 34 vjeçar grek, me profesion muzikant, është qëlluar për vdekje mbrëmë në Athinë.
34 vjeçari njihej si veprimtar i majtë, antifashist dhe antiracist dhe është sulmuar nga një grup neonazistësh, njëri prej të cilëve e qëlloi me thikë.
Policia greke arrestoi një 45 vjeçar, i cili ka pohuar se është anëtar i “Agimit të Artë”, ndërkohë që më herët në një njoftim zyrtar, partia neonaziste mohoi të ketë lidhje dhe u distancua nga ngjarja.

Krimi ndodhi mbrëmë teksa reperi grek Pavlos Fissas, që njihej me pseudonimin Killah P. (në foto), doli me të fejuarën dhe miqtë e tij nga një klub ku kishte ndjekur një ndeshje futbolli dhe është përplasur me një grup njerëzish të veshur me të zeza, të cilët edhe sipas dëshmitarëve, ishin anëtarë të partisë “Agimi i Artë”. Kur 34 vjeçari është larguar, njëri prej tyre e ka ndjekur dhe e ka qëlluar me thikë duke i shkaktuar vdekjen.

Policia po heton për të zbuluar motivet e kësaj vrasjeje, por mendohet se ajo mund të ketë të bëjë me ngjarjen e disa ditëve më parë, kur neonazistët sulmuan një grup komunistësh duke shkaktuar 9 të plagosur.

Partitë e majta dhe sindikatat dënojnë ngjarjen dhë bëjnë thirrje për protesta kundër “Agimit të Artë”.