BB: SHBA-të po shkojnë drejt një rreziku serioz

banka boterorePresidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, u ka tërhequr vëmendjen Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se po shkojnë drejt një rreziku të madh, nëse ligjvënësit amerikanë nuk do ta zgjidhin ngërçin me buxhetin dhe kulmin e borxhit, raporton gazeta “Express”.

“Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera botërore, do të ballafaqohen me shkallë të lartë interesi, rënie të besimit dhe rritje të ngadalshme ekonomike, nëse Kongresi i Shteteve të Bashkuara nuk kufizon borxhin, i cili deri tani është16 700 miliardë dollarë”, -ka deklaruar Kim.

 Thesari i Shteteve të Bashkuara, ka thënë presidenti Kim, nuk do të ketë para të mjaftueshme për t’i paguar të gjitha faturat e vendit, nëse deri më 17 tetor të këtij muaji, nuk merren masa për kufizimin e borxhit.

Këto deklarata, presidenti i Bankës Botërore, i ka bërë në Washington, në mbylljen e takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Inter dhe Everton në garë për Granit Xhakën

Xhaka1_602765Mediet zviceriane raportojnë se, Interi dhe Evertoni janë vënë në kërkim të mesfushorit Granit Xhaka. Ekipi italian dhe ai anglez janë në bisedime me të riun e Borussia Monchengladbach për blerjen e tij.

Sipas faqez zviceriane “Infoticker.ch”, të dy ekipet janë gati të blejnë 21-vjeçarin pas performancës së tij në ndeshjen Shqipëri-Zvicër (1-2).

Xhaka, i lindur në Kosovë, u ble nga ekipi gjerman për 7.2 milionë paund në vitin 2012 nga Baseli.

Mesfushori, që është krahasuar me Bastien Shcweinsteiger nga trajneri Ottmar Hitzfeld, ka një kontratë që përfundon në vitin 2017.

Vitin e kaluar ish-trajneri i Baselit që tani drejton Hamburgun, Thomas Fink tha: “Xherdan Shaqiri është talenti më i mirë zvicerian… pas Granit Xhakës.”

Tashmë pritet se kush do të fitojë garën mes Evertonit dhe Interit për të blerës mesfushorin me origjinë shqiptare.

Dritëro Agolli: Kryeministri Rama do bëjë më shumë se të tjerët

rama agolliShkrimtari dhe patriarku i socialistëve, Dritëro Agolli vlerëson ditët e para të punës së Qeverisë së re duke u shprehur optimist për suksesin e saj. Sipas tij, Kryeministri Edi Rama edhe pse shpesh është kritikuar, ka treguar se di të jetë drejtues i mirë. Madje sipas Agollit, Rama mund të bëjë hapa para më shumë se paraardhësit e tij.

I informuar dhe për debatet e fundit politike lidhur me administratën publike, apo akuzat e opozitës për largime të padrejta nga puna, Agolli pohon në një intervistë për Top News, se ky është një zakon i vjetër që zbatohet nga çdo qeveri. Nëse do të hiqej dorë nga ky zakon, vendi do të bënte shumë më tepër hapa përpara. Por, shkrimtari Agolli nuk kursen as këshillat duke i sugjeruar Qeverisë të të hedhë hapat njëri pas tjetrit dhe jo të marrë përsipër shumë gjëra njëherësh.

Këshillat e Agollit

Në 82-vjetorin e lindjes ndërsa priste urimet nga miq e të afërm të shumtë, Agolli ka pranuar të komentojë dhe zhvillimet e fundit politike pas ardhjes në pushtet të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. I pyetur mbi debatin më të fundit mes mazhorancës së re dhe opozitës për ligjin “Për nëpunësin civil” në një kohë që opozita është fokusuar në akuzat për largime të padrejta nga administrata, Agolli pohon se kjo është një praktikë e vjetër tashmë, e ndjekur nga çdo qeveri.

“Po kjo praktikë mendoj që është kthyer në një zakon edhe nuk duam ta prishim zakonin sepse le të thotë kush të dojë që ka qenë mirë në këtë periudhë, ka qenë keq në tjetrën, nuk është ashtu. Gjithnjë administrata, sa ka ardhur një forcë politike tjetër, është ndryshuar”, – pohon ai ndërsa nuk kursen dhe sugjerimet për mënyrën e zgjidhjes së kësaj praktike të vjetër përplasjesh mes palëve.

 

“Po hoqe dorë nga kjo, ke arritur një përparim të madh që të vijnë njerëzit pa dallime politike, vetëm të jenë të zotë, specialistë të zotë. Që të ecë Shqipëria përpara duhet të zhduket ky mentalitet”, – shprehet Agolli. Shkrimtari sugjeron gjithashtu që Qeveria mos marrë përsipër shumë gjëra njëherësh. “Në përgjithësi unë them që mirë e kanë filluar, vetëm se do të thosha që disa gjëra duhet të mos bëhen përnjëherësh të gjitha. Për shembull, kur hamë bukë në fillim hamë sallatë, pastaj supën, pastaj vjen gjella tjetër.

Pastaj, vjen bakllavaja, pemët e të gjitha. Pra, nuk duhet t’i hamë të gjitha përnjëherësh”, – shton ai. I pyetur nëse mund të ishte bërë më shumë në këto tetë vite kur vendi u drejtua nga – ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, Agolli shmanget dhe lëshon një përfundim të hidhur. Ai thekson se në drejtimin e vendit në këto 23 vjet pluralizëm nuk ka pasur drejtues që mund të veçohen për ndryshime madhore në vend. Por, kjo vjen dhe për shkak të një mentaliteti të një shoqërie e cila ende ka si problem gjakmarrjen. Pavarësisht këtij mentaliteti, Agolli shpreh bindjen se Rama mund të jetë drejtuesi që mund të bëjë dallimin dhe mund të hedhë më shumë hapa përpara se të tjerët.

Ai shton se shpesh kreu i Qeverisë është kritikuar, madje dhe nga kolegët e tij, për veprime të pakonsultuara, por deri tani nuk është vënë re një gjë e tillë. “Mund të jetë sepse si drejtues ai është i zoti. Ndonjëri mund ta quajë se nuk pyet shumë njerëzit, kolegët e tij, por unë deri tani nuk vë re ndonjë gjë të tillë. Unë mendoj se si drejtues, si kryetar qeverie mund të bëjë hapa përpara më shumë nga të tjerët. Sepse dhe Tirana që drejtonte ai është si një qeveri e vogël, është gjysma e Shqipërisë gati dhe bëri punë shumë të mira, e ndryshoi faqen e Tiranës”, – arsyeton Agolli.

 

Film në Napoli për Ramën, “Kur ngjyrat të ndryshojnë jetën”

ed3Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetin social “Facebook”, disa foto ku tregon sallën e teatrit në Napoli. Albumi i titulluar “Kur ngjyrat të ndryshojnë jetën” tregon për filmin autorit Anri Sala në lidhje me transformimi e Tiranës nga Edi Rama, në kohën që ishte në krye të bashkisë.

“Në Itali, salla e teatrit të Napolit dy mbrëmje më parë, ku u prit me ovacione filmi i transformimit të Tiranës me autor Anri Salën dhe shfaqja e fjalës së kryeministrit Edi Rama në TedTalks”, shkruan Rama në FB.

Në këtë video istalacion  Anri Sala tregon pallatet shumëngjyrëshe të Tiranës, të lyera nga kreu i bashkisë së asaj kohe, Edi Rama.

Letra e Ramës, Basha mbledh sot të djathtët

Hipoteka-per-5-mije-banesaKreu i PD-së, Lulzim Basha, do të mbledhë sot aleatët e djathtë, një ditë pas ftesës së mazhorancës për konsensus me opozitën në lidhje me aktin normativ të ligjit për nëpunësit civil.

Takimi po zhvillohet në selinë e Partisë Demokratike kur pritet të shqyrtohet ftesa e kryeministrit Rama për konsensus si dhe qëndrimi që do të mbajë opozita këtë javë në Parlament.

Përmes një letre të hapur,  kryeministri Rama ka ftuar për bisedime kryetarët e katër partive opozitare, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.

Duke i qëndruar sërish bindjes se ligji është i pazbatueshëm, Rama nënvizon se ndërsa mazhoranca ka zgjedhur rrugën e aktit normativ si më të përshtatshmen, nga opozita ende nuk ka asnjë alternativë që zgjidh këtë problem.

Në seancën plenare të Kuvendit ditën e enjte u shty votimin i aktit normativ, i cili shfuqizon me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil.

Kryeministri Edi Rama tha se votimi i aktit normativ u shty për të kërkuar konsensusin e opozitës dhe shtyrja ishte bërë me kërkesë të kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta.

Ndërkohë opozita ashtu sikundër kishte paralajmëruar e bojkotoi seancën, me shkakun se është prishur konsensusi politik me aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.

Mimi Kodheli: Ka korrupsion në Shërbimin Informativ dhe Ushtri

mimi-kodheliMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaron se strukturat e ushtrisë janë të korruptuara dhe se ato do të duhet t’i nënshtrohen një ristrukturimi të thellë. Në një intervistë për emisionin “Bugajski Hour” në televizionin “AS”, ministrja Kodheli theksoi se në gjirin e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Mbrojtjes ka patur shumë trysni nga politika për zgjedhje si dhe shumë korrupsion. Sipas Kodhelit, korrupsioni në ushtri nuk shtrihet vetëm mbi pronat, tenderat apo ankandet, por edhe për karrierën e ushtarakëve. Për ministrjen e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ brenda Ministrisë së Mbrojtjes duhet të ristrukturohet dhe riorganizohet sipas standarteve të NATO-s për t’i dhënë fund fenomenit të korrupsionit.

Më lejoni t’ju pyes gjegjësisht mbi Rishikimin e Mbrojtjes Strategjike që u përmbyll vitin e kaluar. Dhe hapi tjetër është Plani për Zbatimin nga Ministria e Mbrojtjes. Cili është plani juaj dhe, ç’është më e rëndësishmja, si do të preket ai nga buxheti i mbrojtjes?

Ne kemi gjetur një nga skenaret më të këqinj, ku Shqipëria ka qenë gjatë dy dekadave të fundit. Më e keqja ishte në vitin 1997, me skemat piramidale, dhe tjetra është e tashmja. Kam parë të dhënat, dhe në fund të vitit ne kemi për të patur gjithnjë e më pak të ardhura. Nga 25.3% e GDP-së, të ardhurat do të shkojnë në 23.8%, dhe kjo është një shumë e madhe parash. Kjo do të thotë se ne do të kemi shkurtime në të gjithë sektorët, dhe kjo natyrisht do të prekë edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Por ne gjithsesi do të përmbushim obligimet tona ndaj NATO-s dhe më e rëndësishmja është të kemi përpjestime të mira kur hartojmë buxhetin. Detyrimet ndaj stafit në paga.

Më lejoni t’ju bëj një pyetje mbi korrupsionin, më saktë mbi politizimin. A do të thonit se ushtria shqiptare në tërësi është plotësisht e depolitizuar sipas standarteve të NATO-s?

 Aspak! Përkundrazi! Në gjirin e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Mbrojtjes ka patur shumë trysni lidhur me faktin se ai që s’voton për PD-në, nuk është pjesë e jona. S’mund të jetë kurrsesi kështu. Ne do t’i vëmë fre kësaj gjëje njëherë e mirë. Ushtria është ushtri. Ajo ekziston që të mbrojë integritetin e Shqipërisë, që të mbrojë demokracinë e Shqipërisë, që të mbrojë pronat e qytetarëve, që të mbrojë gjithçka në të mirën e të ardhmes sonë. Pra, ushtria s’ekziston për të treguar nëse ushtarakët kanë votuar për PD-në apo PS-në, apo për parti të tjera. E dyta, ka shumë korrupsion, jo vetëm kur diskutojmë mbi pronat apo mbi tenderat apo ankandet apo mbi çdo aktivitet ekonomik që Ministria e Mbrojtjes ka në kornizën e saj, por gjithashtu edhe kur flasim për karrierën, e cila është një temë tjetër që ne do ta ballafaqojmë dhe me të cilën unë ballafaqohem që tani. Po them vetëm një gjë. Paraardhësi im kishte vendosur disa yje në spaletat e disa gjeneralëve apo kolonelëve të Forcave të Armatosura në muajin maj, një muaj para zgjedhjeve. Dhe me ligj, procesi duhet të përfundonte në shtator. –Shtatorin e kaluar! –Jo, këtë shtator! Pra, ata nxituan që të vendosnin disa yje shtesë në karrierën e dikujt vetëm për të patur disa vota më tepër, sepse unë s’shoh asnjë arsye tjetër. Diçka që duhet ta përmend medoemos është fakti se korrupsioni ka prekur edhe Shërbimin Informativ, dhe madje tejet negativisht. Ka raporte konfidenciale ndërmjet shërbimeve të inteligjencës të anëtarëve të NATO- s, dhe nëse dikush nga jashtë mëson se ka korrupsion, atëherë ky mund të jetë një problem tejet i rrezikshëm dhe i madh. Pra, agjensia që po merret me shërbimin informativ brenda Ministrisë së Mbrojtjes duhet të ristrukturohet dhe riorganizohet sipas standarteve të NATO-s, dhe lufta kundër korrupsionit ka për ta bërë atë një shërbim më të mirë e më efikas.

Besoj se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO, sapo vendi të përmbushë kushtet?

Po. Ne do ta mbështesim Kosovën. Eshtë krejt normale.

Atëherë, besoj se do mbështesni edhe anëtarësimin e Serbisë në NATO?

Po, sigurisht. Kështu duhet të ndodhë, ndonëse Serbia është partnere e NATO-s, por nuk merr pjesë në misionet e drejtuara nga NATO-ja.

*Shekulli

 

Korçë, vetëvritet me automatik 53-vjeçari

vrasjeNjë person i ka dhënë fund jetës duke u vrarë me armë zjarri. Mësohet se viktima është Vilson Rika, 53 vjeç nga fshati Çiflik i Korçës. Ai është gjetur i vdekur nga familjarët, pak metra nga banesa e tij. Forcat e rendit kanë nisur hetimet për zbardhjen e motiveve që çuan 53-vjeçarin drejt vetëvrasjes. Sipas policisë, pranë trupit të të ndjerit gjendej një armë zjarri automatik. Po sipas policisë, viktima dyshohet se ka qëlluar veten me armë poshtë mjekrës. Mësohet se 53-vjeçari vuante prej disa kohësh nga depresioni.

Konflikte për boçet e pishës, zbardhet krimi

policia...Shpallen në kërkim katër persona të akuzuar për ngjarjen e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së premten tek Gjiri i Lalzit, ku humbi jetën 25-vjeçari Altin Bushi. Nga ana e policisë bëhet me dije se janë duke vijuar kërkimet për autorin e vrasjes, i cili mund të jetë fshehur në zonën e krimit. Ndërsa kanë vijuar me intensitet kërkimet në fshatrat Bize e Drac të Ishmit si dhe në Hamall e Shkafanë. Sipas efektivëve të policisë terreni është mjaft i vështirë dhe ka shumë zona qorre, duke ngadalësuar kapjen e autorit. Kjo zonë ka sipërfaqe pyjore të dendur dhe mjaft banesa të shkatërruara, të cilët janë të pozicionuar në thellësi, ndërsa ka dyshime se autori Bledar Bushi mund të jetë duke qëndruar i fshehur. Dëshmitarët okularë kanë zbardhur skenarin e ngjarjes si dhe momentin e ekzekutimit të Altin Bushit. Sipas dëshmitarëve konflikti ka nisur për ndarjen e territorit të mbledhjes së boçeve të pishës. Në dallim ndarja e territori i është lënë në dorë vetë fshatarëve dhe kjo ka qenë zanafilla e ngjarjes së rëndë me një të vrarë dhe katër të plagosur. “Kur ne u mblodhëm thamë që të mos bënin punë pa e diskutuar si fis. Po kjo bëri që të niste një sherr i madh, fillimisht me shqelma e grushte e më pas me hunj. Përleshja ka ndodhur në territorin e pishave. Qëllohej kushdo qe të dilte përpara, edhe të tjerët që ishin më të shumtë në numër janë rrahur me ta. Me të shara e me kërcënime askush nuk largohej nga e tija. Më në fund Bledar Bushi nuk ka duruar më, por ka nxjerrë armën e ka qëlluar. Për tu plagosur me hunj janë plagosur dhe janë rrahur të gjithë me njëri-tjetrin”, ka rrëfyer një prej dëshmitarëve okularë. Lufta për territorin e mbledhjes së boçeve degjeneroi në një konflikt të armatosur ku mbeti i varrë Altin Bushi, të plagosur vëllai i tij Florenc Bushi, nëna Vjollca, babai dhe vëllai i vogël.

Ngjarja

Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë të shpallur në kërkim nga policia janë Bledar Bushi, vëllai i tij Agustin Bushi dhe dy kushërinjtë Gjok dhe Luigj Bushi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:35 minuta. Përdorimi armës së zjarrit tip pistoletë TT mod 54 nga i dyshuari Bledar Bushi ka bërë që të gjakosen 4 vetë. Nëna 50 -vjeçare V, me fëmijët Albert Bushi 25 vjeç, i cili humbi jetën në spitalin ushtarak të Tiranës dhe 2 vëllezërit e tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mes shumë personash të të njëjtit fis dhe policia pasi ka shkuar në vendngjarje ka bërë menjëherë shoqërimin e shumë prej tyre duke përfshirë edhe arrestimin e 2 vëllezërve të autorit të dyshuar Bledar Bushi. Policia ka bërë me dije se “Gjatë gjithë ditës të dyja familjet kanë prerë degë pishe dhe i kanë lënë grumbull, që më pas të mblidhnin boçet e tyre. Në një grumbull të prerë në anë të rrugës për t`i marrë e kanë pretenduar të dy familjet”.

Shkodër, vetëvritet me armë 23-vjeçari

policiaNjë ngjarje tragjike ka ndodhur në një fshat të Shkodrës, ku një i ri i ka dhënë fund jetës duke u vrarë me armë zjarri. Viktima është 23-vjeçar Ndue Marku nga komuna Shalë e rrethit të Shkodrës.

I riu i ka dhënë fund jetës me armë zjarri në banesën e tij në fshatin Gimaj të Komunës Shalë. Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.

Botohet në Fletoren Zyrtare rezoluta për çështjen Çame

cameria_by_chr1salbo-d3cdc7Rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame është botuar në Fletoren Zyrtare. Në pranverë, votimi i rezolutës u shoqërua me debate në Kuvend, për shkak se ky akt nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare.

Në këtë rezolutë thuhet se, “është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët (Shqipëria dhe Greqia), në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe Sigurisë, të nënshkruar dhe të ratifikuar nga të dyja vendet.”

Rezoluta kërkon që të zgjidhet çështja e pronave dhe pasurive të tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura ndërkombëtare.

Kuvendi “ngarkon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.”